-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

10 Veprat e detyrueshme në namaz.

Më të lexuarat

Veprimet e detyruara (farze) të namazit
Në mënyrë që namazi të jetë i vlefshëm, forma e faljes duhet të jetë në përputhje me rregullat e caktuara në ligjin islam. Këto rregulla janë:

1- Qëllimi (nijeti)
Allahu i Madhëruar thotë:

“Ne nuk i urdhëruam ata me gjë tjetër, përveç që të adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë…” (El Bejine, 5)
Profeti alejhi selam ka thënë: “Çdo vepër bazohet në qëllimin e saj. Çdokush merr atë çfarë ka patur për qëllim. Ai që emigron për Allahun dhe për Profetin e Tij, atëherë emigrimi i tij është për Allahun dhe Profetin e Tij. Ai që emigron për diçka të kësaj bote apo për qëllim martese, atëherë emigrimi
i tij është për atë (qëllimin) që ai ka emigruar”. Buhariu

Në “Igatha El-Lufan”, Ibn Kajimi thotë se qëllimi është dëshira dhe synimi i diçkaje. Ai është një gjendje e zemrës dhe nuk e ka origjinën nga gjuha. Për këtë arsye, Profeti alejhi selam dhe shokët e tij nuk flisnin asnjëherë në lidhje me deklarimin e nijetit. Ajo çfarë është shtuar tek kjo çështje gjatë veprimeve të abdesit dhe të faljes, e ka burimin nga shejtani dhe është një kurth për ata që janë të pasigurt në lidhje me mënyrën se si të veprojnë. Ata e përsërisin nijetin (për namaz) shpesh, por kjo gjë nuk është aspak pjesë e namazit”.

2- Marrja e tekbirit fillestar dhe fillimi i namazit
Aliu (r.a.) transmeton se Profeti alejhi selam ka thënë: “Çelësi i namazit është pastërtia. Veprimi që e fut njeriun në namaz është marrja e tekbirit dhe ai që e nxjerr prej tij është teslim”.
Transmetojnë Shafiu, Ahmedi, Ebu Daudi, Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu, i cili e ka klasifikuar këtë transmetim si më të saktin në lidhje me këtë çështje. Hakimi dhe Ibn Sekeni e klasifikojnë këtë hadith si sahih. [Hadith Hasen Sahih; Sahih Ebu Daud 61]

Tekbiri ka të bëjë me shqiptimin e frazës “Allahu Ekber”. Ebu Hamidi ka transmetuar se kur Profeti alejhi selam ngrihej për të falur namazin, ai qëndronte në këmbë drejt, ngrinte duart e tij dhe thoshte: “Allahu Ekber”. [Hadith Sahih; Sahih Ibn Maxhe 803]

Kjo transmetohet nga Ibn Maxhe dhe gjithashtu ndodhet edhe në sahihet e Ibn Huzejmes dhe të Ibn Hibanit, të cilët e vlerësojnë si të vërtetë. El Bazari ka transmetuar një hadith të ngjashëm me të, por me një zinxhir, që sipas kriterit të Muslimit, është sahih. Gjithashtu, edhe Aliu dhe të tjerët e kanë transmetuar një hadith të tillë.

3- Qëndrimi në këmbë gjatë faljes së namazeve të detyruara
Në rast se është e mundur, personi që falet duhet të qëndrojë në këmbë gjatë namazit. Allahu i Madhëruar thotë:
“Falni namazet si dhe atë të mesmin dhe qëndroni në këmbë për Allahun me devotshmëri!” . (El Bekare, 238)

Imran ibn Husejni tregon se kishte pasur disa probleme shëndetësore, kështu që e kishte pyetur Profetin alejhi selam në lidhje me namazin dhe ai i kishte thënë: “Falu në këmbë! Nëse nuk je në gjendje, atëherë falu ulur e nëse nuk je në gjendje të falesh as në këtë mënyrë, atëherë falu i shtrirë (në njërën anë të trupit)”.Buhariu
Të gjithë dijetarët bien dakord me këtë dhe thonë se personi që falet nuk duhet t’i bashkojë këmbët e tij gjatë namazit.

Përsa i përket namazeve vullnetare, personi mund t’i falë ato edhe duke qenë ulur, madje edhe kur është në gjendje të qëndrojë në këmbë, por ai që ngrihet në këmbë merr shpërblim më të madh sesa ai i cili rri ulur.
Abdullah ibn Umeri ka thënë: “Jam njoftuar se Profeti alejhi selam ka thënë: “Namazi i personit që rri ulur është sa gjysma (e namazit të atij që rri në këmbë)”.-
Nëse personi që fal namazet farze nuk mund të qëndrojë në këmbë, ai mund të falet në atë mënyrë që mundet, sepse Allahu nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive të tij. Ky njeri do të marrë një shpërblim të plotë për namazin që fal.

Ebu Musa ka transmetuar se Profeti alejhi selam ka thënë: “Nëse robi i Allahut është i sëmurë apo është në udhëtim, ai do të marrë shpërblim të njëjtë për veprat e tij sikur të ishte i shëndetshëm dhe në shtëpi”.

4- Këndimi i Fatihasë në çdo rekat të namazit, farz apo nafile
Ekzistojnë shumë hadithe autentike që theksojnë se është detyrim këndimi i Fatihasë në çdo rekat të namazit. Disa prej këtyre haditheve janë:
Ubade ibn Samit ka transmetuar se Profeti alejhi selam ka thënë: “Nuk ka namaz për atë që nuk e këndon Fatihanë”. Buhariu dhe Muslimi

Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se Profeti alejhi selam ka thënë: “Ai që fal një namaz dhe nuk e këndon Fatihanë, namazi i tij është i mangët, jo i plotë”.Buhari
Ebu Seid tregon: “Ne ishim të urdhëruar të këndonim Fatihanë dhe çfarëdo tjetër që ishte e lehtë për ne”.- [Hadith Sahih; Sahih Ebu Daud 818]
Në disa nga transmetimet që kanë të bëjnë me hadithin mbi moskryerjen e plotë të namazit, thuhet: “Dhe pastaj këndojeni “Nënën e Librit” (Fatihanë).” Gjithashtu Profeti alejhi selam ka thënë: “Dhe këndojeni atë në çdo rekat!”.

Është konfirmuar se Profeti alejhi selam e këndonte Fatihanë në çdo rekat të çdo namazi, si në farze (të detyruara) ashtu edhe në ato vullnetare. Meqë kjo është një vepër adhurimi, ne duhet të veprojmë në të njëjtën mënyrë sikurse Profeti alejhi selam sepse ai ka thënë: “Faluni siç më keni parë të falem!”:i

5- Shqiptimi i frazës “Bismilahi”
Dijetarët janë të një mendimi se fraza “bismilahi” është një pjesë ajeti në suren En-Neml, por ata ndryshojnë në mendime për sa i përket faktit nëse ajo është apo jo ajet i secilës prej sureve të Kuranit. Mbi këtë çështje ekzistojnë tre mendime:

1- Kjo frazë është një ajet i Fatihasë dhe i çdo sureje të Kuranit. Prandaj, një frazë e tillë duhet të shqiptohet së bashku me Fatihanë, si gjatë namazeve që falen me zë të ulët, ashtu edhe gjatë atyre që falen me zë të lartë. Baza më e fortë ku mbështetet ky lloj mendimi, qëndron tek hadithi i Naim E1 Muxhemirit, i cili ka thënë: “U fala pas Ebu Hurejrës dhe ai e shqiptoi frazën “Bismilahi” dhe pastaj këndoi Fatihanë”. Në fund të hadithit, citohet se ai ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, unë jam falur në të njëjtën mënyrë sikurse faleshim me të Dërguarin e Allahut”. [Zinxhiri i transmetimit Daif 905]
2- Fraza në fjalë është një ajet në vetvete dhe është shpallur për të ndarë suret e ndryshme nga njëra-tjetra. Lejohet që kjo frazë të këndohet me Fatihanë (në fakt një veprim i tillë është shumë i pëlqyer), por nuk është sunet që ajo të këndohet me zë të lartë. Enesi (r.a.) ka thënë: “U fala pas të Dërguarit të Allahut, Ebu Bekrit, Umerit dhe Othmanit dhe ata nuk e kënduan këtë frazë më zë të lartë”. [Hadith Sahih; Sahih En-Nesai 907]

3- Fraza “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”, nuk është ajet i Fatihasë apo i ndonjë sureje tjetër. Është një veprim i papëlqyer që kjo frazë të shqiptohet me zë të lartë apo me zë të ulët në namazet e obliguara, por nuk është një veprim i papëlqyer nëse ajo shqiptohet gjatë namazeve vullnetare. Megjithatë, ky mendim nuk ka baza të forta.
Ibn El Kajimi i ka bashkërenduar të dyja mendimet duke thënë: “Ndonjëherë Profeti alejhi selam e shqiptonte këtë frazë më zë të lartë, por në shumicën e rasteve ai e shqiptonte me zë të ulët”.
Nuk ka dyshim se ai nuk e ka lexuar Fatihanë gjithmonë me zë të lartë në pesë namazet e ditës, qoftë në udhëtim apo vendas. Kjo nuk mund mbetej e panjohur për kalifët pas tij dhe sahabët e tjerë.
Personi që nuk ka mundësi t’i shqiptojë fjalët në mënyrën e duhur
El Hatabi thotë: “Parimisht, namazi i një njeriu nuk është i plotë nëse ai nuk e këndon Fatihanë. Nëse muslimani nuk mund të këndojë as Fatihanë dhe as ndonjë pjesë tjetër nga Kurani, ai duhet që të paktën të thotë shtatë ajete nga Kurani. Nëse nuk mund të mësojë ndonjë pjesë nga Kurani (për shkak të ndonjë paaftësie të lindur, për shkak të kujtesës së dobët apo për shkak se ajete të tilla janë në gjuhë të panjohur për të), atëherë ai duhet të shqiptojë tesbihet (Subhane Allah – i Madhëruar është Allahu), temhidin (E1 Hamdulilah – Falënderimi i takon vetëm Allahut) dhe tehlilin (La ilahe il Allah – Nuk ka zot tjetër, përveç Allahut). Transmetohet se ai ka thënë: “Përkujtimi më i mirë pas përmendjes së Allahut janë frazat Subhane Allah, E1 Hamdulilah, La ilahe il Allah dhe Allahu Ekber”.

Kjo mbështetet nga Rifa’ate ibn Rafia, i cili ka transmetuar se Profeti alejhi selam ka thënë: “Nëse dini diçka nga Kurani, atëherë këndojeni atë, e nëse jo, atëherë shqiptojeni temhidin, tekbirin dhe tehlilin dhe pastaj përkuluni në ruku”. [Hadith Sahih; Temamul Minneh]

6- Rukuja (Përkulja)
Ekziston një mendim i përbashkët midis dijetarëve në lidhje me karakterin obligativ të rukusë. Allahu i Madhëruar thotë:

“O ju që keni besuar! Përkuluni dhe bini në sexhde…!” (E1 Haxh, 77)
Pozicioni i rukusë është përkulja përpara, duke vendosur duart mbi gjunjë dhe qëndrimi në atë pozicion, derisa personi që përkulet të arrijë”qetësinë”. Në hadithin e beduinit Profeti alejhi selam ka thënë: “Pastaj, përkulu derisa të qetësohesh, duke qenë në atë pozicion”.

Ebu Katade ka transmetuar se Profeti alejhi selam ka thënë: “Njerëzit më të këqij janë hajdutët që i vjedhin pjesët e namazit të tyre”. Ai u pyet në lidhje me mënyrën se si mund të ndodhte një gjë e tillë dhe Profeti alejhi selam u përgjigj: “Ata nuk i plotësojnë rukutë dhe sexhdet e tyre” apo “Ata nuk e drejtojnë kurrizin e tyre gjatë rukuve dhe sexhdeve”. [Hadith Sahih; Sahihul Xhami’]
Ebu Mesud E1 Bedri transmeton se Profeti alejhi selam ka thënë: “Namazi i personit që nuk e drejton kurrizin gjatë rukuve dhe sexhdeve, nuk është i plotë”,- [Hadith Sahih; Sahih Ebu Daud 855]
Sahabët ishin të mendimit se personi që falet duhet ta drejtojë kurrizin e tij gjatë rukuve dhe sexhdeve. Njëherë, Hudhejfe pa një njeri që nuk e drejtoi kurrizin gjatë rukuve dhe sexhdeve dhe i tha: “Nuk je falur! Nëse do të kishe vdekur në këtë moment, nuk do të vdisje në rrugën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij”.

7- Qëndrimi në pozicion të drejtë, pas përkuljes në ruku
Një qëndrim i tillë bazohet në përshkrimin e Ebu Humejdit, në lidhje me namazin e Profetit alejhi selam : “Ai e ngrinte kokën nga përkulja (rukuja), pastaj qëndronte drejt, derisa të gjitha kockat e shtyllës kurrizore të tij ktheheshin në vendin e tyre.
Aishja (r.a.) ka transmetuar se kur Profeti alejhi selam e ngrinte kokën nga rukuja, ai nuk binte në sexhde, derisa kurrizi i tij të drejtohej.”
Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se Profeti alejhi selam ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin e njeriut që nuk e drejton kurrizin e tij gjatë rukuve dhe sexhdeve”/

8- Sexhdeja (Rënia përmbys)
Më lart është përmedur ajeti kuranor që ka të bëjë me këtë vepër të detyruar të namazit. Profeti alejhi selam e ka shpjeguar atë në hadithin e beduinit, i cili nuk dinte ta falte namazin, ku thuhet: “Pastaj, bëj sexhde, derisa të gjesh qetësi në këtë pozicion, pastaj ngrihu dhe qëndro ulur, derisa të gjesh qetësi në uljen tënde dhe pastaj bëje përsëri sexhden, derisa të gjesh qetësi në të”.

Sexhdeja e parë, qëndrimi ulur pas saj, sexhdeja e dytë si dhe arritja e qetësisë gjatë gjithë këtyre veprimeve, janë veprime të detyruara në çdo rekat të secilit namaz farz apo nafile.
Mënyra e arritjes së qetësisë
“Qetësia” vjen nga qëndrimi ulur, derisa kockat kthehen në vendin e tyre të mëparshëm. Disa dijetarë thonë se, minimalisht, kjo qetësi arrihet për aq kohë sa personi që falet shqipton frazën “Subhane Allah”.
Pjesët e trupit që prekin tokën gjatë kryerjes së sexhdes
Pjesët e trupit që prekin tokën në sexhde janë: fytyra, dy shuplakat e duarve, gjunjët dhe këmbët.
E1 Abas ibn Abdul Mutalibi ka transmetuar se ka dëgjuar Profetin alejhi selam të ketë thënë: “Kur një rob (i Allahut) bën sexhde, bashkë me të bëjnë sexhde edhe shtatë pjesë të trupit: fytyra, duart, gjunjët dhe këmbët e tij”.

Ibn Abasi ka thënë: “Profeti alejhi selam na urdhëroi që të bëjmë sexhde me shtatë pjesë të trupit dhe të mos i mblidhnim flokët apo rrobat tona. Pjesët e trupit me të cilat bëjmë sexhde janë: balli, duart, gjunjët dhe këmbët”. Në një transmetim tjetër, Profeti alejhi selam ka thënë: “Unë jam urdhëruar që të bëj sexhde me shtatë pjesë të trupit: me ballin, (dhe ai tregoi hundën), duart, gjunjët dhe këmbët”,-
Kurse, në një transmetim të tretë, Profeti alejhi selam ka thënë: “Jam urdhëruar të bëj sexhde me shtatë pjesë të trupit: me ballin, hundën, gjunjët dhe këmbët. Gjithashtu, jam urdhëruar të mos i mbledh flokët apo rrobat”.

Ebu Humejdi ka transmetuar se kur Profeti alejhi selam bënte sexhde, ai vendoste hundën dhe ballin e tij në tokë. Ky hadith është transmetuar nga Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, i cili e ka vlerësuar si të vërtetë dhe ka thënë se dijetarët janë të mendimit se personi që bën sexhde, vendos hundën dhe ballin e tij në tokë. Sipas disa dijetarëve, nëse një njeri bën sexhde vetëm me ballin e tij dhe duke mos e vendosur hundën në tokë, atëherë edhe një veprim i tillë është i mjaftueshëm për të. Të tjerët thonë se të vepruarit në këtë mënyrë nuk është i plotë, derisa hunda e tij të prekë tokën.

9- Ulja e fundit dhe shqiptimi i Teshehudit
Praktika e Profetit alejhi selam tregon se ai ulej në uljen e fundit dhe lexonte teshehudin. Po ashtu ai i ka thënë beduinit që nuk dinte të falte namazin: “Kur ta ngrini kokën nga sexhdeja e fundit dhe të uleni për teshehud, atëherë ju e keni plotësuar namazin tuaj”. [Nuk e kam hasur këtë pjesë nga hadithi i mirënjohur me personin që nuk e falte mirë namazin, qoftë edhe në një rrugë tjetër të transmetimit të tij; Temamul Minneh]

Ibn Kudame thotë: “Është transmetuar se Ibn Abasi [Transmetimi është prej Musnedit të Ibn Mes’udit dhe jo Ibn Abasit] ka thënë: “Përpara se teshehudi të bëhej detyrim, ne e kishin zakon të thonim: “Paqja qoftë mbi Allahun përpara robëve të Tij, paqja qoftë mbi Xhibrilin, paqja qoftë mbi Mikailin!” Profeti alejhi selam tha: “Mos thoni: Paqja qoftë mbi Allahun, por: “Përshëndetje Allahut” [Hadith Sahih; Temamul Minneh]. Kjo tregon se teshehudi u bë detyrim, edhe pse përpara nuk ishte i tillë”.
Transmetimi më autentik në lidhje me teshehudin është ai i Ibn Mesudit, i cili ka thënë: “Kur uleshim për teshehud në namazin që falnim me Profetin alejhi selam thonim këto fjalë: “Paqja qoftë mbi Allahim përpara robëve të Tij, paqja qoftë mbi këtë e atë”. Profeti alejhi selam tha: “Mos thoni paqja qoftë mbi Allahun sepse Allahu është paqe. Kur ndonjëri prej jush ulet pas sexhdes së fundit, ai duhet të thotë: “Përshëndetjet i takojnë Allahut, lutjet dhe shprehjet e mira. Paqja qoftë mbi ty o i Dërguari i Allahut, mëshira dhe mirësitë e tij. Paqja qoftë mbi ne dhe mbi robërit e sinqertë të Allahut (nëse e thua këtë, atëherë ajo gjë i referohet të gjithë robëve të sinqertë të Allahut, në qiej dhe në tokë). Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Dëshmoj se Muhamedi alejhi selam është rob dhe i Dërguar i Tij”. Më pas, ju mund të zgjidhni çfarëdo lutje që dëshironi”.
Muslimi thotë se dijetarët kanë rënë dakord për hadithin mbi teshehudin, të cilin e transmeton Ibn Mesudi, ngase shokët e Pejgamberit alejhi selam nuk kanë kundërshtuar njëri-tjetrin.
Tirmidhiu, El Hatabi, Ibn Abdul Berr dhe Ibn El-Mundhiri janë të mendimit se hadithi i Ibn Mesudit është më autentiku në lidhje me këtë çështje. Pas tij vjen ai i Ibn Abasit.
Ibn Abasi thotë: “I Dërguari i Allahut na e mësonte teshehudin ashtu sikurse na mësonte edhe Kuranin. Ai thoshte: “Përshëndetjet, bekimet dhe veprat e mira qofshin për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ty o Profet! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi robërit e sinqertë të Allahut. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi alejhi selam është rob dhe i Dërguar i Tij”,-
Shafiu thotë: “Janë transmetuar hadithe të ndryshme në lidhje me teshehudin, por sipas mendimit tim, ky (i mësipërmi) është më i miri sepse është më i plotë se hadithet e tjera”.
Ibn Haxheri thotë: “Shafiu u pyet në iidhje me këtë zgjedhje të tij për teshehudin e Ibn Abasit, e ai u përgjigj: “Ky hadith është me domethënie më të gjerë. E kam dëgjuar atë nga Ibn Abasi me anë të zinxhirëve autentikë të transmetimit. Për mua, ky hadith është më i plotë në shprehjet e tij. E kam marrë për bazë këtë hadith duke mos i kundërshtuar ata që marrin për bazë hadithet e tjera të vërteta.”

Ekziston edhe një formë tjetër e teshehudit që zgjodhi Maliku. Në “E1 Muata”, thuhet se Abdurrahman ibn Abdul-Qari e ka dëgjuar Umer ibn E1 Hatabin duke ua mësuar njerëzve nga minberi këtë teshehud: “Përshëndetjet i takojnë Allahut, dlirësia i takon Allahut. Veprat e mira dhe lutjet të jenë për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ty o Profet! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi robërit e sinqertë të Allahut. Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij”.
Duke komentuar në lidhje me gradën e këtij hadithi, Neveviu thotë: “Hadithet që lidhen me teshehudin janë të gjitha të gradës sahih. Dijetarët e hadithit janë të mendimit se hadithi më i fortë ndër të gjithë ata që lidhen me teshehudin është hadithi i Ibn Mesudit dhe më pas vjen ai i Ibn Abasit”. Shafiu ka thënë se, nëse përdoret secili nga këto dy teshehude, është diçka e mjaftueshme, sepse dijetarët janë të mendimit se secili prej tyre është i lejuar”.

10- Dhënia e selamit në fund të namazit
Dhënia e selamit në fund të namazit është një veprim i detyruar, që vërtetohet nga fjalët dhe veprimet e Pejgamberit alejhi selam .Aliu (r.a.) ka transmetuar se Profeti alejhi selam ka thënë: “Çelësi i namazit është pastërtia. Njeriu hyn në namaz me tekbir dhe e lë namazin me dhënien e selamit”. [Hadith Hasen Sahih; vijoi më parë]
Amër ibn Sad ka transmetuar se babai i tij ka thënë se ka parë të Dërguarin e Allahut duke dhënë selam në anën e tij të djathtë e pastaj nga e majta, derisa kishte dalluar bardhësinë e faqeve të tij. Transmetojnë Ahmedi, Muslimi, Nesaiu dhe Ibn Maxhe.

Uail ibn Huxhër ka treguar: “U fala me të Dërguarin e Allahut dhe ai dha selam në anën e djathtë, duke thënë: “Paqja dhe mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju, dhe nga e majta po ashtu.” [Në versionin e Ebu Daudit nuk gjendet shtesa “bekimet e Allahut” kur jepte selamin e dytë, atë të anës së majtë]
Në “Bulug El-Meram”, Ibn Haxher thotë se, Ebu Daudi e ka transmetuar këtë hadith me zinxhir sahih. [Hadith Sahih; Temamul Minneh]
Shumica e dijetarëve thonë është detyrim të shqiptohet një selam dhe se është diçka e pëlqyer që të shqiptohen dy të tillë.
Ibn E1 Mundhiri thotë se të gjithë dijetarët bien dakord me mendimin se dhënia e vetëm një selami është një veprim i lejuar.
Në “E1 Mugni”, Ibn Kudame thotë: “Nuk ekziston ndonjë tekst i qartë nga Ahmedi, ku të thuhet se detyrohen dy selame. Ai ka thënë: “Shqiptimi i dy selameve është veprimi më autentik bazuar në praktikën e Profetit alejhi selam “- Është e lejuar që të thuhet se ky është rregulli, edhe pse nuk është një veprim i detyruar. Gjithashtu, një përfundim i tillë nxirret edhe në një thënie tij, ku thuhet: “Shqiptimi i dy selameve është veprimi më i dashur për mua”. Aishja (r.a.), Seleme ibn E1 Aku El-Ekvea dhe Sehël ibn Sad kanë treguar se Profeti alejhi selam shqiptonte vetëm një selam e po ashtu vepronin edhe muhaxhirët.

Ne mund t’i bashkërendojmë këto dallime duke thënë se është sunet dhe veprim i ligjshëm shqiptimi i dy selameve, ndërsa është detyrim shqiptimi i një selami të vetëm. Ky është konsensusi që ka përmendur Ibn El-Mundhiri dhe ne nuk kemi asnjë arsye për ta hedhur poshtë atë. Neveviu thotë: “Mendimi i Shafiut dhe i shumicës së dijetarëve të hershëm dhe të mëvonshëm është se shqiptimi i dy selameve është një veprim sunet”. Maliku dhe një grup dijetarësh thonë se shqiptimi i vetëm një selami është sunet. Ata e nxjerrin këtë përfundim nga disa hadithe të dobët, të cilët nuk mund të qëndrojnë si argument para këtyre haditheve të vërteta. Nëse një gjë e kësaj natyre është pohuar nga Profeti alejhi selam veprimi i saj, ndoshta është bërë vetëm për të treguar se është diçka e lejuar shqiptimi i vetëm një selami. Dijetarët pajtohen me mendimin se shqiptimi i vetëm një selami është detyrim fetar. Nëse personi që falet i shqipton të dyja selamet, së pari fillon në të djathtë e pastaj në të majtë, gjersa nga anash të shihet fytyra e tij. Kjo është më e vërteta. Nëse e jep selamin e parë në anën e majtë dhe selamin e dytë në të djathtën, atëherë namazi i tij do të jetë përsëri i vlefshëm dhe ai e ka përmbushur dhënien e dy selameve. Por, ai mund të mos e ketë marrë mirësinë e mënyrës se si duhet të kryhen ato.

FIKHU SUNEH
SEJID SABIK

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit