2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Katër vjet nga rrëzimi i demokracisë në Egjipt, qindra vrasje dhe ekzekutime

Më të lexuarat

Qindra personave iu caktua dënim me vdekje gjatë procesit të burgimeve dhe gjykimit që filloi pas puçit ushtarak në Egjipt më 3 korrik të vitit 2013, kur nga pushteti u rrëzua presidenti i parë i zgjedhur demokratik në Egjipt, Mohamed Morsi.

Vendimi më i spikatur gjatë kësaj periudhe ishte ai i Gjykatës Penale në Minya, e cila në mars të vitit 2014 shpalli dënim me vdekje për 529 të pandehur, përfshirë edhe kryetarin e Këshillit Udhërrëfyes të Vëllazërisë Muslimanë (Ihvan), Mohamed Badie.

Në mesin e të gjykuarve me vdekje kishte edhe egjiptianë të krishterë. Ndërkaq, dënimi me vdekje që u caktua ndaj Mohamed Morsit në qershor të vitit 2015 ishte një nga vendimet që bëri bujë edhe në opinionin ndërkombëtar.

23 të dënuar me vdekje që presin ekzekutimin

Ankimimet nga të pandehurit dhe avokatët e tyre ndaj qindra dënimeve me vdekje janë shqyrtuar dhe shumica prej tyre janë shfuqizuar nga gjykatat e apelit.

Ndërkohë, procesi gjyqësor i 23 të dënuarve me vdekje ka përfunduar. Në rast të miratimit nga presidenti i Egjiptit Abdulfattah al Sisi, mund të kalohet në fazën e ekzekutimit të dënimit me vdekje të këtyre 23 të dënuarve.

Gjatë mandatit të Sisit, nuk ka ndodhur ende asnjë amnistim apo lehtësim dënimesh. Edhe monitoruesit i shohin si të ulëta gjasat që Sisi të amnistoj të dënuarit me vdekje.

Izzet Guneym, drejtor i Zyrës së Koordinimit për të Drejta dhe Liri të Egjiptit, për AA parashikon se ekzekutimet do të vazhdojnë për sa kohë që nuk ka ndryshime në politikën e presidencës, kur merren parasysh edhe praktikat e kaluara.

Megjithatë, ai sërish shpreson që presidenca të shpall amnisti apo të lehtësojë dënimet.

Vendimet përfundimtare të 23 të dënuarve që presin ekzekutimin janë shpallur të gjitha brenda këtij viti.

Më 3 korrik 2017, Gjykata Supreme miratoi ekzekutimin për dy të pandehur që akuzohen për anarki dhe dhunë në Aleksandri, në kohën kur në Kajro zbrazeshin sheshet Rabia dhe Nahda.

Më 19 qershor 2017, Gjykata Ushtarake e Apelit dha vendimin përfundimtar për ekzekutimin e katër personave, të cilët u akuzuan për “vrasje me paramendim dhe shpërthim bombe në stadium”.

Të pandehurit u gjykuan për shpërthimin në vitin 2015 në stadium, në ato që u njohën si “ngjarjet e Stadiumit Kafr El Sheikh”, ku jetën kishin humbur tre kadetë të akademisë ushtarake, kurse dy persona ishin plagosur.

Më 7 qershor 2017, Gjykata Supreme miratoi ekzekutimin e gjashtë personave që u gjykuan për vrasje të një polici që mbronte një gjykatës, në qytetin Mansura në vitin 2014.

Sërish Gjykata Supreme, më 24 prill 2017 miratoi vendimin për ekzekutimin e predikuesit fetar Fadl Al Mavla, simpatizant i ish-presidentit Morsi, duke e akuzuar atë për përzierje në incidentet e dhunës në Aleksandri në vitin 2013.

Më 20 shkurt të vitit 2017, Gjykata Supreme rrëzoi ankimimin ndaj dënimit me vdekje për dhjetë të dënuar për incidentet pas ndeshjes mes ekipeve të futbolloti El-Ehli dhe El-Misri në shkurt të vitit 2012 në Port Said, ku jetën humbën 72 tifozë.

Gjykata Supreme po ashtu ka rrëzuar edhe ankimimin e dënimit me vdekje ndaj një personi, i cili u gjykua në mungesë.

Deri më tani, 8 dënime të ekzekutuara

Që nga puçi i 3 korrikut të vitit 2013, në Egjipt janë ekzekutuar tetë dënime me vdekje. Më 15 dhjetor të vitit 2016 u ekzekutua i dënuari me vdekje Adel Habara, i cili u dënua për vrasjen e 25 ushtarëve në atë që njihet si “masakra e dytë në Rafah” në vitin 2013 në Gadishullin e Sinait.

Ndërkaq, dënimi i gjashtë personave të dënuar në gjykimin që në opinion i njoh si “Arab Sharkas”, u ekzekutua më 17 maj të vitit 2015.

Ata u dënuan për “pjesëmarrje në organizatën Ansar Bait al-Maqdis, e cila në vitin 2014 deklaroi bindjen ndaj organizatës terroriste DEASH, sulme ndaj autobusëve me ushtarë dhe vrasje të ushtarëve”.

Ndërkaq, ekzekutimi i parë në mandatin e Sisit u realizua më 7 maj të vitit 2015. Mahmud Ramazan, i dënuar me vdekje me akuzën se në vitin 2014 në Aleksandri ka hedhur një të ri nga çatia e ndërtesës, është pjesëtari i vetëm i Vëllazërisë Muslimane në mesin e tetë të ekzekutuarve që nga puçi ushtarak.

Procesi ende vazhdon për mbi 358 të dënuar me vdekje

Me përjashtim të 23 personave me gjykim përfundimtar, në instancat gjyqësore të Egjiptit nuk të dhëna zyrtare për numrin e dënimeve me vdekje të caktuara nga gjykatat e shkallës së parë. Megjithatë, organizatat e të drejtave të njeriut theksojnë se në Egjipt ka qindra persona që janë dënuar me vdekje.

Sipas drejtorit të Zyrës së Koordinimit për të Drejta dhe Liri të Egjiptit, Guneym, aktualisht gjenden mbi 358 persona që janë dënuar me vdekje, por të cilëve ende nuk u është finalizuar procesi i ankimimeve.

Së fundmi, më 2 korrik të vitit 2017, Gjykata Penale e Kajros caktoi dënim me vdekje edhe për 20 persona anti-puçistë, të cilët u gjykuan sërish për ato që njihen si “ngjarjet në Kerdasa”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit