2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Kjo është xhamia mahnitëse e shqiptarëve në Zvicër, ja çka shkruajnë mediat për të (Foto)

Më të lexuarat

Në një atmosferë impozante dhe festive, të shtunën në mesditë, është realizuar ceremonia zyrtare e hapjes së xhamisë së re, në qytetin e Wil-it, Kantoni St. Gallen, para një publiku në numër të madh, të ardhur nga të gjitha anët e Zvicrës, madje edhe nga Austria, Gjermania, Italia e Danimarka. albinfo.ch ka qenë në vendin ku është zhvilluar solemniteti dhe sjell atmosferën e atjeshme.

Si çdo herë edhe kësaj radhe nuk munguan krerët e bashkësive islame nga vendlindja. Këtë manifestim edhe më madhështor e bëri prezenca e një numri të madh të përfaqësuesve të kishave vendore, personaliteteve të jetës politike në rrafshin lokal dhe kantonal.

 

Urimet dhe mesazhet e  të gjithë të pranishmëve, drejtuar publikun u fokusuan në drejtim të ruajtjes së vlerave të përbashkëta si respekti reciprok, bashkëjetesa, liria e shprehjes, dialogu dhe integrimi. Me ilahi islame, të përcjella me instrumente shqiptare u prezantua kori i Medresesë “Isa Beu” nga Shkupi, i ardhur enkas për të qenë pjesë  e këtij manifestimi. Me një poezi si gjithnjë të shkëlqyer nga Naim Frashëri, u paraqit para publikut artisti i njohur shqiptar, Mirush Kabashi.

Në mesin e shumë figurave publike, hasëm dhe kryetarin e qytetit të Gostivarit, Nevzat Bejta, i cili kishte sjellë me vete dy dhurata simbolike të cilat, ia ndau imamit të xhamisë.

Bashkëpunimi me autoritetet dhe me kishat vendore

Për shkak të situatës së krijuar me iniciativën për ndalimin e ndërtimit të minareve për xhamitë, xhamia e Wilit ka qenë në shënjestër të mediave dhe në raste është shikuar edhe me sy kritik nga politikanë të ndryshëm në rrafshin Nacional, shkruan albinfo.ch. Por ka qenë bashkëpunimi intensiv i imamit të kësaj xhamie Bekim Alimi, me autoritetet komunale, federale, kishat vendore dhe me qytetarët, ai që ka bërë të mundur thyerjen e paragjykimeve dhe barrierave të krijuara si rezultat i kësaj dhe ngjarjeve në mbarë botën.

Kryetari i xhamisë së Wilit, Abdulla Mustafa, foli për rrugën dhe peripecitë përmes të cilave ka kaluar komuniteti i myslimanëve në qytetin e Wilit. Ai mes tjerash falënderoi të gjithë ata që siç tha Mustafa, “kanë kuntribuar për ndërtimin e kësaj  shtëpie të Zotit, në qytetin e Wilit“.

Fill pas fjalimit tij, në podium u paraqit dhe kryetarja Aida Zenuni, përgjegjëse për aktivitetet dhe mbarëvajtjen e punëve në sektorin e gjinisë femërore. Ajo foli dhe për aktivitetin e zhvilluar në rrafshin fetar, arsimor dhe atë integrues. Mes tjerash Zenuni i kujtoi publikut rëndësinë që populli ynë i kushton edukimit të femrës dhe këtë e bëri me një mesazh të fortë përmes një proverbi popullor: “Të edukosh një mashkull, ke edukuar një familje, por të edukosh një grua do të thotë, të edukosh një popull“ – tha Aida Zenuni.

Në këtë ngjarje nuk mund të mungonte kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Nehat Ismaili i cili potencoi rëndësinë e bashkëpunimit në mes vete dhe me organet shtetërore. “Prezenca juaj dëshmon për përkushtimin ndaj Islamit dhe xhamisë. Xhamia e Wilit nuk është një faltore e vetëm banorëve të saj, ajo është xhami e të gjithë myslimanëve kudo që jetojnë në Zvicër“.

Me fjalime dhe mesazhe para publikut u paraqit dhe Mensur Halili, përfaqësues i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Gjermani, Mahir Zeqiti, përfaqësues i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Austri, Reshat Ibishi Kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Itali si dhe Ruzhdi Asipi, përfaqësues i xhamive shqiptare në Danimarkë.

Fokusim në  vlerat e përbashkëta

Nga sfera e politikës, i pranishëm në mesin e të ftuarve ishte dhe kryetari i Qeverisë së Kantonit të St. Gallen, Martin Klöti, raporton albinfo.ch. Ai i përshëndeti të pranishmit me përshëndetjen origjinale Islame dhe fill pasi falënderoi nikoqirët për ftesën foli rreth  integrimit, bashkëjetesës, lirisë së shprehjes të cilat i cilësoi si vlera jetike të komunitetit në Wil dhe më gjerë.

“Integrimi, dialogu, respekti reciprok, bashkëjetesa  janë vlera të përbashkëta të cilat duhet ti kultivojmë“ – nënvizoi Martin Klöti. Duke shtuar se, dhuna e fundamentalizmi, janë vepra të papranueshme për shoqërinë.

Edhe kryetarja e qytetit të Wilit, Susanne Hartmann, ju uroi myslimanëve hapjen e  xhamisë së re. Ajo mes tjerash tha se „Bashkëjetesa jonë do të funksionojë, vetëm nëse veprojmë pa paragjykime dhe frikë, duke respektuar e duke ju përmbajtur vlerave dhe regullave të cilat janë të njëjta për të gjithë, pa përjashtime“.

“Xhamia e re nuk do të hap dyert vetëm për përfaqësuesit e saj, por dyert e saj do të jenë të hapura për të gjithë. Një festë të këtillë, njeriu nuk e feston me të huaj, por me familje dhe miq dhe me këtë rast ju e keni ftuar gjithë popullatën e Wilit“ – u shpreh në fund të fjalimit, kryetarja e qytetin Susanne Hartmann, e cila ka qenë një nga protagonistët kryesorë, që kanë luajtur rol pozitiv në drejtim të themelimit dhe  ndërtimit të kësaj qendre Islame.

Mesazhe paqeje e mirëkuptimi

Në podium u paraqitën dhe përfaqësuesit e Kishës Katolike dhe asaj Reformiste.

Roman Giger, prift i Kishës Katolike te qytetit të Wilit, iu drejtua publikut me disa citate nga Kurani të cilat thërrasin për bashkëjetesë dhe vlera të përbashkëta. Ky fjalim u prit shumë mirë nga publiku. Para të pranishmëve me fjalimet dhe mesazhet e tyre të paqes dhe bashkëjetesës u paraqitën edhe përfaqësuesit e bashkësive islame nga Maqedonia, kryetari Sulejman Ef. Rexhepi, nga Kosova Kryemyftiu Naim Tërnava dhe Fikret Limani, kryetar i Bashkësisë Islame nga Lugina e Preshevës.

Sulejman Ef. Rexhepi, në fjalimin e tij, siguroi autoritetet vendore se Islami është fe e paqes dhe thërret në vlera të bashkëjetesës si dhe në asnjë rast nuk është ideologji e dhunës dhe ekstremizmit.

Në fund të fjalimeve para të pranishmëve u paraqit imami i Qendrës së Wilit, Bakim Alimi, i cili foli për rrugën e gjatë të cilën kanë ndjekur deri në hapjen e kësaj faltoreje, shkruan albinfo.ch. Pasi i falënderoi një nga një të gjithë pjesëmarrësit që përfaqësonin autoritetet vendore, fetare dhe ata që kishin ardhur nga jashtë vendit, Alimi qartësoi mënyrën e punës drejt integrimit dhe bashkëjetesës që ka ndjekur kjo xhami, dhe po kështu shpjegoi mënyrën e financimit të saj.

“Në mesin e një lutjeje, brenda xhamisë sonë, kemi pasur kamera televizive, qytetarë të interesuar, për të parë mënyrën se si zhvillohet një lutje brenda xhamisë, që në fakt për një shtëpi të Zotit, diçka e këtillë nuk është e zakonshme. Por tek ne, ky aktivitet është shndëruar në normalitet“ – tha Alimi.

Kur jemi tek financimi i xhamisë, Bekim Alimi nënvizoi: „Ndërtimi xhamisë ka kushtuar 4 milionë franga. Ato janë tubuar, kryesish nga pagesat vullnetare të anëtarëve tanë, nga e gjithë Zvicra. Një falënderim të posaçëm iu shprehim edhe 30 xhamive simotra nga Zvicra, Austria, Gjermania, Danimarka dhe Norvegjia, të cilat janë solidarizuar me ne“.

Pas përfundimit të fjalimit, pasoi dhe hapja zyrtare e xhamisë së re, pamjet e së cilës, flasin vetë

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit