I.
Letërsia, edhe kur shfaqet në nivele mediokre të artikulimit estetik, buron si vizion antropologjik, si një përpjekje fillestare e njeriut për ta konceptuar veten dhe botën përmes gjuhës. Kjo origjinë e vendos atë në themelin e marrëdhënies midis vetëdijes dhe përvojës, aty ku fjala shfaqet si mjet i parë i ndërmjetësimit simbolik. Pikërisht si e tillë, ajo i paraprin një mendësie ende embrionale të një gjuhe, duke vepruar si impuls formësues që provokon lindjen e një mendësie të re, ende të paartikuluar plotësisht në struktura të qëndrueshme, por tashmë të orientuar drejt kuptimit racional dhe kuptimit të kumtit.
Në këtë proces, fjala letrare shfaqet si mënyrë aktive e konfigurimit të realitetit, duke vepruar si model dhe metodë kuptimore që hap horizonte të reja perceptimi dhe vetëdijeje antropologjike. Ajo e bën të mundur artikulimin e kumtit si prani kolektive, duke i dhënë përvojës një dimension të përbashkët dhe të komunikueshëm. Çdo ideal i perceptuar si lartësi, si aspiratë që tejkalon gjendjen faktike të bashkësisë, mbështetet mbi një themel prej ëndrre kuptimplote, e cila mëkon një shpresë që shfaqet në momentin e emergjencës së saj historike si nevojë për kuptim, e bashkëshoqëruar në rendin e projektimit të vetvetes në kohë dhe hapësirë. Kjo shpresë përfaqëson një energji orientuese që e shtyn bashkësinë drejt vetëartikulimit të saj simbolik.
Pikërisht për këtë arsye, çdo shfaqje e fjalës së shkruar, pavarësisht se në ardhmëri mund të klasifikohet si naivitet patetik apo edhe si banalitet folklorik, në fillimet e veta përbënte avangardën e mendësisë së asaj gjuhe. Ajo funksiononte si thyerje e heshtjes konceptuale dhe si artikulim i parë i një raporti të ri me botën, ku fjala merrte barrën e përfaqësimit të përvojës kolektive dhe e shndërronte atë në formë të ndarë kuptimore. Në këtë fazë fillestare, vlerësimi estetik mbetet dytësor ndaj funksionit themelues të shkrimit, sepse ajo që më vonë perceptohet si thjeshtësi apo skemë, atëherë shfaqej si risi strukturore e mendimit. Kështu, çdo tekst i hershëm, sado i kufizuar në mjetet e tij shprehëse, mbartte potencialin e një paradigme të re kuptimi, duke e vendosur gjuhën në lëvizje drejt formave më të ndërlikuara të vetëdijes kulturore.
Në këtë kuptim, letërsia shfaqet si një akt themelor i vetëdijes kolektive, që përveç pasqyrimit të një gjendjeje ekzistuese mendore, përbën edhe një proces përmes të cilit vetëdija kolektive merr formë, strukturë dhe orientim. Fjala, në këtë plan, shtrihet përtej funksionit të saj të drejtpërdrejtë komunikues dhe shndërrohet në instrument formësimi të horizontit të përbashkët të përvojës, duke përcaktuar mënyrën se si realiteti perceptohet, përjetohet dhe interpretohet nga brenda një bashkësie gjuhësore. Ky horizont paraqitet si fushë dinamike, ku përvoja individuale dhe ajo kolektive ndërthuren në mënyrë të pandashme dhe prodhojnë kuptime që tejkalojnë kufijtë e përjetimit personal.
Ajo krijon një terren ku ndjeshmëria individuale, e fragmentuar dhe e përkohshme në vetvete, shndërrohet gradualisht në strukturë të përbashkët kuptimi, duke i dhënë gjuhës një drejtim që paraprin çdo sistem normativ, estetik apo moral. Në këtë mënyrë, gjuha vepron si forcë gjeneruese e rregullave përmes stilit dhe i paraprin ato si nevojë e brendshme e organizimit të përvojës. Në këtë fazë fillestare, shkrimi bart një energji themeluese që shtrihet përtej prodhimit të teksteve, duke vepruar si katalizator i ndryshimeve mendore dhe shoqërore, duke rikonfiguruar marrëdhënien e individit me kolektivin dhe duke hapur mundësinë e formave të reja të vetëkuptimit dhe bashkëjetesës simbolike.
II.
Fenomenologjia e asaj që u shkrua në të kaluarën e pa mbështetur në antropologji, e cila në momentin e vet u përftua si ide dhe vizion, përmes dallgëzimeve që sjell koha dhe sedimentimeve të vazhdueshme të interpretimit, arrin në një pikë ku shndërrohet në gjenerator që dikton dinamikën e mendësisë brenda asaj gjuhe dhe njëkohësisht merr funksionin e një barriere inkuizitive ndaj çdo ideje të re dhe çdo vizioni që synon projektimin e së ardhmes. Ajo që dikur vepronte si hapje kuptimore konsolidohet gradualisht në strukturë referenciale të padiskutueshme dhe paraqitet si kanon i artificionalizuar, duke e zhvendosur rolin e saj nga energji krijuese në instancë gjykuese të risisë. Në këtë fazë, teksti i trashëguar humbet funksionin e tij si burim frymëzimi dhe merr trajtën e një filtri normativ, përmes të cilit çdo përpjekje e re kalon për t’u konsideruar e legjitimuar.
Brezat e formuar nën trysninë e atij naiviteti patetik, ose të edukuar me ritmet e atij banaliteti folklorik, ushtrojnë perceptimin e vet në përputhje të plotë me horizontin ku janë formësuar, të shoqëruar edhe nga bindja e brendshme dhe publike se përfaqësojnë brezin e artë të asaj gjuhe. Kjo bindje lind nga përputhja e plotë mes aparatit të tyre perceptues dhe kanonit që u është ofruar si masë e kuptimit dhe vlerës. Në këtë mënyrë, vetëdija e brezit ngurtësohet në një vetëlegjitimim të vazhdueshëm, ku riprodhimi i modeleve të trashëguara lexohet si shenjë pjekurie kulturore dhe si konfirmim i rendit estetik të përvetësuar, duke mbuluar gradualisht simptomat e një stagnimi të padukshëm të mendësisë letrare.
Këtu shfaqet paradoksi i traditës letrare, i cili, përveç tensionit mes së vjetrës dhe së resë, manifestohet edhe në transformimin e vetë energjisë krijuese në normë disiplinuese. Ajo që dikur përfaqësonte shpërthim krijues dhe thyerje horizontesh përvoje, për shkak të mungesës së një reference antropologjike të qëndrueshme, ngurtësohet me kalimin e kohës në kanon, metodë dhe disiplinë perceptimi, duke e zhvendosur fokusin nga përvoja drejt rregullimit të saj formal.
Letërsia, e konceptuar fillimisht si hapësirë e lirë e eksperimentit dhe e rrezikut estetik, merr gradualisht funksionin e një mekanizmi rregullues të shijes dhe të mendimit, duke u shndërruar në aparat selektiv që përcakton çfarë vlen dhe si konceptohet vlera. Ky proces prodhon një vetëkënaqësi kulturore të stabilizuar, ku riprodhimi i formave të trashëguara perceptohet si përmbushje estetike dhe si standard i pakontestueshëm vlerash, ndërsa çdo devijim nga to lexohet si shenjë mungese pjekurie ose si kërcënim ndaj rendit të vendosur simbolik, e në rrethana të caktuara edhe ndaj rendit institucional që e mbështet atë.
Aktualisht, vendet e ish-bllokut komunist, në çdo aspekt të jetës shoqërore dhe kulturore, në çdo sekuencë të ëndrrës së tyre kolektive, jetojnë nën ndikimin e mendësisë letrare të realizmit socialist. Kjo mendësi, e ngulitur për dekada në strukturat e edukimit, të artit dhe të diskursit publik, vazhdon të funksionojë si matricë dhe kallëp i padukshëm i interpretimit të realitetit, duke orientuar mënyrën se si përvoja strukturohet dhe si kuptimi legjitimohet. Edhe aty ku format shprehëse kanë pësuar transformime dhe gjuha ka adoptuar shenja modernizimi, skemat themelore të perceptimit mbeten të lidhura me logjikën e didaktizmit, të heroizmit normativ dhe të funksionalizimit ideologjik të artit, duke ruajtur një vazhdimësi mendore që e tejkalon kohën historike të regjimit që e prodhoi.
Edhe aty ku transformimet formale janë të dukshme dhe retorika është modernizuar në nivel sipërfaqësor, thelbi vazhdon të qëndrojë i lidhur me skemat e heroizmit normativ, të utilitarizmit estetik dhe të didaktizmit moral, të cilat veprojnë si struktura të brendshme orientuese të kuptimit dhe si pasqyrë e një realiteti të zbrazur nga thellësia e përvojës. Këto skema, të pranishme si refleksa të brendshme të gjykimit dhe jo domosdoshmërisht si doktrina të artikuluara, përcaktojnë çfarë konsiderohet e denjë për vëmendje, çfarë legjitimohet si vlerë dhe çfarë mbetet në periferi të diskursit. Letërsia, në këtë kontekst, shfaqet si pasqyrë e një kohe që vazhdon të projektojë hijen e vet mbi të tashmen, duke riprodhuar, përmes formave të reja, një mendësi të vjetër që ka zhvendosur energjinë krijuese nga eksplorimi drejt konfirmimit.
III.
Për sa më sipër, ajo që pritet të vijë paraqitet me gjasë ende në gjendje embrionale në raport me perceptimin dominues dhe, edhe në rastet kur tashmë është trupëzuar në forma konkrete krijuese, po i plotësohet gradualisht prokura inkuizitive. Ky proces i pajisjes së instancave ekzistuese me autoritet gjykues mbi risinë e shndërron ardhjen e së resë në një akt që duhet të kalojë përmes filtrave të trashëguar të legjitimitetit, të formësuar brenda logjikës së regjimit materialist, me normativat e perceptimit të krijesës pa krijues, të trupit pa shpirt dhe të jetës së menduar jashtë horizontit të përjetësisë. Në këtë mënyrë, e ardhmja letrare përballet me një mekanizëm vëzhgimi dhe vlerësimi që e mat përputhshmërinë e saj me kodet e një tradite që ka humbur funksionin emancipues dhe që është formësuar si strukturë e mbyllur ndaj semantikës së fjalës së shkruar.
Ky proces i delegimit të autoritetit gjykues ndaj formave të reja krijuese krijon një klimë vigjilence kulturore, ku risia përballet me dyshim të strukturuar dhe ku kuptimi i saj filtrohet përmes kategorive të trashëguara të interpretimit. Në këtë klimë, akti krijues trajtohet si objekt vlerësimi paraprak, i nënshtruar një rrjeti pritshmërish normative që e përcaktojnë legjitimitetin e tij përpara se të ketë mundësi të shpalosë logjikën e vet të brendshme. Vigjilenca kulturore, në këtë sens, merr funksionin e një mekanizmi vetëmbrojtës të sistemit kuptimor, i cili synon të ruajë koherencën e vet përballë çdo ndryshimi të mundshëm, duke u shndërruar në pengesë ndaj çdo çarje potenciale përmes së cilës përvoja do të mund të ndriçohej.
Letërsia e ardhshme, ende e paemërtuar plotësisht dhe e papërkufizuar në koordinata të qëndrueshme estetike, përballet me nevojën për të artikuluar një gjuhë që i përgjigjet njeriut bashkëkohor në kompleksitetin e përvojës së tij dhe në tërësinë e dimensionit të tij antropologjik. Kjo nevojë shfaqet si kërkesë për çlirim nga varësia normuese e ritualeve të trashëguara të legjitimimit, duke i dhënë fjalës letrare mundësinë të krijojë vetë kriteret e saj të kuptimit dhe të deshifrimit të kumtit. Në këtë përpjekje, gjuha e re synon të ndërtojë një raport të drejtpërdrejtë me përvojën njerëzore, duke e rikthyer letërsinë në hapësirë të rrezikut krijues dhe të hapjes ndaj së panjohurës, ku ardhja e saj artikulohet si akt i brendshëm domethënieje.
A ekziston një letërsi e ekspozuar ndaj përvojës në tërësinë e saj, që e merr në konsideratë njeriun në dimensionin e tij antropologjik, të pakapshëm nga evidencat kalimtare, dhe që i flet të tashmes si ardhmëri, duke e metaforizuar ardhmërinë në të tashme? Kjo pyetje shfaqet si orientim drejt një mënyre tjetër të të menduarit letrar, ku njeriu përjetohet përtej reduktimeve historike apo sociale dhe ku vetë forma estetike mbetet e hapur ndaj transformimit të brendshëm të përvojës.
Një letërsi e tillë e vendos përvojën njerëzore përtej fragmentit dhe episodit, duke e trajtuar atë si vazhdimësi të brendshme ku kuptimi dhe kumti artikulohen në nivelin e një të tashmeje të përhershme dhe liria shkruhet nga thellësia e përjetimit. Fjala e shkruar, e shfaqur në këtë regjim, paraqitet rrallë në raport me mënyrën se si matet koha dhe me pritshmëritë që projektohen mbi prodhimin kulturor, duke u bërë e dukshme pikërisht në momentet kur mungesa e kuptimit shfaqet si plagë e hapur e përvojës njerëzore. Në këto çaste, ajo plotëson një fragment domethënës në mozaikun e lirisë së njeriut dhe e vendos letërsinë në raport të drejtpërdrejtë me thelbin e vet emancipues.
IV.
Kësisojë, letërsia e re shfaqet si një ngjarje e rrallë kulturore, si një çarje e heshtur dhe hapësirë për dritën brenda vazhdimësisë së zakonshme të diskursit, pa nevojën e shpalljes së vetvetes si përjashtim apo manifest. Ajo vepron në një plan ku koha humbet linearitetin kronologjik dhe shndërrohet në hapësirë përvoje, ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja ndërthuren në tension kuptimor të përbashkët. Në këtë plan, përvoja njerëzore trajtohet si thellësi dhe jo si sipërfaqe matëse, duke i dhënë fjalës letrare aftësinë për të artikuluar atë që nuk regjistrohet në statistika apo në narrativat e shpejta të aktualitetit, e që gjithsesi përbën substancën e brendshme të lirisë dhe të vetëdijes njerëzore.
Në këtë dimension, fjala e re letrare shndërrohet në mjet emancipimi të brendshëm, duke krijuar një hapësirë ku liria përcaktohet nga vetëdija dhe aftësia për të reflektuar mbi përvojën, nga lidhja e pandashme me antropologjinë e fshehur të njeriut dhe nga pavarësia ndaj diktateve dhe rrethanave të jashtme. Përmes kësaj lirie të brendshme, individi bëhet pjesëmarrës aktiv në formësimin e vetvetes, duke përvetësuar kuptimin dhe semantikën e kumtit si një horizont të hapur, dhe duke vendosur letërsinë si instrument që artikulon dhe strukturon aftësinë për të përjetuar, interpretuar dhe projektuar të ardhmen. Në këtë mënyrë, letërsia përmbush funksionin e saj më të lartë: pjesëmarrjen aktive në formësimin e njeriut si qenie e hapur ndaj kuptimit, ndaj kuptimit të kumtit, ndaj transformimit të përvojës dhe ndaj ardhmërisë.
Këta rreshta u nisën fillimisht me kuadër vëzhgimi Shqipërinë, por u shtrinë më tej, si përpjekje për të evidentuar se të gjitha ish-vendet komuniste përjetojnë pjekurinë e mendësisë së soc-realizmit, një mendësi dikur konceptuar si ideal i një kohe të caktuar historike dhe e ngulitur për dekada në strukturat e jetës kulturore, artistike dhe arsimore. Ky konstatim buron nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë i realitetit kulturor dhe shoqëror, ku manifestimet e saj estetikisht të programuar vazhdojnë të ndikojnë perceptimin, prodhimin dhe legjitimizimin e formave letrare. Analiza e këtij fenomeni, edhe në nivel teorik, historik apo kritik, shpalos impaktin e vazhdueshëm të një mendësie që, edhe pse e kaluar, projekton hijen e saj mbi strukturat kulturore të sotme dhe mbi përvojën e lexuesit bashkëkohor.
Ky impuls fillestar, i orientuar drejt një konteksti të veçantë kombëtar, u shndërrua gradualisht në nxitje reflektimi më të thellë, duke zgjeruar perceptimin nga çasti konkret drejt analizimit të strukturave kulturore dhe historike që e formojnë atë çast. Në këtë thellim përmbledhës, u bë e qartë se historia e njerëzimit, në shtrirjen e saj të gjerë dhe në ciklet e përsëritshme të përvojës, shfaqet si një epilog letrar në vetvete, ku ngjarjet dhe marrëdhëniet ndërthuren në narrativat që gjuha prodhon, interpreton dhe transmeton brezave.
Ngjarjet, sistemet e mendimit, rendet shoqërore dhe shembjet e tyre marrin formën e narrativave të ndërtuara, të interpretuara dhe të trashëguara përmes gjuhës, duke i dhënë koherencë të brendshme asaj që në dukje duket fragmentare. Ky perceptim zhvendos vështrimin nga rasti i veçantë dhe i lokalizuar drejt një panorame universale, ku letërsia shfaqet si matrica e kuptimit historik, një instrument që organizon përvojën, strukturon memorien kolektive dhe artikulon mënyrën se si shoqëria percepton, ruan dhe interpreton vetveten në horizontin e saj të gjerë të kohës.
Kjo vetëdije e zgjeruar thekson fuqishëm se mendësitë letrare, edhe kur lindin në rrethana të caktuara historike dhe në kontekste gjeografikisht të kufizuara, ushtrojnë ndikim të vazhdueshëm mbi rrjedhën e përvojës njerëzore përtej kohës dhe hapësirës së origjinës. Ato funksionojnë si struktura referenciale që formësojnë mënyrën se si brezat e mëvonshëm perceptojnë realitetin, interpretojnë ngjarjet dhe ndërtojnë kuptimin e jetës së tyre kolektive. Trashëgimia letrare shfaqet kështu si memorie estetike dhe mekanizëm aktiv që ndikon në konfigurimin e vetëdijes kulturore dhe në evoluimin e sensave përmes të cilëve përjetohet ekzistenca.
Në këtë prizëm, reflektimi mbi soc-realizmin merr vlerën e një shembulli konkret brenda një logjike më të gjerë, ku historia dhe letërsia ndërthuren si shprehje të së njëjtës përpjekje njerëzore për të strukturuar kuptimin e ekzistencës. Ai paraqitet si studim rasti që ilustron mënyrën se si një paradigmë kulturore formëson perceptimet, narrativat dhe standardet e vlerës, duke shërbyer si pikënisje për të kuptuar se çdo formë mendimi letrar, pavarësisht origjinës së saj, përfshihet në rrjetin më të gjerë ku ndërthuren koha, përvoja dhe kuptimi i njeriut. Në këtë kuadër, analiza e soc-realizmit dokumenton një fazë historike dhe e vendos atë në dialog të vazhdueshëm me dimensionin universal të letërsisë dhe reflektimin mbi ekzistencën njerëzore.
