1.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Ftuesi dhe frika e kohës

Më të lexuarat

“Nuk ka më punëmirë se ai që fton në rrugë të Allahut, punon punë të mira dhe deklaron se është mysliman”. Kuran.

Nderi më i madh material që mund t’i bëjë njeriu njeriut është ta lirojë nga robëria. Këtë ka pohuar Profeti Muhamed (a.s) kur është pyetur për kompensimin e mundit të prindërit nga ana e fëmijës. Ndaj këtij nderi material njeriu do të ndjehej gjatë gjithë jetës së tij borxhli për arsye se lirimi nga robëria i kthen njeriut cilësinë e plotë të qenit njeri.

Ftesa në rrugë të Allahut e shoqëruar me veprën e mirë dhe me deklarimin të identitetit, na paraqitet në Kuran si vepra më e mirë tek Zoti i gjithësisë. Adeti Kuranor që konsiston gjithmonë në respektimin e kapacitetit logjik human ia ka lënë deduktimin e arsyes, logjikës së shëndoshë.

Ditën e kiametit standardi i vlerës realisht merr vendin që i takon. Floriri, materiali më i shtrenjtë e më i dashur për njeriun, do të jetë i gjindshëm me kapacitetin e tij maksimal e megjithatë askush nuk do ketë ngenë të zgjasë dorën. “Ata të cilët mohuan dhe vdiqën si mohues, ditën e kiametit nëse do të kishin gjithë tokën të mbushur me flori e ta jepnin si shpagim për të shpëtuar nga zjarri i xhehenemit nuk do tu pranohej”. Kuran

Problemi nuk është se floriri nuk ka vlerë në vetvete ngase edhe në xhenet do të ketë flori, porse malli alternativ, çlirimi nga xhehenemi kërkon çmim të një lloji tjetër.

Profeti (a.s) konstatoi mërzitje tek Ensarët (medinasit) pas ndarjes së “padrejtë” që u kishte bërë Profeti (a.s) plaçkave të luftës pas një beteje. Me sa duket Profeti (a.s) e priti me krahëhapur reagimin e ensarëve sepse i duhej motivi për ta shprehur dhe shpjeguar natyrshëm shkakun e kësaj ndarjeje të ‘padrejtë’: “A nuk kënaqeni që njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre me delet dhe me dhitë e tyre e ju të ktheheni në shtëpitë e juaja me Profetin e Allahut”.

Po ta kishin kuptuar këtë, ata që morën delet e dhitë, me të vërtetë do të kishin konstatuar se ndarja, realisht ishte e “padrejtë”.

“A nuk ishit të humbur e Allahu ju drejtoi me mua?! A nuk ishit të përçarë e Allahu ju bashkoi me mua?! A nuk ishit të poshtëruar dhe Allahu ju lartësoi dhe ju krenoi me mua?!”

Ensarët u kujtuan dhe u kthjelluan në lidhje me mallin që i kishte sjellë Profeti (a.s) siç kuptuan se ai (a.s) nuk mund të pranonte për ensarët çfarëdolloj çmimi. Ensarët tashmë kishin dhënë prova se ishin në gjendje t’ia robëronin mallin dhe pasurinë e tyre çmimit që kishte sjellë Profeti (a.s). Profeti (a.s) kishte çliruar mendjet e tyre duke i lidhur me Allahun, kishte çliruar shpirtrat e tyre duke i lidhur me kënaqësinë e Allahut siç kishte çliruar edhe jetën e tyre duke thyer perden e çeliktë e të plumbtë të vdekjes.

I lidhuri me Zotin e gjithësisë nuk pret vdekjen për të vërtetuar se vetëm një sexhde e vetme është më e mirë, më gëzuese dhe më lumturuese për të se sa të qenit pronar i tokës dhe i gjithë dynjasë bashkë me shtatë qiejt. Madje janë disa çaste shpirtërore që përjeton njeriu në sexhde të cilat e bëjnë të urojë të mos vinte vdekja asnjëherë, nga frika se mbase nuk do to ketë mundësi t’i përjetojë të njëjtat çaste në atë botë. Mu aty, në sexhde,  njeriu konstaton se ato janë disa çaste që nuk i mund gjë tjetër veç kënaqësisë së të parit të fytyrës së të Madhit Allah. E mu aty thotë le të vijë vdekja përderisa nuk paska rrugë tjetër për tek ajo kënaqësi. Pikërisht aty njeriu arrin të çajë kufijtë e tokës dhe të qiejve.

Shpesh besimtari i Zotit mediton me veten se si është e mundur që Allahu na fton të konkurrojmë për një çmim që është sa gjerësia e qiejve dhe tokës, falja e Tij, ndërkohë që kapaciteti ynë është shumë i kufizuar?! Mirëpo aty në sexhde besimtari e kupton, se jo vetëm është në gjendje të çajë kufijtë e çmimit por është në gjendje të “rrijë pranë” Atij karshi të cilit nuk ka vlerë asnjë çmim.

“Momenti dhe vendi ku robi është më afër Zotit të tij është sexhdeja e pikërisht aty shtoni duatë tuaja se përgjigja është e garantuar.” Hadith.

E mu aty në sexhde njeriu lehtësisht dallon të lutet për ato gjëra që Zoti i tij dëshiron që robi t’i lutet, pavarësisht se Zoti i tij është më Bujari i bujarëve.

A nuk do të ishte e mjaftueshme vetëm kjo kënaqësi e vetme që ftuesi sexhdeli ta mposhtë frikën e kohës?!

Lindjet dhe perëndimet e diellit janë një nga vargonjtë më të rëndë e më të rrezikshëm që pengojnë ndjeshëm hovin e ftuesit sexhdeli.

Kur perëndimi i diellit nuk e shqetëson ftuesin sexhdeli duke u ngushëlluar me lindjen e diellit që vijon, kjo me të vërtetë është e rrezikshme.

Një tabiin i mençur thoshte: “O njeri ti nuk je gjë tjetër veç se disa orë, ditë, javë, muaj dhe viteve e kur ikën një orë apo ditë ka ikur një pjesë e jotja”

Profeti (a.s) qau për vdekjen e një hebreu dhe habisë njerëzore iu përgjigj: “Më iku një nefs…”

“Unë me ju jam si ai që ndezi një zjarr në mes të natës e fluturat u turrën drejt zjarrit duke e menduar thjeshtë dritë, e ky mundohet t’i largojë me dorë, një pjesë i largon e një pjesë bien në zjarr. Kështu jam edhe unë me ju.” Hadith

“Falenderimi i takon të Madhit Allah që më bëri mua shkak për të shpëtuar një nefs nga zjarri i xhehenemit” tha Profeti (a.s) pasi djaloshi hebre në shtratin e vdekjes së tij dëshmoi se s’ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij.

“Nuk jam i sigurt, as për vete e as për ty, se e arrijmë agimin” i tha Ebu Bekri r.a  Bilalit të cilit e trokiti në mes të natës  për ta ftuar tek Zoti i gjithësisë.

E kështu ftuesi sexhdeli me grushtin e frikës së kohës godet dhe shkërmoq frikën e kohës dhe mbi skrapin e frikës së shkërmoqur të kohës shkel dhe vendos këmbët e tij për të ngjitur veten dhe për ngjitur të tjerët sa më lart drejt çmimit që është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës./e-zani

Hoxha Sabaudin Jashari

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit