Selanik, 31 dhjetor – Një operacion i policisë greke ka vënë në pranga 28 vetë, që ishin të përfshirë në një rrjet të madh të trafikut të drogës.
Operacioni është shtrirë në qytetet e Selanikut, Agrinios dhe Volosit. Shumica e të arrestuarve janë shtetas shqiptarë, të cilët bashkëpunonin me disa grekë dhe disa ciganë, transmeton BW.
Grupi kishte bashkëpunëtorë edhe 3 zyrtarë të lartë të policisë së Agrinios, të cilët iu jepnin informacione trafikantëve për kontrollet e policisë, duke i shpëtuar nga zbulimi.
Sipas policisë rrjeti funksiononte duke sjellë drogën nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit dhe duke e shitur në Greqi e kryesisht në këto tre qytete, ku u zhvillua operacioni. Gjithçka u zbulua nga përgjimet telefonike që kryheshin prej 10 muajsh.
Në shtëpitë e të arrestuarve policia gjeti dhe sekuestroi, armë, sasi të vogla droge dhe mijëra euro, ndërsa po kërkohet vendi që shërbente si magazinë për grumbullimin e drogës së trafikuar.
Hetimet vazhdojnë dhe policia thotë se priten edhe arrestime të tjera. /koha