Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pritet të merret në pyetje nga policia, për të dytën herë brenda këtij muaji, me dyshimin për dy afera korrupsioni.
Në një nga hetimet, Netanyahu është i dyshuar për përfitimin në mënyrë të paligjshme të dhuratave nga personalitete të pasur, përfshirë producentin e Hollivudit, Arnon Milchan.
Vlera e përgjithshme e dhuratave përllogaritet referuar mediave në dhjetëra mijëra dollarë.
Milchan, mik i vjetër i kryeministrit është marrë gjithashtu në pyetje në muajin shtator.
Një tjetër hetim kërkon të përcaktojë nëse Netanyahu është përpjekur të arrijë një marrëveshje sekrete me pronarin e “Yediot Aharonot” për mbulim në favor të së përditshmes izraelite.
Netanyahu është mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme ndaj çdo shpifje duke pretenduar se është viktimë e një fushate për t’a larguar nga pushteti.