-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

A mos jetojmë vetëm që të konsumojmë?!

Më të lexuarat

Në rrafshin më të thjeshtë tregtia dhe biznesi merren me shkëmbimin e të mirave dhe shërbimeve. Por, biznes është më shumë sesa vetëm qarkullim i të mirave dhe shërbimeve në njërën anë dhe e parave në tjetrën. Prodhimi, paketimi, shpërndarja dhe mesazhi reklamues që përcjell atë, të gjitha këto mbajnë parullën rreth asaj se çka është e mirë apo e dëshiruar dhe çfarë jo. Përmes këtij shkëmbimi të gjërë, si në nivelin emocional ashtu edhe intelektual, biznesi mund të jetë agjent i fuqishëm i ndryshimeve kulturore.

Kjo ka marrë shprehje të gjërë tani në epokën e medias dhe marketingut profesional. Dikur roli i shitësit ishte të plotësojë dëshirat e lindura nga nevoja e thjeshtë. Sot, roli i tij është që së pari të krijoj nevojën që më pas të plotësohet ajo. Kjo bëhet në të vetmen mënyrë të mundshme; duke zëvendësuar nevojat që janë të kufizuara me dëshirat që janë të pakufizuara. Ata shesin fantazi dhe simbole duke iu drejtuar ndjenjave tona thelbësore.

Në ekonomitë më të zhvilluara botërore mesazhi reklamues i vjen konsumatorit nga të gjitha anët, në çdo kohë, ditën dhe natën. Mesazhi përsëritës; blej, blej, blej; konsumo, konsumo, konsumo, ngacmon dëshirat tona. Ky është konsumerizëm – rezultat përfid i materializmit nën kapitalizëm. Përhapja e saj në mbarë botën është ajo që quhet globalizim.

Motoja e konsumerizmit është “jetojmë që të konsumojmë”. Dhe, për çdo problem në botë ka një zgjidhje. Blej diçka! Viktimat e saj përpjeken të plotësojnë shpraztirat brenda tyre me lojrat më të reja dhe i urojnë vetvetes që jetojnë në një epokë të tillë progresi. Por përderisa ata grumbullojnë sa më shumë të mira, pakuptueshmëria rritet gjithnjë e më shumë. Boshllëku thellohet.

Për më shumë, prapa arritjes së shkathët të marketuesve, dikush mund të shoh fytyrën mashtruese, të shëmtuar të shfrytëzimit. Konsideroni shfrytëzimin e bukurisë së femrës për shitjen e çdo gjëje, që nga makinat, pastat e dhëmbëve e deri tek hyrjet në kopshtet zologjike.

Femrat kurrë më parë në histori nuk janë poshtëruar dhe nënçmuar në shkallë kaq të madhe. Ata të cilët mund të bëjnë para – profit nga kjo, janë përpjekur të mbushin çdo hapësirë sado të vogël me foto të llojllojshme femrash të zhveshura në shkallë të ndryshme. Ambienti është bërë aq shumë i tejngopur me këso ndyrësirash kulturore, sikurse ai personi që jeton pranë kanalit të ujërave të zeza dhe nuk i lë përshtypje era e rëndë e saj.

Ajo që më së shumti mërzit është dështimi i shoqërive muslimane në ballafaqimin me këtë sulm të furishëm. Një përgjegjësi e madhe padyshim bie mbi udhëheqësit e biznesit në ato bashkësi. Ata është dashur rimenduar shkakun e reklamimit, marketingut, ambalazhimit, dhe shitjes. Është dashur të përdorin forcën e tyre dhe të bëjnë një kundërfushatë për të sfiduar kulturën pop. Ata mund të kishin demostruar etikën e lartë dhe mësimet morale të Islamit.

Por, në të kundërtën, ata kanë ndjekur qorrazi mashtrimet dhe teknikën e ndërmarrjeve të biznesit të botës së “zhvilluar”. Shumica e tyre kanë mbaruar shkollat elite të biznesit dhe pa tjetër kanë konkluduar që marketingu është vetëm manipulim. Por, vizionet e tyre, qëllimet, shikimi i gjërave dhe mjetet që përdorin janë të njëjta me ato të mësuesve të tyre.

Dështimi këtu qëndron në dy anë. E para, dështimi për ta kuptuar rolin e biznesit në shoqërinë e sotshme. Kjo është arsyeja se pse ndërmarrjeve të mëdha muslimane iu mungon vizioni për të reklamuar gjuhët, kulturën dhe vlerat morale; ata gjenden atje vetëm për të bërë para, vetëm për profit. Nëse pronarët dhe liderët e tyre kanë ndonjë tendencë fetare, ata do të shpenzojnë disa nga ato para për bamirësi, duke mos e kuptuar që kanë nevojë të inkorporojnë, konkretizojnë mësimet Islame dhe vlerat morale në çdo gjë; duke filluar që nga koncepti i produktit dhe dizajnimit e deri tek marketingu, komunikimet dhe biznesi.

Dështimi i dytë qëndron në përkujtimin e përgjegjësive të biznesit në Islam. Ka shumë hadithe që na tregojnë meritat e tregtarëve të drejtë. Sipas një hadithi Profeti a.s. thotë: “Tregtari i sinqertë dhe i drejtë do të jetë (në botën tjetër) me profetët, sadikët (të sinqertët) dhe shehidët (dëshmorët).” (Tirmidhi). Sipas një hadithi tjetër, kur Pejgamberi u pyet rreth mënyrës më të mirë për fitim për jetesë, ai tha: “Tregtia e drejtë, dhe të punosh me duart tuaja.” (Musnedi i Ahmedit). Të punosh me duart tuaja do të thotë të fitosh jetesën e vetvetes dhe jo duke shfrytëzuar punën e të tjerëve apo duke grabitur nga pasuria e të tjerëve.

Shoqëria me Profetët dhe dëshmorët është shkalla më e lartë që mund të imagjinohet. Si mundet që një njeri shpenzon kohën e tij duke bërë para dhe fiton këtë vend të nderuar në jetën tjetër? Sepse, duke sjellë të vërtetën, sinqeritetin dhe vetëdijën për Zotin në biznesin e vet, shton ndershmërinë në shoqëri. Tregtia e drejtë është një shprehi kuptimplote që përfshin devotshmëri në të gjitha aspektet e rrjedhshmërisë së një biznesi.

Tregtarët muslimanë, të cilët kanë mishëruar këto ideale kanë përhapur Islamin në botë. Ata nuk kanë shkuar në misione të veçanta për të konvertuar njerëzit në Islam, por vendasit duke rënë në kontakt me tregtarët muslimanë; me respektin, sinqeritetin dhe marrëdhëniet e ndershme tregtare që ata posedonin, përqafojnë Islamin. Kjo ka ndodhur në shumë vende të Azisë dhe të Afrikës.

Kur’ani iu drejtohet atyre që posedojnë pasuri, me këtë mesazh: “Dhe me atë që të ka dhënë All-llahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos le mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë All-llahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se All-llahu nuk i do çrregulluesit. ” (Al-Kassas, 28:77)

Kështu, pasuria dhe përpjekja për ta fituar atë duhet vënë në shërbim të fitimit të Vendit në Botën tjetër dhe jo të përdoret për të përhapur çrregullime në tokë. Sot ne e kemi harruar këtë urdhër. Çfarë është më e keqja, duke ndjekur verbërisht atë çfarë ne gabimisht e mendojmë se është e suksesshme, ne angazhohemi në përhapjen e ligësisë, madje pa qenë të vetëdijshëm për këtë.

Është një përgjegjësi e madhe dhe një mundësi e shkëlqyer kjo. Duke zgjeruar vizionin e tyre tregtarët muslimanë mund të bëhen një forcë e madhe për të sfiduar konsumerizmin, materializmin dhe kulturën pop. Përmes një analize të hollësishme dhe të kujdesshëm të politikës së biznesit, ata mund t’i japin fund abuzimit të femrave, të fëmijëve, të konsumatorëve dhe të të varfëve. Kjo është çfarë bota ka nevojë për. Kjo është çfarë tregatrët kanë nevojë për vetveten. Sepse, tregtia e drejtë është e vetmja tregti në të cilën kurrë nuk mund të humbësh.

Nga Khalid Baig,
Impact International (10 & 11) 2004
Shqipëroi Ilda Sadriu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit