9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

A do të paguhen të gjithë specializantët në vitin 2013?

Më të lexuarat

Specializantët vullnetarë në Kosovë, nuk paguajnë për specializimet e tyre përkatëse. Ky vendim është marrë këtë vit, nga Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht nga ministri Ferid Agani.

Brenda Ministrisë së Shëndetësisë është bërë një analizë dhe është vlerësuar se pagesa e specializantëve sjell benefite minore për këtë institucion, ndërsa ngarkesa në planin individual për doktorët e rinj është tejet e madhe, kanë deklaruar zyrtarët shëndetësorë.

Specializantëve vullnetarë, para këtij vendimi, iu është dashur të paguajnë çdo vit nga 1.000 euro, e që, sipas tyre, ka qenë një ngarkesë mjaft e madhe për ta.

Por ministri Agani, ka deklaruar se në vitin 2013 specializantët do t’i mbështesë financiarisht, duke ua mundësuar që specializimet t’u paguhen në formë page.

“Mundësimi i specializimeve të mjekëve të rinj ka qenë një nga prioritetet e angazhimit tim. Unë që në fillim i kam filluar specializantët nga pagesa që kanë qenë të detyruar të paguajnë ata, pra me vetëfinancim, por që ka ngel një numër i konsiderueshëm që vazhdojnë ta ndjekin specializimin pa pagesë”.

“Unë jam duke bërë përpjekje maksimale që gjithë ata t’i sistemojmë me mbështetje financiare nga ministria, dhe besoj që në vitin 2013 shumicën e tyre do të arrijmë që t’i akomodojmë dhe do t’u sigurojmë mbështetje financiare”, shprehet Agani.

Ndërkaq, doktorët të cilët tashmë janë duke specializuar, thonë se pagesa nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, për ta do të ishte e mirëseardhur, dhe e domosdoshme.

Këtë e thotë doktor Kastriot Gashi, i cili është duke specializuar.

“Kam dëgjuar për një iniciativë të tillë dhe mendoj se do të ishte vërtetë një stimulim i madh për specializantët. Ka shumë prej tyre që madje udhëtojnë, dhe nuk kanë një vend tjetër të punës, dhe nuk kanë kurrfarë përkrahje dhe gjitha shpenzimet dhe këto ngarkesa i bartin vetë. Nuk e di se a do të realizohet, por vërtetë do të ishte një hap pozitiv nga ana e Minsitrisë së Shëndetësisë”, thotë Gashi.

Prej kur e ka marrë mandatin e ministrit, Agani ka thënë se janë ndarë 532 specializime, çka do të thotë se është rritur dukshëm numri i mjekëve që iu është lejuar të specializojnë.

Por, për specializantët të cilët janë të punësuar dhe njëkohësisht ndjekin edukimin e vazhdueshëm specialistik, ministri Agani ka një mënyrë se si do ta rregullojë këtë çështje.

“Në qoftë se specializimet i kanë nga lëmit e fushëveprimit nga QKMF, ata mund të vazhdojnë specializimin me mbështetjen financiare në fjalë, derisa specializimet nuk mbulohen me veprimtarinë e qendrave të mjekësisë familjare, atëherë duhet të lirohen vendet e punës dhe duhet të shikojmë t’i inkorporojmë në kuadër të skemave të mbështetjes nga ana e MSH-së”.

“Ne kemi arritur me buxhetin e ri të sigurojmë një numër të vendeve të reja të punës për mjekë dhe jemi duke u munduar që t’i akomodojmë kërkesat e specialistëve të cilët janë duke pritur punë nga 2 apo 3 vjet, sigurisht me prioritet, dhe pastaj do t’i kemi në plan ata që janë në specializim me vetëfinancim, të provojmë t’i kyçim brenda mbështetjes financiare”, bën të ditur Agani.

E specializantët e punësuar, tashmë thonë se mënyra e rregullimit të kësaj çështjeje nuk shkon në dobi të tyre, meqë janë në pozitë të zgjedhin a do të vazhdojnë specializimin, apo punën e tyre si mjekë.

“Po flas për veten meqë unë jam e punësuar në institucion publik, dhe në ndërkohë jam mbajtëse e familjes, mua nuk më konvenon nëse e humbas vendin e punës për shkak të specializimit. Unë shkoj në edukim të vazhdueshëm specialistik paradite, derisa pasdite punoj në QKMF”.

“Duhet të bëhet një zgjidhje në mënyrë që ne mos me e humbas punën, por të mos paguhemi , meqë nga i njëjti buxhet nuk mund t’i marrin dy paga. Mua nuk me konvenon ta lë vendin e punës, ose do të bie në pozitë që të zgjedh a dua të punoj apo të specializoj”, thotë Shpresa Muharremi, specializante.

Sidoqoftë, ministri Ferid Agani ka theksuar se prioritet kanë pasur specializimet për anesteziologji, meqë mungesa për ta, është shumë e madhe në shëndetësinë kosovare./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit