Kjo është një fetva që meriton të lexohet me vëmendje, të meditohet dhe të shpjegohet.
Shejhul-Islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë) u pyet:
“Cila është më parësore: të merret njeriu me pastrimin e asaj që Allahu e urren në zemrën e tij, si smira, urrejtja, mllefi, mendjemadhësia, syefaqësia (rijaja), dëshira për t’u dëgjuar e për t’u lavdëruar nga njerëzit (sum’ah), mburrja me veprat e veta, ngurtësia e zemrës dhe papastërtitë e ligësitë e tjera që lidhen me zemrën; apo të angazhohet me veprat e jashtme, si namazi, agjërimi dhe llojet e ndryshme të adhurimeve, qofshin ato nafile apo të obliguara me zotim (nedhr), ndërkohë që këto sëmundje vazhdojnë të jenë të pranishme në zemrën e tij? Na jepni fetva, Allahu ju shpërbleftë.”
Ai u përgjigj:
Falënderimi i takon Allahut.
Nga këto vepra ka të tilla që janë obligim (vaxhib), dhe ajo që është më obliguese ka përparësi dhe meritë më të madhe.
Allahu i Lartësuar thotë në hadithin kudsij, të cilin e transmeton i Dërguari i Tij ﷺ:
“Robi Im nuk më afrohet me ndonjë vepër më të dashur tek Unë sesa duke kryer detyrimet që ia kam bërë obligim.”
Pastaj thotë:
“Dhe robi Im vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare (nafile), derisa ta dua.”
Veprat e jashtme nuk mund të jenë të mira dhe të pranuara, përveçse nëpërmjet drejtësisë së veprës së zemrës. Zemra është mbreti, ndërsa gjymtyrët janë ushtria e saj. Nëse prishet mbreti, prishet edhe ushtria e tij.
Për këtë arsye, Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Vërtet, në trup gjendet një copë mishi; nëse ajo është e shëndoshë, i gjithë trupi është i shëndoshë, e nëse ajo prishet, prishet i gjithë trupi.”
Po kështu, edhe veprat e zemrës duhet patjetër të lënë gjurmë në veprat e trupit.
Prandaj, përparësi i jepet gjithmonë asaj që është më obliguese, pavarësisht nëse ajo është prej veprave të brendshme apo të jashtme.
Mund të ndodhë që një vepër e zemrës të jetë më obliguese, siç është largimi i smirës dhe mendjemadhësisë, sepse kjo është më detyruese për njeriun sesa agjërimi nafile.
Po ashtu, mund të ndodhë që një vepër e jashtme të jetë më e vlefshme, siç është namazi i natës, i cili është më i vlefshëm sesa thjesht largimi i disa mendimeve kalimtare që i lindin zemrës, si dëshira për të pasur një mirësi të ngjashme me atë të dikujt tjetër, pa dëshiruar t’i humbasë ajo mirësi atij (gibtah), dhe të ngjashme me të.
Secila prej veprave të zemrës dhe veprave të jashtme e ndihmon dhe e përforcon tjetrën.
Namazi e ndalon njeriun nga veprat e shëmtuara dhe të këqija, mbjell përulësinë (hushu’) në zemër dhe sjell ndikime e fryte madhështore. Po kështu edhe sadakaja.
Allahu e di më së miri.
Burimi: Mexhmu’ el-Fetava, vëll. 11, f. 381–382.
