6.7 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

Të gjitha rrethanat e 49 vdekjeve: familje të shuara në ndërtesa të destinuara për vdekjeprurëse

Më të lexuarat

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 49 viktima, mbi 750 të plagosur dhe qindra ndërtesa të rrënuara.

47 prej viktimave humbën jetën nga shembja e 7 ndërtesave në Durrës dhe 3 në Thumanë. Më poshtë Exit.al sjell një pasqyrë të plotë të të gjitha humbjeve njerëzore dhe rrethanave të tyre.

1. Ndërtesa 4-katëshe, zona e ish-kënetës, Durrës

Një ndërtesë 4-katëshe në zonën e ish-Kënetës në Durrës në pronësi të një familje të zgjeruar prindër dhe tre vëllezër, ishte ndërtuar në vitin 1999 fillimisht si ndërtesë një katëshe e gjysëm, por ishte shtuar në vite në katër kate.

Ajo pësoi dëmtime të rënda strukturore nga goditja e tërmetit, por mbeti fillimisht në këmbë në gjendje delikate. Shtatë persona që ishin në ndërtesë në çastin e tërmetit mbetën të izoluar brenda saj, në pamundësi për të dalë për shkak se lëvizjet rrezikonin shembjen e ndërtesës.

Forcat e shpëtimit nuk mundën të gjenin asnjë mënyrë t’i nxirrnin dhe rreth orës 11:00 të së martës vila u shemb duke mbuluar në rrënoja të gjithë anëtarët e familjes.

Në banesë jetonin nëna, një djalë madhor i saj, invalid dhe i pamartuar, si dhe familjet e dy djemve të tjerë—dy gratë dhe pesë fëmijë—ndërsa vetë djemtë ishin emigrantë, një në Greqi dhe tjetri në Itali. Veç dy vëllezërve në emigracion, dhe gruas së njerit prej tyre që ndodhej në Tiranë, të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjeve ndodheshin në ndërtesë në çastin e rënies së tërmetit.

Prej gërmadhave u arrit të nxirrej i gjallë vetëm djali i njërit prej vëllezërve, 18 vjeçari Ramë Lala, i cili është dërguar në Itali për të kuruar dëmtimet e rënda të pësuar.

Të gjithë të tjerët humbën jetën dhe trupat e tyre u nxorën pas më shumë se 50 orësh nga gërmadhat.

  1. Sadete Lala — 79 vjeç, nënë e tre djemve
  2. Ilir Lala — djali i Sadetes, i paralizuar
  3. Marjeta Lala — 31 vjeç, nusja e Sadetes, nëna e 4 fëmijëve
  4. Dionis Lala — 2 vjeç, djali i Marjetës
  5. Dionisa Lala — 2 vjeç, binjakja e Dinosit, vajza e Marjetës
  6. Amelia Lala — 6 vjeç, vajza e Marjetës
  7. Emilio Lala — 9 vjeç, djali i Marjetës
  8. Griselda Lala — 15 vjeç, vajza e djalit tjetër të Sadetes

2. Pallat banimi, Lagjia 18, Durrës

Një pallat 6 katësh në lagjen 18 në Durrës, pranë ndërtesës së Kryqit të Kuq, u rrënua. Pallati si shtesë anësore e një pallati tjetër ishte ndërtuar në vitin 1994.

Në rrënojat e tij humbën jetën 7 persona, nga dy familje. Nga familja Meçaj-Karanxha u nxorr i gjallë dhe shpëtoi kryefamilajri Ajet Meçaj. Vajza e tij Diena Karanxha (Meçaj) u nxorr, gjithashtu, e gjallë nga gërmadhat, por ndërroi jetë disa orë më pas në spital. Katër vjet më parë ajo kishte humbur bashkëshortin.

  1. Roza Meçja — 59 vjeç, bashkëshortja e Ajetit
  2. Diena Karanxha (Meçja)— 30 vjeç, vajza e Rozës dhe Ajetit
  3. Esiela Karanxha — 8 vjeç, vajza e Dienës

Nga familja Reçi nuk shpëtoi askush.

  1. Eduart Reçi — 54 vjeç
  2. Dolora Reçi — 49 vjeç, bashkëshortja e Eduartit
  3. Klaus Reçi — 21 vjeç, djali i Eduartit dhe Dolorës
  4. Kristi Reçi — 24 vjeç, vajza e Eduartit dhe Dolorës

3. Pallati banimi, Lagjia 6, Durrës

Një pallat 6 katësh në zonën e njohur si Dy Gjelat në Lagjen 6, Durrës humbi dy katet e para, por ruajti mrekullisht pa u rrëzuar katet e sipërme.

Mendohet se shkak i rrëzimit të katit të parë kanë qenë ndërhyrjet e paligjshme në strukturën mbajtëse të pallatit për përshtatjen e një bari në katin e parë të tij.

Nga shembja humbën jetën dy gra të moshuara që jetonin në katin e parë të pallatit.

  1. Nafije Rexhepi — 74 vjeç
  2. Xhulieta Gjonaj — 70 vjeç

4. Ndërtesa e Kavaleshencës, Durrës

Një ndërtesë në kompleksin e Kavaleshencës së Ministrisë së Brendëshme, në zonën e plazhit në Durrës, u rrëzua pjesërisht, Ndërtesa ishte ndërtuar në vitin 2001 dhe ishte pjesa më e re e komplekstit. Ministria nuk ka dhënë asnjë informacion publik mbi rrethanat dhe përmasat e dëmtimit.

Nga shyembja gjeti vdekjen një komisar policie, pedagog në Akademinë e Sigurisë së Minsitrisë së Brendëshme.

  1. Bajram Hajdarmataj — 54 vjeç

5. Hotel Tropikal, Durrës

Hotel Tropikal, një ndërtesë katër katëshe, në zonën e plazhit të Durrësit, u ndërtua në vitin 1996, fillimisht si ndërtesë informale dy katëshe, por pastaj u ndërtuan dy kate shtesë.

Ai u rrëzua tërësisht me goditjen e parë të tërmetit. Nën rrënojat vdiqën dy vëllezër nga Kosova.

  1. Isa Abazi — 24 (32) vjeç
  2. Shemsedin Abazi — (36) 39 vjeç

6. Hotel Vila Palma, Durrës

Hotel Palma, një ndërtesë shtatë katëshe, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ishte projektuar dhe ndërtuar fillimisht në vitin 2001 si ndërtesë tre katëshe. Në vitet ë mëpasshme, ndërtesës iu shtuan katër kate shtesë.

Ndërtesa u shëmb tërësisht në momentin e goditjes së tërmetit.

Nga rrënojat e hotelit u nxorrën të gjallë dhe shpëtuan nëna dhe djali i pronarit të hotelit por humbi jetën babai i tij.

  1. Sadik Qato — 85 vjeç

7.Hotel Mira Mare, Durrës

Hoteli Mira Mare, një ndërtesë gjashtë katëshe, buzë detit, në fillim të zonës së plazhit në Durrës, u shemb nga goditja e parë e tërmetit. Ndërtesa e projektuar dhe e ngritur si ndërtesë 2 katëshe, në vitin 1999, ishte shtuar kat pas kati për t’u bërë 6-katëshe.

Nga rrënojat e saj doli i gjallë Adriatik Boçi, dhe humbën jetën dy persona, një vajzë që punonte si balerinë dhe një djalë që punonte si barist.

  1. Eviola Broshka — 28 vjeç
  2. Sotiraq Misha — 41 vjeç

8. Tre pallate banimi, Thumanë

Në Thumanë u rrëzuan krejtësisht tre pallate. Ata ishin ndërtuar gjatë viteve të komunizmit me teknologji parafabrikatesh dhe që atëhere kishin pësuar dëmtime strukturore.

Njëri nga pallatet ishte shpallur i pabanueshëm nga inspektimi i bërë pas tërmetit të 21 shtator. Nuk dihet pse pas këtij fakti, pallati nuk u evakua nga banorët. Ka burime të tjera që pretendojnë se që në vitin 2010 ka pasur inspektimi që kishin ngritur alarmin për rrezikun e këtyre ndërtesave.

Për shkak se të tre ndërtesat në Thumanë ishin ndërtesa banime, shumë viktima kanë ndodhur brenda pak familjeve.

Familja Cara

Dy familjet Cara, të të njejtit gjak, jetonin në të njejtin pallat, njëra në katin e parë dhe tjetra në katin e pestë. Nga nëntë persona mbijetoi vetëm një, kryefamiljari Albert Cara, i cili u nxorr i gjallë dhe pas një operacioni në Spitalin e Traumës është jashtë rrezikut për jetën. Vajza e xhaxhait të tij, u nxorr, gjithashtu, e gjallë nga rrënojat por vdiq më pas në spital. Djali i Albertit, Hasani, kishte ditëlindjen e 18-të ditën që vdiq.

24. Fatmira  Cara —  bashkëshortja e Alberit
25. Hasan Cara — 18 vjeç, djali i Fatmirës dhe Albertit
26. Erisa Cara — 25 vjeçe, vajza e Fatmirës dhe Albertit
27. Almir Cara — djali i Fatmirës dhe Albertit
28. Stela Cara — E fejuara e Almirit
29. Anthi Cara — bashkëshortja  e xhaxhait të Albertit
30. Lindita Cara — vajza e Anthit, vajza e xhaxhait të Albertit (e shpetuar, në spital).
31. Sadajana Cara – vajza e Lindita Carës

Familja Cupi

Dy djemtë e familjes Çupi kishin ardhur nga emigracioni pranë prindërve për fejesën e njerit prej tyre. I madhi, Klementi, humbi jetën pasi qendroi 17 orë i bllokuar me një masë betoni mbi pjesën e poshtme të trupit, ndërkohë që komunikoi gjithë kohës me trupat e shëptimit. Vdiq nga gjakderdhja para se të mund ta nxirrnin nga gërmadhat. Vëllai i tij, Aleks, i cili do të fejohej të nesërmen shpëtoi.

32. Hajredin Çupi — 66 vjeç
33. Lutfie Çupi — 55 vjeç, e shoqja e Hajredinit
34. Klement Çupi — 34 vjeç, djali i Hajredinit dhe Lutfies

Familja Gregu

Djali i familjes Gregu u nxorr i gjallë nga rrënojat por ai ndërroi jetë më pas në spital.

35. Pëllumb Gregu— 57 vjeç
36. Çelike Gregu — 57 vjeç, gruaja e Pëllumbit
37. Saimir Gregu — 31 vjeç, djali i Pëllumbit dhe Çelikes

Familja Cuka

Familja u shua plotësisht. Humbën jetën:

38. Bujar Cuka —
39. Sardi Cuka — 31 vjeç
40. Fatmira Cuka — 44 vjeç

Familja Cakoni

41. Kastriot Cakoni — 58 vjeç
42. Drita Cakoni — 15 vjeç, vajza e Kastritotit

Familja Leka

43. Bukurije Leka — 70 vjeç

Familja Vata

44. Hajrie Vata — 65 vjeç
45. Rolejt Vata — 7 vjeç, nipi i Hajries

Familja Kabili

Dy bashkëshortët e familjes shpëtuan. Humbi jetën:

46. Adelina Kabili — 20 vjeç, vajza e tyre.

Në Kurbin humbi jetën Kristian Preçi aksident me makine. U lëndua nga tërmeti dhe humbi kontrollin e makinës duke shkaur në spital për t’i mjekuar.

Në Kurbin, Ersid Hoxholli, i ndjerë në panik pas tërmetit në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, u hodh nga ballkoni i katit të tretë dhe gjeti vdekjen.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit