-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Tranzicion me shumë pikëpyetje

Më të lexuarat

Formula e kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq për zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë në veri të Kosovës, edhe pse me pak detaje të zbardhura deri më sot, po ngjall reagime të ndryshme te parlamentarët.

Ka të tillë, që e shohin kalimin e policëve të Serbisë në Policinë e Kosovës, si shtrirje të autoritetit të Prishtinës në veri, varësisht se nga vijnë.

Por ka zëra që këtë kalim eventual, e konsiderojnë rrezik për sigurinë e vendit, apo edhe një kalë trojan, që do t’i mundësonte Beogradit autoritet, si në rastin e Bosnjës e Hercegovinës.

Mirëpo, të gjithë pajtohen se është çështje e ndjeshme, dhe se procesi i rekrutimit te tyre te behet me kujdes te shtuar.

Kryetari i komisionit parlamentar për Siguri dhe Punë të Brendshme, Ahmet Isufi, i cili vjen nga radhët e AAK-së, tha për Radion Evropa e Lirë, se organizma të ndryshëm të Serbisë kanë vepruar pa penguar në atë zonë, prej pasluftës, edhe pse kanë rrezikuar sigurinë e vendit.

Andaj, sipas tij, tema që po diskutohet në Bruksel mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, kërkon garanci dhe llogaridhënie nga të dy shefat e qeverive, se veprimet e tyre, do të ndikojnë në integrimin e veriut, e jo veçimin e jetës politike dhe shoqërore atje.

“Përgjegjësi marrin liderët që po zhvillojnë bisedimet. Nëse ata duan të nxisin ndryshim të pozitës, janë ata [vet] që mund, ose ta prishin rendin kushtetues në Kosovës; ose të jenë vërtet amortizues; ose krijues të një realiteti të ri në Kosovë,” tha ai.

Serbia, sipas raporteve ndërkombëtare, besohet se ka rreth 500 forca të sigurisë në veri të Kosovës, të cilët zyrtarë po që se nuk janë nga territori i Kosovës, do të duhet të largohen nga vendi, kur të vjen koha për zhbërjen apo shndërrimin e tyre në Policinë e Kosovë.

Sipas tij, formula më e thjeshtë e përfshirjes së këtyre policëve nën ombrellën e Policisë së Kosovës, duhet të bëhet sipas procedurave në fuqi, ku secili pjesëtar duhet të ketë dosje të pastër.

Isufi thotë se parimisht, kalimi i këtyre policëve nga MUP-i i Serbisë, në policë të rregull të Kosovës, nuk duhet pa si problem.

Por Anton Çuni, nga LDK-ja, një anëtar tjetër i komisionit parlamentar që drejton Isufi, ka dilemë nëse ky kalim i policëve serbë, do të jetë i tërësishëm në policinë e Kosovës apo jo. Sepse po që se ndodh krijimi i strukturave tjera në veri, atëherë kjo paraqet problem.

“Policia e Kosovës e ka misionin dhe përgjegjësitë e veta, për shtrirjen në tërë territorin e saj, dhe çdo zgjedhje tjetër, apo ndonjë alternativë tjetër në këtë kuptim të angazhimit të ndonjë strukture, apo ngritje të ndonjë strukture të re, apo të kalimit nga një formacion tjetër, në formacione të rregullta, do të ishte shumë e rrezikshme për nivelin sigurisë së Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, nëse rekrutimi i kuadrove të reja në veri, nënkupton plotësim të strukturave aktuale të Policisë së Kosovës, atëherë me konkurs publik duhet të punësohen policët serbë, e jo me automatizëm dhe pa kontrolluar të kaluarën e tyre.

Transformimi i MUP-i të Serbisë në Polici të Kosovës, për Rexhep Selimin kurrë nuk do të ndodh.

Siç thotë zëvendës-kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, kjo formulë nuk do të shërbejë për të zgjidh problemin e autoritetit në veri, por kamuflim të problemit.

Madje, ai nuk beson se Serbia është e gatshme ta shkrij policinë e saj në Polici të Kosovës, sepse ka synime tjera. Kurse paralajmëron se Prishtina zyrtare, me pranimin e një ideje të tillë, po shkel sovranitetin e vendit.

“Pra nëse futet ministria e punëve brendshme e Serbisë në këtë rast MUP-i i Serbisë, në kuadër të MPB-së, këtu nuk ka bashkim të institucioneve, apo mbi embrionin që ka krijuar dikur Serbia këtu, një lindje e një Serbie të vogël brenda territorit të Republikës së Kosovës, e cila Serbi e vogël do ta rrezikonte gjithmonë shtetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, shtetësinë e saj, dhe sovranitetin e saj, ashtu siç po bënë tani në Bosnje e Hercegovinë”, tha ai.

Sido që të jetë, shkrirja e strukturave të sigurisë së Serbisë në ato të Kosovës, pritet të bëhet me module, dhe në afate të caktuara kohore, nën mbikëqyrjen e rreptë të faktorit ndërkombëtar.

Për detajet e sakta, pritet që kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, të merren vesh gjatë takimit të tyre të radhës në Bruksel, më 4 mars.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit