Jetojmë në një botë gjithnjë e më të zhurmshme. Ndotja akustike, e pranishme në metropolet e mëdha dhe jo vetëm, po arrin në nivele shumë shqetësuese për shëndetin tonë. Më keq është në Guangzhou ose Canton, qyteti më i madh bregdetar në jug të Kinës, ndërsa më “i heshturi” është Zyrihu në Zvicër.
Disa shkencëtarë të “Charité University Hospital” të Berlinit, kanë kryer një studim në bashkëpunim me kompaninë gjermane “Mimi Hearing Technologies”, për të treguar lidhjen mes jetesës në qytete të zhurmshme dhe humbjes progresive të dëgjimit.
Projekti ka realizuar 200 mijë teste të dëgjimit në 50 qytete ndërkombëtare. Rezultatet kanë sjellë numra shqetësuese: 64% e pjesëmarrësve ka rezultuar pozitiv ndaj këtij fenomeni.
Qytetet me nivelin më të lartë të ndotjes akustike, përqendrohen në kontinentin aziatik, por spikasin edhe tre kryeqytete evropiane dhe një amerikanolatin.
Ndërsa qytetet më të qeta dhe të jetueshme, gjenden kryesisht në Europë, me katër qendra të mëdha urbane në Gjermani./Shqip