Metoda selefiste, në kohën tonë, ecën në një trajektore të tejmbushur me ndjeshmëri, sfida dhe ndërlikim, brenda një mjedisi të fiksuar pas riformësimit dhe “rindërtimit të madh” të fushës fetare islame. Në këtë mjedis, ndërthuren trysnitë e brendshme me presionet rajonale, ndërsa fuqitë ndërkombëtare nxitojnë të rijetëzojnë hartën doktrinare dhe panoramën fetare të shoqërive myslimane, përmes mjeteve të drejtpërdrejta ose të tërthorta, duke imponuar përendimorizimin, banalitetin, dobësimin e besimit dhe kaosin moral.
Pyetja që ngrihet sot për të ardhmen e metodës selefiste nuk është më thjesht një çështje shkencore ose polemike; ajo është shndërruar në një pyetje mbi vetë të ardhmen e besimit synit në një epokë ku Islami riformulohet, shtrembërohet, ndryshohet dhe zëvendësohen vlerat e tij nën pesha politike dhe mendimore, e nën ndryshime morale e shoqërore të paparë ndonjëherë në historinë e umetit.
Sulmi i sotëm ndaj metodës selefiste dhe ndaj versionit të pastër e të kthjellët të fesë së brezit të sahabëve ka dalë shumë përtej kufijve të polemikës së vjetër. Nuk kemi më të bëjmë me kundërshtime shkencore për një çështje akideje, metodologjie apo sjelljeje, dhe as me ndonjë mosmarrëveshje të zakonshme juridike. Sot kemi të bëjmë me një projekt të shtyrë nga institucione kërkimore dhe qendra globale planifikimi, me financime të pakufizuara, që shohin te forca e “shpalljes së drejtpërdrejtë” një rrezik serioz ndaj synimeve për riformësimin e botës islame, për ta mbajtur atë të varur, të nënshtruar dhe të grabitshme.
Dokumentet e qendrave perëndimore të mendimit – nga “Rend” e të ngjashme – flasin hapur sot për nevojën e “riformatimit të Islamit synit”, për identifikimin e drejtimeve që duhen dobësuar, për rihartimin e vetëdijes fetare dhe përforcimin e rrymave që mund të shfrytëzohen për interesa gjeopolitike dhe kulturore.
Krahas këtij presioni të jashtëm, u hodhën në veprim edhe forca fetare e politike lokale – funksionale dhe jo funksionale – që shfrytëzojnë ndjeshmërinë e çështjeve doktrinare për të rindërtuar ndikimin e tyre fetar e politik brenda shteteve të tyre. Kështu, beteja për të përfaqësuar synizmin u shndërrua në betejë për legjitimitet, pozitë, burime, poste dhe ndikim shoqëror.
Sot, diskursi kundër metodës selefiste nuk fshihet më pas gjuhës shkencore – as të saktë, as të pasaktë. Ai është shndërruar në diskurs funksional, i drejtuar me logjikën e forcës, të interesit dhe të fushatave mediatike të organizuara, me një ton ngarkues, akuzues, dhe mobilizues masash, i shkëputur krejtësisht nga tradita islame e debatit dhe nga argumentimi i shëndoshë.
Prandaj, kritika u shndërrua në shtrembërim, edhe me akuza të rreme e me përgjithësime të padrejta; debati u shndërrua në kriminalizim; ndërsa paraqitja publike e metodës selefiste u deformua sipas kërkesave të frontit të jashtëm dhe sipas duarve të gjata të tij brenda vendeve myslimane – dhe jo sipas burimeve të metodës vetë.
Mirëpo, rreziku më i madh nuk vjen nga jashtë – sado i ashpër të jetë ai – por nga brishtësia e shtëpisë së brendshme.
Sot metoda selefiste përballet me:
– Lëkundjen e udhëheqësisë së saj shkencore, institucionale dhe individuale;
– Dobësimin e rolit të thirrësve të saj;
– Mungesën e zërit që e shpjegon metodën me gjuhën e kohës;
– Zhdukjen, brenda çerek shekulli, të një brezi të tërë dijetarësh të rrënjosur, të urtë e të aftë, të cilët mbanin pajisjen natyrore të mbrojtjes së metodës.
Me largimin e tyre u këput një hallkë qendrore e mbrojtjes së brendshme. Mbetën zëra të shpërndarë, disa të urtë por të zbehtë, disa të lartë por të ngathët, të tjerë të guximshëm mbi masën e dijes së tyre, duke krijuar krizën e dyfishtë: mungesën e dijetarit dhe daljen në skenë të gjysmë-të-dijshmit.
Përballë këtij boshllëku udhëheqës, një pjesë e madhe e atyre që i përkasin metodës selefiste rrëshqiti drejt heshtjes së çuditshme, duke e ngatërruar heshtjen me mençurinë, dhe shmangien e të vërtetës me zgjuarsi politike. Por realisht kjo heshtje është largim nga detyra e shpjegimit të së vërtetës, ose zhvendosje drejt angazhimeve politike e humanitare në kurriz të dijes së shenjtë dhe të fikhut metodologjik – që është rrënja e çdo reforme.
Me rritjen e presioneve, disa filluan të mendojnë se të flasësh për teuhidin dhe metodën e pasimit e përçon përçarjen, dhe se doktrina selefite duhej shtyrë “derisa të qetësohen punët”. Kështu humbet rrënja për hir të degës, dhe formësimi i identitetit bëhet peng i një momenti politik që s’ka gjasa të vijë.
Një tjetër plagë është shtimi i atyre që i atribuohen metodës selefiste pa e zotëruar atë, të cilët e shohin në të një trampolinë drejt famës, karrierës, posteve ose përfitimit shoqëror – shpesh edhe të shfrytëzuar nga të tjerët. Ky grup i deformuar është bërë material i gatshëm në duart e kundërshtarëve, të cilët ia përkufizojnë metodën publikut përmes gabimeve të këtyre individëve dhe jo përmes teksteve themelore dhe trashëgimisë së dijetarëve të mëdhenj.
Me mungesën e referencës së vërtetë, dhe me zërat e amatorëve që zënë vendet e dijes, vetëdija publike formësohet në ekrane dhe rrjete sociale, jo në halkat e dijes dhe qendrat e hulumtimit.
Pa dyshim, e ardhmja e metodës selefiste varet sot nga aftësia e saj për t’u rindërtuar nga brenda, përpara se të merret me sulmet nga jashtë. Metoda nuk kërkohet të jetë përleshëse me të gjithë, as të tërhiqet në një kullë fildishi. Ajo duhet të kthehet në funksionin e saj origjinal: përmirësimin e fesë dhe dynjasë sipas metodës së shpalljes, çlirimin e mendjes nga mitet dhe arroganca, çlirimin e zemrës nga shirku dhe nënshtrimi ndaj dikujt tjetër përveç Krijuesit, forcimin e pasimit profetik, pastrimin e sjelljes nga devijimet, dhe rivënien e umetit në lidhje të drejtë me Librin e Zotit dhe Sunetin e Profetit ﷺ, pa ndërmjetës ideologjikë apo filozofikë.
Kjo nuk arrihet pa një gjuhë të re të rinovimit, që vendos prioritetet, qartëson rrënjët dhe dallon degët; një gjuhë të thellë, shkencore, të matur; një realizëm pa shkrirje; dhe pa ringjalljen e etikes së dijes, kulturës së debatit dhe edukimit të një brezi të ri dijetarësh të rrënjosur, të aftë të bashkojnë kuptimin e selefëve me sfidat e kohës.
Metoda selefite nuk është shkollë historike, as slogan në betejë sektare; ajo është vizion civilizues për kuptim, veprim dhe reformim. Është një peshore udhëzuese, një metodë e të kuptuarit të shpalljes ashtu siç zbriti, një rrugë e pasimit që nuk pushohet e as nuk shlyhet nga kalimi i kohëve.
Kur bartësit e metodës të dalin në vendin e sqarimit, kur të shpëtojnë prej fushatave të përjashtimit dhe zërave të brendshëm shkatërrimtarë, kur t’u kthehet dijetarëve mbikëqyrja dhe udhëheqja, atëherë do të shfaqet dobësia e sulmeve, sado të mëdha të jenë ato. Sepse forca e metodës është në rrënjët, jo në pasuesit; në sinqeritetin e bartësve, jo në zhurmën e tyre; në fuqinë e argumentit, jo në pushtetin e mediave.
Dhe kur metoda të kthehet te pastërtia e teuhidit, te mesatarja e pasimit, te gjerësia e dijes, te thellësia e reformës, dhe te mëshira e sinqeritetit, përkushtimit dhe bashkimit të dijes me veprën; kur të ngrihen dijetarët e sinqertë në ballë, metoda do të rikthehet ashtu siç ka qenë: matësi i ringritjes, shtylla e vetëdijes dhe fortesë e pathyeshme ndaj projekteve që kërkojnë të riformësojnë identitetin islam; burim për gjallërimin e umetit në një epokë ku busulla është turbulluar, zërat janë ngatërruar dhe shumë duar po përpiqen të rishkruajnë pamjen e fesë së Allahut.
Allahu është Udhëzuesi.
Dr. Fejsal El-Bu’danij
