1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Kurani dhe muaji i Ramazanit

Më të lexuarat

“Ramazani është muaji në të cilin u shpall Kurani, udhëzim për njerëzimin, shenjë e qartë për të gjykuar dhe dalluar (të keqen nga e kota). Prandaj, kushdo që e arrin këtë muaj, le të agjërojë…” (Kuran, 2:185)

Autor: Hfz. Xhejlane Nexhipi

Ajeti kuranor në krye të këtij shkrimi dëshmon se mes Kuranit dhe muajit të Ramazanit ekziston një lidhje e pandashme. Shpallja e Kuranit Muhamedit (a. s.) i ndodhi pikërisht këtë muaj.

Me të vërtetë, Kurani është fjala e Allahut të Madhërishëm, që ia zbriti Muhamedit (a. s.) për t’i treguar njerëzimit rrugën e drejtë dhe ai i cili i përmbahet Kuranit, do të jetë i udhëzuar. E kush largohet nga ai, do të jetë në një humbje të mjerueshme.

Kurani është burimi kryesor dhe i parë i Islamit, ligji themelor i të gjithë myslimanëve në tërë botën dhe për të gjitha kohët. Prandaj, s’është kurrfarë çudie pse myslimanët e arsimuar kanë dhënë shumë mund dhe kanë shkruar vepra të shumta që Kuranin ta prezantojnë në shkëlqimin e tij të plotë, që njerëzve t’ua bëjnë më të qartë e më të kuptueshëm. Falë kujdesit dhe dashurisë së madhe të njerëzve, të tillët janë dalluar me kujdesin e tyre për ardhmëri më të mirë e më të lumtur të mbarë njerëzimit, dhe falë të tillëve Kurani qysh prej paraqitjes së tij është ruajtur në frymën e vet origjinale.

Dëshira dhe kujdesi i shumë njerëzve që Kurani të jetë sa më afër njerëzve, sa më afër mendjes së tyre, por edhe sa më afër zemrës, bëri që ai jo vetëm të studiohet, por edhe të shqiptohet drejt çdo shkronjë e tij, çdo fjalë dhe fjali, duke e ruajtur edhe anën melodike të tij. Personi i parë i cili tërë jetën e vet është kujdesur që vlera e Kuranit, si shpallje e fundit hyjnore, të shpjegohet qartë dhe drejtë, ka qenë Muhamedi (a. s.), të cilit, siç dihet, edhe i është shpallur Kurani. Hadithe të shumta, që kanë të bëjnë me leximin dhe studimin e Kuranit, konfirmojnë se Pejgamberi i fundit ka dashur të përqendrojë vëmendjen e gjithë myslimanëve në rëndësinë e madhe të asaj mjeshtërie, e cila duhet të bëhet pjesë përbërëse e jetës së tyre të përditshme. “Kush e këndon Kuranin me saktësi, bën pjesë në shoqërinë e melaqeve të ndershme dhe të mira, ndërsa ai që gjatë tij (këndimit) belbëzon dhe e lexon me mundim, për këtë ka dy dhurata. Dhurata është sipas masës së angazhimit.” Në këtë hadith Pejgamberi (a. s.) përmend dy kategori të recituesve të Kuranit: ata të shkathëtit, të cilët këndojnë rrjedhshëm, dhe të tjerët të cilët e këndojnë me vështirësi, sepse ndoshta merren më rrallë me këtë, dhe gjatë leximit belbëzojnë. Lexues të shkathët të Kuranit janë ata të cilët e lexojnë me urtësi, pa kurrfarë vështirësie, dhe secilën shkronjë, secilën fjalë dhe fjali e shqiptojnë drejt dhe çiltër, sipas rregullave të gjuhës arabe dhe disiplinës së posaçme të Kuranit, e cila quhet texhvid. Ashtu e ka kënduar Muhamedi (a. s.) Kuranin në bazë të shpalljes së pranuar. E ka kënduar me zë, që ta dëgjojnë edhe të tjerët dhe gjithë këtë ta mësojnë. Duke e ditur se do të ketë edhe lexues të atillë të Kuranit, të cilëve edhe përkundër mundit të madh që kanë dhënë, nuk do t’u shkojë për dore që Kuranin ta lexojnë rrjedhshëm, sipas rregullave të njohura. Në hadithin e lartësuar nuk është përmendur kurrfarë dallimi mes të lexuesit, i cili e kupton atë që e lexon dhe atij që nuk e kupton. Prej kësaj lehtë mund të përfundojmë se këtu qëllimi kryesor është nxitja e besimtarëve që të shoqërohen me Kuranin sa më tepër nëpërmjet leximit, sepse kjo është një prej mënyrave të shumta edhe për mbajtjen e lidhjes me Allahun (xh. sh.) “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin vetë dhe që ua mëson të tjerëve”. Siç duket, kuptimi i këtij hadithi përmban udhëzimin që Kuranin jo vetëm ta mësojmë ta lexojmë, t’i shqiptojmë drejt fjalët, por edhe ta studiojmë, respektivisht gjithë këtë duhet ta bartim edhe te të tjerët, sepse kjo nuk guxon të stagnojë. Vetëm njerëzit e tillë meritojnë të jenë ndër më të mirët. Në këtë, normalisht, nuk mund të ketë sukses secili person, mirëpo secila bashkësi islame medoemos të ketë numër të konsiderueshëm njerëzish të tillë, dhe atë në secilën gjeneratë. Mund të thuhet pa e tepruar se kjo është pjesë përbërëse e jetës së vërtetë islame dhe lënia pas dore e këtij obligimi, nuk do të mund të arsyetohet me kurrgjë. Muhamedi (a. s.) thotë: “Njerëzit më të ndershëm ndër pasardhësit e mi janë hafëzat e Kuranit dhe ata të cilët natën i bëjnë ibadet Allahut (xh. sh.).” Me këto fjalë Pejgamberi (a. s.) e jep vlerësimin për njerëzit të cilët e dinë Kuranin përmendsh, si dhe për ata të cilët i bëjnë Allahut ibadet në kohën kur këtë rrallë kush e bën. Për këto dy kategori të tilla njerëzish Muhamedi (a. s.) thotë se janë të ndershëm, shembullorë dhe të dalluar. Ata të tillë janë edhe tek Allahu dhe te njerëzit e tjerë. Nga ana e Allahut ata sigurisht shpërblehen me dhurata, kurse te besimtarët e ndershëm ata janë të respektuar, të çmuar dhe atyre secili mund t’u ketë lakmi. Në këtë hadith Muhamedi (a. s.) ka dëshiruar të tërheqë vëmendjen e besimtarit në rëndësinë dhe dobinë e shoqërimit me Kuranin, si dhe në ibadetet për Allahun (xh. sh.) kur të tjerët flenë. Ky shërbim në këtë kohë është një prej argumenteve më të qarta të nënshtrimit të thellë dhe të sinqertë dhe dashurisë ndaj Allahut. Ky është një besim i papërshkruar tek Zoti dhe në atë se veprat e këtilla dhe gjithë ky flijim nuk mund të lihet në harresë, asnjë vepër e mirë në asnjë rast nuk mund të jetë e pashpërblyer. “Një prej veprave më të dashura tek Allahui është leximi i Kuranit”. Në këtë hadithe Pejgamberi (a. s.) përkujton besimtarin në leximin e Kuranit dhe atë për shkak se ky lexim është një prej shumë veprave të mira, përkatësisht prej më të mirave, nëpërmjet të të cilave njeriu bëhet një prej pasardhësve të mirë të Islamit. Me leximin e Kuranit, ai veten e radhit në shoqërinë e të dashurve të Allahut, të cilët do të kenë dhurata të begatshme dhe ata janë në kujdesin e posaçëm të Allahut (xh. sh.). Këto hadithe bëjnë pjesë në deklaratat më të qarta të Pejgamberit (a. s.) që flasin për rëndësinë dhe vlerën e leximit të Kuranit dhe përmbajtja e tyre ofron mundësi që secili besimtar të dëshmohet si njeri i mirë dhe i devotshëm, i cili dëshiron që edhe në këtë mënyrë t’i afrohet Allahut dhe të fitojë dashurinë dhe mëshirën e Tij.

Në jetën dhe punën e vet secili njeri u është ekspozuar ndikimeve të ndryshme të mjedisit ku jeton, ku lëviz dhe punon, me të cilën komunikon, prej të cilave varet. Ato ndikime nuk janë asnjëherë vetëm pozitive, të dobishme, por jo rrallë janë të dëmshme, të kobshme. Ndikimet e dobishme dhe pozitive në shpirtin dhe në zemrën e njeriut nuk janë asnjëherë dhe për askënd të tepërta. Ato janë gjithnjë të mirëseardhura, për secilin pa marrë parasysh bile edhe moshën e tij. Ndikimet negative të shoqërisë gjithnjë janë të rrezikshme, sikur të jenë edhe të vogla, të rralla, sikur edhe të mos të ishin të vetëdijshëm. Si të tilla, doemos duhet t’iu shmangemi, sepse ato shpesh depërtojnë në shpirtin tonë në mënyrë perfide, por gjithnjë dëmshëm ndikojnë në sjelljen tonë. Ato gradualisht na sundojnë neve, e ndryshojnë moralin tonë, qëndrimin ndaj vetvetes, sidomos ndaj të tjerëve. Ndikimet pozitive të shoqërisë duhet gjithnjë t’i kërkojmë dhe t’i çmojmë, kurse atyre negative gjithnjë t’u shmangemi dhe kurrsesi mos t’i nënçmojmë. Në këtë angazhim dhe luftë duhet të rrjedhë dhe të përfundojë jeta e secilit besimtar të vërtetë, me bindje të plotë se për vetveten nuk jemi të mjaftueshëm e as të aftë që të jemi në nivel, të jetojmë dhe të vdesim të drejtë dhe të ngritur. Duhet, po ashtu, të jemi të vetëdijshëm se ndikimi negativ i mjedisit gjithnjë është prezent, dhe se forcat tona janë të pamjaftueshme që t’i kundërvihemi me sukses. Pikërisht atë kuptim kanë fjalët e Pejgamberit (a. s.): “këto zemra me të vërtetë mund të ndryshken…” Muhamedi (a. s.) këtë e paraqet në mënyrë shumë metaforike dhe zemrën e krahason me hekurin, kurse ndikimet e dëmshme me të ndryshkurit nga uji. Kjo shprehet në ashpërsinë, egoizmin, pandjeshmërinë, përtacinë, panjerëzinë dhe në përgjithësi në paraqitjen e cilësive tjera të ndryshme negative, para të cilëve turpërohet dhe rrëqethet secili besimtar i ndershëm, i drejtë dhe shpirtërisht i fuqishëm. Gati nuk është e nevojshme të përmendet kjo e ndryshkur e zemrave se sa e dëmton dhe nënçmon, kushdo qoftë. E kur është pyetur për ilaç, shërim dhe shpëtim nga gjendja e këtillë e rëndë, Pejgamberi (a. s.) me gatishmëri rekomandon që njerëzit të mendojnë shumë për vdekjen e tyre dhe të lexojnë Kuran. Leximin e Kuranit Muhamedi (a. s.) e rekomandon si ilaçin e dytë kundër ndryshkjes së zemrës së njeriut. Ky është ilaç i posaçëm, hyjnor, sepse ai është udhëzim, mësim, këshillim, mëshirë, rrugë e drejtë, vërejtje për të gjithë që kanë zemra dhe ndenja. Kurani është udhëzim për të devijuarit, mësim për të mençurit, këshillë për të paudhëzuarit, po ashtu mëshirë dhe rrugë e drejt për ata që janë pa përvoje dhe moralisht të devijuar. Kurani është ilaç dhe ngushëllim, ai nxit në meditim, i zgjon dhe forcon ndjenjat më fisnike, i shëron zemrat e ndryshkura, përkatësisht pengon që të bëhen të atilla. Kurani është shpresë dhe ngushëllim, ushqim shpirtëror dhe ilaç njëkohësisht. Për këtë shkak Pejgamberi fisnik e rekomandon si mjet të sprovuar për ngritjen morale dhe shërim shpirtëror të të gjithë njerëzve. Sa më parë dhe sa më vigjilentë të jemi, aq më tepër do të jemi të fuqishëm dhe më të ngritur me karakter, më fisnik dhe moralisht më të qëndrueshëm. Atëherë ndryshkja e zemrave do të jetë larg nesh, sepse do të jemi njerëz të vërtetë me plot kuptimin e fjalës. “Shumë mirësi ka në një shtëpi ku lexohet Kurani, kurse pak aty ku nuk lexohet.” Ky hadith paraqet edhe një stimulim për besimtarët që të merren me leximin e Kuranit. Sepse, Kurani është mirësi e plotë, dobi e pakufishme, begati e madhe të cilën duhet ta ketë secila shtëpi myslimane. Para se gjithash, ky është motiv me rëndësi që në familje të ketë harmoni, respekt, punë të përbashkët dhe organizim për të mirën dhe përparimin e të gjithëve. Secili pronar i ndërgjegjshëm i familjes është i obliguar të angazhohet që në shtëpinë e tij vazhdimisht të sundojë fryma kuranore edhe të gjithë të jetojnë sipas Islamit të vërtetë, ashtu si e përshkruan Kurani. Kurani lexohet në një shtëpi myslimane, nëse aty të gjithë anëtarët e rritur falen, sepse nuk ka namaz në të cilin nuk lexohet Kuran. Dhe, përkundrazi: nëse në shtëpinë e tillë nuk falet, Kurani nuk është aspak i përfaqësuar; kjo është familje shumë e dobët myslimane dhe në të nuk ka mirësi. E, për një gjë të tillë do të jenë fajtorë dhe përgjegjës para Zotit, më së shumti prindërit, para të gjithëve babai. Prindërit, para të gjithë të tjerëve, duhet gjithnjë dhe me sukses të kujdesen që në shtëpinë e tyre gjithnjë të ketë shumë mirësi, që gjithë anëtarët të jetojnë në kënaqësinë e Zotit, sepse vetëm mënyra e tillë e jetës është e frytshme dhe shpëtimtare. “Cilido mysliman që shkon në shtrat dhe lexon ndonjë sure nga Kurani, Allahu i Madhërishëm do të caktojë mbi të një melaqe që ta mbrojë që mos t’i afrohet kurrgjë shqetësuese, derisa mos zgjohet.” Nuk është vështirë që në këtë hadith ta hetojmë dëshirën e sinqertë dhe të flaktë të Pejgamberit (a. s.) që leximi i Kuranit të kultivohet, për shkak se kjo bie pushim të qetë dhe të sigurt gjatë natës, aq të nevojshëm për vazhdimin e jetës dhe punës së përditshme. Çka don të thotë gjumë i rehatshëm, mund të thonë vetëm ata që aq shumë e kërkojnë. E, Muhamedi (a. s.) edhe për këtë rast na rekomandon Kuranin si mjet të sigurt për qetësim, pa të cilin nuk ka as pushim e as punë të suksesshme. Muhamedi (a. s.) ka thënë: “Lexoni Kuran, sepse ai në Ditën e Gjykimit do të paraqitet si ndërmjetësues për faljen e gabimeve ndaj tyre që e kanë lexuar!” Edhe në këtë hadith Muhamedi (a. s.) rekomandon leximin e Kuranit dhe këtë rekomandim e arsyeton me fjalët se Kurani në botën e ardhshme do të jetë në rolin e ndërmjetësuesit për faljen e gabimeve recituesve të tij, të cilët diçka gabojnë në këtë botë. Kurani, pra, atëherë do të paraqitet si mbrojtës dhe shpëtues prej dënimit të rëndë, sepse këtë njerëzit e këtillë e kanë merituar. Kurani si libër është shpëtim për të gjithë njerëzit në të dy botët.

Për këto shkaqe, duhet t’i kushtojmë rëndësi Kuranit sikurse në lexim, ashtu edhe në mësimin e tij përmendsh dhe praktikimin e tij.

Allahu na bëftë prej atyre që e lexojnë Kuranin dhe e praktikojnë atë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit