-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Si ndikoj Islami në Matematikë?

Më të lexuarat

MENDIMI SHKENCOR GJATË SHEKUJVE

Mendimi shkencor, pa dyshim çdoherë ka inicuar progres, të cilin njerëzimi e ka realizuar në epoka të ndryshme të historisë së tij. Njeriu, duke shfrytëzuar metodat eksperimentale, qysh në fillim të historisë së tij ka arritur të gjejë rrugën, me të cilën ka arritur deri te e vërteta shkencore, e cila përfshin shkencat natyrore themelore: kimi, fizikë, matematikë, astronomi, gjeologji, biologji si dhe aplikimin e saj në mjekësi, bujqësi, teknikë, farmaci, veterinari etj.
Shumë historianë, të cilët miren me historinë e shkencës dhe kulturës, tregojnë vetëm për dy periudha, Greke dhe periudha e Renesansës evropiane duke mos përfillur plotësisht rrjedhat kulturore të popujve lindor, të cilët kanë paraprirë periudhës Greke të zhvillimit të mendimit shkencor (Kinez, Sumere, Asireve, Babilonit, Fenikasëve si dhe kultura dhe civilizimi i Egjiptasve të vjetër). Kështu shumica prej tyre i bashkangjesin periudhën e Aleksandrisë në atë Greke. Aleksandria ka qenë prijëse disa shekuj në mendimin shkencor. Është e vërtetë se ajo ka qenë vazhdim i periudhës Greke, por në tokën egjiptase me qendër në Aleksandri, me Universitet të vjetër, me bibliotekë të pasur dhe muze të mëdha. Gjëja e tretë, të cilën dëshirojmë të theksojmë, e cila i përket historisë së shkencës dhe mendimit shkencor është mospërfillja e rolit të shkencëtarve arabë, të cilët në periudhën Islame kanë përkthyer në gjuhën arabe, përparuar, pasuruar dhe zgjeruar shumë shkenca dhe të mbërrimet kulturore të popujve perëndimor dhe popujve të tjerë. Veprat e shkencëtarëve arabë kanë qenë literaturë themelore në Universitetet Evropiane deri në fund të shek. XVII. Shumë historianë, të cilët objektivisht i shikojnë gjërat, i japin mirënjohje shkencëtarëve arabë dhe pohojnë se pa ta shkencëtarët e Renesansës evropiane do të ishin të detyruar të fillojnë prej nga kanë filluar këta, e me këtë edhe karavani i zgjimit kulturor do të vonohej disa shekuj.
Në këtë pjesë do të tentojmë të tregojmë në epoka të ndryshme shkencore, para se të tregojmë se çka kanë kontribuar shkencëtarët arabë në fushën e shkencave natyrore.

1. PERIUDHA MË E VJETËR

Disa historianë konsiderojnë se njohuritë shkencore kanë filluar qysh nga epoka e gurit, kur njeriu para 400.000 vj. ka bërë armë dhe vegla prej guri me formë të caktuar, që është një dëshmi që të menduarit mbi formën dhe përdorimin e kanë paraprirë formimit të tyre. Pa dyshim se njeriu i parë në tentimet e tij ka dështuar, bile shumë herë. Ato janë forma primitive të provave, eksperimenteve, në të cilat ai ka gabuar dhe përmirësuar gabimet e veta deri sa më në fund ka gjetur rrugën për zgjidhjen e problemeve të veta të përditshme, e me te edhe rrugën kah shkenca dhe e vërteta shkencore. Kështu, njeriu para më tepër se 30.000 vj. ka ditur për vizatim, ndërsa para 15.000 vj. ka filluar të miret me bujqësi, në këtë mënyrë ka kaluar prej vjeljes së fruteve të gatshme në prodhues, i cili ka prodhuar më tepër së sa që ka qenë e nevojshme për jetë. Me kalimin e kohës ka njohur kohën më të mirë për mbjellje dhe korrje. Këtë e ka lidhur me orët e punës dhe pushimit, ditën dhe natën, lëvizjen e Diellit, Hënës dhe trupave të tjerë qiellor. Me zhvillim më të shpejtë të kulturës dhe civilizimit njerëzor vjen deri te shfaqja e jetës në bashkësi dhe atëherë, njeriu kalon prej kohës së gurit në kohën e metalit (bronza, hekuri). Me zhvillim më të shpejtë të kulturës dhe afarizëm të ndërlikuar ka ardhur deri te zhvillimi i tregëtisë, përdorimit të numrave dhe përdorimit të letrës së “gozhduar”. Në bazë të këtyre u formuan civilizime dhe kultura të larta buzë lumenjve dhe në luginën e Nilit në Egjipt, në meslumenjve (Mesopotamia) te asirët, babilonët, sumerët dhe pas meslumenjve te indianët (Indi) dhe kinezët. Në këto vende ka shkëlqyer shkenca dhe mjeshtria: astronomia, matematika, minerologjia, teknika, mjekësia, balsamimi etj.
Mendimi shkencor në këtë periudhë më të vjetër i ka dhuruar njerëzimit shumë forma komoditeti dhe luksi, të cilët kanë qenë të panjohura për njerëzimin në fillim të historisë së saj. Njeriu, atëherë, u vendos në banesa, ndërtoi tempuj (falëtore) dhe varreza, u mor me mjekësi, prodhoi letrën, qelqin, ngjyrën dhe tesha, përgatiste aroma dhe barëra dhe në fund shpiku shkrimin me të, në të cilën ka shënuar diturinë e saj në papirus dhe mure të tempujve me hieroglife të egjiptasit e vjetër, ndërsa te asirët dhe babilonët në pllakën e argjilit me letër të “gozhduar”.

2. PERIUDHA GREKE

Të arriturat (sukseset) shkencore të popujve lindor kanë kaluar te grekët dhe nga shekulli i VII p.e.r. shkëlqen kultura dhe shkenca greke. Shumë shkencëtarë grekë filluan të miren me shkencë dhe filozofi, duke dhënë supozime dhe teori të ndryshme. Më të shkëlqyeshëm në mesin e tyre ishin: Talesi i Miletës (rreth 640-546 p.e.r. njëri prej “shtatë dijetarëve”, Aristoteli e emërton si themelues të filozofisë natyrore, fizikës, themelues të shkollës filozofike të Miletës. Ka mësuar se uji është arhe dmth. burim i çdo gjëje ekzistuese); Anaksimandri i Miletës (rreth 610-546 p.e.r. filozof grek, nxënës i Talesit, për burim dhe strehim të çdo gjëje ka marrë apeiron-in dmth. Ajo që është e pacaktuar, padefinuar, pafund); Anaksimeni i Miletës, (585-528 p.e.r. filozof grek, nxënës i shkollës së Miletës, ka mësuar se ajri është arhe, dmth. burim i çdo gjëje që ekziston); Hipokrati (460-377 p.e.r. mjek grek, njëkohësisht mjek më i madh i kohës antike, në kohën e Periklos ka udhëhequr shkollën në ujëdhesën Kos), me veprimtarinë e vet ka përfshirë më së miri diturinë mjekësore të kohës së vet dhe ka qenë inicues i shërimit klinik. Teoria e tij bazohet në ndryshimin e lëngjeve trupore. Njëra ndër teoritë kryesore të tij është shërimi i vet fuqisë së natyrës. Etika e tij është themel i betimit, të cilin e japin mjekët, (Betimi i Hipokratit); Pitagora nga Somosa (shek. VI p.e.r. filozof grek dhe matematicient, themelues i shkollës, e cila ka mësuar se numri është thelbi dhe principi i çdo gjëje që ekziston dhe se bota është sistem harmonik i numrave dhe marrëdhënjes së tyre. Teorema e Pitagorës, tabela e shumëzimit dhe sistemi dekad është nxitur nga kjo shkollë), Demokriti (460-370 p.e.r. filozof grek, ka ndërtuar sistemin atomistik të filozofisë së natyrës, ekziston vetëm atomi dhe hapsira e zbrazët, shpirti është ndërtuar prej “atomeve më të zgjedhura (elegant, delikat) të zjarrit”, pamja është pasqyrim mekanik i kushtëzuar me figura, të cilën kjo e kushtëzon, i përshkruhen fragmente mbi jetën korekte, i cili përmban elemente të etikës eudajmonistike, drejtimi filozofik, i cili konsideron gëzimin dhe lumturinë motiv kryesor, shkakun dhe qëllimin e të gjitha aspiratave tona); Sokrati (470-399 p.e.r. filozof grek, mësimi i tij shënon preorijentimin e filozofisë nga kosmologjiko-ontologjik kah antropologjiko-etik të pyetjeve, filozofinë e tij e karakterizon metoda e posaçme: pas konfirmimit të kundërthënjeve dhe të panevojshmërisë me kuptime dhe bindje të zakonshme konstatohet mungesa e diturisë (ironia) dhe pas provave sistematike dhe me ndihmën e analizave të shumta, shembujve (indukcioni) bashkëbiseduesi të bindet vetë dhe të vjen deri te e vërteta, kuptimi në formë të definicionit të shprehjes së diturisë, e cila sipas paragjykimit në formë të paqartë dhe në ndërdije ka ekzistuar më parë); Platoni (427-347 p.e.r. filozof grek, nxënës i Sokratit dhe mësues i Aristotelit. Filozofija e tij bazohet në teorinë e formës, sipas së cilës ndryshimet individuale të gjërave të botës së ndjenjave janë imitim i papërsosur i formave transcedente dhe formave të përgjithshme të pandryshuara (idea) e kuptueshme vetëm kontenplacionit të shpirtit. Njohja është kuptim i pavdekshmërisë së shpirtit në botën e formës), Aristoteli (384-322 p.e.r. filozof grek, mësues i Aleksandrit të Maqedonisë, themelues i shkollës peripatetike (Likej). Së bashku me Platonin filozof më eminent i shekullit të vjetër. Ka mësuar se ontike është primare, ajo është individuale (supstanca), që është bashkimi i materies dhe formës, me ç’rast forma është çdoherë prezente në materie si mundësi dhe tendencë e saj. Materia dhe forma janë ketëgori relative, me ç’rast bota është sistëm i kierarkisë dhe teologjisë, në maje të së cilës është një formë e vetme e pastër, iniciator i pëlëvizshëm i çdo gjëje që lëviz – Zoti. Logjikën e ka themeluar në mësimin e tri principeve të mendimit të shëndosh; principi i identitetit, kundërthënies dhe eliminimin e të tretës. Në etikë ka përfaqësuar audajmonizmin racional dhe në te ka themeluar doktrinën mbi virtytin (vlerën) intelektual dhe virtytet e karakterit. Kjo e dyta është përmbajtja racionale e arsyeshmërisë në mes të dy ekstremeve). Emrat e këtyre filozofëve edhe sot e kësaj ditë dëgjohen. Mendimi shkencor në këtë periudhë (greke) i ka dhuruar njerëzimit më shumë se cila do periudhë para kësaj kohe në lëmin e filozofisë dhe shkencës, teori dhe ligje, të cilat njerëzimi më parë nuk i ka njohur. Kështu njerëzimi u njohtua me ligjet e kimisë, teorinë e elementeve, teorinë e numrave, teorinë atomistike të Demokrtitit, teorinë e Hipokratit në mjekësi, Pitagorës në matematikë, Platonit në gjeometri dhe në anatomi, biologji dhe minerologji, duke marrë nga mësuesi i parë, Aristoteli, më shumë se cilit do tjetër.
Shkenca greke zotëronte. Athina mburrej me Akadaminë e Platonit dhe Liken e Aristotelit. Kultura dhe shkenca greke dominonte edhe në vendet fqinje, të cilat dikur kanë pasur kulturën e zhvilluar, por e cila nuk ka qenë e fortë të durojë mendimin shkencor të vrullshëm grek. Kjo është shkas për shumë historianë që periudhën greke ta marin si fillim i vërtetë të mendimit shkencor, edhe pse është e qartë se kultura dhe shkenca greke nuk ka mundur papritmas të paraqitet në këtë nivel, duke mos shfrytëzuar kulturat, të cilat kanë paraprirë. Historikisht janë vërtetuar kontaktet dhe lidhjet e shkencëtarëve grek me shkencëtarët e egjiptasë të vjetër në brigjet e Nilit dhe me Babilonasit në Mesopotami. Nuk ka dyshim se mendimi shkencor në periudhën greke ka bërë këcim të madhe dhe i ka dhuruar njerëzimit komoditët shpirtëror dhe kulturë materiale. Kjo periudhë e art e civilizimit dhe kulturës greke, fatëkeqësisht ndërpritet me vdekjen e Aleksandër Makedonskit (mbret i Maqedonisë, djali i Filipit II dhe Olipijës, njëri prej udhëheqësve më të medhenj botëror, nxënës i Aristotelit. (Me ndihmën e tij ka ardhur deri te paraqitja dhe zgjerimi i kulturës helene në Lindje, e cila ka qenë përzierje e kulturës greke dhe asaj të Lindjes së afërt). Pasi që Aleksandër Makedonskin nuk ka pasur kush ta trashëgojë, udhëheqësit e tij “dijadosët” filluan luftën për pushtet mes vete. Në këtë luftë pësuan shumë shkencëtarë ndërsa shumica kanë qenë të detyruar të lëshojnë Greqinë.

3. PERIUDHA E ALEKSANDRISË

Një numër i madh shkencëtarësh grekë emigruan pas Ptolomejit në Aleksandri. Ptolomeji ishte adhurues i shkencës dhe mbrojtjes i shkencëtarëve. Për këtë arsye nuk është për t’u çuditur që një numër i madh i shkencëtarëve e lëshoi Athinën dhe shkoi në Aleksandri ku e themeluan Universitetin e Aleksandrisë qysh në shek. III p.e.r. krijuan kulturën dhe civilizimin e lartë dhe me këtë e bartën prej Athinës në Aleksandri qendrën e krijimit të shkencës dhe kulturës. Universitetin e themeloi Ptolomei. Stratoni plot 20 vj. e udhëhoqi Universitetin dhe në fund përsëri kthehet në Athinë dhe vazhdon punën në Like edhe 8 vj. Universiteti i Aleksandrisë nuk ka pasur vetëm institutin, por ka pasur edhe bibliotekën, me mijra vëllime si dhe muzeun me laboratorium, kopshtin zoologjik dhe kopshtin botanik. Kështu Aleksandria bëhet prijës i rilindjes kulturore dhe ishte dritë e shkencës, disa shekuj me rradhë. Mendimi shkencor ia dhuroi njerëzimit, në këtë kohë, kulturën, të cilën më parë nuk e ka pasur dhe këtë me ndihmën e disa shkencëtarëve si: Ptolomei, Arhimedi, Galeni, Dioskorides, Oribasios, Berklis, Theon dhe vajza e tij Hypatija. Këta kanë lënë shumë vepra shkencore. Mjafton të theksoj vetëm Ptolomejin (Claudius Ptolomej, astronom grek, matematicient dhe gjeograf, përfaqësues i shkollës së Aleksandrisë, krijues i sistemit botëror të Ptolomejit e bazuar në teorinë gjeocentrike – Toka paraqet pikën e caktuar të palëvizshme, qendra e sistemit Diellor, planeteve, yjeve dhe kometave, të cilët sillen rreth saj. Ky sistem vlente deri te koha e Kopernikut, i cili vërtetoi rrotullimin e dyfishtë të planetëve, rreth aksit të vet dhe rreth Diellit), dhe vepra e tij Almagest në astronomi, e dyta në gjeografi, e treta në optikë, dhe ta përkujtojmë Euklidin dhe veprën e tij të shquar Elementet e gjeometrisë, Galeni dhe vepra e tij në mjekësi, Dioskoridesa dhe vepra e tij në botanikë, Theonea dhe vepra e tij në matematikë, Oribasiosa dhe vepra e tij në mjekësi dhe shumë të tjera. Këto vepra ishin literaturë kryesore, e cila është përkthyer, studiuar dhe analizuar gjatë shekujve mesjetar. Universiteti i Aleksandrisë ishte qendër e krijimtarisë aktive intenzive shkencore. Shencëtarët në këtë Universitet shumë njohuri shkencore kanë plotësuar dhe përparuar. Për fat të keq, biblioteka e Aleksandrisë është djegur shumë herë. Bibliotekën e ka djegur Julia Cezari gjatë ikjes, ose atë e ka djegur masa e popullit, e cila ka detyruar për të ikur, ndërsa Marko Antonjo që të kompenzoj këtë humbje ia dhuroi Kleopatrës 200.000 vëllime nga biblioteka e Azisë së Vogël.
Biblioteka e Aleksandrisë edhe pas kësaj pësoi disa djegie dhe në fund njëra plotësisht e shkatërroi. Për shkak të konfrontimit në mes të krishterëve dhe idhujtarëve, shkencëtarët për herë të dytë ishin të detyruar të emigrojnë. Rruga e tyre tash i çonte kah lindja ku një kohë ndejtën në Edesë, e pastaj vazhduan kah drita, e cila shkëlqente nga lindja Arabe, kah Bagdadi, kryeqyteti i Abasisë. Njerëzimi ka shkuar pas mendimit shkencor sepse ajo i ofronte rahati dhe kulturë.

4. PERIUDHA ISLAME

Islami i ka dhënë nxitim të madh shkencës. Mugjizja (fshehtësia) më e madhe e islamit është Kur’ani, ndërsa ajeti i parë është Ikre (lexo, mëso, studio). Në shumë ajete të Kur’anit islami kërkon që të mendohet për mbretërinë e qiellit dhe Tokës, kozmosit dhe qenieve të gjalla në të, si dhe prej çkafit janë krijuar? Ajetet e Kur’anit bëjnë qartë dallimin në mes të atyre që dinë dhe të atyre që nuk dinë, që i kanë kontribuar shkencës dhe që nuk i kanë kontribuar. I dërguari i Zotit xh.xh. Muhammedi a.s. i ka dhënë përparësi mbledhjes shkencore, ndaj mbledhjes për shkak të zikrit. Ai ka ndarë njerëzit në tri kategori: alimët, nxënësit dhe njerëz të tjerë të zakonshëm. Ai i ka dhënë detyrë çdo muslimani që ta kërkojë shkencën ose dijen prej djepit deri te vorri, të kërkoj shkencën edhe në Kinën e largët. Ai ka bërë krahasimin në mes të ngjyrës së lapsit të shkencëtarit dhe gjakut të shehidit, duke i dhënë përparësi çdo herë të parit. Ai ka thënë se hapi në rrugën e shkencës është më mirë se njëqind marshime ushtarake. Si dhe shumë ajetë dhe hadithe, të cilat është e pamundur të numërohen që stimolojnë fort kërkimin e shkencës.
Për këtë arsye kur janë rregulluar mardhëniet brenda shtetit islam, i cili territorialisht shtrihej prej Kinës në lindje deri në Francë në perëndim, shkencëtarët islamë menjëherë filluan veprimtarinë përkthyese në të gjithë lëmenjtë e shkencës. Ata kanë përkthyer vepra nga kultura e grekëve, romakëve, nga kultura e Persisë, Indisë, Kopte, Aramejës dhe gjuhës hinduse. Kanë përkthyer mijëra libra. Janë themeluar shumë biblioteka. Kalifët dhe Emirët me bujari i kanë ndihmuar shkencëtarët në veprimtarinë e tyre. Kalifa Harun ar-Reshid ka marrë haraqin në libra, ndërsa kalifa Al-Me’mun peshën e verës së përkthyer e ka paguar me ari. para se u themeluan shkollat, oborri i kalifes, shtëpia e shekncëtarit, bibliotekat dhe xhamitë e mesxhidet kanë luajtur rolin e universitetit, të cilat i vizitonin studentët nga të gjitha vendet e botës. Çdo kush që kërkonte shkencën në atë kohë, gjente vendin ku përfitonte dituri, mësuesin para të cilit ka mësuar dhe mjetet materiale me të cilat ka qenë e siguruar ekzistenca gjatë shkollimit. Kështu xhamitë: Al-Mensur në Bagdad, Al-Emevi në Damask, Al-Azhar në Kajro, Al-Kajrevan në Tunis, Al-Karavijin në Marok, Kutuba në Endeluzi (Andaluzi-Spanjë), xhamia e madhe në San, Bejt al-Hikmet në Bagdad, Dar al-Ilm në Mosulu, biblioteka Ibn Sevar në Basra, Ibn ash-Shatir në Siri dhe Dar al-Hikmet në Kajro kanë qenë vatër e shkencës dhe e mendimit shkencor, institutet në nivel më të lartë, të cilët kanë punuar në kuadër të kalifëve dhe mbretërive të disa oborreve mbretërore si këto: Al-Me’mun, Nizam al-Mulk, Nureddin Zenki, Al-Hakim bi Emirill-llahi, Sallahuddin Ejub dhe shumë të tjerë, të cilët zënë vend më të lartë kur është fjala për shkencë, për veprimtari shkencore dhe për përkrahjen, të cilën njerëzit eminentë ia kanë dhënë.
Në këtë rreth të shëndosh shkencor, në atmosferë të mendimit të lirë dhe të kërkimit shkencor, lindi një numër i madh shkencëtarësh, të cilët mund të numërohen në kapacitetet më të mëdha të të gjitha kohërave. Gjuha arabe ishte gjuhë e shkencës, me të janë shkruar shumë vepra, të cilat janë lexuar në të gjitha vendet e shtetit të madh islam. Aktiviteti i përkthimit shkëlqente, i cili përjetoi lulëzim të madh, pastaj erdhi periudha e krijimit origjinal në lëmenjtë e ndryshëm shkencorë. Janë përkthyer shumë vepra shkencore, ndërsa me kohë krijuan edhe vepra origjinale. Mendimin shkencor e kanë pasuruar edhe me teori të reja, shikimet dhe mendimet, të cilat fatkeqësisht i janë atribuar të tjerëve.
Ata kanë folur për evolucionin, krijimin dhe zhvillimin e jetës si dhe ndikimin e mjedisit në qeniet e gjalla. Për këtë disa shekuj para Lamarkit dhe Darvimit kanë shkruar Ibn Miskavej, Ihvan as-Safa dhe Ibn Haldun. Kanë caktuar ligjin e përgjithshëm të gravitetit dhe kanë precizuar kuptimet themelore të mekanikës: shpejtësinë, peshën dhe hapësirën edhe pse këto më vonë i janë përshkruar Njutnit. Është vërtetuar se për këto kanë shkurar Al-Hazin e shumë të tjerë me qindra vjet para Njutnit.
Ibn al-Nefis disa shekuj para Herfit ka sqaruar qarkullimin e vogël të gjakut, ndërsa Ibn al-Hejsem natyrën e dritës, shpejtësinë dhe ligjin e thyrjes së saj shumë më herët se shkencëtarët evropianë. Përveq këtyre, shkencëtarët arabo-islam kanë matur gjatësinë e meridianit të Tokës, kanë regjistuar barasditën pranverore dhe vjeshtore, kanë caktuar dimensionet e planeteve dhe largësinë ndërmjet tyre para Galileit, Keplerit dhe Kopernikut. Dukshëm e kanë përparuar edhe astronominë. Njohjet astronomike kanë plotësuar dhe kanë zgjeruar Al-Bettani, Al-Fergani, Al-Kindi, Al-Havarizmi, As-Sufi e shumë të tjerë. Al-Havarizmi ndër të parët ka përdorur numrat në matematikë, në vend të llogaritjes shkrimore (me shkrim). Ai ka caktuar dy seri të numrave, e para është njohur me emrin si numra indianë, e dyta është e njohur me emrin gabare ose numra arabë. Seria e parë e numrave përdoret dendur në lindjen arabe, ndërsa e dyta përdoret në pjesën perëndimore arabe dhe në Evropë. Al-Havarizmi gjithashtu ka sistematizuar deri atëherë diturinë e shpërndarë nga matematika, duke ia vënë themelet e aritmetikës dhe algjebrës. Shkencëtarët arabë gjithashtu kanë shkruar një numër të madh veprash nga biologjia, mineralogjiaa, astronomia, matematika, kimia, farmacia, trigonometria, gjeometria, mjekësia, muzika etj. Është e pamundur të ceken të gjitha meritat, që kanë dhënë për përparimin e shkencës dhe të mendimit shkencor si p.sh. Ibn al-Hejsem, Al-Bejruni, Al-Kindi, Al-Gafiku, Al-Bagdadi, Al-Kazvini, Ibn Miskavejh, Al-Gjahiz, Gjabir ibn Hajjan, Ibn an-Nefis, Ibn al-Bejtar, Davud al-Antaki, Al-Makidisi, Al-Bettani, Al-Fergani, Al-Idrisi, Ibn Magjid, Ad-Dejnuri, As-Sufi, Ibn Hamza, Ibn Junus, Ar-Razi, Al-Gjeldeki, Al-Havarizmi, Musa Ibn Shakir etj. Veprat e këtyre shkencëtarëve kanë qenë literaturë themelore në universitet evropiane deri në fund të shek. XVII. Shumë historianë perëndimorë i japin mirënjohje shkencëtarëve islam për meritat e tyre, për kulturën e njerëzimit.
“Ne evropianët” thotë Cagori “mendojmë se kemi dhënë dhe kemi vërtetuar shumë teori, shikime dhe mendime, por në fund prap konstatohet se arabët në to kanë kaluar (lënë mbrapa). Popujt Arabo-Islamë kanë bartur flamurin e rilindjes kulturore disa shekuj me radhe në kohën kur Evropa ka qenë në detin e errësirës. Mendimi shkencor në periudhën islame i dhuroi njerëzimit shumë forma të rahatis, kulturës, mirëqenies, duke ia dhurar mësuesin Al-Farabi dhe Ibn Sina”.
Sikur të kishte vazhduar zgjerimin e saj, ky zgjim i përgjithshëm shkencor, renesansa evropiane me të cilën Evropa sot mburret, do të ishte vepër e popujve islam. Por Bagdadi ra para sulmit të mongolëve dhe tatarëve, më vonë të Turqisë dhe kolonizmit të Evropës perëndimore … dhe Evropa u zgjua.

5. PERIUDHA E RENESANSËS EVROPIANE

Në kohën kur civilizimi dhe kultura arabe, në periudhën islame, filloi të dobësohet dhe të zhduket, Evropën e kaploi vala e re e zgjimit kulturor. Evropianët kanë pranuar të arriturat arabe në fushën e shkencës dhe të kulturës, shekulli XIII është periudha e përkthimit nga gjuha arabe në atë evropiane. Universiteti i Paristi, Oksfordit, Kembrixh, univeristetet në Itali dhe në vendet tjera evropiane. Një numër i madh i shkencëtarëve dhe profesorëve universitarë kanë ndikuar fuqishëm në zgjimin e mendimit shkencor evropian. Në mesin e tyre vend të posaçëm zënë Robert Grost, Albert Megnus, Rogjer Bekon etj, gjatë shekullit XIV dhe XV pasojnë edhe zbulimet e mëdhaja gjeografike. Vasko de Gama lundron rreth Afrikës dhe arrin deri te arkipelagu i Malezisë. Kapiteni i anijes në këtë rrugë ishte Ibn Mexhid. Kristofor Kolombo duke kërkuar rrugën për në Indi arrit në Amerikë.
Zbulimi i shtypit kah gjysma e shek. XV paraqet kthësë në zgjimin kulturor të Evropës. Atëherë bëhet ringjallja e kulturës dhe civilizimit grek dhe arabo-Islam. Shumë vepra greke dhe arabo-Islame në lëmenjtë e ndryshëm shkencorë janë publikuar dhe kështu janë përhapur. Emrat më të shkëlqyeshëm të renesansës evropiane janë: Frensis Bekon, Rene Dekard, Isak Njutn, Johans Kepler, Nikolla Kopernik, Galileo Galileu, Gjordano Bruna, Antoan Lavazije, Lui Paster, Robert Koh, Çarlls Robert Darvin, Zhan Batist de Mone Lamark, Zhorzh Kivje, Gjon Dalton etij., të cilët kanë ndikuar fort në zhvillimin e shkencës dhe të mendimit shkencor në periudhën e zgjimit të Evropës. Me zbulimin e mikrosokopit bëhet revolucion edhe në shkencat biologjike (Anton von Levenhuk). Me themelimin e universiteteve dhe institucioneve të tjera shkencore, hapen horizonte të reja të njohjes.
U bë ndarja e shkencave natyrore, ndaj ishte i pamundur arsimimi i gjithanshëm i njeriut sikur më parë. Në vend të arsimimit encikolopedik u kalua në specializime në disa lëmenj të shkencave. Të gjitha këto nxitën zbulimet e rëndësishme, të cilat së shpejti njeriun e shpiejnë në kohën atomike dhe raketore.

6. PERIUDHA E RE

Nuk është aspak lehtë të caktohet kufiri ndërmjet periudhës së renesansës evropiane dhe kohës së re. Shumica mendojnë se koha e re në të vërtetë është vazhdim i periudhës së renesansës. Mendimi shkencor me shpejtësi të madhe ka shtyrë njeriun përpara. Ai duke vënë në shërbim fuqinë e avullit të ujit, shumë shpejt sundoi mbi elektricitetin, ndërsa me thyerjen (zbërthimin) e atomit, njeriu kërcej në kohën atomike dhe raketore dhe më në fund me anije kozmike filloi pushtimin e gjithësisë. Përparimi i teknikës i kontriboi edhe përparimit të ekonomisë, radioteknikës dhe televizionit. Ne sot, me përpikëri flasim për strukturën e atomit për viruset dhe për bakreriet, duke u mbështetur në mikroskopin elektronik, i cili zmadhon me qindra mijëra herë, lansojmë raketa disa fazëshe, ndaj kësaj apo asaj planete me shpejtësi mbi 70.000 km/h, ndërsa udhëtimi për në hënë me përdorimin e lëndës djegëse atomike do të zgjasë disa orë. Me zbulimin e spektoroskopit, njeriu i kuptoi elemetet e planeteve dhe të trupave të tjerë qiellor. Me zbulimin e penicilinit, sulfapreparateve dhe të antibiotikëve të tjerë janë arritur suksese të mëdha në mjekësi, në shërimin e sëmundjeve të ndryshme. Të dy luftërat botërore në masë të madhe kanë ndikuar si në zhvillimin e mendimit shkencor, po ashtu edhe në orientimin e kërkimveve shkencore. Përparim i madh është arritur në industrinë ushqimore dhe në lëmin e sintezës së materialeve organike. Me zbatimin e këtyre rezultateve u bë i mundshëm prodhimi i materialeve të ndryshme sintetike: Kauçukut, benzina, fijet artificiale dhe mjete të ndryshme, të cilat përdoren për pastrimin kimik.
Në Luftën e Dytë Botërore të dy blloqet punonin ngutshëm në zbulimin e fshehtësisë së energjisë atomike. Aleatët, të parët ia arritën qëllimit, ndaj njerëzimi për herë të parë u bind në fuqinë shkatërruese të energjisë nukleare me anë të bombës atomike, e cila u gjuajt në Hiroshimë dhe në Nagasaki. Prej asaj dite e këndej dëgjojmë për reaktorët nuklearë, të cilët prodhojnë elemente radioaktive: arin, jodin, fosforin dhe strociumin, të cilët përdoren për shërimin e shumë sëmundjeve. Gjithashtu dëgjojmë për centralet elektrike, të cilët i vënë në lëvizje energjia atomike, dhe stacionet në të cilat me destilimin e ujit të detit përfitohet uji i ëmbël. Në këtë mënyrë do të zgjidhej problemi i ushqimit të njrëzimit, që dita ditës është në rritje e sipër. Përveç kësaj në kohën e re shkencëtarët kanë arritur që me rrugën kimike të përfitojnë ngjyrat sintetike, fijet sintetike, kauçukun sintetik dhe kështu të rrisin sipërfaqen mbjellëse për grurë në të cilat më parë janë kultivuar bimët industriale prej të cilave janë përfituar kauçuku natyral, ngjyra dhe fije të ndryshme natyrale. Përparim i madh është arritur në kohën e re si në bujqësi, me zbatimin e mjeteve agroteknike, po ashtu në indurstri dhe në komunikacionin tokësor, detar dhe ajror. Çdo ditë dëgjojmë për zbulimet në lëmenj të ndryshem shkencorë, kështu që edhe ata që janë specializuar në degët e caktuara, është e pamundur ta përcjellin zhvillimin e shpejtë të mendimit shkencor. Njreiu për një kohë shumë të shkurtër, e cila nuk është më tepër se 1% në krahasim me jetën e tij në Tokë, me ndihmën e mendimit shkencor kërceu nga koha e gurit në atë të metalit, koha e avullit, koha e elektricitetit, koha e atomit, e ku dihet se deri në cilët kufij do të arrijë në një të ardhme të afërt.

KONTRIBUTI I ARABËVE NË FUSHËN E SHKENCAVE NATYRORE

Në hyrje të këtij ekspozimi shkurtimisht sqaruam të arriturat shkencore të muslimanëve dhe kontributin e tyre në zhvillimin e mendimit shkencor dhe ndërtimin e kulturës dhe civilizimit njerëzor. Thamë se arabët kanë pasur rolin ndërmjetësues ndërmjet shkencës greke dhe asaj të epokës së re, dhe krahas ruajtjes së kulturës greke shumë dituri greke i kanë përparuar, zgjeruar dhe përsosur.
Por me pushtimet dhe shkatërrimet mongole dhe tatare, më vonë turke dhe kolonizimin e Evropës perëndimore e cila fatkeqësisht i arriti të shlyej faqet më të ndritshme të së kaluarës arabe, vala e zgjimit kulturor, e cila e kaploi botën arabe u ndërpre.
Në periudhën e krijimit shkencor dhe kulturor arabo-islam shkelqyen disa emra, të cilët mund të numërohen ndër shkencëtarët më të njohur të mendimit shkencor të epokës së re. Veprat e tyre ishin tekste shkollore për studim më të lartë në universitetet evropiane deri në fund të shek. XVII.
Në shkencat natyrore, posaqërisht në fushën e fizikës, matematikës dhe astronomisë, rezultate të rëndësishme kanë shënuar: Ar-Razi, Al-Kindi, Ibn al-Hejsem, Ibn an-Nefis, Ibn Sina, Al-Bejruni, Gjabir Ibn Hajjan, Al-Havarizmi, Al-Bettani, Al-Buzgjani, As-Sufi, Al-Kashi, Al-Antaki, Al-Bagdadi, Al-Hazin, Al-Kazvini, Al-Gafiki, Ibn Al-Bejtar, Al-Dumejri,- Al-Gjahidh, Az-Zehravi, Ibn Tufejl, Al-Farabi, Ibn al-Avvam, Ibn Junus, Ibn Hamza, Al-Gjeldeki, Al-Makdisi, Al-Idrisi etj. Çdo njëri prej tyre ishte jashtëzakonisht i talentuar dhe gëzonte autoritet në rrethanat shkencore të kohës së vet. Ishin fort të bindur që për zhvillimin e shkencave natyrore, përveç teorisë ishte i domosdoshëm edhe eksperimenti. Kur teoria dhe ekspreimenti bashkohen, atëherë është e mundur të arrihet deri te njohuria shkencore. Me këto mësime shkencëtarët arabo-islam me të vërtetë mund të konsiderohen paraardhës të Bekonës dhe shkencëtarëve të tjerë evropianë, të cilët janë skolastik dhe logjikës formale i kundërvihen me metoda të kuptimit të cilët nisen nga eksperimenti. Njohuria e parë sipas Gjabir Ibn Hajjanit mund të arrihet vetëm me ndihmën e eksperimentit. Ai nxënësit e vet i ka këshilluar se në shkencat natyrore duhet të bazohen vetëm në eksperiment, të vërejnë mirë shkaqet dhe të kuptojnë udhëzimet, sepse çdo shkencë ka metodën e vet të hulumtimit.
Me punën shkencore, sidomos me metodën me të cilën janë shëbyer në kërkimet shkencore, arabët në shkencat natyrore kanë arrritur rezultate shumë të rëndësishme. Kanë kuptuar se metoda racionale vetvetiu nuk mjafton dhe se dituria nuk mbështetet vetëm në arsye, por edhe në eksperiment. Vetëm në këtë mënyrë thotë Drajeri kanë arritur rezultate të larta dhe të rëndësishme në matematikë, astronomi, gjeometri, trigonometri, fizikë dhe shkenca të tjera natyrore.
Shkencëtarët arabë në këtë mënyrë kanë vendosur themelet e metodave të reja të metodologjisë së punës kërkimore shkencore. Ata kanë pas aftësi të madhe vëzhguese. Janë shëbyer me eksperiment, matjet me instrumente të ndryshme, të cilat i kanë konstuktuar vet. Al-Hazin ka konstruktuar aparatin për matjen e peshës së trupave në ujë dhe ajër, Al-Bejruni, aparatin për përfitimin e peshës specifike të shumë mineraleve, lëngjeve dhe trupave, të cilat treten në ujë, ndërsa Ibn Junus lavjrsin, të cilin astronomët arabë e kanë përdorur në eksperimentet e tyre. Kanë matur shtypjen atmosferike dhe kanë ditur se trupi është më i lehtë në ajër se sa në tokë.
Kanë ditur përbërjen dhe ndërtimin e atmosferës, kanë ditur se troposfera është më e ulët dhe shtresa më e dendur e mbështjellësit të gaztë të Tokës në krahasim me shtresat më të larta në të cilat gazet janë shumë të rralla.
Në matematikë, posaçërisht në fushën e gjeometrisë dhe të progresionit aritmetik, matematicientët arabë kanë arritur rezultate shumë të mëdha, ndërsa përmes hulumtimeve të progresioneve fuqimisht kanë ndikuar në formimin e llogaritjes diferenciale dhe integrale si dhe tabelave llogaritmike.
Al-Bejruni në mënyrë shumë precize ka caktuar peshën specifike të 18 metaleve deri te decimalja e katërt, e cila nuk ndryshon nga llogaritjet më të reja në kohën tonë në të cilën janë zbuluar instrumentet më të përsosura. Mënyra e tij e përfitmit të këtyre peshave u është e njohur shkencëtarëve perëndimorë. Ar-Razi ka përshkruar 25 instrumente të metalit dhe të qelqit, të cilët kanë qenë të njohura deri atëherë. Al-Idrizi, Al-Hazin, Al-Bejruni dhe shkencëtarë të tjerë kanë caktuar ligjet themelore të gravitetit. Nga vepra e Mizan Al-Hikmet, të cilën e ka shkruar Al-Hazin shihet qartë se ai ka pas paraqitje të qarta të marrëdhënies ndërmjet shpejtësisë, peshës dhe hapësirës.
Gjithashtu Ibn Miskavejh, Ibn Haldun dhe Ihvan as-Safa kanë folur disa qindra vjet para Darvinit për evolucionin dhe zhvillimin e jetës, si dhe për ndikimin e rrethinës në qeniet e gjalla.
Të gjitha këto si dhe shumë argumente të tjrea tregojnë për përparësinë e arabëve në shumë disiplina shkencore. Argumenti i pamohueshëm është që Ibn al-Hejsem, Al-Hazini, Al-Bejruni, Xhabir ibn Hajjan, Ibn Sina dhe shkencëtarë të tjerë arabë kanë qenë të domosdoshëm për paraqitjen e Kopernikut, Njutnit dhe shkencëtarëve të tjerë të renesanësës evropiane.

MATEMATIKA, ASTRONOMIA DHE FIZIKA

1. ARITMETIKA

Ndoshta është e para dhe njëkohësisht merita më e madhe e arabëve në matematikë dhe astronomi në përdorimin e numrave në vend të llogaritjes së gjatë me shkrim, e cila ka qenë deri atëherë. Arabët kur u njohën me të arriturat e matematicientëve të lindjes, prej hindasve (Indi) morën numrat, shifrat hinduse dhe gabare. Të parët edhe sot përdoren në pjesën më të madhe të lindjes së afërt arabe, ndërsa e dyta në pjesën perëndimore arabe dhe në Evropë. Muhamed ibn Musa Al-Havarizmi është matematicient i parë arab, i cili i përdori numrat hinduse në matematikë. Libri i tij Bazat e Matematikës, e para e këtij lloji, janë përkthyer në gjuhën latine dhe kanë qenë vepra burimore të matematicientëve evropian, po ashtu edhe matematika ka qenë disa shekuj e njohur me emrin e tij algoritmi.
Arabët pavarësisht nga popujt të tjerë në vend të sistemit seksagezimal të përhapur deri atëherë kanë ndërutar sistemin e vet desimal në matematikë. Në sistemin decimal me të cilën janë shërbyer, përveç vlerës numerike ka pasur edhe vendin e vet. Përveç krijimit të sistemit decimal, në matematikë arabët përdorën edhe shenjën hinduse për zero, përmes këtyre në shekullin mesjetar edhe Evropianët: chiffre, cipher, zero.
Arabët kanë qenë zbulues edhe të vijës thysore, si edhe të presjes decimale (dhjetore). Matematicienti arab Gijasuddin Gjemshid al-Kashi në veprën e tij të njohur Ar-Risala al-Muhtijja (Rrethi) ka llogaritur marrëdhënien mesatare ndërmjet perimetrit të rrethit dhe diametrit të saj në thyesën decimale. Madhësinë 2d ka dhënë me decimale 16 shifrore në këtë mënyrë 2d=16,283185071795865.
Shumë vepra arabe nga aritmetika janë përkthyer në gjuhën evropiane. Matematicientët arabë në to kanë përshkruar numrat e plotë, thyesat, mbledhjen, zbritjen, shumëzimin, pjesëtimin dhe rrënjëzimin. Ata kanë pas sistemin e vet llogaritës dhe realizimin e operacioneve llogaritëse. Çdo detyrë kanë zgjidhur në disa mënyra.
Matematicientët arabë gjithashtu kanë njohur edhe kanë zgjidhur proporcionet gjeometrike dhe aritmetike. Proporcionet gjeometrike dhe aritmetike i kanë zbatuar në problemet e ndryshme teorike dhe praktike. Me shkathtësi dhe origjinalitet kanë operuar me progresione. Ata kanë themeluar ligjin mbi mbledhjen e progresioneve, katrorëve dhe kubeve, si dhe themelet e rrënjëzimit.

2. ALGJEBRA

Arabët, të parët kanë përdorur fjalën algjebra me kuptim, të cilën e ka edhe sot. Al-Havarizmi ka sistematizuar njohuritë e shpërndara deri atëherë nga kjo lami dhe në mënyrë të fuqishme ka ndikuar në zhvillimin e algjebrës te evropianët. Algjebra dhe aritmetika e tij kanë qenë burim i vetëm prej të cilit matematicientët evropianë kanë nxjerrë dituri gjatë gjithë shekullit të mesëm. Për këtë arsye me të drejtë mund të thuhet se Al-Havarizmi ka vënë themelet e aritmetikës dhe algjebrës.
Matematicientët arabë kanë zgjidhur edhe barazimet e shkallës së dytë me një dhe dy të panjohura, si dhe barazimet e rendeve të larta. Ata kanë njohur edhe gjendjen në të cilën rrënja ka pasur kuantitet imagjinar, sikurse që me rrugën gjeometrike kanë zgjidhur disa barazime të shkallës së dytë.
Al-Havarizmi në veprën e saj Algjebra në kapitullin mbi sipërfaqet, problemet gjeonetrike, ka zgjedhur me rrugën algjebrike, prej nga shihet se arabët ndër të parët kanë përdorur algjebrën për zgjidhjen e problemeve gjeometrike dhe në këtë mënyrë i kanë kontribuar procesit të algjebrizmit të gjeometrisë.
Është e vërtetë se matematicientët grekë, dhe ata të Indisë kanë ditur dhe kanë zgjedhur barazimet e shkallës së dytë, po ashtu është vërtetuar se edhe Al-Havarizmi ka qenë i njohur me të mbërrimet Greke dhe Indiane në lëmin e matematikës, por është e vërtetë se nuk kanë hasur në asnjë vepër, e cila se paku të jetë e ngjashme me veprën e Al-Havarizmit. Ka gjasë se para Al-Havarizmit nuk ka ekzistuar shkenca e quajtur algjebë. Madhësia e saj qëndron në ate se ai ka sistematizuar diturinë e shpërndarë deri atëherë duke i vënë themelet e kësaj disipline shkencore, njësoj sikur Njutini që i vuri themelet e dinamikës duke sistematizuar disa dituri të njohura deri atëherë nga kjo lami.
“Mendja e njeriut ishte e hutuar (e shtangur) kur pa se çka kanë punuar arabët në fushën e algjebrës” thotë Cagori. Si po duket ishte e nevojshme të mblidhet aritmetika e Indisë dhe gjeometria e Greqisë që në bazë të këtyre të mund të formohet algjebra. Aritmetika greke ka qenë jo produktive aq sa ka qenë gjeometria produktive. Në aritmetikë kanë përdorë germat si shenjë njësie, dhetëshe dhe qindëshë. Operacionet me këto germa, e sidomos shumëzimi dhe pjesëtimi ka qenë shumë vështirë. Arabët para Al-Havarizmit kanë përdorë sistemin e njëjtë të llogaritjes. Duke vërejtur peshën e kësaj Al-Havarizmi ka kaluar në përdorimin e numrave dhe kështu bëri revolucion në këtë lëmi të veprimtarisë njerëzore.
Arabët ndër të parët kanë përdorë edhe simbolet në matematikë. Për rrënjën kanë përdorur germën gjin, germën e parë të fjalës gjezer, ndërsa sot si simbol përdoret . Për të panjohurin kanë përdorë germën shin, germën e parë të fjalës shenjë, ndërsa sot në matematikë përdoret shenja X. Për X2 kanë përdorë germën e parë të fjalës me lev x mim, ndërsa për X3 germën kaf, për barazim germën lam, ndërsa sot përdoret shenja =. Për pjesëtim kanë përdorë tre pika , ndërsa sot përdoret :, shenja për mbledhje ka qenë lidhësja vav, ndërsa sot përdoret shenja +. në bazë të kësaj barazimi 52=12x+54 është shkruar në këtë mënyrë: 5 ml 12 sh 54 sikurse 49 që është shkruar në këtë mënyrë: gjim/49.
Me përdorimin e simboleve është bërë një hap i madh në matematikë. Matematicientët më të njohur arabë, të cilët janë shërbyer me simbole ishin: Al-Havarizmi, Ebu Kamil, Kosta ibn Luka, Sinan ibn al-Fatah, Al Kalasadi, Behauddin al-Amil, Gijusudin Gjemshid, Al-Kijashi, Ibn al-Hejsem, Sabit ibn Kurra, Al-Kahvi, Al-Hajjani etj. Sabit ibn Kurra, Al-Hazin, Al-Hajjan, Ibn al-Hejsem dhe Al-Kahvi, me rrugën gjeometrike kanë zgjidhur barazimet e shkallës së tretë dhe kështu me zbatimin e gjeometrisë kanë zgjidhur problemet algjebrike. Në këtë mënyrë ata kanë vënë themelet e gjeometrisë analitike me të cilën matematika ka lulëzuar në shekujt e ardhshën. Ata kanë njohur edhe rrënjët iracionale. Al-Havarizmi është i pari që ka përdorur fjalën iracional si shenjë e numrit, i cili nuk ka rrënjë, si dhe ka gjetë rrugën, si dhe në ç’mënyrë mund të llogarisim vlerat e përafërta të numrave dhe kuantitetet prej të cilëve është e pamundur të mirren rrënjët.
Ibn Junus dhe Ibn Hamza kanë njohur edhe vlerën praktike të logaritmave. Ata kanë përgatitur rrugën për gjetjen e tabelave logaritmike. Shumëzimin dhe pjesëtimin e kanë zëvendësuar me mbledhje dhe me zbritje. Teorinë e logaritmave më vonë e kanë përpunuar më detalisht Gjon Nejper (John Napier 1550-1617 matematicient Skotlandez) dhe Herih Brigg.

3. GJEOMETRIA

Shumë shkencëtarë arabë kanë përpunuar gjeometrinë greke dhe kanë zgjidhur shumë problem gjeometrike në mënyrë të kundërt prej Euklidit (sh, III p.e.r. matematicient i Greqisë së vjetër, vepra e tij Elementet prej 13 librash, ku gjendet postullati i njohur i Euklidit, janë themele të gjeometrisë elementare) dhe Apollonia nga Perge (rreth 262-180 p.e.r., matematicient i Greqisë së vjetër). Matematicientët arabë kanë shkruar figura të ndryshme gjeometrike, sipërfaqet gjeometrike dhe kanë bërë analiza të problemeve gjeometrike. Me analizën gjeometrike kanë zgjidhur problemet aritmetike. Këndin e kanë ndarë në tri pjesë të barabarta.
Ibni al-Hejsem në kërkimet shkencore mbi dritën dhe caktimin e pikës reflektuese në pasqyrat sferike, cilindrike, konike, konkave dhe konvekse ka përdorur planimetrinë dhe stereometrinë. Ai po ashtu ka sqaruar si dhe në ç’mënyrë mund të vizatojmë dy drejtëza të marrura sipas dëshirës nga dy pikat e rrethit të njohur deri te pika periferike e rrethit që me tangjentën e asaj pike të formojë dy kënde të barabarta.
“Çdokush, që e lexon Zgjidhja e dyshimeve të Euklidit nga Ibn al-Hejsem “thotë dr. Musherrifa” do të shohë në te shkencëtarin e matematikës së pastër me plotë kuptimin e fjalës.” Al-Bejruni në veprën e saj ka parashtruar dhe ka zgjedhur shumë probleme. Kjo ishte mënyrë e re dhe origjinale e zgjedhjes së problemeve në mënyrë të kundërt me ato të filozofëve dhe të matematicientëve grekë. Në veprën Teza, për përfitimin e tetivisë në rreth me veçori të vijës së lakuar, Al-Bejruni ka dhënë formën e re për llogaritjen e sipërfaqes së trekëndëshit me ndihmën e kateteve, formula e cila dallohet nga formula, të cilën e ka zbatuar matematicienti greko-Aleksandrias Heron Stariji i Aleksandris (matematicient dhe fizikan i Greqisë së vjetër i lindur në Aleksandri në shek. I e.re. ka zbuluar ligjin e reflektimit të dritës, ka shpikur shumë instrumente për matje dhe makina të thjeshta).
Nasrudin at-Tusi ka treguar të metat e Euklidit në paralele, në komentin e saj në Elementet e Euklidit, e cila është përkthyer në gjuhën latinë. Profesori Kadri Tukan konsideron se Evropa u njoftua me gjeometrinë si shkencë vetëm përmes arabëve.
Arabët gjeometrinë e kanë ndarë në dy pjesë: mendore dhe shqisore. Gjeometria shqisore mirret me studimin e të gjitha atyre, që mund të shihen dhe me prekje të ndihen. Ajo drejtpërsëdrejti shpie kah eksperienca zejtare dhe industriale, posaçërisht në sipërfaqet, të cilat u nevojiten punëtorëve dhe pronarëve të pronave të patundshme, ndërsa gjeometria mendore është ajo, e cila shpie kah njohja e shkencës. Ajo është element i diturisë dhe gjëja e domosdoshme e çdo mendimtari dhe matematicienti.
Me këtë rast mund të theksojmë edhe mendimin e Platonit, i cili gjeometrinë si dhe veprimtarinë edukuese të saj në formë të mendimit logjik dhe përfundimtar e ka vlerësuar shumë. Ai ka thënë se filozofisë i nevojitet ura, e cila është ndërtuar nga matematika dhe nga gjeometria.
Është e pamundur të përfshihen të gjitha shkrimet, që arabët i kanë lënë trashëgim nga fusha e gjeometrisë. Ajo ka qenë hobi dhe kënaqësi e shumicës. Muhamed al-Bagdadi ka shkruar një vepër shumë të gjerë mbi figurat gjeometrike, e cila ndër të tjerash përfshin edhe shtat artikuj për trekëndëshin, nëntë për katërkëndëshin dhe gjashtë për pesëkëndëshin. Al-Havarizmi në veprën e tij Algjebra ndër të parët ka treguar se si figurat gjeometrike mund të shprehen me barazime algjebrike dhe anasjelltas, se si çdo barazim algjebrik mund të shprehet me rrugën gjeometrike.
Smiti në veprën e tij Historia e matematikës, Al-Bejrunin e numëron në matematicientët më të mëdhenj të kohës së vet, Al-Bejruni ka hulumtuar lëmin e ndarjes së këndit në tri pjesë të barabarta dhe ka vendosur themelet e kartografisë. Njëra prej veprave më të mëdhaja dhe më të rëndësishme të Al-Bejrunit është teza e përfitimit të tetivës në rreth me veçori të vijës së lakuar.
Sabit ibn Kurra, në lëmin e gjeometrisë analitike ka qenë shumë i frytshëm dhe origjinal. Ka shkurar shumë vepra nga algjebra dhe ka sqaruar marrëdhënien ndërmjet algjebrës dhe gjeometrisë. Veprat e tij flasin mjaft për veprimtarinë e tij. Në mes tjerash ka shkruar: Hyrja në elementet e Euklidit, Trekëndëshi kënddrejt, Koni barabrinjës, Katërkëndëshi dhe diagonalja e saj. Figurat gjeometrike të Euklidit, Korigjimi i algjebrës me argumente të gjeometrisë etj.
Djemtë e Musa ibn Shakirit kanë përdorur mënyrën e vizatimit të elipsës, e cila është e njohur sot, si dhe kanë përdorur formulën e Heronit për llogaritjen e sipërfaqes së trekëndëshit nëse janë të njohura katetat e saja. Veprat më të njohura të tyre nga gjeometraia janë: Figurat gjeometrike, Koni, Rrethi dhe këndëdrejti. Të gjitha këto vepra janë përkthyer në gjuhën latine.
Al-Buzgjani gjithashtu është njëri nga matematicientët e mëdhenj, posaçërisht në gjeometri, në të cilën ka plotësuar Al-Havarizmi dhe ka vazhduar procesin e algjebrizimit të gjeometrisë dhe anasjelltas, gjeometrizimin e algjebrës, ndërsa Ibn Junus ka zgjedhur disa probleme të rënda nga gjeometria e trupave sferikë.

4. TRIGONOMETRIA DHE ASTRONOMIA

Në qoftë se grekët kanë vënë themelet e gjeometrisë, arabët këtë e kanë bërë në trigonometri. Nëse gjeometria është greke, atëherë trigonometria është arabe. Arabët të parët kanë shkruar në mënyrë sistematike dhe shkencore për këtë lëmi të matematikës. Me përdorimin e sinusit ata kanë zgjidhur shumë probleme të trigonometrisë, Al-Buzgjani, Al-Tus, Al-Bejruni dhe Al-Hazin kanë futur tangensin në funsione trigonometrike, ndërsa Xhabir ibn Efleh dhe At-Tabrizi kanë zbuluar marrëdhënien ndërmjet sinusit dhe tangensit, si dhe marrëdhënie të tjera të ngjashme me to. Al-Bejjruni ka shkruar shumë vepra trigonometrike. Ai ka ditur për teoremën e sinusit dhe ka llogaritur vlerën natyrale të sinusit dhe të tangensit si dhe vlerat natyrale të funksioneve të tjera trigonometrike.
Shkencëtarët arabë janë marrë edhe me astronomi, e pasi në bazë të lëvizjes së trupave qiellorë njerëzit shikonin fall (hiromani), astronominë e ngatërronin me astrologji, të lexuarit e ardhmërisë në bazë të yjeve. Por megjithëkëtë, njohja e astronomisë si shkencë ishte e domosdoshme dhe për përcaktimin e kohës të disa ceremonive fetare, si p.sh. koha e namazit, koha e agjërimit, caktimi i drejtimit të Kibles etj.
Për këtë arsye shkencëtarët arabo-Islam kanë filluar përpunimin e të arriturave të popujve lindor; asirve, haldejve, indianëve në astronomi dhe në astrologji, si dhe veprat nga astronomia dhe astrologjia të grekëve dhe aleksandriasve, posaçërisht Sistemin e madh matematik të astronomisë së Ptolomejit. Në këtë mënyrë shumicës i është dhënë rasti të plotësojnë dhe të zgjerojnë të arriturat e këtyre popujve me veprat e tyre për astronominë dhe astrologjinë. Vepra e parë, e cila është përkthyer prej greqishtes në arabishte është Astronomia e mendimtarit Hermes.
Ebu Xha’fer al-Mensur, halifja e dytë nga dinastia e Abbasive ishte shumë i entuziazmuar me astrologët, të cilët gjithmonë e kanë përcjellë në udhëtimet e tij. Ai e urdhëroi Muhamed ibn Ibrahim al-Gazzavin që të përkthejë në gjuhën arabe veprën Lëvizja e trupave qiellorë, të cilën Al-Gazzavi në përkthim e titulloi Sind Hind i madh. Me këtë vepër u punua deri në kohën e Al-Me’munës kur Al-Havarizmi me shkurtimin e vetë veprës i bëri tabelat e veta të njohura astronomike. “Al-Havarizmi në të” si thotë Al-Kifti “i bashkoi kuptimet astronomike të persianëve dhe indianëve si dhe Sistemin e madh matematik të astronomisë të Ptolomejit”.
Gjatë kohës së sundimit të Al-Mensurit, Ebu Jahja al-Batrik përktheu në gjuhën arabe Qudripatritumin e Ptolomejit nga astronomia si dhe shumë vepra të tjera nga gjeometria, fizika dhe shkenca të tjera natyrore, të cilët halifa i kërkoi nga mbreti i Bizantisë.
Në kohën e halifes Al-Mehdi, shumë shkencëtarë kanë punuar nëpër observatoriume, ndërsa gjatë periudhës së sundimit të Al-Me’munit Jahja ibn Mensur dhe Musa ibn Shakir kanë shkruar tabelat e tyre të njohura astronomike. Në këtë periudhë u korrigjua Elmagesta e Ptolomejit. Një numër i madh i shkencëtarëve ishte i entuziazmuar me astronomi. Ata kanë shkruar shumë vepra nga astronomia, kanë bërë vëzhgime të vlefshme dhe kanë përsosur shumë isntrumente astronomike.
Në mesin e tyre posaçërisht shquhen: Sabit ibn Kurra, Al-Belhi, Hunej ibn Is-hak, Al-Abbadi, Al-Bettani të cilën Laland (Juseph Jerome Le français de Lalande, 1732-1807, astronom françez, bibliografia astronomike e tij është kronika e shkencës së kohës në të cilën ka jetuar) e numëron në mesin e 12 astronomëve më eminentë botëror, Sehl ibn Beshshar, Kosta el-Ba’lebeki, Al-Kindi, Al-Buzgjani, Ibn Junus, Al-Sagati, Al-Kahvi, Al-Bejruni, At-Tusi, Al-Hazin, Al-Fergani e shumë të tjerë.
Ata kanë përpunuar Sistemin e madh matematikor të astronomisë dhe kanë pranuar sistemin gjeocentrik të Ptolomejit, sipas të cilit Toka paraqet qendrën rreth së cilës rrotullohen Dielli, Hëna dhe trupa të tjerë qiellorë, pastaj pohimi i tij se hëna është më i afërm ndaj Tokës, pas tij Merkuri, Venera, Dielli, Marsi, Jupiteri dhe Saturni. Të gjitha këto trupa bëjnë rrotullim të plotë rreth tokës për 24 orë.
Kanë matur dimensionet e planeteve dhe largësinë ndërmjet tyre. Matjet e tyre dhe kuptimet astronomike kanë qenë në fuqi gjatë tërë mesjetës deri në kohën e revolucionit të madh astronomik dhe paraqitjes së Keplerit, Galileit dhe Kopernikut, të cilët me vëzhgime kritike dhe me studimin e diturive paraprake kanë arritur të zbulojnë dhe të vërtetojnë saktësinë e sistemit heliocentrik, sipas të cilit Toka dhe të gjithë planetët tjerë rrotullohen rreth Diellit.
Duhet të theksojmë se disa shkencëtarë arabë kanë hedhur sistemin gjeocentrik. Ata kanë konsideruar se Toka dhe planetët tjerë të sistemit Diellor kanë lëvizje të dyfisht: rotacion dhe revolucion. Ibn al-Hejsem, Al-Bejruni, Al-Bettani dhe Al-Fergani kanë matur madhësinë e Tokës dhe kanë vërtetuar se ajo ka formën e rrumbullakët. Ata kanë ngritur shumë observatoriume dhe kanë bërë tabela astronomike, kanë llogaritur gjatësinë e vjetit Diellor, kanë kontrolluar pozicionet e shumë yjeve dhe planeteve, kanë caktuar barazditën pranverore dhe vjeshtore, kanë shkruar për njollat e Diellit dhe në mënyre kritike janë kthyer në Sistemin e madh matematikor të astronomisë.
“Shkencëtarët arabë me veprat e tyre në lëmin e astronomisë” siç thotë Sarton “kanë përgatitur dhe trasuar rrugën e renesanësë së madhe astronomike”.
Abdurrahman as-Sufi ka shkruar vepër të madhe të ilustruar për yjet e palëvizshëm në të cilën gjenden mbi 1420 yje dhe planete të ilustruar në formë të njerëzve dhe të kafshëve, emrat e të cilëve edhe sot e kësaj dite janë në përdorim (Arusha e madhe, Arusha e vogël, Peshku, Akrepi, Virgjëresha etj.)
Gjithashtu duhet të theksojmë se shumica e shkencëtarëve nuk kanë besuar në të shikuarit fall (hiromani) dhe parashikimit të ardhmerisë me ndihmën e yjeve si p.sh. Al-Kindi, Al-Farabi, Ibn Sina, Ibn Hamza, Ibn Tufejl etj. Ibn Sina dhe Al-Kindi, astrologjinë dhe të shikuarit fall me ndihmën e yjeve kanë konsideruar marrëzi pa argumente dhe pa analogji, por edhe përkundër kësaj Al-Kindika ka qenë shumë i interesuar për zanafillën dhe zhvillimin e astrologjisë.
Ibn Hazm mendon se yjet nuk paraqesin kurrfarë ndodhi në ardhmëri, po ashtu nuk kanë ndikim në punën tonë, në qoftë se me këtë nuk nënkuptohet ndikimi natyral i tyre te njeriu, në sipërfaqen tokësore dhe ujore të Tokës. Me ndikimin e tyre në sipërfaqen ujore të Tokës ata e rrisin lagështinë e ajrit dhe shkaktojnë batica dhe zbatica.
Ibn Tufejl është i bindur se ekziston ligji i sistemit unik të sistemit kozmik universaliteti të cilit reflektohet në ujë, në ajër, te bimët, në njeriun, te kafshët dhe te çdo gjë që ekziston. “Bota është një tërësi” thotë ai “unik dhe lëviz në kufijt e ligjit dhe sistemit të caktuar.
Më shkurt, shumica e shkencëtarëve arabë astronominë e kanë konsideruar më tepër si matematikë e bazuar në vëzhgime dhe në llogaritje. Shkencëtarët arabë kanë ngritur shumë observatoriume, kanë përsosur shumë instrumente astronomike, kanë bërë vëzhgime të vlefshme dhe kanë shkruar shumë vepra nga astronomia.
Al-Fergani i njohur me emrin në Evropë Alfraganus, përmes veprës së tij “Bazat e astronomisë” në mënyrë të fuqishme ka ndikuar në renesansën evropiane, vepra e tij, si dhe Trigonometria e trupave sferik i Al-Bejrunit dhe Al-Buzgjanit janë studiuar në universitetin e Bolonjës në Itali.
Xhabir ibn Efleh në veprën e vet “Astronomia” në bazë të vëzhgimeve dhe matjeve arriti të vërtetojë se Marsi pas Hënës dhe Venerës është trupi qiellor me afër Tokës. Koperniku gjatë përpunimit të lëvizjes së trupave qiellorë ka pasur në dorë veprën e Xhabir ibn Eflehit.
Ebu Is-hak al-Betrugji, nxënës i Ibn Tufejlit me veprat e tij shkencoro-astronomike ka arritur të tundë kuptimet e Ptolomejit dhe në këtë mënyrë i ka kontribuar Kopernikut që të rrëzojë sistemin gjeocentrik, i cili shekuj me rradhë konsiderohej si i saktë. Astronomia e Al-Betrugjinit është përkthyer në gjuhën latine. Veprën e ka përkthyer Mishel Skot më 1217 në Toledo, ndërsa është shtypur në Bolonjë më 1220.
Pa dyshim se Koperniku gjatë përpunimit të sistemit heliocentrik ka pasur në dorë Sistemin e madh matematik të astonomisë të Ptolomejit dhe Lëvizja e trupave qiellorë të Al-Ferganit si dhe punimet e shkencëtarëve arabë në lëminë e trigonometrisë së trupave sferik. Duke u konsultuar me veprat e cekura Koperniku arrit të ndryshojë fotografinë e botës dhe të vërtetojë konstatimet e mëparshme mbi sistemin heliocentrik.
Ndër astronomët mjaft të njohur të she. X e.r. është edhe Al-Kahvi. Ai prej observatoriumit të Bagdadit ka vëzhguar lëvizjen e trupave qiellorë. Ka shkruar disa vepra mjaft të rëndësishme nga kjo lëmi, të cilët janë përkthyer në shumë gjuhë evropiane. Shumica mendojnë se Njutni ka shfrytëzuar veprat e tij gjatë themelimit të llogaritjes diferenciale dhe integrale.
Halifet dhe sunduesit të disa oborreve mbretërore rëndësi të madhe i kanë dhënë astronomisë. Për këtë arsye ka ardhur deri te përkthimi i shumë veprave greke nga astronomia dhe ngritja e shumë observatoriumeve në të gjitha vendet e shtetit të madh Islam, të cilët kanë qenë të furnizuar me të gjitha instrumentet dhe aparatet e njohura deri atëherë për vëzhgimin e trupave qiellorë. Gjatë kohës së dinastisë së Emevive është ngritur observatoriumi në Damask, ndërsa gjatë kohës së Al-Me’munit në Bagdad, në Damask dhe në vendet të tjera të shtetit islam. Në periudhën e Fatimajve është ndërtuar observatoriumi Al-Hakim, në malin Mukattam afër Kajros, përveç kësaj ishte i njohur posaçërisht me instrumentet precize dhe kuadër të specializuar, edhe observatoriumi Al-Merga, të cilën ka ngritur Nasirudin at-Tusi. Përveç këtyre, observatoriumet të mëdhaja dhe të njohura kanë qenë: Dar al-Hikmet në Bagdad, Ibn esh-Shatir në Siri dhe shumë të tjerë në Endeluzi (Spanjë), Egjipt dhe pjesë të tjera të shtetit të madh Islam.
Ndër instrumentet më të rëndësishme që në kërkimet astronomike kanë përdorë ishin: amilar, astrollab, drëndafilja e erërave, kompasi, asa Tusi, kuadranti, ithat-el-evter dhe shumë të tjerë. Disa prej këtyre instrumenteve i kanë konstruktuar vetë pavarësisht nga popujt të tjerë, ndërsa disa i kanë përsosur dhe i kanë plotësuar si p.sh. astrollabin dhe kompasin. Al Fezzari ndër të parët ndër shkencëtarët arabë ka konstruktuar astrollabin dhe ka shkruar veprën për të, me titull Operacionet me astrollabin e rrafshët. Vepra e Al-Bejrunit e njohur me emrin Kanon al-Mes’udi është njëra ndër veprat më të mëdhaja të llojit të tillë. Përfshin 142 kapituj. Përveç kësaj Al-Bejruni ka shkruar edhe shumë vepra të tjera të rëndësishme në të cilat është përpunuar sistemi koordinativ gjeografik, ka folur mbi kohën dhe meteorologjin, kometet dhe instrumetet e astronomisë.
Al-Havarizmi gjithashtu ka shkruar shumë vepra nga astronomia. Në mesin e tyre më të njohura janë tabelat e astronomisë së njohur me emrin Sindi Hind i vogël.
Al-Kindi, të cilën shumë historianë e numërojnë në mesin e tetë astronomëve më të njohur të shekullit të mesëm, ndërsa italiani Xherollamo Kardano (1501-1576, matematicient, mjek, astrolog dhe filozof i natyrës, i cili ka dhënë formulën për zgjidhjen e barazimit të shkallës së tretë) Al-Kindin e numëron në mesin e 12 personave gjenialë, të cilët janë paraqit në botë, duke pasur parasysh faktin se Al-Kindi ka lënë disa vepra shumë të rëndësishme nga astronomia. Më të njohura ndër to janë: “Batica dhe Zbatica” “Qielli Azurn” Në veprën “Qielli Azurn”, e cila është përkthyer në gjuhën latine, Al-Kindi mendon se ngjyra e kaltërt nuk është karakteristikë vetëm për qiellin, por edhe për drita të tjera, të cilat zënë fill prej grimcave të pluhurit dhe të avullit në atmosferë.
Djemt e Musa ibn Shakirit janë autorë të veprës nga mekanika e njohur me emrin “Hijel beni Musa”. Shumica konsiderojnnë si një nga veprat e para në këtë lami. Përfshin rreth 100 konstruksione mekanike. Përveç kësaj vepre ata kanë shkruar edhe shumë vepra shkencore, kryesisht nga mekanika. Atyre u atribohet se kanë gjetur ligjin e përgjithshëm të gravitetit ndërmjet trupave qiellorë. Toka e tërheq çdo trup të gjuajtur lartë, ndërsa Dielli tërheq Tokën dhe planetët tjerë dhe në përgjithësi, dy trupa pa marrë parasysh se ku gjenden tërhiqen ndërmjet veti. Kanë shkruar një numër të konsiderueshëm të veprave shkencore mbi qendrat e gravitetit, ndërsa me kërkesën e halifes Al-Me’mun kanë bërë matjen e perimetrit të Tokës nëpër pole. Përveç kësaj ata kanë ndërtuar observatoriumin në Bagdad prej nga kanë bërë vëzhgimin e trupave qiellorë. Veprat e tyre janë përkthyer shumë herët në gjuhën latine, prej latinishtes pastaj në gjuhë të tjera.
Sabit ibn Kurra ndër të parët ka përkthyer Allmagestin në gjuhën arabe, dhe ka bërë ekstrakte të shkurta prej saj. Ka punuar në observatoriumin e Bagdadit. ka përcjell lëvizjen e Diellit dhe në bazë të kësaj ka llogaritur vitin Diellor. Veprat më të njohura të tij, janë “Hyrja në Allmagest”, “Shkaqet e zënies së Diellit dhe të Hënës”, “Figurat Gjeometrike të Allmagestit”, “Lëvizja e trupave qiellorë”, “Formimi i Kozmosit” etj.
Al-Sufi sipas Sartonit është njëri ndër astronomët më të mëdhenj Islam. Prej veprave të shumëta që ka shkruar, më të njohura janë: “Yjet e palëvizshëm”, “Libri i instruksioneve (këshillave) dhe Vendet e rrezatimit”. Ka vëzhguar lëvizjen e trupave qiellorë, ka caktuar dimensionet e planeteve, ka caktuar barazditën pranverore dhe vjeshtore dhe ka shkruar tabelat më precize astronomike. Shumica konsiderojnë si pikë kalim prej kohës së Platonit kah renesansa e madhe astronomike evropiane. Sartoni, veprën e tij “Yjët e palëvizshëm” konsiderohet në tri vepra më të mëdhaja dhe më të njohura te myslimanët. Vepra ka ilustrime të yjeve në formë të njeriut dhe të kafshëve.
Al-Buzgjani dhe Al-Megjriti kanë qenë astronom të mëdhenj. I pari ka qenë anëtar i observatoriumit Sheref ed-Devlet dhe ka shkruar disa vepra, prej të cilave më të njohurat janë: “Allmagesti dhe Tabelat astronomike”, ndërsa i dyti ka qenë astronom i njohur i Endaluzis. Ka shkruar disa vepra nga astronomia, të cilat janë përkthyer mjaft herët në gjuhën latine. Në mes të tyre posaçërisht shquhen Astrollab dhe komentar i Allmagestit.
Ibn Junus ka bërë vëzhgime astronomike nga observatoriumi Al-Hakim në malin Mukattam afër Kajros. Observatoriumi ishte i furnizuar me të gjitha instrumentet e mundshme astronomike. Ibn Junus aty ka shkruar tabelat e njohura astronomike. Zigj al-Hakim, të cilën Sedillot e pandeh si vepër më të madhe pas Allmagestit. Përveç kësaj Ibn Junus ka shkrua edhe disa vepra shumë të rëndësishme nga astronomia. Nga mali Mukkatan në vitin 978 ka vëzhguar të zënurit e Diellit dhe të Hënës. Ai ka konstruktuar lavjersin dhe ka zbuluar ligjin e oshilimit të tij si dhe mundësinë e aplikimit të lavjersit në matjen e kohës disa qindra vjet para Galileut.
Në mesin e astronomëve arabë vend të posaçëm zë edhe Al-Hazin. Përveç tabelave astronomike ai ka shkruar edhe veprën “Mizan al-Hikmet”, e cila sipas Sartonit është vepra më e madhe, të cilën mendja mesjetare ka mund ta krijojë. Në të Al-Hazini flet për gravitetin. Çdo lëvizje sipas Al-Hazimit si ajo planetare po ashtu lëvizja e trupit të hedhur shkaktohet për shkak të forcave tërheqëse ndërmjet vetë masave të trupave. Al-Bettani, përveç tabelave astronomike “Zigj as-sabi” ka shkruar shumë vepra të tjera astronomike. Ai në bazë të lëvizjes së Diellit ka llogaritur gjatësinë e vitit Diellor dhe ka vërtetuar mundësinë e zënies së plotë të Diellit, e cila shkaktohet kur ndërmjet saj dhe Tokës është Hëna. Atëherë shihet vetëm mbështjellësi i jashtëm i Diellit. Ka caktuar edhe apogjen e Diellit në lëvizjen e dukshme dhe ka konstatuar se në pikën në të cilën Toka është më e largët nga Dielli ka ndryshuar nga koha e Ptolomejit. Përveç kësaj Al-Bettani ka folur edhe për ndërrimin e hënës dhe për lëvizjen e trupave të tjerë qiellorë. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë evropiane. Karlo Nolino më 1899 ka botuar tabelat e tij nga astronomia.

5. FIZIKA DHE MEKANIKA

Ibn Sina në veprën e vet Esh-Shifa ka shqyrtuar problemin e shpejtësisë së tingullit (zërit) dhe dritës. Ai thotë se drita është më e shpejtë se tingulli. Nëse një trup godet trupin tjetër në një largësi të caktuar, së pari do të shihet goditja se sa të dëgjohet tingulli, sepse tingullit në krahasim me dritën i nevojitet kohë dhe hapësirë nëpër të cilën do të përcillët. Vetëtima shihet, ndërsa bubullima dëgjohet më vonë, por nuk shihet. Nëse kjo ndodhë së bashku, në të njëjtën kohë, atëherë vetëtimin do ta shohim në të njëjtin moment, ndërsa bubullimën pak më vonë, sepse tingulli (zërit) për ndryshim nga drita i nevojitet kohë që të kalojë hapësirë të caktuar dhe të arrijë deri te ne. Këtë kuptim të Ibn Sinas e hedh poshtë Ibn al-Hajthem dhe në bazë të eksperimenteve vërteton se edhe drita ka shpejtësi të caktuar, edhe për përhapjen e saj nevojitet kohë. Retë, sipas Ibn Sinas, formohen me kondenzimin e avullit të ujit në ajër, e cila pastaj në formë të lëngët apo të ngurtë bie në tokë në formë të: shiut, borës, breshërit etj.
Shumë historianë Ibn al-Hajthemin e numërojnë si fizikan më të mirë të të gjitha kohërave, veçanërisht në lëmin e optikës, Evropa e njeh me emrin Al-Hazin. Nga lëmia e fizikës ka shkruar rreth 25 vepra. Ibn al-Hejthem me aplikimin e metodës induktive në shkencat natyrore ka qenë paraardhës i Bekonës dhe shkencëtarëve të tjerë evropianë. Ai shkruan disa vepra shumë të rëndësishme nga optika: Natyra e dritës, Shpejtësia e dritës, Reflektimi dhe thyerja e dritës. ka sqaruar shumë dukuri natyrore si p.sh. Ylberin. ka vërtetuar se rrezet e dritës shkojnë prej trupit kah syri e jo anasjelltas. Shumica konsiderojnë njërin ndër shkencëtarët më të mëdhenj të fizikës eksperimentale për shkak të eksperimenteve që ka bërë nga lëmia e përhapjes së dritës së trupave, të cilët rrezatojnë dritën vetiake si dhe dritën e trupave, të cilët rrezatojnë me dritën e ktyer të yjeve. Profesori Mustafa Nezif konsideron njërin prej shkencëtarëve më të mëdhenj të fizikës aplikative. Ai teorinë e ka zbatuar në praktikë. Ka konstrukuar shumë insturmente dhe ato i ka përdorur në praktikë. Ibn al-Hejthem i vuri themelet e optikës. Ndikimi i tij në hvillimin e shkencës mbi dritën nuk është më i vogël (më pak) se sa ndikimi i Njutnit në zhvillimin e mekanikës.
Al-Bejruni është fizicient i njohur arabo-islam, veçanërisht në lëmin e mekanikës dhe të hidrostatikës. Ka shkruar disa vepra mjaft të rëndësishme. Në to ka shpjeguar shtypjen, ekuilibrin dhe ligjin e lëvizjes së lëngjeve.
Djemt e Musa ibn Shakirit kanë shkruar veprën e njohur Mekanika, e cila konsiderohet si vepër më e madhe e këtij lloji. Përveç Mekanikës kanë shkruar edhe vepra të tjera të njohura mbi qendrat e gravitacionit. Ballton, anëtar i akademisë së shkencave të Amerikës konsideron se Ibn al-Hejsem me veprën e tij “Mizan al-Hikmet” fuqimisht ka ndikuar në zhvillimin e fizikës dhe në përgjithësi të mendimit shkencor te arabët. Ibn al-Hejsem ka sqaruar se ligji i Arhimedit përveç lëngjeve mund të aplikohet edhe te gazërat. Ai para Toriqelit (Evangellista Toriqeli 1608-1647, fizikan dhe matematicient Italian, bashkëpunëtor i Galileut, ka zbuluar barometrin dhe ndikimin e shtypjes atmosferike, ka caktuar ligjin e rrjedhës së fluidit prej enës, ligji i Toriqelit) ka bërë eksperimente me gypin barometrik dhe ka vërtetuar se ajri ka peshë. Ajri ka peshën e vet dhe fuqinë e vet sikurse lëngu. Sa është dendësia e ajrit më e madhe, aq më e vogël është pesha e trupit në ajër, ka vërtëtuar ai. Në bazë të kësaj Ibn al-Hejsem me të drejtë mund të konsiderohët paraardhës i Toriqelit, Paskalit, Bojlit dhe shkencëtarëve të tjerë.
Punimet e tij janë të konsiderueshëm edhe në lëmin e gravitetit. Ai ka arritur të zbulojë edhe bazat e ligjit të mekanikës të cilët fatkeqësisht u janë përshkruar shkencëtarëve evropianë të shek. XVII.
Punimet shkencorë të Ibn al-Hejsemit, Al-Bejrunit dhe shkencëtarëve të tjerë arabë kanë qenë literaturë standarde dhe themelore në universitetet evropiane deri në fund të shek. XVII. Shkencëtarët evropianë këto i kanë shfrytëzuar në hulumtimet e tyre të mëtejshme.

Konkluzion

Duke rezimuar ekspozimet e gjertanishme mund të thuhet se shkencëtarët arabë në periudhën islame me punimet e veta shkencore kanë kontribuar në zhvillimin e mendimit shkencor, ndërtimin e kulturës dhe civilizimit njerëzor. Ata kanë përkthyer në gjuhën arabe të arriturat shkencore të grekëve dhe trashëgiminë kulturore të popujve, të cilët i kanë parapri historisë. Gjuha arabe ka qenë gjuhë shkencore. Me të janë shkruar vepra, të cilat janë lexuar në të gjitha pjesët e shtetit të madh islam, e cila territorialisht shtrihej prej Kinës në lindje deri në Francë në perëndim.
Shumica konsiderojnë se Ibn al-Hejsem, Al-Kindi, Ibn Sina, Al-Farabi, Al-Bejruni, Al-Havarizmi dhe shkencëtarë të tjërë arabë kanë qenë të domosdoshëm për paraqitjen e Galilejit, Keplerit, Njutnit, Kopernikut dhe shkencëtarëve të tjerë të renesansës evropiane.
Shkencëtarët arabë përmes veprave të tyre kanë ndikuar fuqishëm në renesansën evropiane. Me përdorimin e numrave në bazë të sistemit decimal, në matematikë ata kanë bërë revolucion të vërtetë në lëmi të veprimtarisë njërëzore.
Ibn an-Nafis disa shekuj para Harfijës ka sqaruar qarkullimin e vogël të gjakut (qarkullimi pulmunal), ndërsa Ibn al-Hejsem natyrën e dritës, shpejtësinë dhe ligjet e thyerjes së saj shumë më herët se shkencëtarët evropianë.
Ibn Miskavej, Ibn Haldun dhe Ihvan as-Safa kanë shkruar dhe kanë folur mbi evolucionin, zanafillën dhe zhvillimin e jetës disa shekuj para Darvinit, ndërsa Al-Idrisi, Ibn Hazm dhe Ibn al-Hejsem kanë folur mbi gravitacionin shumë më herët se Njutni dhe shkencëtarët tjerë evropianë të shekullit XVII.
Shkencëtarët arabë kanë matur gjatësinë e meridianit Tokësor, ndërsa me ndihmën e saj edhe madhësinë e Tokës, kanë caktuar dimenzionet e planeteve dhe largësinë e tyre ndërmjet veti, kanë konstruktuar një numër të madh instrumentesh nga astronomia dhe kanë vënë themelet e kimisë shkencore. Ata kanë vendosur themelet e metodologjisë së re në punën kërkimore shkencore dhe me këtë kanë qenë paraardhës i Bekonës, Dekardit dhe shkencëtarëve të tjerë të renesansës evropiane.
Por vala e zgjimit kulturor e cila kishte kapluar botën arabe u ndërpre me pushtimin dhe me shaktërrimin e mongolëve dhe të tatarëve, më vonë me depërtimin e turqve dhe në fund me kolonizimin e Evropës perëndimore, e cila tentoi të shlyej faqet më të ndritshme të së kaluarës islame. Sikur të gjitha këto të mos kishin ndodhë, renesansa evropiane do të ishte vepër e popujve islam.
Arabët kanë luajtur rolin ndërmjetësues ndërmjet epokës greke dhe epokës së re shkencore. Në periudhën islame ata kanë qenë fortë nën ndikimin e grekëve të vjetër, por gjithashtu kanë ndikuar fuqimisht në shkencëtarët e renesansës evropiane, të cilët kanë qenë të njohur me të arriturat shkencore të arabëve përmes përkthimeve të veprave arabe në gjuhën latine dhe në gjuhë të tjera evropiane.
Në këtë pasqyrim të shkurtër vërejtëm ndikimin e islamit dhe të arabëve në renesansën evropiane në fushën e shkencave natyrore.

Titulli i origjinalit:

ETHERU-AL-‘ARABI WA AL-MUSLIMINE ‘ALA NAHDA AL-URUBIYYA

Këtë libër në origjinal e ka financuar UNESCO në bashkëpunim me Komisonin nacional egjiptian për bashkëpunim me UNESCO-n.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit