12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Prindërit e fëmijës me autizëm, të shqetësuar për të ardhmen e tij

Më të lexuarat

Si tetëmbëdhjetëmuajsh, James Fitzpatrick ka qenë një foshnje normale. “James ka qenë një fëmijë shumë i bukur. Ai zgjohej duke qeshur, i lumtur e i entuziazmuar”, ka thënë babai i tij, Dr. Mike Fitzpatrick, 64-vjeçar nga Londra Veriore, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Shenjat e autizmit

Mirëpo, pak kohë para se t’i mbushte dy vjet, James-i kishte filluar t’i shfaqte shenjat e para klasike të autizmit: vërtitje, përplasjet e shuplakave të duarve dhe ecja në majë të gishtërinjve të këmbëve.

“Nëse e drejtoje gishtin për t’ia treguar ndonjë ketër përtej dritares, ai do të shikonte në pikën ku gishti ndeshej në xhamin e dritares, e nuk shikonte tek ketri”, ka thënë Mike, duke kujtuar ngjarjet që kanë ndodhur para njëzet vitesh. “Atëherë e pata ditur që diçka nuk ishte në rregull”.

Atëbotë, Mike nuk kishte pasur njohuri në lidhje me sëmundjen, mirëpo ai dhe bashkëshortja e tij, Mary-a, që punon si profesoreshë universiteti i lëndës së sociologjisë dhe politikave sociale, brenda javës e kishin bërë gjënë e njëjtë, pa i treguar njëri-tjetrit.

“Patëm shkuar në bibliotekat tona akademike për të shikuar për zhvillimin e fëmijëve. Meqë nuk dëshironim që dyshimet tona të dilnin të vërteta, ne nuk i patëm treguar njëri-tjetrit. Pata vërejtur që të gjitha shenjat që tregonin se një fëmijë është i prekur nga autizmi, i kishte djali ynë”, ka thënë Mike.

Autizmi është një çrregullim në zhvillim që ndikon në mënyrën se si të prekurit komunikojnë dhe sillen në raport me të tjerët. Ndërsa, të prekurit nga autizmi shpeshherë kanë edhe çrregullime tjera shëndetësore, siç janë mungesa e vëmendjes, hiperaktiviteti dhe depresioni.

Zhdukja e aftësisë së të folurit

Zakonisht fëmijët zhvillohen normalisht derisa t’i kenë mbushur tetëmbëdhjetë muaj, kur edhe fillojnë të kenë ngecje në zhvillim, në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre.

Në fakt, aftësia e të folurit, që e kishte zhvilluar James-i, ishte zhdukur shpejt. Ai tani i ka mbushur 23 vjet dhe prindërit janë tejet të shqetësuar për të ardhmen e tij.

Ky është një shqetësim i zakonshëm tek prindërit e fëmijëve të prekur nga autizmi. Një studim i bërë këtë vit nga qendra bamirëse ‘Autistica’ ka nxjerrë si rezultat që 94 për qind e prindërve të fëmijëve të prekur nga autizmi janë të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre, numër ky shumë i madh në krahasim me fëmijët që kanë zhvillim normal.

Një shqetësim i madh është edhe mirëqenia mendore dhe lumtura e fëmijëve. Rreth 60 deri në 75 për qind të njerëzve të prekur nga autizmi, sipas Emily Simonoff, profesoreshë e psikiatrisë, vuajnë edhe nga çrregullime të tjera. Fëmijët e prekur nga autizmi zakonisht vuajnë nga ankthi e shqetësimet, ndërsa të rriturit nga depresioni.

Prindërit e James-it kanë vuajtur shumë, kur e kanë kuptuar që i biri i tyre ishte prekur nga ky çrregullim, megjithatë, Mike dhe Mary duan vetëm që i biri i tyre të ketë mundësi të jetojë i lumtur, gjë për të cilën kanë thënë që stafi me eksperiencë, që është duke e mbështetur James-in, mund t’ia ofrojë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit