12.8 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Turqia ka kërkuar ekstradimin e 118 pjesëtarëve të FETO-s nga 41 shtete

Më të lexuarat

Në mesin e shteteve të cilave u është dërguar numri më i madh i dosjeve për ekstradim janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermania, Greqia, Belgjika, Mozambiku dhe Bosnjë dhe Hercegovina

ANKARA (AA) – KEMAL KARADAĞ

Në kuadër të luftës kundër Organizatës Terroriste FETO, autoritetet e Turqisë deri më tani kanë kërkuar ekstradimin e 118 pjesëtarëve të organizatës nga 41 shtete, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave që AA ka marrë nga zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, para tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016 Turqia i ka dërguar shtatë dosje për ekstradimin e gjashtë pjesëtarëve të FETO-s Bullgarisë, Rumanisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Holandës.

Ndërkaq, pas tentativës për grusht shteti është kërkuar ekstradimi i 112 pjesëtarëve të FETO-s nga 40 shtete. Në këtë mënyrë, deri më tani 41 shteteve i janë dërguar 122 dosje për ekstradimin e gjithsej 118 personave.

Në mesin e shteteve të cilave u është dërguar numri më i madh i dosjeve për ekstradim janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermania, Greqia, Belgjika, Mozambiku dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Nga SHBA-të, Turqia ka kërkuar ekstradimin e 18 personave, përfshirë edhe kreun e organizatës Fetullah Gülen dhe personin që në opinion njihet si “Emre Uslu”.

Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë i ka dërguar 14 dosje Gjermanisë, ku kërkohen ish-prokurorët Zekeriya Öz dhe Celal Kara.

Nga ana tjetër, nga Greqia është kërkuar ekstradimi i tetë ushtarëve puçistë që u arratisën në këtë vend pas tentativës për grusht shteti.

Nga Belgjika është kërkuar ekstradimi i gjashtë personave, nga Mozambiku pesë, ndërsa nga Bosnjë dhe Hercegovina katër persona.

Pas kërkesës së Turqisë, Rumania ka ekstraduar dy pjesëtarë të FETO-s pas gjykimit.

11 shtete kanë ekstraduar 14 pjesëtarë të FETO-s në Turqi

Pas kërkesave nga autoritetet turke, 11 shtete kanë ekstraduar gjithsej 14 pjesëtarë të FETO-s. Arabia Saudite ka ekstraduar gjithsej tre pjesëtarë të FETO-s në Turqi, Emiratet e Bashkuara Arabe dy, ndërsa nga një kanë ekstraduar Bullgaria, Malajzia, Mozambiku, Bahreini, Republika Veriore e Qipros Turke, Sri Lanka, Mianmari, Turkmenistani dhe Azerbajxhani.

Në mesin e të deportuarve gjendet edhe Abdullah Büyük, drejtues i lartë i organizatës, i cili ishte arratisur në Bullgari.

Ndërkaq, katër pjesëtarë të FETO-s që ndodhen në tri shtete janë marrë në paraburgim për t’u ekstraduar. Siç mësohet, procedurat e tyre të ekstradimit janë duke vazhduar në shtetet relevante.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit