6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Grupet terroriste të të infektuarve me HIV po bëjnë batërdinë në lindje të Kongos

Më të lexuarat

Për shumë vite me radhë lindja e Republikës Demokratike të Kongos (RDK) vazhdon të mbetet zonë e konflikteve shumë të ashpra të armatosura. Sipas disa njoftimeve, atje veprojnë të paktën 30 grupe të armatosura, të cilat luftojnë në bazë të parimit të gjithë kundër të gjithëve. Ka jo pak viktima edhe në mesin e popullsisë civile. Gjëja më e shëmtuar, më e neveritshme është përdhunimi masiv i grave, vajzave dhe fëmijëve.
Por madje dhe përkundër këtij sfondi, dallohen për metodat e tyre veçanërisht të sofistikuara dhe brutale luftëtarët e të ashtuquajturave “skuadrone të transportuesve të AIDS-it” (frengj. les “escadrons de porteurs du SIDA”), të cilët e kanë shndërruar virusin vdekjeprurës HIV në një armë lufte, duke infektuar me të me dashje gratë nga komunitetet armiqësore.
Rreth krimeve të tyre ka folur me indinjatë e zemërim të thellë Ministrja franceze për Punët e Frankofonisë, Yamina Benguigui (frengj. la Ministre déléguée chargée des Français de l’Etranger et de la francophonie), e cila kreu kohët e fundit një udhëtim në Burundi, Ruanda dhe RDK. Po nga lindën këto “skuadrone të transportuesve të AIDS-it? – kësaj pyetje iu përgjigj me telefon nga Parisi analisti politik Lilo Mianga:
– Unë që në vitin 2000 në një prej filmave televizivë, të përgatitur prej meje, kam kujtuar mbi Mbarara-n, një qytet në Ugandë ky. Atje mercenarët evropianë dhe afrikanë vendosën të krijojnë “skuadronet e transportuesve të AIDS-it (SIDA)” me qëllim që militantët e tyre të infektonin me këtë virus popullsinë vendore. Por filmi nuk është shfaqur asnjëherë deri tani.
A nuk është e vërtetë se, në parim, e gjithë kjo të kujton politikën e Hitlerit në Gjermaninë naziste, e cila synonte zhdukjen e bijve të kombësive të tjera për hir të ruajtjes së pastërtisë së racës ariane?
Por fatkeqësisht kjo barbari po vazhdon. Sipas raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të mbajtur në Këshillin e Sigurimit, në periudhën mes dhjetorit të vitit 2011 dhe nëntorit të vitit 2012 në krahinat e Kivu i Veriut dhe i Jugut janë regjistruar mbi 500 raste të përdhunimit.
Po, e gjithë kjo gjë monstruoze po vazhdon. Presidenti Joseph Kabila, ushtria e të cilit është duke luftuar në provincat e Kivu kundër grupeve ekstremiste të të gjitha kallëpeve të Kongos, ka lidhur marrëveshje të fshehta me Presidentin e Ugandës, Yoweri Museveni dhe atë të Ruandës, Paul Kagame. Me sa duket prandaj Joseph Kabila madje as e ka zënë kurrë me gojë faktin e këtyre përdhunimeve.
Ndërkaq kjo makinë lufte vazhdon të avancojë deri tani, kurse vetë Kabila është mbështetur me shpatulla pas muri prej marrëveshjeve të nënshkruara dhe ruan heshtjen. Dhe rezulton se presidenti është i detyruar të heshtë, në një kohë kur populli i tij lufton kundër ekstremistëve. Ai nuk ka folur për këtë as gjatë fjalimit të mbajtur në OKB.
Për fat të keq, mediat evropiane dhe amerikane gjithashtu e lënë në heshtje këtë histori, për çka dëshmojnë dhe përpjekjet e mia të dështuara për të treguar për të gjitha këto bëma të këqija. Me sa duket, mediat nuk e marrin për të vërtetësishëm informacionin që vjen nga Afrika, ose thjesht nuk duan ta besojnë atë. Por ne, gazetarët e pavarur, do të përpiqemi të gjejmë e të shfrytëzojmë çdo mundësi që do të na jepet për të folur në lidhje me atë mënxyrë që po ndodh në lindje të Kongos. Dhe unë mendoj se patriotët e vërtetë kongolezë do të gjejnë ndonjë mënyrë për të ndaluar këtë luftë në lindje të Kongos.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit