0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Komentimi i kaptinës “El-Kadr”

Më të lexuarat

1. Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit.

2. Vallë, kush mund të të tregojë ty se ç’është nata e Kadrit?

3. Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj!

4. Me urdhrin e Zotit të tyre në të (në atë natë) zbresin melaiket dhe Shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.

5. Ajo (natë) është paqe deri në agim të mëngjesit”

(El-Kadr, 1-5)

Kaptina “El-Kadr” është kaptinë mekase, e zbritur pas sures “Abese” dhe ka gjithsej 5 ajete. Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 97.

Transmeton Ibn Merdevije nga Ibn Abasi, nga Ibn Zubejri dhe nga Aishja, se kaptina “El-Kadr” ka zbritur në Mekë.[1]

Emërtimi i kësaj kaptine.

Kjo kaptinë është emërtuar “El-Kadr”, sepse Allahu i Madhërishëm qysh në ajetin e parë të kësaj sureje ka dhënë shenjë të qartë se këtë Kur’an e ka zbritur në natën e Kadrit.

“Lejletul Kadër” do të thotë “natë madhështore, e bekuar, e vlefshme dhe e nderuar”. Kjo natë është quajtur kështu sepse Allahu xh.sh. në të, njerëzimit ia kumtoi mesazhin e Tij të fundit nëpërmjet të Dërguarit të Tij më të madh e më të dashur-Muhammedit a.s..

Shkaku i zbritjes së kësaj kaptine

Është transmetuar nga Muxhahidi të ketë thënë: Na është përcjellë nga Ibn Abbasi se i Dërguari i Allahut e ka përmendur një njeri nga beni-Israilët që kishte luftuar në rrugën e Allahut pandërprerë për 1000 muaj (83 vjet e ca muaj). Muslimanët ishin çuditur-habitur nga tërë kjo dhe për këtë arsye i Dërguari i Allahut i qe drejtuar Allahut xh.sh. me lutje: “O Zot! Ymetit tim i caktove jetën më të shkurtër prej ymeteve, dhe mundësia e punëve të mira prej tyre është më e vogla.”, prandaj Allahu xh.sh. zbriti kaptinën “El-Kadr”, që do të thotë se këtij ymeti ia dha natën e Kadrit, e cila është më e vlefshme se 1000 muaj lufte të atij luftëtari.[2]

Lidhmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “El-Alek”

Lidhmëria e ngushtë e kësaj kaptine me atë paraprake “El-Alek”, është evidente mu për faktin se në suren paraprake Allahu xh.sh. urdhëron të Dërguarin e Tij, Muhammedin a.s., që të lexojë e të mësojë Kur’an në emër të Zotit- Krijuesit të Gjithëpushtetshëm, i Cili i mësoi njeriut atë që nuk e diti, dhe e mësoi të përdorte edhe lapsin, kurse në fillim të sures -“El-Kadr”, tregon për momentin e zbritjes së Kur’anit-fjalës së Allahut, nga Levhi Mahfudhi në qiellin e kësaj dynjaje dhe prej aty deri tek Muhammedi a.s. nëpërmjet Shpirtit besnik të të gjitha shpalljeve-Xhibrilit a.s. në natën e Kadrit, në këtë natë të vlefshme e të nderuar.[3]

Koment:

1. Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit.

Deshi Allahu i Plotfuqishëm që Vullneti i Tij të përfshinte tërë këtë ekzistencë, dhe ligjet e Tij të mbretëronin kudo. Ai e mbushi këtë gjithësi me mëshirë dhe dashuri. Nga krijesat që krijoi, Ai dalloi disa prej tyre, qofshin ato krijesa njerëzore, melaike, kohë apo vende. Fjala vjen, nga njerëzit dalloi disa prej tyre, duke i zgjedhur për të dashur dhe të dërguar, të cilët do ta bartnin mesazhin e Tij nëpër kohë e shekuj. Gjithashtu edhe prej të dërguarve dalloi disa prej tyre, duke i quajtur “Ulul Azmi”, e prej Ulul Azmit dalloi më të madhin e njerëzisë-Muhammedin a,s.:

“Këta (për të cilët të rrëfyem) janë të dërguarit, disa prej tyre i dalluam nga të tjerët.” (El-Bekare, 253) dhe:

“Ne kemi dalluar disa pejgamberë nga të tjerët.” (El-Isra’ë, 55)

Pastaj, nga gjinia njerëzore dalloi disa popuj nga disa të tjerë, kështu Ai e dalloi ymetin e Muhammedit a.s. nga ymetet e tjera.

“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për të mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni Allahun.” (Ali Imran, 110)

Disa vende si Mekën, Medinën dhe Kudsin, në të cilat vende zbriti shpalljen hyjnore për të dërguarit e Tij i dalloi prej vendeve të tjera, sepse në këto qytete të bekuara edhe gjenden faltoret më të mëdha islame: Qabeja – në Mekën fisnike, Xhamia e Pejgamberit a.s. – në Medinën e ndritshme dhe Mesxhidi Aksaja – në Kudsin e ndershëm. Allahu xh.sh. thotë: “(Drita e Allahut) Është në shtëpitë (xhamitë) që Allahu urdhëroi të ngrihen, e në to të përmendet emri i Tij, t’i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje” (En-Nur, 36).

Prej muajve, dalloi muajin e Ramazanit, në të cilin e zbriti Kur’anin dhe të cilin e bëri muaj të agjërimit e të ibadetit: “Muaji i Ramazanit (është muaj) në të cilin filloi të zbriste (të shpallej) Kur’ani, udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra).” (El-Bekare, 185);

Kurse prej netve të vitit, dalloi dhe bekoi natën e Kadrit: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në një natë të bekuar (në natën e Kadrit)”. (Ed-Duhan, 3), dhe : “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit” (El-Kadr, 1), natë në të cilën Xhibrili solli nga Allahu xh.sh. shpalljen e fundit në tokë, duke i drejtuar Muhammedit a.s. dhe mbarë njerëzimit fjalët hyjnore: “Ikre’ë”, madhështia dhe jehona e të cilave do ta mbushnin ekzistencën me besimin e drejtë, të cilin deri atëherë shumë popuj e ymete e kishin devijuar.

Fillimi i kësaj kaptine konsiston në faktin se Allahu xh.sh. na bën me dije se Ai e ka zbritur këtë Kur’an në natën e Kadrit. Nuk është përmendur këtu Kur’ani me emër, por është cekur vetëm përemri “atë”, dhe kjo jep të kuptosh se fjala është për madhërim të Kur’anit, meqenëse zbritja e tij i atribuohet vetëm Allahut xh.sh.

Dijetarët kanë dhënë disa mendime rreth momentit të zbritjes së Kur’anit në këtë natë, e në lidhje me këtë, mendimi më i saktë është ai që e transmetojnë Hakimi dhe Bejhekiu nga Ibn Abbasi, i cili ka thënë: “Në këtë natë , të Kadrit, Kur’ani famëlartë ka zbritur komplet prej Levhi Mahfudhit në qiellin e kësaj bote, dhe pastaj prej aty, i është shpallur Muhammedit a.s. në mënyrë graduale për 23 vjet rresht”[4]. Këtë na e vërteton edhe ky ajet kuranor: “Dhe (ta shpallëm) Kur’anin që Ne e ndamë pjesë-pjesë për t’ua lexuar njerëzve dalëngadalë, dhe ashtu e shpallëm atë një pas një” (El-Isra’ë, 106). etj.

2. Vallë, kush mund të të tregojë ty se ç’është nata e Kadrit?

3. Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj!

Muhammedit a.s. i drejtohet kjo pyetje nga i Larmadhërishmi, në mos, vallë, dinte ai diçka për vlerën e vërtetë të kësaj nate të zgjedhur, sepse për vlerën e mirëfilltë të saj nuk di askush pos Atij që zgjodhi këtë natë që të jetë natë e zbritjes së Kur’anit. Dhe, për të mos e lënë të Dërguarin e vet në dilemë, pason menjëherë përgjegja hyjnore se kjo natë është më e vlefshme se 1000 muaj.

S’ka dyshim që madhështia e kësaj nate nuk mund të tregohet me fjalë. Ne dimë në bazë të ajeteve të përmendura dhe të haditheve të Resulullahut s.a.v.s. që kjo natë është një natë e bekuar, në të cilën zbret mëshira e Allahu në Tokë, zbresin melaiket, dhe se në këtë natë përcaktohen të gjitha çështjet e vitit të ardhshëm, siç janë rrësku, jetët, vdekjet etj. Kjo assesi nuk vjen në kundërshtim me faktin se Allahu nuk i ka përcaktuar këto gjëra para se të krijonte tokën e qiellin dhe krijesat, por në këtë natë, prej Levhi Mahfudhit, melaiket marrin të dhënat për të gjitha çështjet që duhet të materializohen (realizohen) brenda një viti: “Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.”, (Ed-Duhan, 4).

Në lidhje me këtë natë, që është në muajin më të dashur, Ramazanin, kemi shumë hadithe të Muhammedit a.s., ndër të tjera kemi hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra, i cili ka thënë: “Kur vinte Ramazani, i Dërguari i Allahut na thoshte: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaj i bekuar. Allahu xh.sh. jua ka bërë detyrim agjërimin e tij. Në këtë muaj hapen dyert e Xhennetit, mbyllen dyert e Xhehennemit, dhe prangohen djajtë. Në këtë muaj është një natë më e vlefshme se një mijë muaj; ai që privohet nga kjo natë, ai është privuar nga mirësi të shumta”.[5]

Pastaj: “Ai që e gjallëron (me namaz dhe ibadet) natën e Kadrit me besim dhe shpresë (në shpërblim nga Zoti), atij do t’i falen gabimet që ka bërë përpara”[6]

4. Me lejen e Zotit të tyre në të (në atë natë) zbresin melaiket dhe Shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.

Se kjo natë është vërtet një natë e zgjedhur dhe e dalluar, na bën me dije edhe ky ajet kuranor, i cili tregon se në këtë natë, me urdhrin e Zotit, zbresin në tokë melaiket, e madje edhe vetë meleku më i madh-Xhibrili, në krye të tyre. Këto melaike zbresin në tokë me detyra të ndryshme: disa i vrojtojnë punët e besimtarëve dhe ibadetin e tyre në këtë natë, duke u lutur për ta, kurse ca të tjerë merren me zbatimin e detyrave të ngarkuara nga i Plotfuqishmi për realizimin e shumë gjërave që kanë të bëjnë me njerëzit. Kjo do të thotë se ata, me urdhrin e Zotit, i marrin shënimet e shkruara në “Levhi Mahfudh” për gjërat që duhet të realizohen (materializohen) gjatë një viti në sferën e rrëskut, ngjarjeve dhe afateve të lindjeve e të vdekjeve. Udhëheqës i tyre, me lejen e Allahut xh.sh. është vetë Xhibrili a.s., i cili në të njëjtën kohë përcjell edhe gjendjen e Ymetit të Muhammedit a.s. për të parë se në çfarë gjendjeje është amaneti që ky, me urdhrin e Allahut xh.sh., ia kishte transmetuar dhe lënë Muhammedit a.s.- Kur’anin dhe Islamin, e ky i fundit ia kishte përcjellë ymetit të vet.

5. Ajo (natë) është paqe deri në agim të mëngjesit”

Mirësitë e kësaj nate janë shumë të mëdha, dhe ato zgjasin prej perëndimit të diellit deri në agimin e mëngjesit të natës së Kadrit. Në këtë natë, posaçërisht djajtë pengohen në çdo mënyrë që të mos shtrijnë dëmin e tyre ndër besimtarët, të cilët ndodhen në ibadet ndaj Allahut xh.sh. Vetë vlera e kësaj nate, bën që djajtë të mos mund të bëjnë dëmin e tyre, sepse kjo natë është natë e mëshirës dhe e mirësisë së madhe. Dhe ajo që Allahu e përcakton në këtë natë, është e tëra mirësi pas mirësie, si shenjë nderimi për zbritjen e fjalës së parë kuranore: “Ikre’ë-Lexo!”.

Në cilën natë është Nata e Kadrit?

Se kur bie kjo natë, nuk dihet me saktësi, mirëpo sipas fjalëve të Allahut xh.sh. i Cili thotë: “Muaji i Ramazanit (është muaj) në të cilin filloi të zbriste (të shpallej) Kur’ani.” (El-Bekare, 185); dijmë se kjo natë është në njërën prej netve të muajit të madh të Ramazanit, ndërsa i Dërguari i Allahut na ka bërë me dije se kjo natë është në njërën prej netve tek të dhjetënatëshit të fundit të Ramazanit.

Transmetohet nga Ebu Seid el Huderiu të ketë thënë: “Është pyetur i Dërguari i Allahut se në cilën natë bie Nata e Kadrit, e ai është përgjigjur: “Kërkojeni atë në dhjetënatëshin e fundit të Ramazanit, kërkojeni atë në netët tek, në natën e njëzetenjëtë, ose të njëzetetretë, ose të njëzetepestë, ose të njëzeteshtatë, ose të njëzetenëntë”.

Megjithatë, numri më i madh i dijetarëve konsiderojnë se kjo natë është nata e njëzeteshtatë e Ramazanit, duke u bazuar në një hadith nga Zirr bin Hubejshi, të cilin e transmetojnë Muslimi dhe Tirmidhiu, i cili ka thënë: “I thashë Ubejj bin Ka’bit: Vëllai yt (në Islam), Abdullah ibn Mes’udi, po thotë: “Ai që falet gjatë tërë vitit, do ta qëllojë natën e Kadrit”, për se Ubejji kishte thënë: “Allahu e faltë Ebi Abdurrahmanin (d.m.th. Ibn Mes’udin). Ai e di se kjo natë është në dhjetënatëshin e fundit të Ramazanit dhe ajo është nata e njëzeteshtatë, por ai nuk ka dëshiruar që njerëzit të bëhen përtacë gjatë tërë vitit (e të mos falen)”. Atëherë, thotë Zirri, e pyeta: Në se bazohesh për këtë pohim tëndin kaq bindshëm, e Eba Mundhir (d.m.th. o Ubejj) ?, kurse Ubejji m’u përgjigj: “Bazohem në shenjën për të cilën na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut, se në atë ditë dielli lind i bardhë dhe rrezet e tij nuk janë verbuese (të forta).”[7]

Në lidhje me shenjat e kësaj nate, është edhe ajo se dielli në mëngjesin e saj lind i bardhë, pa rreze të forta, transmeton edhe Ebu Davud Et-Tajalisi nga Ibn Abbasi e ky nga i Dërguari i Allahut të ketë thënë: “Është natë e kthjellët (e qetë) dhe e freskët, as e nxehtë e as e ftohtë, në mëngjesin e saj dielli lind i zbehtë në të kuqërremtë”

– Se kjo natë mund të jetë e njëzeteshtata, disa dijetarë bazohen në një transmetim nga Ibn Abbasi., i cili në një mendim të tij thotë se kjo sure (kaptinë) përbëhet prej 30 fjalëve, aq sa ka ditë edhe muaji i Ramazanit, kurse fjala e njëzeteshtatë e kësaj sureje është fjala “hije-ajo”, (aludohet në natën e Kadrit), andaj sipas kësaj do të thotë se kjo natë e Kadrit është në natën e njëzetë e shtatë të Ramazanit.”.[8]

– Transmetohet se Omeri r.a. një ditë i kishte tubuar ensarët e muhaxhirët dhe i kishte pyetur për natën e Kadrit, se kur bie ajo. Atëherë ai i qe drejtuar Ibn Abbasit që ta thoshte mendimin e vet, e Ibn Abbasi kishte thënë: “Numrat më të dashur tek Allahu janë numrat tek, e prej numrave tek më i dashuri është numri shtatë.” Pastaj Ibn Abbasi kishte cekur shtatë qiej dhe shtatë toka, shtatë ditët e javës, shtatë katet-greminat e Xhehennemit, shtatë tavafet rreth Qabesë, shtatë. etj., dhe nga tërë kjo kishte argumentuar se në dhjetënatëshin e fundit të Ramazanit, Lejletul Kadri mund të jetë në natën e njëzeteshtatë.

– Po ashtu nga Ibn Abbasi transmetohet të ketë thënë se fjala “Lejletul Kadr”, e cila në këtë sure është përsëritur tri herë, përbëhet prej 9 shkronjash: dhe, nëse këto shkronja shumëzohen me tri përsëritjet e kësaj fjale në këtë sure, atëherë del numri 27, me se aludohet se kjo natë mund të jetë e njëzeteshtata.[9]

Sidoqoftë, këto janë vetëm disa mendime të Ibn Abbasit dhe të disa dijetarëve, por momentin e vërtetë të kësaj nate, se kur në të vërtetë është ajo, e di më së miri vetëm Allahu xh.sh., i Cili atë e fshehu, për ndonjë urtësi sigurisht të madhe.

Urtësia e fshehjes së kësaj nate nëpër netët e Ramazanit

Dijetarët pa dallim janë të pajtimit se në fshehjen e kësaj nate nëpër netët e Ramazanit qëndron një urtësi e madhe, ashtu siç e la të fshehur Allahu xh.sh. momentin e vdekjes dhe momentin e kataklizmës-Kiametin[10]. E tërë kjo urtësi në fshehjen e kësaj nate nëpër netët e Ramazanit është bërë që besimtari të shtojë ibadetin e tij gjatë tërë kohës, duke kërkuar njëherësh edhe kënaqësinë e Allahut xh.sh. në adhurimin e Tij. Po të ishte kjo natë e caktuar dhe e ditur saktësisht, ndoshta njerëzit do të përpiqeshin të bënin ibadet vetëm në këtë natë, dhe pastaj në netët e tjera apo gjatë tërë vititi të mos kujdeseshin për namazin dhe adhurimin e tyre aq shumë, me se do të humbte baraspeshimi i arsyes në ibadete.

Porosia e kësaj sureje:

– Në këtë natë filloi shpallja, d.t.th. filloi t’i zbriste Kur’ani Muhammedit a.s., me se filloi etapa e fundit e revelatës hyjnore që në vazhdimësi Allahu xh.sh. i zbriti së pari Ademit a.s. e pastaj me radhë të gjithë të dërguarve të tjerë, përderisa nuk e përmbylli atë me vulën e profetisë- Muhammedin a.s.

– Nata e Kadrit është një natë e madhe dhe e vlefshme. Vlefshmëria e saj është përcaktuar nga vetë Allahu xh.sh., i Cili thotë se kjo natë është më e vlefshme se një mijë muaj. Vlerësimi i kësaj nate me një mijë muaj, nga komentatorët si Muxhahidi dhe Taberiu, është komentuar se është natë më e vlefshme se sa një mijë muaj në të cilët nuk ka një natë të tillë si kjo e Kadrit.

– Në këtë natë të mëshirës zbresin melaiket në numër të madh, po të panjohur për ne, e këtë natë e bën më madhështore edhe zbritja e melaikeve të mëdha me Xhibrilin a.s., në krye, të cilët përcjellin besimtarët në adhurimin e tyre deri në agimin e mëngjesit të kësaj nate.

– Kjo natë është paqe dhe shpëtim për të gjithë ata që pendohen dhe kthehen të përulur para Allahut xh.sh., duke e adhuruar Atë dhe duke i kryer detyrimet ndaj Tij. Ai që e gjallëron këtë natë me namaz dhe ibadet të sinqertë, atij do t’i falen të gjitha gabimet e vogla të bëra më përpara, me kusht që pendimi të jetë i sinqertë.

– Në këtë natë është mirë të falim sa më shumë namaz, të lexojmë Kur’an dhe të bëjmë dua, e njëra prej duave më të mëdha në këtë natë është ajo që ia pati mësuar i Dërguari i Allahut Ajshes r.a., kur ajo e pyeti se çfarë të lutej në këtë natë nëse e arrinte?, e ai i tha: “Thuaj: “Allahumme inneke afuvvun kerimun, tuhibbul afve fa’ëfu anni”- “O Allah, Ti je Falës fisnik, e do faljen prandaj më fal mua”[11]

_______________

[1] Imam Shevkaniu, “Fet’hul Kadiir” vëll.V, fq. 472[2] El Vahidi en-Nisaburi “Esbabu-n-Nuzul”, fq.258, Bejrut, pa vit botimi; Shih edhe: Muhammed Ali Sabuni “Safvetu-t-Tefasiir”, pjesa 20, fq. 584[3] Vehbete ez-Zuhajli “Et-Tefsirul Munir”, fq. 330[4] “Hutab el Xhumuati vel idejn” m fq. 348. Kajro, 1986.[5] Transmetojnë Imam Ahmedi dhe Nesaiu[6] Transmeton Buhariu dhe të tjerët[7] Transmetojnë Muslimi dhe Tirmidhiu, Hadithi është i kategorisë “Hasen sahih”.[8] El Kadi el Bejdavi, “”Envaru-t-tenzil ve esraru-t-te’vil”, vëll. IX ,fq. 306, Konstantinopojë-(Stamboll), 1303 hixhrij[9] Imam Fahruddin er-Rraziu, “Et-Tefsirul Kebiir”, vëll. XXXII, fq. 30.[10] Vehbete ez-Zuhajli “Et-Tefsirul Munir”, fq. 338[11] Transmeton Tirmidhiu

Sabri Bajgora

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit