Në aktakuzën e prokurorisë janë përfshirë 61 të dyshuar, në mesin e të cilëve edhe një lejtnant kolonel dhe një komandant skuadroni
STAMBOLL (AA) – Prokuroria Publike e Stambollit ka përgatitur aktakuzën për gjithsej 61 të dyshuar në lidhje me vdekjen e tre personave dhe plagosjen e 49 të tjerëve në ngjarjet që ndodhën gjatë mbylljes së urës Fatih Sulltan Mehmet (FSM) mbi Grykën e Bosforit në Stamboll gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit të kaluar në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktakuzën e prokurorisë janë përfshirë 61 të dyshuar, prej të cilëve 15 janë në paraburgim, në mesin e të cilëve një lejtnant kolonel, një komandant skuadroni, një kapiten, një toger, dhjetë rreshterë të specializuar dhe 47 ushtarë të thjeshtë.
Siç thuhet në aktakuzë, tre të vdekurit dhe 49 të plagosurit, prej të cilëve 31 më rëndë, kishin shkuar në urë për të protestuar kundër tentativës për grusht shteti, ndërsa ishin vrarë nga të akuzuarit që kishin bllokuar urën.
Teksa për gjashtë nga të akuzuarit është kërkuar burgim i përjetshëm i katërfishtë, për 55 të akuzuarit e tjerë kërkohet burgim i përjetshëm i trefishtë. Ata ngarkohen me akuza të shumta, siç janë “tentim për zhdukjen e parlamentit dhe rrëzimin e qeverisë, vrasje me paramendim, pjesëmarrje në organizatë terroriste, tentativë për vrasje, rrezikim i komunikacionit, shkelje e kushtetutës, ndihmë për organizatë terroriste dhe tentativë për puç”.
Ndryshe, organizata terroriste FETO më 15 korrik të vitit të kaluar tentoi të realizojë grusht shteti me qëllim të prishjes së rendit kushtetues dhe përmbysjen e pushtetit të zgjedhur në mënyrë demokratike, ku si pasojë humbën jetën rreth 250 civilë, kurse u plagosën rreth 2200 të tjerë.