2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Mësoi këto informacione të dobishme për Natën e Kadrit! Shpërblimet e saj! Çfarë duhet të kemi kujdes?

Më të lexuarat

Mosha të ndryshme të popullsisë shfaqin interes të madh për natën e madhe të kadrit. Por pak prej tyre kanë njohuri dhe informacion të plotë rreth kësaj nate të madhe dhe të begatë. Përpara se ta trajtojmë hollësisht këtë çështje vlen të përmendet se nga bujara e Zotit është se nësë shikon se ndonjëri nga ne ka një anë të mirë, e zgjedh dhe e afron pranë vetes. Nga të gjitha krijesat Zoti ka zgjedhur njeriun duke e dalluar me mendje. Nga të gjithë njerëzit, Krijuesi i Gjithësisë ka zgjedhur muslimanët qe e adhurojnë. Por nga të gjithë muslimanët, ka zgjedhur pejgamberet dhe prej tyre ka zgjedhur katër pejgamberë si më të vendosur! Mjafton t’i përmendim të cilët janë: Nuhu a.s, Ibrahimi a.s, Musai a.s, Isai a.s dhe prej këtyre ka zgjedhur pejgamberin tonë të dashur Muhammedin alejhi selam. Nga të gjitha Ummetet, Krijuesi i Gjithësisë zgjodhi Ummetin e Muhammedit alejhi selam dhe nga Ummeti i Muhammedit alejhi selam zgjodhi sheidët, ata që lexojnë dhe studiojnë, zgjodhi lexuesit dhe studiuesit e Kur’anit. Nga melekët zgjodhi Xhibrilin. Nga të gjitha vendet, zgjodhi Mekkën dhe ng Mekka, zgjodhi Qaben e bekuar. Nga të gjitha muajt All-llahu zgjodhi muajin e Ramazanit. Nga ditët ka zgjedhur dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Kurse nga netët ka zgjedhur Natën e Kadrit. Nuk mjafton vetëm kaq sepse nga të gjithë njerzit Zoti i Gjithësisë ka zgjedhur ata që e adhurojnë Atë në këtë natë. Vëlla dhe motër e nderuar, Zoti të zgjodhi ty nga miliona e miliarda njerëz dhe të bëri musliman dhe nga muslimanët të bëri të agjerosh dhe të falesh në xhami. Të ka zgjedhur ty që të falësh Natën e Kadrit dhe të arrish shpërblimin e kësaj nate. Pjesa e parë ishte hyrëse që ti vëlla dhe motër të kuptosh begatitë e pafundme që Krijuesi i Gjithësisë t’i ka dhuruar ty. Është e nevojshme të trajtojmë historikun e Natës së Kadrit për faktin se shum pak njerëz janë të informuar. Fillesat e Natës së Kadrit datojnë me takimin madhështor të Profetit Muhammed Alejhi Selam, me Xhibrilin në shpellën Hira, në Mekkë. Profeti Muhammed alejhi selam ishte vendosur atje duke e adhuruar Zotin e Gjithësisë. Në një nga ato netët i shfaqet Xhibrili në formën e tij origjinale. Thotë Profeti Muhammed Alejhi Selam: “ E pashe Xhibrilin që kishte mbushur horizontin dhe në çdo cep që shikoja, shihja atë. Më pas më kapi dhe më shtërngoi aq fort, saqë kujtova se po më del shpirti. Pastaj më lëshoi dhe më tha: “ Lexo!” “ Nuk di të lexoj” i thashë. Ai më kapi përsëri dhe më tha: “ Lexo!” Unë përsëri i thashë: “ Nuk di të lexoj.” Më shtërngoi për herën e tretë dhe më tha përsëri: “ Lexo!” këtë herë i thashë: “ Çfarë të lexoj?” Ai më tha: “ Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi(çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur ( në mitrën e nënës) Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. ( El-Alak: 1-5)
Kështu filloi shpallja e Kur’anit famëlartë. Jo pa qëllim Xhibrili i erdhi Profetit Muhammed alejhi selam në formën e tij origjinale. Kjo me qëllimin sepse ai duhet të kuptonte se rruga që do të ndiqte do të ishte e vështire dhe që të ndërgjegjësohet se çështja me të cilën po obligohet kërkon seriozitet dhe lodhje. Nata e kadrit ka një vlerë dhe rëndësi të madhe sepse në këtë natë filloi shpallja e Kur’anit famëlartë. Udhëzimi i gjithë njerzimit filloi në këtë natë dhe të gjitha mrekullitë e Kur’anit, sikur konkretizohen në këtë natë. Kur’ani është shërim, udhëzim dhe mëshirë. Kjo natë është e tillë! Kur’ani famëlartë është dritë dhe kjo natë është dritë. Nata më e rëndësishme e jetës sonë është nata e Kadrit, të cilën nuk duhet ta kalojmë dhe ta konsiderojmë si netët e tjera, pasi nga kjo natë varet e kaluara dhe e ardhmja jonë. Kjo për faktin sepse në këtë natë mund të shpëtojmë nga zjarri i Xhehenemit.

Çilat janë shpërblimet e natës së Kadrit?!
Aishja (r.a.) ka thënë: “Në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit profeti (a.s.) hynte në itikaf dhe thoshte: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit”
Nata e Kadrit është më e mira se 1000 muaj. Nëse dikush do të rinte 1000 muaj- afërisht rreth 83vjet, duke e adhuaruar All-llahun, nuk do të arrinte sevapin e kësaj natë. Me një llogaritje të thjeshte nëse falesh dy rekatë namaz këtë natë, të quhet më shume se i ke falur për 83 vjet. Sadakaja është një element i rëndësishëm dhe i dobishëm në jetën njerëzore. Paramendo nëse qëllon dhe në Natën e Kadrit jep sadaka 100 lek, ato të quhen sikur e ke bërë këtë veprim për 83 vite rradhazi. Ka njerëz që gjatë jetës së tyre kanë punuar vepra të keqia më shumë se të mira, por në Natën e Kadrit kryen Ibadet(adhurim) të sinqertë ndaj Zotit, atëherë kjo vepër e madhe do t’i shtonte punët e mira duke ua kaluar atyre të këqia. Në një hadith profeti i njerzimit, Muhammedi alejhi selam ka thënë: “ Ai që adhuron Zotin këtë natë, duke shpresuar në shpërblimin e tij, i falën të gjitha gjynahet.” Pra vëlla edhe motër, në një natë të vetme kaq shumë shpërblime, kaq shumë mirësi për ty që e adhuron Zotin! Një rëndësi të veçantë në këtë natë kanë edhe lutjet! Në këtë natë Zoti i Gjithësisë iu pranon lutet e robërve të Tij. Njeriu duhet ta shfrytëzojë këtë natë sepse kjo është nata e përshtatshme për t’u lutur.
Nëse e dallojmë Natën e Kadrit, çfarë lutje duhet të themi?!
Nga transmetimet e sakta të disa haditheve thuhet se myslimani duhet ta kërkojë natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.
Aisheja r.a e pyeti njëherë Pejgamberin tonë të dashur, Muhammedin alejhi selam se: “ Nëse e dalloj Natën e Kadit, çfarë të them?!” Pejgamberi alejhi selam i tha: “ Thuaj: o Zot! Ti je falës, e dëshiron faljen, prandaj më fal mua!”
Gjëja që njeriu nuk dëshiron t’i ndodhë asnjëherë është përjetimi i zjarrit të xhehenemit, kjo për faktin sepse pasojat janë të tmershme. Zoti i Gjithësisë gjatë muajit të Ramazanit, nxjerr njerëz nga zjarri dhe i shkruan në banorët e Xhennetit. Në natën e Kadrit kjo do të jetë pa llogari. Profeti jonë i dashur alejhi selam ka thënë: “ Fillimi i Ramazanit është mëshirë, ( kjo pasi njerëzit e mbushur me gjynahe kanë nevojë për mëshirë), mesi i tij është falje gjynahesh, kurse fundi i tij është shpëtin nga zjarri i Xhehenemit!” Njerëzve të ndryshëm ju ndodh që mbas muajit të Ramazanit të jenë më të lehtë kjo për arsyen se Zoti në Natën e Kadrit iu ka falur gjynahet. Profeti Muhammed alejhi selam kur hynte 10 ditëshi i fundit i muajit të Ramazanit, e gjallëronte natën me lutje, namaz, lexim Kur’ani dhiker etj. E zgjonte familjen e tij që të adhuronin Zotin. Herët e tjera Aisheja r.a flinte dhe Pejgamberi alejhi selam nuk e zgjonte. Por kur vinte 10 ditëshi i fundit e zgjonte familjen e tij për tu falur.
Çfarë duhet të kemi kujdes?!
Vellezër dhe motra të nderuar duhet të jemi të kujdesshëm në veprimet tona gjatë këtyre ditëve. Është e këshillueshme që gjatë këtyre ditëve njeriu duhet të largohet nga konfliktet dhe ngatërresat me njerëzit e tjerë. Profeti Muhammed alejhi selam e dinte kur ishte Nata e Kadrit dhe kur doli që t’ua u tregonte njerëzve, gjeti dy muslimanë që po ziheshin dhe ngaqë u vonua duke u marrë me ta, e harroi se cilën ditë ishte Nata e Kadrit. Nëse dëshiron që të arrish Natën e Kadrit, largohu nga dy gjëra: Konfliktet me njërëzit dhe gjynahet. Si gjynahet, mosrespektimi i prindërve, si pasuria haram, apo përgojimi i të tjerëve është perde që të ndan nga mëshira e All-llahut!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit