11.2 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Përse e zgjodha mbulesën?

Më të lexuarat

NGA IVONE REDLAY, GAZETARE BRITANIKE

Shumë udhëheqës e gazetarë i kanë zbukuruar shkrimet e tyre ndaj keqtrajtimit të gruas në Islam, duke mos biseduar, qoftë edhe një herë me gratë, të cilat mbajnë mbulesën… Thjeshtë ata nuk dinë fare për nderimin dhe përkrahjen me të cilat është begatuar femra në Fenë Islame qysh para 14 shekujve… gjithashtu ata shkruajnë për tema që nuk kanë lidhje me kulturën e shoqërisë, si p.sh.: martesa e hershme, vrasja për shkak të nderit, martesa me dhunë etj., çdo herë duke u shprehur në mënyrë arrogante, ku pretendojnë se Islami është përgjegjës për këto veprime, në një kohë kur dihet shumë mirë nga të gjithë, se këto gjëra nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Islamin.

U themi atyre: Më falni, ndaluni e mos i përzieni kulturën, traditat me udhëzimet e Islamit. Më është kërkuar që të shkruaj për temën, se si ua lejon Islami burrave rrahjen e bashkëshorteve të tyre? Gjë që nuk është e vërtetë… Kritikuesit e Islamit e argumentojnë këtë gjë me ajete nga Kurani dhe hadithe, duke i marrë argumentet në mënyrë sipërfaqësore… nëse një burrë detyrohet të ngrejë dorë mbi gruan e tij, Islami ia ka ndaluar atij që të lërë gjurmë në trupin e saj, d.m.th.: Islami i thotë muslimanit në mënyrë indirekte të mos e rrah gruan e vet.

Më lejoni t’ju paraqes disa statistika sipas të dhënave në SHBA në lidhje me dhunën në familje: vetëm në periudhën kohore prej 12 muajsh, 4 milion femra amerikane janë keqtrajtuar me dhunë nga bashkëshortët e tyre. Më shumë se 3 femra vriten për çdo ditë nga bashkëshortët dhe dashnorët e tyre. Rreth 5,500 femra janë keqtrajtuar deri në vdekje brenda 5 viteve 2001- 2006. Ndoshta dikush mund të thotë se këto janë akuza të rënda, që po i adresoni ndaj një shoqërie të civilizuar siç është shoqëria amerikane, mirëpo unë ju them: Me të vërtetë dhuna ndaj femrave është dukuri ndërkombëtare, ata që e manifestojnë dhunën nuk do të thotë se i takojnë vetëm ndonjë feje apo kulture të caktuar… Është e vërtetë e pamohueshme, se çdo tre femra në botë i nënshtrohen rrahjes, dhunës apo keqtrajtimeve në forma të ndryshme gjatë jetës së tyre.

Dhuna ndaj femrave është një çështje që nuk karakterizohet vetëm me një fe, shtresë shoqërore, racë apo kulturë. Femrat para ardhjes së Islamit trajtoheshin si krijesa të ulëta pa vlerë, ndërsa sot në botën perëndimore femrat akoma përballen me probleme të ndryshme; ku burrat mendojnë se janë më të privilegjuar, se sa gratë duke u vërejtur qartë në sistemin e jetesës si punësimit, rrogat në të gjitha sektorët, duke filluar nga pastrueset e deri tek ato që synojnë poste të larta nën ombrellën e “barazisë gjinore”. Ende femra perëndimore vazhdon të trajtohet sikur të jetë prodhim tregtie, ku trupi dhe bukuria e saj përdoret si produkt kryesor në tregjet e shumë shteteve, në të cilat dhuna ndaj femrave është në masë të madhe, ndërsa barazia gjinore është vetëm një iluzion.

Shpesh në të kaluarën i kam konsideruar gratë e mbuluara me hixhabmbulesë si krijesa të shtypura dhe të prapambetura, ndërsa tani i shikoj ato si femra me aftësi të larta dhe të respektuara. Lidhja mes femrave perëndimore është shumë e zbehtë në krahasim me lidhjen e fortë të femrave muslimane. E sidomos i kam ndryshuar pikëpamjet e mia pas një eksperience të hidhur në kohën kur kisha rënë në duart e Talibanëve nën akuzën e spiunazhit në Afganistan gjatë vitit 2001 dhe kisha veshur ferexhe. Ndërsa isha e arrestuar vendosa, që nëse më lirojnë do të filloj leximin e Kuranit dhe mësimin e Islamit dhe pikërisht e plotësova premtimin tim, mirëpo meqë isha gazetare dhe raportoja për lajmet e Lindjes së Mesme ndjeva nevojën për zgjerimin e njohurive rreth fesë, e cila është sistem jete. Më herët mendoja se të lexuarit e Kuranit është vetëm studim akademik, mirëpo më pas mësova se me të vërtetë Kurani tregon në mënyrë të qartë se femrat trajtohen si të barabarta me meshkujt në shumë aspekte, si ai shpirtëror, arsimor, si dhe në shpërblim.

Begatia që i është dhuruar femrës në lindjen dhe edukimin e fëmijëve, muslimanët e shikojnë si një vlerë dhe pozitë të lartë, femra muslimane krenohet me atë që është amvisë dhe mirëmbajtëse e shtëpisë. E kanë pyetur të Dërguarin e Allahut, se kush nga njerëzit e meriton më shumë mirësjelljen? Iu përgjigj: nëna jote duke e përsëritur tri herë ndërsa në herën e katërt tha babai yt. Të gjitha synimet e shoqatave të grave gjatë viteve 70-të (të shekullit të kaluar), kanë qenë në dispozicion të gruas muslimane më shumë se 14 shekuj më parë. Femra muslimane ka pasur mundësi të zgjedhë punën e saj dhe ç’ka fituar ka mbetur pronë e saj në kohën kur burri ishte përgjegjës për familjen. Ekziston gjithashtu një përkushtim i madh për temën e veshjes së gruas muslimane e sidomos nga disa burra muslimanë, si dhe jobesimtarë… Po, është detyrim që gruaja myslimane të veshë rroba modeste, mirëpo ka tema të shumta që ka nevojë të diskutohen për gruan muslimane në kohën e sotme. Shumica e njerëzve përqendrohen në çështjen e mbulesës… dhe unë u them atyre: kujdes, mbulesa është pjesë e punës sime, ajo ju tregon se unë jam muslimane dhe shpresoj që të silleni ndaj meje me një respekt të veçantë.

Paramendo sikur t’i kërkohet një personi në një ndërmarrje të madhe, si p.sh.: në një bankë, që të shkojë në punë me pantallona e këmishë? Nëse ndodh kjo do t’i thuhet pa pikë dyshimi, se uniforma tregon për personalitetin e tij gjatë orarit të punës dhe se kërkohet që të jetë serioz në raport me palën tjetër. Bazë e vlerësimit në Islam është devotshmëria e nuk është bukuria, forca, pasuria apo gjinia… Islami më thotë mua: Me të vërtetë unë zotëroj të drejtën e mësimdhënies, studimit, pavarësisht a jam e martuar apo jo…

Përshtati: Bashkim BAJRAMI/ kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit