-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Artriti reumatoid

Më të lexuarat

Artriti reumatoid ( AR) është sëmundje sistemike kronike progreduese e indit lidhor që manifestohet me ndryshime destruktive në artikulacione dhe ndonjëherë prek edhe tetivat, sytë dhe organet e brendshme.

Sëmundja prek të gjitha racat dhe është e përhapur në gjithë botën. Sëmundja mund të paraqitet në çdo moshë, por më së shpeshti paraqitet ndërmjet moshës 25-50 vjeçare. Femrat zakonisht sëmuren 3 herë më shumë sesa meshkujt.
Është sëmundje kronike që prek rreth 1 % të popullatës së përgjithshme në gjithë botën. Incidenca vjetore te femrat është 0.5 raste në 1000 banorë dhe për meshkuj 0.2 raste për 1000 banorë.
Shkaktari i kësaj sëmundjeje sistemike është i pa njohur. Kërkimet shkencore flasin për një përgjigje jo adekuate imunologjike të organizmit me antigjenin e pa definuar.

Sëmundja shoqërohet me inflamacion të membranave sinoviale dhe formim të të ashtuquajturit “pannus” që shkakton: dhembje, edemë, ngurtësim dhe humbje të funksionit të nyjeve .

Në serumin e të sëmurëve me AR janë evidentuar një mori autoantigjenesh të cilët ndërhyjnë në hallka të ndryshme të mekanizmave patogjenetik të sëmundjes.
Antigjeni që ngacmon sistemin imunologjik ndoshta vjen nga jashtë me ndonjë agjent infektiv ose ka origjinë nga indi fibroz i nyjës. Vendi tipik i fillimit të aktivizimit të inflamacionit në AR është cipa sinoviale. Infiltrimi i sinovies me qeliza mononukleare veçanërisht me limfocite T dhe makrofag si dhe hiperplazioni i saj janë elemente thelbësore morfologjike në AR.
Limfocitet T CD4 janë komponenti kryesor i përgjigjes imune që në stadet e hershme të AR, të cilat më vonë ndikojnë në aktivizimin e limfociteve B, gjegjësisht në prodhimin e antitrupave, të cilët janë të klasës IgG, ato bëhen autoantigjenë ndaj të cilit përgjigjet sistemi imunologjik duke krijuar autoantitrupa apo faktorin reumatik (FR).

Simptomat më të cilat fillon sëmundja janë: dhembja e nyjeve, ngurtësimi mëngjesor, edema, skuqja dhe nxehtësia e lëkurës mbi artikulacione, temperatura subfebrile, lodhja dhe anoreksia.
Dëmtimet e artikulacioneve janë shfaqjet kryesore të AR. Në pjesën më të madhe preken disa artikulacione. Fillimisht më shpesh preken artikulacionet e vogla të duarve dhe këmbëve.
Më vonë sëmundja prek artikulacionet e tjera si: bërrylat, skapulohumeralët, gjunjët, artikulacioni atlantoaksial, temporo-mandibulare, krikoaritenoide etj. Është karakteristike prekja simetrike e artikulacioneve proksimale interfalangeale dhe metakarpofalangeale.
Fenomeni Raynaud mund të shihet në pak të sëmurë, ndërsa eritema palmare më shpesh. Infarktet në majat e gishtërinjve dhe në bazën e thonjve janë tregues të vaskulitit reumatoid dhe te një forme mjaft agresive të sëmundjes.

Vihen re disa deformime karakteristike siç janë: “devijimi ulnar” i duarve, gishtat me deformim të shkronjës Z “qafa e mjellmës”, apo deformime si forma e “çekiçit” etj. Ndërlikimet e AR në përgjithësi janë të lidhura me kohëzgjatjen dhe agresivitetin e sëmundjes, të cilat shpesh mund të shkaktojnë edhe invaliditet.

Si pasojë e vazhdimit të sëmundjes mund të shkaktohen edhe: dëmtime të syve, nyjet reumatoide, infeksionet, vaskulitet, dëmtimet e veshkave, dëmtimet e mushkërive, ndërlikimet kardiake, alterimet hematologjike.
Diagnoza e AR caktohet bazuar në anamnezën, ekzaminimin objektiv si dhe në bazë analizave laboratorike dhe rëntgenologjike. Nuk ka test laboratorik specifik për caktimin e diagnozës së AR, por këto analiza ndihmojnë diagnozën dhe mjekimin e kësaj sëmundjeje.
Diagnostikimi radiologjik bëhet përmes stadeve anatomike sipas Steinbrocker-it të cilat tregojnë për ndryshime të stadit I, II, III dhe IV.

Kriteret diagnostike për Artritin reumatoid sipas Kolegjit të Reumatologëve Amerikan (Kriteret ACR të vitit 1987) janë mesa vijon:
1. Shtangimi mëngjesor i nyjave të gishtërinjve (më i gjatë se 1 orë.)
2. Artriti i tre apo më shumë artikulacioneve të konstatuara gjatë kontrollit mjekësor
3. Artrit i së paku një artikulacioni të shuplakës
4. Artriti simetrik ( përfshirje bilaterale e artikulacioneve)
5. Nyjat reumatoide të konstatuara gjatë kontrollit mjekësor
6. Faktori reumatoid pozitiv në serum, dhe
7. Manifestimet radiologjike (osteoporoza difuze e artikulacionit MCP (metakarpofalangjeal), ngushtimi i hapësirës intraartikulare, uzurat, erozionet skajore, subluksacionet dhe luksacionet, ankiloza fibroze dhe kockore. Diagnoza caktohet nëse janë prezent 4 nga 7 kriteret.

Mjekimi i AR konsiston në masat e përgjithshme, mjekimin farmakologjik, fizioterapeutik dhe operativ. Pacienti duhet të njoftohet me sëmundjen, terapinë dhe veprimet e padëshiruara të saj.
Mjekimi farmakologjik fillon me barërat anti-inflamatorë josteroidë (BARJS), të cilat kanë veti analgjetike, kundërpezmatuese (naprox, ibuprofen ketoprofen, piroxicam, diclofenac), së bashku me kortikosteroidet shërbejnë si terapi fillestare deri sa të japin efektin barërat që modifikojnë sëmundjet reumatike (DMARDs).
DMARDs shkaktojnë remision të pjesërishëm, zvogëlim ose remision të plotë të artritit reumatoid.
Derivatet e Chloroquinës arrijnë efektin e veprimit pas 6 javësh deri 3-6 muajsh pas përdorimit.
Sulfasalazina përoret me dozë 0.5-.3.0 g në ditë, ndërsa efektet anësore me leukopeni, gjegjësisht me agranulocitozë janë të mundshme, prandaj analizat laboratorike të leukociteve bëhen çdo 5-6 javë.
Preparatet e arit aplikohen në rastet e mesme dhe të rënda të sëmundjes, ndërsa sukseset me preparate të arit janë nën sukseset me sulfasalazinë.
Methotrexati përdoret në format mesatarisht të rënda, të rënda dhe në rastet shumë aktive. Dozimi prej 10-15-25mg/një herë në javë eventualisht oral mundet që pas 3-6 javësh të shkaktojë një përmirësim në drejtim të dobësimit të aktivitetit të sëmundjes.

Agjentët biologjikë: Njohja e TNF-alpha dhe IL-1 si citokina qendrore proinflamatore ka quar në zhvillimin e agjentëve që bllokojnë këto citokine apo efektet e tyre.
Agjentët biologjikë që bllokojnë TNF janë etanercepti, infliximabi etj. Enbreli është TNF-frenues, aplikohet me injeksione nën lëkurë 25 mg dy herë në javë. Infliximabi është një antikorp monoklonal anti-TNF, aplikohet në dozë 3 mg/kg. i.v. 5-6 herë në vit.
Terapia fizikale dhe kirurgjike, nënkupton terapinë me lëvizje aktive dhe pasive, gjimnastikën ergoterapinë, lëvizjen e artikulacioneve në banjo me ujë të ngrohtë dhe të gjitha këto e zvogëlojnë tendosjen muskulore dhe evitojnë invaliditetin.

Po ashtu sinoviektomia e hershme dhe implantimi i endoprotezave konsiderohen si ndërhyrje të shpeshta operative në të sëmurët me AR.

Dhe në vend të përfundimit do të përkujtojmë se vetëm me diagnostikim dhe mjekim të hershëm të kësaj sëmundjeje, me bashkëpunim dhe me punë profesionale do të pretendojmë zbutjen e shenjave dhe simptomave të sëmundjes, evitimin e invaliditetit, aftësimin dhe kthimin e të sëmurëve në vendin e punës dhe në aktivitetet jetësore.

Prof. dr. Sylejman Rexhepi, MD,PhD

Tel: +377 44 145 864
[email protected]

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit