1.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Shefi i ri i EULEX-it kërkon partneritet me institucionet e Kosovës

Më të lexuarat

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, kërkon partneritet dhe bashkëpunim të mirë me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës.

Shefi i ri i këtij misioni, diplomati gjerman, Berndt Borchardt tha se pret bashkëpunim dhe partneritet me qeverinë e Kosovës për përmbushjen e shumë sfidave të përbashkëta.

Ai ka filluar tashmë punën në postin e shefit të EULEX-it duke zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, zëvendëskryeministren Edita Tahiri si dhe ka zhvilluar një takim pune me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.

Borchardt ka inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut që po udhëhiqet nga Bashkimi Evropian. Ndërkaq ka premtuar ndihmën dhe mbështetjen e EULEX-it në këtë aspekt.

“Ne kemi shumë vullnet që të ndihmojmë në zbatimin e marrëveshjeve dhe në këtë rrafsh do të bëjmë çmos që t’i ndihmojmë palët që t’i shtyjnë këto çështje përpara”, ka thënë Borchardt.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri kërkoi nga misioni i EULEX-it që të angazhohet në shpërbërjen e strukturave paralele serbe, duke potencuar se, shpërbërja e tyre është një kusht që marrëveshjet e arritura në Bruksel të zbatohen.

“Të gjitha këto marrëveshje janë në zbatim e sipër, por një prej pengesave kryesore me të cilat ballafaqohen janë strukturat ilegale në pjesën veriore. Andaj, zhbërja e tyre është një nevojë dhe një kusht që këto marrëveshje të plotësohen por edhe të hiqen pengesat tjera për lëvizjen e lirë, si barrikadat dhe logjika e barrikadave të rrugëve. Pra, me fjalë tjera, të kemi mundësinë që atë që jemi marrë vesh në Bruksel si dy shtete ta zbatojmë në plotësi”, ka thënë Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka kërkuar mbështetjen e EULEX-it edhe në fusha tjera që ndërlidhen me sundimin e ligjit dhe drejtësinë.

Ajo kërkoi që EULEX-i të ndihmoj në këto fusha në mënyrë që Kosova të arrijë deri te nënshkrimi i marrëveshjeve kontraktuale me Bashkimin Evropian si dhe të marr vendimin pozitiv nga Brukseli për heqjen e regjimit të vizave.

Përderisa diplomati gjerman Borchardt tha se EULEX-i ka përvojë dhe vullnet që t’i ndihmoj institucionet e Kosovës në përmbushjen e agjendës evropiane.

“Kosova ka një agjendë ambicioze evropiane. Ne jemi këtu për ta përkrahur rrugën tuaj drejt BE-së. EULEX-i ka përvojë të madhe për tu përball me shumë sfida”, ka thënë Borchardt.

Agjenda evropianë u tha se ka dominuar edhe takimin që shefi i ri i EULEX-it zhvilloi me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.

“Ka shumë detyra para EULEX-it nga sundimi i ligjit e deri te hapat konkret që duhet ndërmarrë për zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë. Unë jam i sigurtë që ne do të punojmë krah për krah sepse kemi një qëllim të përbashkët – ta ndihmojmë Kosovën të behët pjesë e familjes evropiane”, ka thënë Zbogar.

Ndërkaq pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, zyra e këtij të fundit ka lëshuar një komunikate me shkrim ku thuhet se Krasniqi ka çmuar ndihmën që EULEX-i i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë viteve të misionit të tij, por ka kërkuar që kjo mbështetje të rritet edhe më tej në të ardhmen, si në fushën e sundimit të ligjit, ashtu edhe në procesin e integrimeve euro-atlantike.

Diplomati gjerman, Bernd Borchardt, ka pasuar në këtë post gjeneralin francez Xavier Bout de Marhnac.

Borchardt ka shërbyer në Kosovë gjatë kohës së luftës. Ai ka qenë zëvendësshef i misionit verifikues të OSBE-së që udhëhiqej nga ambasadori amerikan, William Walker. Po ashtu, ai ka shërbyer edhe si ambasador i Gjermanisë në Shqipëri nga viti 2006 deri më 2007.

Misioni i EULEX-it ka miratimin e institucioneve të Kosovës për punën që bën në kuadër të sundimit të rendit dhe ligjit.

Gjatë punës së vet në Kosovë, EULEX-i është ballafaquar kryesisht me disa nga rastet e cilësuara si më të nxehtat në të cilat ka akuzuar dhe nisur procese gjyqësore edhe ndaj disa figurave politike dhe atyre të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke u marrë edhe me rastet më të rënda për drejtësinë, EULEX-i është vënë shpesh edhe në thumb të kritikave nga një pjesë e spektrit politik kosovar./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit