3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Vlera e pastrimit me misvak dhe forma e tij

Më të lexuarat

Transmeton Nëna e besimtarëve, Aisheja radijAllahu anha, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Pastrimi me miswak është pastrues për gojën dhe e kënaq Zotin” Transmeton Ahmedi dhe të tjerët.

Nga këto hadithe dhe të tjera që janë transmetuar me kuptimin e tyre, fukahatë kanë nxjerrë rregullat e mëposhtme:

Ligjshmërinë e pastrimit me miswak
Pastrimi me miswak nënkupton: Përdorimi i degëve të drunjve aromatikë, e gjërave të ngjashme me to, në pastrimin e dhëmbëve dhe mishrave të dhëmbëve, për të larguar mbetjet ushqimore që gjenden në to, për rrjedhojë dhe aromën e keqe zverdhjen e dhëmbëve.
Është transmetuar se pastrimi me miswak është prej sunneteve të Profetëve[1]. I pari që e përdori miswakun ishte Ibrahimi alejhi selam. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka sqaruar se miswaku është pastrues i gojës, dmth i gjërave të papëlqyeshme të gojës dhe që e kënaq Zotin Tebarake ue Teala.

Për nxitjen e përdorimit të tij, janë transmetuar mbi njëqind hadithe, të cilat tregojnë se është sunnet i fortë, për të cilin sheriati nxit në përdorimin e tij.
Përdorimi i miswakut ka dobi madhështore. Nga më madhështoret dhe përmbledhëset janë ato të cilat tregon ky hadith: “Pastrimi me miswak është pastrues për gojën dhe e kënaq Zotin.”

Pastrimi me miswak bëhet me rrënjë të buta të pemës se Arakut (emri shkencor: Salvadora persica), degë të pemës se Ullirit dhe Urxhunit (lloj kërpudhe, emri shkencor: Podaxis), e të ngjashme si këto, qe nuk thërrmohen dhe që nuk e lëndojnë gojën.

Përdorimi i miswakut është i ligjëruar në çdo kohë, madje edhe për agjëruesin gjatë gjithë ditës, sipas mendimit më të saktë. Përdorimi i tij po ashtu theksohet në kohë të caktuara.

Përdorimi i miswakut është vërtetuar (me argumente) para abdesit, sipas fjalës së Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Nëse nuk do ishte vështirësim për ummetin tim, do t’i urdhëroja që të pastroheshin me miswak në çdo abdes.[2]“ Hadithi konfirmon pëlqyeshmërinë e përdorimit te miswakut në abdes. Përdoret gjatë pastrimit të gojës me ujë, sepse kështu pastrimi i gojës është më i plotë.

Gjithashtu, në namazin (para hyrjes në namaz) farz (i detyruar) ose nafile (vullnetar), sepse jemi urdhëruar që afrimi drejt Allahut (me adhurime), të jetë në gjendje më të përsosur dhe të pastër nga ana e jashtme, për shkak të shenjtërisë së adhurimit.

Përdorimi i tij theksohet gjithashtu kur njeriu zgjohet nga gjumi i natës ose i ditës, sepse i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur çohej nga gjumi, e pastronte gojën e tij me miswak. E bënte këtë sepse gjatë gjumit ndryshon aroma e gojës për shkak të ngjitjes lart të gazrave të stomakut, e pastrimi me miswak në këtë rast e pastron gojën nga gjurmët e tyre.

Theksohet gjithashtu në rast të ndryshimit të aromës së gojës për shkak të ngrënies etj.

Po ashtu me rastin e leximit të Kuranit (para fillimit të leximit), pastrim dhe aromatizim i gojës për leximin e Fjalës se Allahut Azze ue Xhel-le.

Forma e pastrimit me miswak: Të kalohet miswaku nëpër mishra të dhëmbëve dhe dhëmbë. Fillohet nga ana e djathtë deri në anën e majtë. Miswaku mbahet me dorën e majtë.

Marrë nga: el Mulekhas el fikhij fq 35-36

Përktheu: Anis Agovi

[1] Transmetohet nga hadithi i Ebu Ejubit nga Ahmedi nr 23470, Tirmidhiu nr 1081.

[2] Transmetohet nga hadithi i Ebu Hurejras me këtë tekst te Ahmedi nr 9910 dhe origjina e këtij hadithi është muttefekun alejhi, te Bukhariu nr 7240 dhe Muslimi nr 588.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit