Leo Varadkar u zgjodh të premten kreu i partisë irlandeze së qendrës së djathtë, Fine Gael, pas dorëheqjes së Kryeministrit Enda Kenny. Varadkar do të bëhet njëkohësisht kryeministri i ardhshëm i Irlandës brenda 10 ditëve…
Leo Varadkar u zgjodh të premten kreu i partisë irlandeze së qendrës së djathtë, Fine Gael, pas dorëheqjes së Kryeministrit Enda Kenny. Varadkar do të bëhet njëkohësisht kryeministri i ardhshëm i Irlandës brenda 10 ditëve.
“Leo Varadkar, i cili do të jetë shefi më i ri i ekzekutivit në historinë e vendit, u zgjodh sot në krye të partisë me 60 për qind të votave përballë Simon Coveney”, theksoi partia e tij në rrjetin social “Twitter”.
Ai do të jetë politikani i parë me origjinë aziatike, që do të marrë postin e kryeministrit në Irlandë, ku 85 për qind e popullsisë i përket besimit katolik.
Ardhja në pushtet e një profili si i 38-vjeçarit Varadkar ilustron ndryshimet e thella që kanë tronditur shoqërinë irlandeze, me tradita të forta katolike që prej dekadash.
Varadkar do të jetë njëherësh edhe kryeministri i parë homoseksual i këtij shteti, ku homoseksualizmi konsiderohej vepër penale deri në vitin 1993 dhe zgjidhja e martesës ishte e ndaluar me ligj deri në 1995-n.
“Nëse zgjedhja ime tregon diçka, ajo është se paragjykimet nuk kanë vend në këtë Republikë”, tha Varadkar.
Mes të tjerash, kryeministri më i ri i Irlandës foli edhe për prejardhjen e tij indiane.
“Kur im atë udhëtoi 5.000 milje për të ndërtuar një shtëpi të re në Irlandë, nuk besoj se e kishte menduar që i biri mund të rritej dhe të bëhej lider”, u shpreh Varadkar.
“Tani shpresoj që çdo fëmijë, që rritet në Irlandë, të më shohë dhe të mendojë se në këtë vend nuk ka pozitë, të cilën nuk mund ta arrijë”, shtoi ai.
Fëmijë i një infermiereje irlandeze dhe një doktori emigrant nga India, Leo Varadkar mbante postin e ministrit të Mbrojtjes Sociale në qeverinë Kenny.