-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

SHBA dhe Kina akuzojnë njëra-tjetrën për sulme kibernetike

Më të lexuarat

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë shkëmbyer akuza ndërmjet vete, pas një vale sulmesh kibernetike, të cilat kanë goditur agjencitë qeveritare të SHBA-së, organizatat e mediave dhe firmat private.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë ngritur vazhdimisht shqetësimet me zyrtarët e lartë kinezë.

Ministria e Jashtme e Kinës ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje të qeverisë në sulme, duke thënë se janë “të pabaza”.

Ministria ka thënë se Kina ka qenë vetë viktimë e sulmeve të hakerëve dhe, sipas saj, shumica e tyre e kanë pasur origjinën në Shtetet e Bashkuara.

Akuzat pasojnë njoftimin e kompanisë elektronike Apple, se është sulmuar nga hakerët. Kompania me seli në SHBA ka thënë se nuk ka të dhëna për vjedhjen e informacioneve të konsumatorëve.

Ministria e Jashtme e Kinës ka lëshuar deklaratën e saj, pasi një kompani për siguri e Shteteve të Bashkuara ka lëshuar një raport, i cili akuzon një njësi ushtarake në Shangai se qëndron prapa sulmeve kibernetike në Qeverinë e SHBA-së, korporatat dhe kompanitë e mediave.

Raporti i kompanisë “Mandiant” konstaton lidhje të “Njësisë 61398” të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit me sulmet në së paku 141 organizata, të cilat datojnë nga viti 2006.

Gjetjet vënë në pah se shumica e organizatave të prekura ndodhen në Shtetet e Bashkuara, ndërsa një numër më i vogël i tyre në Kanada dhe Britani. Kompania thotë se informacionet e vjedhura nisin nga detajet mbi blerjet deri të email-et e punonjësve të lartë.

Raporti thekson se ushtria e Kinës punëson së paku qindra ekspertë të hakerizmit.

Ministria e Jashtme e Kinës ka hedhur poshtë raportin në fjalë, duke thënë se bazohet në “të dhëna ta pazhvilluara”.

Zëdhënësi Hong Lei ka thënë se në vitin 2012, hakerët e huaj kanë përdorur viruse dhe programe të tjera të këqija, për të marrë kontrollin e 1,400 kompjuterëve dhe 38,000 ueb-faqeve në Kinë. Ai ka thënë se hakerët në Shtetet e Bashkuara kanë kryer numrin më të madh të sulmeve.

“Kina kundërshton fuqishëm sulmet e hakerëve. Ajo zbaton ligje dhe rregullore përkatëse, si dhe ka miratuar masa të rrepta për të parandaluar aktivitetet e hakerëve. Kina është po ashtu viktimë e sulmeve të hakerëve në Internet”, ka thënë Hong.

Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, ka thënë se autoritetet amerikane janë në dijeni për raportin e “Mandiant”-it, por nuk ka pranuar të komentojë në mënyrë specifike për të.

Carney ka kujtuar se presidenti Barack Obama, në fjalimin e tij vjetor, ka shpallur urdhrin ekzekutiv për mbrojtje më të mirë të agjencive amerikane, kompanive dhe infrastrukturës kritike, nga sulmet kibernetike.

“Është një sfidë e madhe për ne në fushën e sigurisë kombëtare. Shtetet e Bashkuara kanë shqetësime në rritje për kërcënimet e ekonomisë dhe të sigurisë kombëtare nga ndërhyrjet kibernetike”, ka thënë Carney.

Kompanitë amerikane, përfshirë The New York Times, The Wall Street Journal, Facebook, Twitter dhe tani Apple, janë në mesin e firmave të mëdha që kanë thënë se janë sulmuar nga hakerët.(v.tela)/rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit