Islami ka dy karakteristika që e veçojnë dhe e bëjnë atë unike në krejt fetë e gjalla në botë.
E para është se është e vetmja fe që në tekstin e saj të shenjtë ka argument për universalitetin e vet: “Ne nuk të dërguam ty pos si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzit, por shumica e njerëzve nuk dinë.” (Kur’ani fisnik 34:28.)
Dhe e dyta, se është fe e vetme që në tekstin e saj pretendon përfundimin e profetësisë: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu është i dijshëm për çdo gjë.” (Kur’ani fisnik 33:40.)
Nuk ka tjetër fe, besim, religjion, set ritesh apo sekt që i ka këto dyja në vet tekstin e saj të shenjtë. Ka pretendime që ndiqen dhe besohen si të vërteta për dyja këto karakteristika, por askush pos myslimanëve nuk mund t’i argumentojë ato me tekstin e saj të shenjtë.
Pra, vetëm në Kur’anin fisnik nga krejt qitabet qëndron se Islami është për krejt njerëzimin dhe jo vetëm për ndonjë popull, dhe se Muhamedi është i dërguari i fundit nga Zoti dhe nuk ka pas tij profet.
E pamë të udhës ta risjellim këtë fakt nga shkenca e historisë komparative të religjioneve, për të tërheq vëmendjen në origjinalitetin e Islamit si religjion; në universalitet dhe në histori, por edhe për ritheksim se kjo është shkencë në vete që konsiston dije dhe studim, e nuk mjaftojnë kërkime interneti për citime në fjalime parazgjedhore politike.
Ta përkthejmë në diçka që ka gjasa të kuptohet nga nxënës të dijes fillestare për histori të artit: nuk ka çdo popull Rembrantin e vet, dhe as Evropa në pikturën e tij “Rrëmbimi i Evropës” nuk është vetëm ajo figura mitologjike greke.
Vetëm me kërkime të thjeshta interneti shpjegohen kësi budallallëqe të tipit se çdo popull ka pas profet, e Skënderbeu është profet i shqiptarëve. Po të përdorej ndonjë AI kërkues të tipit ChatGPT, do sillnin përpilime më afër të vërtetës që Skënderbeu është lider politik, ushtarak dhe historik i shqiptarëve, e se Islami është fe e shumicës së shqiptarëve me gjithë këtë universalitetin dhe finalitetin e vet.
Dhe se shqiptarët nuk lejojnë askush t’ua rrëmbejë as Kur’anin, as fenë islame, por as Evropën, Rembrantin e as Skënderbeun.
Sigurisht se ende nuk ka opcion që sipas pyetësit të përgjigjen këto motoret e kërkimit, me ose pa inteligjencë artificiale, pasi sigurisht do ishin përgjigjur se krahasimi më i afërt për t’u përdorë për nevoja fjalimi elektoral të një lideri partiak socialist në Shqipëri, në prill të vitit 2025, është ndonjë Koçi Xoxe.
Ose, pa kërkim të thellësishëm, ChatGPT-ja do i ishte përgjigjur shkurt:
Ç’ne ti me Skënderbeun e pejgamberin, ti fol për Enverin!
Nga Ramadan Ramadani
