BE përqëndron forcat për t’i prerë rrugën krimi kibernetik dhe hap një qendër në Hagë. Drejtori i ri dhe komisionerja e BE për Çështjet e Brendshme i kanë shpallur luftën krimit në internet.
Kush nuk i njeh e-mailet e dyshimta, në të cilat na kërkohet të japim llogaritë tona bankare, sepse do të përfitojmë gjoja një milion euro, po të jemi fitues i një loje? Komisionerja e BE për Çështjet e Brendshme Cecilia Malmstrëm paralajmëron: “Krimi kompjuterik depërton në kompjuterin tonë, në llogaritë tona bankare dhe transaksionet financiare. Kriminelët e internetit perfeksionohen gjithnjë e më shumë në mashtrimet me karta krediti, apo vjedhjet e identitetit. Ata gjejnë emrat e përdoruesve në linjat tona bankare në internet dhe fjalëkalimet tona, hyjnë në smartphonë dhe në profilet e rrjeteve sociale.” Çdo ditë jo më pak se një milion njerëz bëhen viktimë e krimit në internet, dëmi vjetor arrin në 300 miliardë euro. Edhe tregtia online, mendon suedezja, ushtrohet nën potencialin e saj për shkak të pasigurisë së konsumatorit nga rreziqet. Malmstrëm ankohet se shumë nga këto krime mbeten pa u ndëshkuar. “Shumë pak prej tyre denoncohen, vetëm pak prej tyre zbulohen. Sepse rreziku për t’u kapur është i vogël, ndërsa fitimi është i lartë.”
Puna e policive kombëtare e pamjaftueshme
Malmström: “Rreziku për t’u kapur është i vogël”
Si pasojë e këtyre dëmeve çdo shtet i BE përqiqet të ndërmarrë diçka kundër krimit kibernetik. Por vendet e ndryshme kanë angazhim dhe sukses të ndryshëm, mendon komisionerja. Dhe mundësitë e çdo shteti janë të kufizuara, sepse rrjeti është i pafund. Prandaj lufta kundër krimit në internet duhet të kryhet në nivel mbarëevropian. Prandaj ekziston tani Qendra Evropiane kundër krimit kibernetik. Ajo është pjesë e autoritetit policor evropian Europol me seli në Hagë dhe paguhet nga buxheti i Europol-it. Fillimisht me rreth 35, më vonë më shumë se 40 punonjës, qendra do të përpiqet të zbulojë tendencat e krimit kibernetik, rrjetet e tyre dhe aktorët kryesorë. Duhen evituar sulmet e hakerave në sistemet e rëndësishme të infrastrukturës dhe informacionit të BE-së dhe duhet luftuar përhapja e pornografisë me fëmijë në internet. Qendra do të trajnojë hetues dhe prokurorë nga vendet anëtare dhe do të paralajmërojë publikun për manovrat e mashtrimeve të reja.
Bashkëpunimi me Rusinë do të ishte i rëndësishëm
Drejtori i ri, danezi Troels Oerting paraqitet me modesti. Ai nuk dëshiron t’u bëjë konkurrencë autoriteteve policore në vendet anëtare. Me disa pak punonjës dhe me një buxhet të vogël ata “natyrisht nuk do ta bëjnë të gjithë punën.” Qendra e sheh veten si një “platformë për autoritetet e vuajtjes së dënimeve penale të 27 shteteve anëtare të BE.” Edhe vendet e tjera të interesuara, me të cilat BE-ja bashkëpunon në këtë fushë, si SHBA, Kanadaja dhe Australia mund të përfitojnë nga puna e qendrës. Në këtë kontekst Malmstrom shpreh keqardhje se Rusia nuk është përfshirë ende në bashkëpunim. Rusia është një nga qendrat botërore, nga ku buron krimi kibernetik.
Drejtori i qendërs Oerting e njeh skepticizmin e përhapur në polici kundër shkëmbimit të informacionit ndërkombëtar. Ka një “traditë, një kulturë, për të mos shkëmbyer informacion”. Por pasi ai ka vizituar qendrat kombëtare kundër krimit kibernetik në shtetet anëtare të BE-së, ka vërejtur një ndryshim të qartë. Mbizotëron bindja se BE ka nevojë për një qendër dhe një pikë koordinimi. Dhe kjo i kursen shtetit fundja edhe para. Ndoshta një argument shumë bindës, në kohët e vështirësive financiare./dw