2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

PDK ndan pitalka për syfyr në këmbim të votës

Më të lexuarat

Pitalka që brenda paketimit të tyre e kanë pasur kartëvizitën e një kandidateje për deputete të PDK-së, janë dhënë të martën falas në Gjilan.

Furra “Pashtriku” në Gjilan për syfyrin e së martës ka dhënë pitalka falas, ndërsa këto prodhime brenda e kanë pasur kartëvizitën e Leonora Morina- Bunjakut, kandidates për deputete të Koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Kandidatja për deputete, kartëvizitat e së cilës ishin në paketimin e pitalkave, e mohon se organizoi këtë aktivitet, duke thënë se dikush e ka keqpërdorur emrin e saj.

“Ai s’ka qenë aktivitet, e as iniciativë e imja. Unë sinqerisht u kërkoj falje gjithë qytetarëve të Gjilanit që dikush në një mënyrë kaq të ulët ka tentuar të bëjë fushatë kundër meje. Kjo nuk është as në natyrën, as në përvojën time s’ka ndodhur. Unë bamirësi bëj me spitale, me njerëz të cilët kanë nevojë, e jo me furrë. Nuk bohet fushatë me bukë”, tha Morina-Bunjaku për KALLXO.com.

Ajo dyshon se aktivitetin me pitalka e zhvilluan kundërshtarët e saj politikë.

“Unë nuk e di kush e ka bërë këtë, sepse nëse e kisha ditë kisha dalë publikisht”, tha Morina- Bunjaku.

Pasi qytetarë të Gjilanit reaguan në Facebook duke u çuditur se si një furrë buke dha pitalka falas duke u përfshirë në fushatë zgjedhore, Ekipi i KALLXO.com shkoi mbrëmë në furrën “Pashtriku” për të parë nëse ende ka pitalka falas në këtë vend, por kjo “mundësi” kishte qenë vetëm një natë përpara.

Një qytetar i Gjilanit që deshi të mbetet anonim dhe që mori një pitalkë falas në Furrën “Pashtriku” tha se më vonë e mori vesh se ato kishin kartëvizitën e kandidates së PDK-së.

Ai e konsideroi të padrejtë manipulimin e tillë me njerëz.

“E vërtetë është, dje në syfyr kanë dhanë pitalka falas, njëherë mu dok e habitshme, por tu dalë e pashë që ka një kartë të një kandidati të PDK-së, brenda në qese. Po më doket që është e padrejtë duke e ditë realitetin në Kosovë, gjendjen ekonomike, është e padrejtë prej anës tyre, nuk kanë nevojë me manipulu kështu me njerëz. Kandidati është Leonora, nuk ia di mbiemrin, është prej koalicionit PDK-AAK-Nisma. Unë e kam marrë veç një pitalkë, ndërsa 1 pitalkë kushton 20 centë”, tha qytetari i Gjilanit për KALLXO.com.

Pronari i furrës “Pashtriku”, Zekë Duraj tha për KALLXO.com se nuk e di kush i ka paguar pitalkat.

“Ku e di unë kush i ka pagu, tha po du me i dhanë paret për 200 pitalka për ramazan, kush u kanë, tek u kanë, ku e di unë, tha po kam qef me i pagu edhe qaq”, tha pronari Duraj.

Ai mohoi se i ka futur në mbështjellësin e pitalkave kartëvizitat e kandidates për deputete.

“A i kanë shti, a s’i kanë shti kartëvizitat, unë nuk e di, se unë kam punu deri mas iftarit, kah ora 9 në mbramje, e në syfyr s’kam qenë aty se unë kom shku me fjetë, unë nuk e di a i kanë shti, a s’i kanë shti kartëvizitat”, tha Duraj për KALLXO.com.

Pronari i furrës tha se këto pitalka nuk kanë prapavijë politike, ndërsa deklaroi se nuk e njeh kandidaten Leonora Morina- Bunjaku, kartëvizitat e së cilës ishin në paketimin e pitalkave.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit