9.1 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Déjà vu: Vlerësimi i tensioneve të fundit politike në Mal të Zi

Më të lexuarat

Protestat paraqesin vazhdimin e strategjisë së Gjukanoviçit të dëshmuara tashmë prej kohësh për polarizimin e shoqërisë malazeze dhe ngritjen e spektrit të nacionalizmit serbo-madh për të mbledhur votuesit etnikë malazezë dhe pakicat pas tij

Dr. Idlir Lika

Autori i shkrimit është Asistent Profesor i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Gelisim të Stambollit

Mali i Zi u trondit nga një valë protestash dhe përplasjesh të dhunshme gjatë fundjavës më 4 dhe 5 shtator 2021. Protestat shpërthyen për shkak të ceremonisë së shugurimit të Mitropolitit të ri të Kishës Ortodokse Serbe Joanikije II, një ngjarje që u mbajt në manastirin e vendosur në kryeqytetin e vjetër mbretëror të Malit të Zi, Cetinje, shkruan Anadolu Agency (AA).

Cetinje ishte selia e dinastisë së fundit malazeze-Petroviç para se vendi të aneksohej me forcë nga Serbia menjëherë pas Luftës së Parë Botërore dhe ka qenë në të gjithë periudhat bastion i kombit malazez. Prandaj, zgjedhja e manastirit të Cetinjes si vendi për ceremoninë e shugurimit të Kishës Ortodokse Serbe u konsiderua nga grupet nacionaliste dhe opozitare malazeze si fyerje ndaj pavarësisë së fituar me vështirësi të vendit nga Serbia dhe sovranitetit të saj politik. Qindra protestues u përpoqën të ndalonin ceremoninë e shugurimit duke vendosur postblloqe dhe duke djegur goma përgjatë rrugës që të çon në Cetinje, duke u përfshinë në përplasje të dhunshme me policinë. Kisha Ortodokse Serbe përfundimisht anuloi mbledhjen e qytetarëve për ceremoninë. Kryeministri malazez Zdravko Krivokapiç njoftoi se ai nuk do të merrte pjesë ndërsa Mitropoliti Joanikije II u detyrua të transportohet me helikopterë të ushtrisë në manastirin e Cetinjes, ku edhe u bë shugurimi përfundimisht.

Opozita e udhëhequr nga ish-partia qeverisëse e presidentit Milo Gjukanoviç, Partia Demokratike e Socialistëve (PDS), mbështeti fuqishëm protestuesit, akuzoi policinë për përdorimin e dhunës së tepërt dhe më e rëndësishmja, kritikoi koalicionin qeverisës se po përpiqej të minonte pavarësinë e Malit të Zi. Qeveria, nga ana tjetër, akuzoi PDS-në e Gjukanoviçit se po përpiqej të bënte grusht shteti duke nxitur tensionet ndëretnike në vend. Nën presionin e partnerit dominues të koalicionit, partia serbe Fronti Demokratik (DF), kryeministri Krivokapiç akuzoi ministrin e Brendshëm dhe shefin e policisë për hezitimin për të shpërndarë protestat. Kjo në vetvete shkaktoi një çarje brenda koalicionit qeverisës pasi partneri më i vogël i koalicionit, partia e vogël qytetare malazeze URA (e udhëhequr nga shqiptari Dritan Abazoviç, i cili është gjithashtu zëvendëskryeministër), kërcënoi me rrëzimin e qeverisë nëse shkarkohet ministri i Brendshëm dhe shefi i policisë. Së fundmi, presidenti serb Aleksandar Vuçiç akuzoi qeverinë malazeze për dobësi në përballjen me protestuesit. Çfarë të bëhet në një situatë të tillë? Kush është fajtori për përshkallëzimin e fundit të tensioneve ndëretnike në ish republikën e vogël jugosllave?.

Për fillim, duhet të theksojmë se tensionet e fundit në Mal të Zi nuk kanë të bëjnë aspak me fenë. Nuk duhet të jetë e vështirë për ndjekësit e kalitur të politikës malazeze që të arrijnë në përfundimin se këto protesta paraqesin vazhdimin e strategjisë së Gjukanoviçit të dëshmuara tashmë prej kohësh për polarizimin e shoqërisë malazeze dhe ngritjen e spektrit të nacionalizmit serbo-madh për të mbledhur votuesit malazezë etnikë dhe pakicat (shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë) pas tij. Tani që PDS ka humbur shumicën e saj parlamentare në parlament për herë të parë në 30 vjet (në zgjedhjet e përgjithshme të fundit të gushtit 2020), kjo strategji është bërë më e dobishme se kurrë për Gjukanoviçin. Në të vërtetë, PDS kishte ndezur tensionet politike në vend disa javë para ceremonisë së shugurimit në Cetinje. Ish-shefi i policisë dhe këshilltari aktual i Gjukanoviçit, Veselin Veljoviç, u bëri thirrje publikisht malazezëve që të bllokojnë ceremoninë e shugurimit që nga mesi i gushtit. Shumë nga protestuesit që u përleshën me policinë dhe ngritën postblloqe ishin banditë dhe shërbëtorë të PDS-së.

Interesi i PDS-së për të nxitur tensione ndëretnike në vend është i qartë. Ai synon të shkaktojë çarje brenda koalicionit qeverisës dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, nga të cilat synon të rishfaqet triumfues. Koalicioni qeverisës është tashmë shumë i brishtë dhe ka një shumicë të ngushtë ndaj PDS-së dhe aleatët e saj në parlament (41 kundrejt 40 vende). Pozicioni i URA-s (me vetëm katër vende parlamentare) midis dy partnerëve serbë të koalicionit është shumë shqetësuese dhe e bën qeverinë të prirur të shembet në çdo kohë. Siç u cek më lart, ngjarjet e fundit në Cetinje tashmë kanë krijuar ndjenja të këqija midis URA-s dhe dy partnerëve të saj serbë mbi përgjigjen e policisë ndaj protestuesve dhe tani besohet gjerësisht se vetëm një riorganizim i Kabinetit mund të shmang zgjedhjet e parakohshme në Mal të Zi. Duke gjykuar nga kjo, duket se bixhozi i Gjukanoviçit është shpaguar.

Megjithatë, PDS duhet të kishte mësuar nga zgjedhjet e fundit në gusht 2020 se strategjia polarizuese mund të dështojë. Në të vërtetë, PDS humbi shumicën e saj parlamentare në ato zgjedhje kryesisht për shkak të mobilizimit popullor të popullsisë ortodokse rreth Ligjit të diskutueshëm mbi “Liritë Fetare” të vitit 2019, që lejon shtetin malazez të marrë pronën e të gjitha bashkësive fetare që nuk mund të dëshmojë pronësinë mbi pasuritë e saj para vitit 1918. Për herë të parë, Kisha e fuqishme ortodokse serbe në Mal të Zi publikisht shprehu mbështetjen e saj për koalicionin e atëhershëm opozitar të udhëhequr nga DF dhe kjo u tregua vendimtare në dhënien fund të sundimit të pandërprerë 30-vjeçar të PDS-së. Me pak fjalë, nuk ka asnjë garanci se tensionet e fundit politike të krijuara nga përplasjet e dhunshme në Cetinje do të jenë një kartë fituese për Gjukanoviçin në rast se malazezët votojnë në zgjedhje të parakohshme.

E gjithë kjo nuk është për të shfajësuar koalicionin qeverisës. Sigurisht, ideologjia serbo-madhe e partisë dominuese brenda koalicionit (DF) dhe lidhjet e saj të ngushta me Beogradin janë burime të mëdha të paqëndrueshmërisë në politikën malazeze. Presidenti serb Vuçiç përfitoi nga përleshjet e fundit të dhunshme në Cetinje. Duke akuzuar qeverinë për dobësi në përballjen me protestuesit, Vuçiç dëshiron të ketë një ndikim më të madh mbi politikën malazeze. Duke komentuar ngjarjet në Cetinje, analisti i shquar politik malazez Ljubomir Filipoviç shkroi në Twitter se “Mali i Zi është nën okupim. Pas ngjarjeve të sotme dhe të djeshme, është e qartë se Kisha e Serbisë dhe qeveria serbe ndajnë pushtetin mbi vendimet e qeverisë malazeze. Kjo qeveri duhet të ikë”! Unë besoj se ka një dozë të mirë ekzagjerimi në këto komente, por ato nuk janë krejtësisht të pabaza.

Për të përfunduar, përplasjet e fundit të dhunshme në Cetinje janë kryesisht për faj të Gjukanoviçit dhe PDS-së. Me rëndësi është të theksohet se PDS po rritet nga paqëndrueshmëria vendase dhe rajonale si dhe ringjallja e mundshme e ideologjisë serbo-madhe. Paqëndrueshmëria i përshtatet në mënyrë të përkryer interesave të Beogradit dhe entitetit të tij satelitor në Bosnjë, Republikës Sërpska. Megjithë retorikën e jashtme armiqësore mes tyre, ajo që bashkon Vuçiçin, Gjukanoviçin dhe Milorad Dodikun është interesi i përbashkët për të mbajtur paqëndrueshmërinë rajonale.

Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën redaktuese të Anadolu Agency.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit