Pyetja:
Selam alejkum. A është i lejuar planifikimi familjar?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Planifikim familjar si praktikë është e njohur shumë herët, mirëpo atëherë nuk ishte aq e përhapur dhe më shumë kishte karakter të ngushtë individual dhe nuk ishte çështje e ndërlikuar duke përdorur mjete të llojllojshme ose forma. Ndërsa në kohën bashkëkohore mori përmasa shumë të gjera dhe tani është bërë koncept i një filozofie të caktuar dhe për të shtete e institucione të ndryshme shpenzojnë para me qëllim të promovimit të saj, duke nxjerrë ligje dhe ofruar mekanizma nga më të ndryshmet. Fatkeqësisht disa njerëz dhe shoqëri, çështjen e të pasurit, respektivisht mospasurit fëmijë kanë filluar ta shikojnë vetëm nga prizmi materialist, si zotërimin e një makine, shtëpie, etj., pasi harrojnë se kjo ka të bëjë edhe me esencën e vazhdimësisë së jetës dhe gjinisë njerëzore.
Para se të flasim në lidhje me qëndrimin e Islamit rreth planifikimit të shtatzënisë, është e nevojshme të përmendet se esenca e shëndrrimit të kësaj praktike në filozofi zë fill që nga shekulli 19, kur dolën disa teori në lidhje me popullimin e botës dhe zhvillimin ekonomik, respektivisht mundësinë e prodhimit të ushqimit. Teoria më e njohur në këtë është teoria e Thomas Robert Malthus (1766-1834), e njohur si: “Ligji i Popullsisë”.
Në këtë teori thuhej se popullsia e botës është duke u shtuar shumë më shpejt se prodhimi i ushqimit. Malthus kishte shkruar një studim që e quajti: “An Essay on the Principle of Population” [1]- “Ese rreth principeve të popullsisë.” Ai pohonte se shtimi i popullatës bëhet në mënyrë permanente gjeometrike, gjegjësisht: 1, 2, 4, 8, 16, 32, 64, 128…, ndërsa të ardhurat financiare e ushqimore, shtohen sipas mënyrës permanente matematikore: 1,2,3,4.., dhe se e tërë kjo do të thotë se pas një kohe të ardhurat për jetësë dhe furnizim do të pakësohen dhe se në një kohë të ardhme do të ndodhë uria dhe njerëzit do të vrasin njëri-tjetrin. Prandaj ai paralajmëronte që nëse nuk ndërmerren forma të cilat pengojnë këtë rritje të popullsisë, atëherë do të jetë i vështirë vazhdimi i jetës në këtë botë. Në këtë libër Malthusi propozonte forma nga më barbare për ta penguar këtë popullim “imagjinarë”. Ai thoshte:
“Të gjithë fëmijët të cilët lindin mbi numrin e banorëve që duhet të mbahet, patjetër duhet të asgjësohen, përveç nëse për ta krijohen vende duke vrarë të rriturit…Kjo duhet të jetë politika aktive e qeverive…Duhet të inkurajojmë ndikimin natyral për të krijuar këtë lloj të mortalitetit….”[2]
Sipas Malthusit në vitin 1823, numri i popullsisë do të duhej të ishte 2 miliardë, ndërsa më 1848 katër miliardë njerëz, më 1873 tetë miliardë, ndërsa në 1998 do të duhej të arrinte shifrën 256 miliardë njerëz. Në anën tjetër sasia e ushqimit në vitin 1998 sipas tij do të ishte vetëm për 9 miliardë njerëz.
