Pyetja:
Selam alejkum! Kam një pyetje që ka të bëjë me haxhin e ajo është: Kur nuk lejohet të presësh thonjtë edhe të shkurtosh flokët, pasi kam bërë nijet të shkoj në haxh. Ju lutem më tregoni më gjerësisht. Selam alejkum!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Së pari, ju uroj për vendimin që keni marrë për të kryer obligimin e haxhit. E lus Allahun e Lartësuar t’ua lehtësojë këtë rrugë dhe t’ju japë sinqeritet dhe durim gjatë kryerjes së të gjitha riteve!
Ashtu si e përmendët edhe ju, muslimani gjatë kryerjes së riteve të haxhit, në një kohë të caktuar, i ka të ndaluara disa veprime që janë të lejuara zakonisht. Ne do t’i përmendim ato, por nuk është edhe vendi këtu që të zgjerohemi shumë. Prandaj, për çdo sqarim të mëtutjeshëm mund t’u drejtoheni librave dhe temave që i shpjegojnë më gjerësisht këto gjëra ose mund të dërgoni edhe pyetje të tjera.
Gjërat e ndaluara për haxhiun janë:
1. Rruajtja e kokës. Allahu i Lartësuar thotë: “E kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut, po në qoftë se pengoheni, atëherë (therni për kurban) çka t’ju vijë më lehtë prej kurbaneve, e mos i rruani kokat tuaja derisa të arrijë kurbani vendin e caktuar. Po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensimi është agjërim, sadaka ose kurban. E kur jeni të sigurt, ai që bën umren para haxhit (duhet të therë) një kurban që i vjen më lehtë, mirëpo nëse nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit e shtatë ditë kur të ktheheni, këto janë dhjetë ditë të plota. Ky është rregull për ata që nuk e kanë familjen pranë xhamisë së shenjtë. Pra kini dro Allahun dhe dijeni se Allahu është ndëshkues i rreptë.” (El Bekare, 196)
Në këtë ndalesë bëjnë pjesë edhe rruajtja apo mënjanimi i qimeve nga i tërë trupi, gjithashtu edhe shkurtimi i thonjve.
2. Përdorimi i parfumeve dhe i erërave aromatike në rrobat e ihramit, në trup, në ushqime apo edhe gjatë pastrimit.
3. Lidhja e kontratës së fejesës apo martesës.
4. Marrëdhëniet seksuale mes bashkëshortëve.
5. Kontakti ndërmjet gruas dhe burrit me epsh, pa marrëdhënie seksuale, si prekja, puthja, etj.. Gjithashtu ndalohet edhe biseda rreth këtyre gjërave në përgjithësi.
6. Bisedat jo të mira, sikurse sharjet, fyerjet, ofendimet, fjalët e kota, etj..
7. Gjuetia në tokë.
8. Ndër ndalesat e posaçme për burrat është veshja e rrobave të qepura, kështu që burri mban në trup dy ihramë (që janë si peshqir të mëdhenj) dhe me ata të dy mbulon trupin.
9. Gruaja e ka të lejuar të mbajë të gjitha llojet e rrobave, përveç nikabit (perçja që është e posaçme për mbulimin e fytyrës dhe ka vrima për sy) dhe dorezat. Në këtë rast, gratë të cilat e mbulojnë fytyrën përdorin mbulesa të formave të tjera, të cilat zëvendësojnë nikabin.
Këto në përgjithësi janë gjërat të cilat i ndalohen personit i cili futet në ihram. Për secilën prej tyre kemi argumente, por nga frika e zgjerimit nuk i kemi përmendur.
Kurse koha kur janë të ndaluara këto gjëra është koha kur bëjmë nijetin dhe futemi në ihram. Më qartë, këto gjëra janë të ndaluara gjatë kohës kur kemi veshur veshjet e ihramit dhe kryejmë ritet qoftë të umres apo të haxhit. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
30.11.2007