Ngarja e makinës mund të jetë e rrezikshme për shëndetin, jo vetëm për shkak të ndonjë aksidenti. Sipas një studimi, trafiku rrugor mund të nxisë goditjet në zemër. Mjekët intervistuan pacientë me goditje në zemër dhe zbuluan se shumë prej tyre kishin gjasa të fillonin të ndjenin simptoma të ngacmimeve në zemër më shumë kur i afroheshin një rruge me trafik ose autostrade se sa kur ngisnin makinën në rrugë të qeta ose kur kryenin veprimtari të tjera.
Dihet se amerikanët shpenzojnë një pjesë të mirë të kohës së tyre në trafik të dendur. Më shumë se 120 milionë prej tyre udhëtojnë çdo ditë të paktën 30 minuta për të shkuar në punë. Studimi i kryer në Gjermani tregon se përballja me trafikun rrugor nxit goditjet në zemër tek personat me probleme në këtë organ.
Shkencëtarët pyetën më shumë se 1 mijë e 400 pacientë se çfarë lloj veprimtarie kishin kryer para se t’u shfaqeshin simptomat e goditjeve në zemër. Rezultatet treguan se këta pacientë kishin 3 herë më shumë gjasa që të pësonin goditje në zemër brenda një ore të udhëtimit me makinë, autobus ose motorçikletë në rrugë me trafik, në krahasim me kryerjen e ndonjë aktiviteti tjetër më pak stresues. Sipas studimit, femrat ishin me të ndjeshme – ato ishin 5 herë më shumë në rrezik për të pësuar goditje në zemër kur përballeshin me trafik të dendur rrugor. Autorët e studimit thonë se ende nuk janë të sigurt se në ç’mënyrë trafiku nxit goditjet në zemër, megjithëse idea e tyre është se një kombinim i stresit me ajrin e ndotur nga tymi i makinave mund të përbëjë një faktor ndikues.