Kjo teori tani vërtetohet se është shumë e pasaktë pasi në vitin 1998 në botë kishte 6 miliard njerëz dhe jo 256 sipas Mlthusit. Ndërsa sipas hulumtimeve të cilat janë bërë në Japoni është konstatuar se në vitin 1998 në botë kishte ushqim që mjaftonte për 57 miliardë njerëz.[3]
Edhe pse kjo teori është kritikuar nga shumë studiues, fatkeqësisht ajo u pranua edhe nga shumë të tjerë. Fatkeqësisht kjo i shkaktoi edhe shumë tragjedi e katastrofa njerëzimit, pasi shumë qeveri të shekullit 19 dhe fillimit të shekullit 20 e përdorën si arsye në zhvillimin e luftrave dhe shkatërrimin e asgjësimin e shumë popujve. [4]
Sido që të jetë, e përmendëm këtë fakt për ta kuptuar se lindja e planifikimit familjar si filozofi gjithsesi e ka lidhjen me këtë teori skeptike ndaj rritjes së popullsisë. Prandaj pretendimi se rritja e popullsisë do të shkaktojë eksplodim të popullimit dhe do të krijohet katastrofa e asgjësimit të tërësishëm të jetës në këtë botë është një pretendim dhe shpifje ndaj Krijuesit të gjithësisë. Ky pretendim nënkupton se Zoti i Madhëruar nuk i ka bërë llogaritë e nevojshme dhe do të duhej ndërhyrja njerëzore! Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk jemi të pakujdesshëm ndaj krijesave Tona.”[5] Gjithashtu thotë : “Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.”[6] Dhe thotë: “Ai (Zoti) krijoi në Tokë male të palëvizshme që ngrihen lart, e bekoi atë dhe përcaktoi në të furnizimin (për banorët) e saj me masë…”[7]
Problemi nuk është te të ardhurat e vogla, përkundrazi, ato janë të shumta, por është në padrejtësinë dhe përbuzjen e madhe të njeriut. Nisur nga kjo, Islami refuzon pikënisjen për planifikimin e familjes për shkak të frikës nga furnizimi dhe varfëria. Allahu i Lartësuar thotë:
“S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij.”[8]
“Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.”[9]
Për këtë, nëse qëllimi nga pengimi i shtatëzanisë dhe planifikimi i fëmijëve është frika nga varfëria, furnizimi ose pamundësia në mbajtjen e tyre materialisht, atëherë kjo është e ndaluar dhe konsiderohet mëkat. Allahu i Lartësuar ua tërheq vërejtjen mushrikëve të Mekës të cilët i mbytnin fëmijët nga frika e varfërisë ku thotë: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.”[10]
Në anën tjetër, nëse një çift bashkëshortor me pëlqim reciprok e shtyn pasjen e fëmijëve ose planifikon që shtatzënia mos të jetë një pas një, për një arsye ose tjetër, atëherë kjo nuk është e ndaluar derisa pengimi i shtatëzanisë është për një periudhë të caktuar të martesës. Islami i nxit njerëzit që të martohen në moshë sa më të re, por, për fat të keq, në kohën moderne njerëzit po e vonojnë martesën shumë. Prandaj mendojmë se për të rinjtë më e qëlluar është që ata të martohen më herët, edhe pse ndoshta nuk dëshirojnë që të jenë menjëherë me fëmijë, pasi janë në shkollë dhe dëshirojnë të vazhdojnë shollimin apo ndonjë arsye tjetër. Kjo është më e qëlluar sesa të shtyhet martesa dhe rinia t’i nënshtrohet sprovave dhe epsheve me të cilat goditet në atë moshë.
Gjithashtu edhe nëse bëhet pengimi i shtatëzanisë ose kontrollimi i saj për arsye të frikës nga pamundësia e edukimit si duhet dhe kujdesi ndaj tyre, pasi nëse janë të shumtë dhe me mosha të përafërta, pa dyshim është më vështirë dhe përgjegjësia është më e madhe, atëherë lejohet kontrollimi i shatatëzanisë.
Ajo që ndalohet kategorikisht në këtë problematikë është pengimi i shtatzanisë me forma apo mjete që shkaktojnë sterilizimin e femrës apo mashkullit. Me fjalë tjera të ndërpritet plotësisht aftësia e lindjes te çifti. Për këtë lloj planifikimi të familjes kanë folur dijetarët bashkëkohorë dhe të gjithë ata janë kategorikë në ndalimin e kësaj. Pra, kushti themelor në pengimin e shtatëzanisë është që të përdoren mjete ose forma që përkohësisht e pengojnë shtatzëninë. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
[1] http://en.wikipedia.org/wiki/An_Essay_on_the_Principle_of_Population
[2] http://hr.wikipedia.org/wiki/Thomas_Robert_Malthus
[3] http://hr.wikipedia.org/wiki/Thomas_Robert_Malthus
[4]http://ar.wikipedia.org/wiki/%D8%AA%D9%88%D9%85%D8%A7%D8%B3_%D9%85%D8%A7%D9%84%D8%AA%D9%88%D8%B3
[5] Enbija, 17.
[6] Kamer, 49.
[7] Fusilet, 10.
[8] Hud, 6.
[9] Dharijat, 58.
[10] Isra, 31.