6.6 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Kultura e kafesë në Perandorinë Osmane dhe më gjerë

Më të lexuarat

Fjala arabe “kahwa” në origjinë tregonte një lloj pije të prodhuar me lëngun e disa farave, që konsumohej si një lëng i kuq i errët, i cili kur pihej provokonte efekte eksituese e stimuluese, saqë përdorej si ilaç. Sot kjo fjalë e arabishtes tregon saktësisht kafenë që përdorim ne. Nga termi “Kahwa” u kalua në fjalën turke “Kahve” dhe nëpërmjet një tkurrje progresive të kuptimit në fjalën “kafe”. Ky derivat është kundërshtuar nga ata që e mbështesin prejardhjen e termit kafe nga emri i rajonit në të cilin kjo bimë rritet masivisht në mënyrë spontane, Kaffa, në Etiopinë jug-perëndimore.

Stambolli u njoh me kafenë nga Ëzdemir Pasha, valiu osman i Jemenit, më 1517 tek i cili ishte rritur dashuria për këtë pije ndërsa kishte jetuar atje. E përgatitur me xhezve bakri, duke përdorur teknikat e Turqve kjo pije u bë e njohur në të gjithë botën si Kafe Turke. Kultura e kafesë shumë shpejt u bë pjesë integrale e Stambollit dhe e kulturës shoqërore osmane. Pasi kafja u bë një element themelor i pallatit sulltanor, po aq sa edhe i shtëpive të thjeshta konsumi i saj pësoi një rritje dramatike. Kokrrat e kafesë piqeshin në enë të posaçme (qebapë kafeje prej llamarine të hollë) dhe bluheshin në dybekë, duke u rrahur e më pas u shfaqën edhe mullinjtë klasikë të kafesë në ato familje, të cilat i kishin mundësitë për ta pasur atë. Më pas kafeja zihej në xhezve dhe shërbehej me kujdesin më të madh për miqtë e çmuar. Falë përpjekjeve të tregtarëve e udhëtarëve, të cilët kalonin nëpërmjet Stambollit, deri edhe të Ambasadorëve Osmanë, Kafeja Turke u përhap dhe mori famë në të gjithë Evropën, e më pas në të gjithë botën. Një filxhan kafeje bashkëshoqërohet me një numër të ndryshëm konotacionesh: miqësi, dashuri dhe ndarje momentesh. Kjo mund të ilustrohet më mirë me një thënie të vjetër: “Një filxhan i vetëm kafeje mund të japë një miqësi, që zgjat 40 vjet.” Të shërbesh një filxhan kafeje është gjithashtu mënyra më e mirë për t’i vënë vulën një miqësie. Të përgatisë dhe të kujdeset nga i zoti i shtëpisë për t’i shërbyer kafenë mysafirëve të tij ka qenë dhe është një aspekt i rëndësishëm i mikpritjes në Lindje, po ashtu edhe në trojet tona.

Kultura e kafesë u përhap gjerësisht në të gjithë botën nëpërmjet dyqaneve të kafeneve, të cilat sot janë një fenomen i zakonshëm. Në shqip ato njihen si “kafene”, në italisht “Caffe”, në frengjisht “Cafe” dhe në anglisht “Coffehouse”. Kështu janë të njohura gjerësisht ato ambiente që prej 500 vjetësh përgatisin dhe shërbejnë kafenë. Legjenda të ndryshme tregojnë hyrjen e kafes në Stamboll në “Hanin Kiva” në fund të shek. XV dhe qarkullojnë gojarisht nëpër ambientet kulinare pa pasur ndonjë të dhënë të saktë që ta dokumentojë këtë. Në vitin 1530 u hap kafeneja e parë në Damask, ndërsa në Stamboll kafeneja e parë u hap më 1475 nga tregtarë që vinin nga Damasku dhe Halepi. Shumë shpejt kafenetë do të bëheshin pjesë e kulturës osmane, duke u përhapur me shpejtësi në të gjitha rajonet e Perandorisë Osmane. Në shek. XVII shfaqet për herë të parë në Evropë jashtë Perandorisë Osmane dhe kafenetë u përhapën me shpejtësi dhe u bënë shumë popullore. Kafeneja e parë në Evropë u shfaq në Venedik, si rezultat i marrëdhënieve ndërmjet Republikës Venedikut dhe Osmanëve, dhe e para kafene regjistrohet më 1645. Kafeneja e parë në Angli u ngrit në Oksford më 1650 nga një hebre me emrin Jakob në një ndërtesë, e cila tashti njihet me emrin “The Grand Cafe”. Pas vitit 1675 u ngritën më shumë se 3,000 kafene në të gjithë Anglinë. Më 1672 një armen me emrin Paskal hapi një sallë kafeje, e cila nuk pati sukses dhe qytetit iu desh të priste deri më 1689 për kafenenë e parë, kohë kur Prokop Kuto’ hapi “Kafe Prokop”. Kjo kafene ekziston edhe sot dhe ka qenë një nga vendtakimet e njerëzve të shquar të Iluminizmit Francez në Paris, si: Volterit, Rusosë dhe Denis Didero, të cilët e frekuentuan atë dhe diskutohet të ketë qenë vend-lindja e Enciklopedisë së tyre, enciklopedia e parë moderne. Amerika e ka pasur kafenenë e parë në Boston 1676. Kafeja, çaji dhe birra shpesh janë shërbyer së bashku në të njëjtën ndërtesë, e cila ka shërbyer njëkohësisht, edhe si kafene, edhe si tavernë; një e tillë ka qenë “Dragoi Jeshil” në Boston, ku planifikuan rebelimin e tyre Xhon Adams, Xhejms Otis dhe Pol Revere (nga baballarët e pavarësisë amerikane). Më 1684 Frantishek Jerzy Kulzhicki ushtar i trupave të mbretit polak Jani III Sobieski, që kishte shkuar të mbronte Vienën nga rrethimi osman pasi këta të fundit e ngritën rrethimin dhe u larguan nga Viena hapi në këtë qytet kafenenë e parë, nga të parat në Evropë. Në fillim ai përdori thasët e kafesë të braktisura nga ushtria osmane, që u largua. Edhe sot e kësaj dite gjendet kjo kafene në Vienë. Një zhvillim i madh për kulturën e kafesë ka qenë zbulimi i ekspresit dhe zhvillimi i tij deri në aparaturat e sotme moderne. Tashmë kafenetë janë një fenomen global dhe zinxhirë të famshëm kafenesh gjenden në të gjithë botën, ku në Amerikë dallojnë “Starbucks” e “Donkin Donuts”.

Edhe në Shqipëri e veçanërisht në Tiranë ka hyrë masivisht kultura e kafesë dhe e kafeneve, të cilat mund t’i gjesh në çdo cep lagjeje apo grup pallatesh dhe që frekuentohen gjerësisht në mëngjes herët dhe në mbrëmje pas orarit të punës.

Përktheu dhe përgatiti: Roald A. HYSA/aldohysa.blogspot.com

* Ju lutem © kini kujdes kur ta shpërndani përmendni burimin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit