2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

AKI-ja verifikon biografitë e policëve

Më të lexuarat

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë do të ketë të dhëna personale të bollshme për rreth 100 mijë qytetarë të Kosovës. Ato do t’i deponojnë “vullnetarisht” pjesëtarët e Policisë së Kosovës, nëpërmjet “verifikimit të sigurisë”.
AKI-ja ka nisur procesin e verifikimit të së kaluarës së të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Në këtë mënyrë do të ketë informacione për zyrtarin policor, bashkëshorten apo bashkëshortin, fëmijët, prindërit si dhe për ish-gruan apo ish-burrin nëse janë të shkurorëzuar.

Procesi i verifikimit ka nisur me kërkesë të drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, i cili ka autorizuar togerin Sadik Shefqetin, shkruan “Koha Ditore”.

“Duke iu referuar kërkesës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, të datës 31 tetor 2012, me anë të së cilës kërkon fillimin e procedurës së verifikimit të sigurisë për personelin e Policisë, ju njoftojmë se fillimi i procedurës së sigurisë bëhet pas plotësimit të ‘pyetësorit të sigurisë’, konform Rregullores numër 16/2011 për zhvillimin e procedurës së verifikimit të sigurisë”, ka thënë Shefqeti në një shkresë së cilës i është bashkëngjitur pyetësori prej 20 faqesh.

Por ky verifikim mund të lërë shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës pa punë. Nëse një familjar mund të jetë pjesëtar i ndonjë organizate politike të papërshtatshme apo anarkiste, polici mund të konsiderohet “rrezik për sigurinë”. I tillë mund të konsiderohet edhe nëse ndonjëri prej familjarëve të tij refuzon të japë të dhënat personale. Kualifikimi ligjor në këto raste është “rrezik i papranueshëm për sigurinë e Republikës së Kosovës”. Kësisoj atij duhet t’i ndërrohet vendi i punës, por pagën duhet ta ketë të njëjtë. Nëse nuk mund të bëhet kjo, largohet nga puna, siç parashihet me Ligjin për Klasifikim të Informatave.

Numri afër 100 mijë qytetarë për të cilët AKI-ja do të ketë informata duke krijuar “trungun familjar” të secilit zyrtar policor del nga mesatarja e çdo familjeje.

Është llogaritur që çdo familje mesatarisht ka 10 anëtarë të familjes. Numri i atyre që duhet të ofrojnë të dhëna është rreth 10 mijë. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit