Parisi ka thirrur ambasadorin amerikan Charles Kushner për shpjegime, pas deklaratave të tij të ashpra ndaj presidentit Emmanuel Macron.
Tensionet diplomatike mes Parisit dhe Uashingtonit janë ndezur pas akuzave të ambasadorit amerikan në Francë, Charles Kushner, i cili e fajësoi presidentin Emmanuel Macron për “mosmarrjen e masave të mjaftueshme” në luftën kundër antisemitizmit.
Ministria e Jashtme franceze reagoi menjëherë duke e thirrur ambasadorin për sqarime, duke i cilësuar akuzat si “të papranueshme” dhe një shkelje të parimeve të së drejtës ndërkombëtare. “Pretendimet e ambasadorit shkelin detyrimin për mosndërhyrje në punët e brendshme të shteteve, të përcaktuara qartë nga Konventa e Vjenës e vitit 1961”, thuhet në komunikatën e ministrisë.
Akuza të rënda për antisemitizëm në Francë
Në një letër drejtuar autoriteteve franceze, Kushner pretendoi se “nuk kalon ditë në Francë pa u sulmuar hebrenj në rrugë, pa u dëmtuar sinagogat e shkollat hebraike dhe pa u shkatërruar biznese të tyre”. Ai shtoi se edhe çerdhe janë shënjestruar nga sulmet antisemitike, duke ngritur pyetje mbi efektivitetin e politikave të brendshme franceze.
Në të njëjtën letër, diplomati amerikan kujtoi edhe retorikën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e lidh vendimin e Francës për të njohur shtetin e Palestinës në shtator me rritjen e dhunës antisemitike.
Elysée reagoi ashpër ndaj këtij interpretimi, duke e quajtur “të ulët, të rremë dhe të papranueshëm”. “Ky lloj diskursi nuk do të kalojë pa përgjigje,” u shpreh presidenca franceze.
Njohja e Palestinës ndez debatet
Deklaratat vijnë vetëm pak javë pasi Macron shpalli se Franca do të njohë shtetin e Palestinës në shtator. Ky vendim ka ndezur reagime të forta në Izrael dhe ka nxitur edhe vende të tjera – si Kanadaja, Australia, Irlanda, Finlanda, Luksemburgu, Portugalia dhe Sllovenia – të shprehin synimin për të bërë të njëjtën gjë.
Për Kushnerin, i cili është edhe babai i Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, “deklaratat që dëmtojnë imazhin e Izraelit dhe njohja e Palestinës nxisin ekstremizmin dhe rrezikojnë identitetin hebre në Francë”. Ai shkoi edhe më tej duke thënë: “Antisionizmi është antisemitizëm, pa asnjë diskutim.”
Një plagë e vjetër franceze
Çështja e antisemitizmit ka qenë gjithmonë një temë e ndjeshme në Francë, e cila strehon komunitetin më të madh hebre në Evropën Perëndimore – rreth gjysmë milioni persona – krahas një komuniteti të madh arab e mysliman, shpesh të solidarizuar me palestinezët në Gaza.
Sipas autoriteteve, rastet e dhunës antisemitike u shtuan ndjeshëm pas 7 tetorit 2023, kur Hamasi nisi ofensivën e quajtur “Tufani i Aksasë” dhe shpërtheu lufta në Gaza.
Nga ana tjetër, ambasadori amerikan shfaqi shqetësimin edhe për mungesën e njohjes së Holokaustit mes të rinjve francezë. “Rreth gjysma e tyre thonë se nuk kanë dëgjuar kurrë për këtë tragjedi,” u shpreh ai, duke vënë në dyshim programet shkollore në Francë.
Burimi: Al jazeera
