2.5 C
Pristina
E diel, 18 Prill, 2021

Vetëm në QKUK brenda 6 muajve braktisën 20 fëmijë

Më të lexuarat

Numri i foshnjave të braktisura është në rritje dhe vetëm brenda 6 muajve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë braktisur 20 fëmijë.

Sipas të dhënave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në vitin 2012 në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike janë braktisur 32 fëmijë, prej të cilëve, katër janë gjetur të braktisur në vende të ndryshme, si në rrugë, lagje, apo aty ku ka frekuencë më të madhe të kalimtarëve.

Nushe Loxhaj-Bicaj, sociologe në këtë klinikë, tha se nënat po braktisin fëmijët e tyre pasi nuk gjejnë mbështetje as nga babai i fëmijës, e as nga familjarët e tyre.

“Ato vetë nënshkruajnë se heqin dorë nga fëmija i tyre”, u shpreh ajo.

Sipas Loxhaj-Bicaj, vetëm brenda 6 mujorit të vitit 2013 janë braktisur 20 foshnje. Në këtë qendër trajtimi i pacientëve është i njëjtë por për raste e nënave që braktisin foshnjën e tyre, kujdesi është më i veçantë.

“Ato gjatë tërë kohës kanë qenë të stresuar, sepse në të shumtën e rasteve nuk e njoftojnë familjen e ngushtë”, u shpreh ajo.

Loxhaj-Bicaj tha se 90 për qind e rasteve të atyre që e braktisin fëmijën nuk donë as ta shohin.

“Nëse ajo është e interesuar me pa fëmijën sapo të lind, motrat ia ofrojnë, sepse kemi shumë raste, mund të them 90 për qind si ta lindin fëmijën nuk donë as me pa, nuk janë të interesuara të shohin fëmijën”, tha ajo.

Loxha-Bicaj tha se foshnjat e braktisura emërtohen nga motra, e cila ndodhet në ndërrim dhe i vënë emrin që i kujtohet asaj në atë moment.

Ajo tha se femrat që braktisin fëmijët e tyre janë të pamartuara dhe thonë se nuk kanë mbështetje as nga familja e as nga partnerët e tyre.

“Ato cekin emra se cili është babai i foshnjës, por shpesh ata emra nuk janë të vërtetë dhe qendra nuk ka të drejt të kërkojë analiza të ADN-së për ta vërtetur nëse ai person është apo jo babai i foshnjës”, u shpreh Loxha-Bicaj.

Ndryshe, fëmijët që braktisën në QKUK qëndrojnë vetëm 28 ditë, përjashtim bëhet për foshnjat që janë me shëndet jo të mirë. Pas 28 ditësh ata kalojnë në Qendrën për Punë Sociale, me ç’rast aty qëndrojnë për 12 muaj deri sa të jepen në adoptim ose të bëhet një zgjidhje për ta.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit