5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Epërsia e shkencës së Fikhut ndaj shkencë së Hadithit

Më të lexuarat

Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: “Atij që Allahu ia dëshiron më të mirën, Ai i jep atij të kuptuar (të thellë) në fe (jufekihu/jufkihu fid-din). Unë vetëm shpërndaj e Allahu është Ai i Cili jep. Do të mbetet një grup nga Ummeti im, i ngarkuar me caktimin e Allahut, të padëmtuar nga ata që i kundërshtojnë ata, derisa të vijë caktimi i Allahut.”[1]

“Mund të jetë që dikush bart me vete diturinë pa qenë person i dijes; mund të jetë që dikush bart diturinë tek dikush që ka më shumë të kuptuar se ai.”

Imam Shafiu, mesa duket, ka marrë nga Imam Ebu Hanife thënien e tij të famshme: “Ju (dijetarët e hadithit) jeni farmacistët por ne (juristët) jemi mjekët.” Kjo është transmetuar po ashtu nga el-Ameshi dhe Ebu Sulejman ibn Zubejr dhe me gjasë ishte proverb. Mulla Ali el-Karij komenton: “Dijetarët e hershëm kanë dhënë: Dijetarët e hadithit, pa dituri të Fikhut, janë sikur shitësit e ilaçeve që nuk janë mjekë: ata i posedojnë ato (ilaçet) por nuk dinë çfarë të bëjnë me to; dhe dijetarët e Fikhut pa njohuri të hadithit, janë sikur mjekët pa ilaçe: ata e dinë ku është shërimi, por nuk e posedojnë atë.”[2]

Është transmetuar nga nxënësit e tij, Ebu Talibi dhe Humejd ibn Zenxhujeh, se Imam Ahmedi ka thënë: “Unë kurrë nuk kam parë asnjë që i përmbahet hadithit më shumë se Shafiu.” Kuptimi i kësaj është që Shafiu posedon dijen e hadithit të cilën Ahmedi e dëshironte (synonte), siç dëshmohet nga thënia e këtij të fundit: “Sa i rrallë është fikhu (të kuptuarit) në mesin e atyre që dinë hadithe!” Kjo fjalë i referohet hadithit: “Mund të ndodh që dikush bart të kuptuar (fikh) – domethënë memorizon dëshmitë tekstuale të fikhut – pa qenë person i të kuptuarit (fakih).”[3] Selefi dhe Halefi kanë sqaruar këtë rregull në shumë thënie të famshme, ku tregojnë që, me gjithë statusin e lartë të muhadithit, prapë Fakihu e tejkalon atë.

Hadithi i devijon ata që nuk kanë Fikh

Duke paralajmëruar nga rreziku i keqpërdorimit të hadithit deri në pikën ku mund të bësh mëkat, Imam Ahmedi transmeton prej Muhamed ibn Jahja el-Kattan (vd. 233), që ky i fundit ka thënë: “Nëse dikush do ndiqte çdo lehtësim (rukhsa) që është në hadith, ai do të bëhej mëkatar (fasik).”

Ibn Ebi Zejd el-Malikij transmeton nga Sufjan ibn Ujejne të ketë thënë: “Hadithi është kurth (grackë), përpos për fukahatë (dijetarët e fikhut),” dhe shoqëruesi i Malikut `Abdullah ibn Wahb ka thënë: “Hadithi është kurth përpos për Ulematë. Secili memorizues i hadithit që nuk ka imam në fikh është i devijuar (dâl), dhe nëse Allahu nuk do të na kishte shpëtuar neve me Malikun dhe el-Lejth (ibn Sa’din), ne do të kishim qenë të devijuar.”[4]

Ibn Ebi Zejd komenton: “Ai (Sufjani) dëshiron të thotë që (dikush tjetër) përpos juristëve mund të kuptoj diçka në kuptim të jashtëm, e që në fakt, interpretohet në dritën e ndonjë hadithi tjetër ose ndonjë dëshmie që i mbetet e fshehur atij, ose mund të jetë dëshmi e shfuqizuar për shkak të ndonjë dëshmie tjetër [e cila shfuqizon]. Askush nuk mund të arrij të dijë këtë përpos atyre që janë thelluar në mësimet e tyre dhe kanë marrë të kuptuar (fikh).” Imam el-Hejtemiu ka thënë diçka të ngjashme.[5]

Ibn Wahb është transmetuar që ka thënë: “I kam takuar 360 njerëz të dijes por, pa Malikun dhe Lejthin, unë do të kisha devijuar.”[6]

Në një version tjetër thotë: “Të mos kishte qenë për Malik ibn Enesin dhe Lejth ibn Sa’d, unë do isha shkatërruar; unë mendoja se çdo gjë e transmetuar [autentikisht] prej Pejgamberit (s.a.v.s.) duhet të vihet në praktikë.”[7]

Një version tjetër thotë: “Unë mblodha shumë hadithe dhe ato më çuan në huti. Unë konsultoja Malikun dhe Lejthin dhe ata më thoshin mua: “Merre këtë dhe lëre këtë.”[8] Ibn Wahb, sipas Ahmed ibn Salihut, kishte përpiluar 120,000 transmetime.[9]

Prandaj, Ibn Ukdeh iu përgjigj një njeriu i cili e pyeti atë rreth një transmetimi të caktuar: “Mbaji këto hadithe në minimum, sepse, vërtetë ato janë të papërshtatshme përpos për ata që e dinë interpretimin (ta’vil) të tyre. Jahja ibn Sulejman transmeton prej Ibn Wahb se ai e ka dëgjuar Malikun të thotë: “Shumë prej këtyre haditheve janë (shkak për) devijim; disa hadithe janë transmetuar nga unë dhe unë do të doja që për secilin prej tyre të isha fshikulluar dy herë. Unë sigurisht që s’i transmetoj më ato!”[10] Me shprehjen e tij “shumë prej këtyre haditheve janë devijim,” Maliku ka për qëllim përmendja (përdorimi) i tyre në vend dhe kuptim të gabuar, sepse Sunneti është urtësi dhe urtësi është të vendosësh çdo gjë në kontekstin e duhur.[11] Një shembull nga kjo është transmetimi që Maliku është bërë pishman që ka përfshirë hadithin e pellgut Khum (Ghadir Khum) ku Pejgamberit i është thënë, “ti nuk e di çfarë kanë bërë ata pas teje” për shkak të abuzimit të paevitueshëm në duart e shi’itëve.

Abdullah Ibn el-Mubârek ka thënë: “Nëse Allahu nuk do të më kishte shpëtuar mua me Ebu Hanifen dhe Sufjan eth-Thewriun, unë do të kisha qenë si pjesa tjetër e njerëzve të zakonshëm.” Dhehebiu e transmeton si: “Unë do të kisha qenë novator (bidatçij).”[12]

Imamët e hadithit iu drejtohen atyre të fikhut

Mësuesi i Imam Ahmedit, Jahja ibn Seid el-Katan, edhe përkundër statusit të tij si i pari mjeshtër i mjeshtërve të hadithit në Ilmu Xherh we Ta’dil, nuk provonte të nxirrte vendime nga argumentet, por ndiqte fikhun e Ebu Hanifes, siç kishte deklaruar qartë: “Për Zotin! Ne asnjëherë nuk kemi dëgjuar qëndrime më të mira (re’i) sesa të Ebû Hanifes, dhe ne kemi ndjekur shumicën e qëndrimeve të tij.”[13]

Ngjashëm, Muhamed ibn `Abdullah ibn `Abdel-Hekem, ka thënë: “Po të mos ishte Shafiu, unë nuk do të dija si t’i përgjigjesha askujt. Për shkak të tij, unë di atë që di.”[14]

Dhe për Muhamed ibn Jahja el-Dhuhli (vd. 258) nga Horasani, të cilin Ebu Zur’a e renditi mbi Imam Muslimin, dhe i cili konsiderohet Emir el-Mu’minin fil-Hadith (Udhëheqësi i besimtarëve në shkencën e hadithit), ai asnjëherë nuk e kishte konsideruar vetën jo-mukalid, por ka thënë: “Unë e kam bërë Ahmed ibn Hanbelin Imam në të gjitha që qëndrojnë në mes meje dhe Zotit tim.”[15] Mis`ar ibn Kidam ka thënë të njëjtën në lidhje me Imam Ebu Hanifen.[16]

Dituria nuk është nxënie përmendësh por Dritë

Fikhu është konteksti i thënieve të shumë imamëve të dijes që dituria përbën urtësinë, dobinë, veprat dhe dritë, e jo vetëm të mësuarit dhe nxënien përmendësh siç kemi përmendur tashmë.

Imam Maliku ka thënë: “Urtësia dhe dituria janë një dritë me të cilën Allahu udhëzon kë të dojë Ai; ajo nuk është të diturit e shumë gjërave.”[17]

Imam Shafiut ka thënë: “Dija është ajo që sjell dobi. Dija nuk është ajo që dikush ka memorizuar (mbajtur mend)..”[18]

Ngjashëm, Dhehebiu definon diturinë (el-ilm) në Islam si: “Dituria nuk është bollëku i transmetimeve, por një dritë të cilën Allahu e vendos në zemra. Kushti i saj është pasimi (ittiba) dhe ikja fluturimthi nga egoizmi dhe bidati.”[19]

Hatibi në veprën e tij të shkurtë Iktida el-Ilm el-‘Amal transmeton shumë thënie në lidhje me këtë prej Ibn Mes’udit, Ebu Hurejres, Ebu Derdas, Ebu Kilabes, Zuhriut, el-Tustarit, Ibn Ujejnes, dhe tjerëve prej selefit. Të kuptuarit islam të dijes shpjegon transmetimin e Hasan el-Basriut që Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: “Qëllimi dhe energjia e dijetarëve është kujdesi dhe ndihma (dmth, adresimi i nevojave) ndërsa qëllimi dhe energjia e budallenjve është të transmetojnë” (himmet el-‘ulema el-ri’aja we himmet el-sufeha el-riwaja[20] dhe thënia e hafilit abasit Abdullah ibn Mu’taz (249-296): “Dituria e hipokritit konsiston në ligjëratën e tij, ndërsa dituria e besimtarit konsiston në veprën e tij.”

Hadithi i juristëve është më i preferuar se ai i jo-juristëve

Weki ibn el-Xherrah i preferonte transmetimet me zinxhir të gjatë përmes fukahave mbi ato zinxhirë-shkurtë përmes jo-fukahave, dhe thoshte: “Hadithi që qarkullon në mes të juristëve është më i mirë sesa hadithi që qarkullon në mes të dijetarëve të hadithit.”[21] Kjo është një rregull bazike në shkollën e Ebu Hanifes, të cilën sikurse Jahja el-Kattan, edhe Wekiu nuk bënte ixhtihad por ndiqte qëndrimet e Ebu Hanifes.[22]

Ameshi (Tabi’ini Ebu Muhammed Sulejman ibn Mehran el-Esedij, vd. 148h) po ashtu ka thënë: “Hadithi që juristët e qarkullojnë në mesin e tyre është më i vlefshëm sesa hadithi të cilin e qarkullojnë transmetuesit e hadithit (muhadithet) ndërmjet vete.”[23]

Ibn Rexhebi përcjell që Ebu Davudi në Sunenin e tij ishte më i interesuar për fikhun e hadithit, sesa për zinxhirin e tij të transmetuesve.[24]

Ky është rasti me Sahihun e Buhariut, ndërsa Muslimi, Ibni Maxhe dhe en-Nesaiu janë fokusuar në dobitë e zinxhirëve të transmetimit dhe varianteve të tekstit – Muslimi më tërësori dhe i besueshmi në këtë. Tirmidhiu i ka dhënë rëndësi të njëllojtë fikhut të hadithit dhe studimit të transmetimit të tij ndonëse Ebu Davudi është paksa më i rreptë në verifikim të hadithit, ndërsa Nesaiu i tejkalon të dy ata.

Ta dish hadithin është tjetër nga ta praktikosh atë

Sufjan el-Thewriu u thoshte dijetarëve të hadithit: “Dilni para, o ju të dobët!”[25] Ai po ashtu ka thënë: “Nëse hadithi do ishte gjë e mirë, do ishte zhdukur sikurse është zhdukur gjithë mirësia,” dhe “Ndjekja e studimeve të hadithit nuk është pjesë e përgatitjes për vdekjen, por sëmundje që i preokupon njerëzit.” Dhehebiu komenton: “Ai e ka thënë këtë formulim. Ai ka të drejtë në atë që ka thënë sepse studimi i hadithit është tjetër nga vetë hadithi”[26]

Ta kuptosh hadithin është më superiore se ta dish atë

Sufjani po ashtu ka thënë: “Shpjegimi (tefsiri) i hadithit është më i mirë (dobishëm) sesa hadithi.”[27] Në një fjalë-formulim tjetër: “Shpjegimi i hadithit është më i mirë sesa të dëgjuarit e tij.”[28]

Ebu `Ali en-Nejseburi ka thënë: “Ne konsiderojmë të kuptuarit superior ndaj memorizimit.”[29]

Ibn Mehdiu është pishman që s’e ka shkruar shpjegimin e tij pas çdo hadithi që ka shënuar.

Is’hak ibn Rahujeh ka thënë: “Ne uleshim në Irak me Ahmed ibn Hanbelin, Jahja ibn Maini, dhe shoqëruesit tonë, duke përsëritur transmetimet prej një, dy, tre rrugëve të transmetimit… por kur unë thash: “Çfarë është qëllimi (i hadithit)? Cili është shpjegimi? Cili është kuptimi? Ata të gjithë mbetnin të heshtur përpos Ahmed ibn Hanbelit.”[30]

Kthjelltësia dhe fikhu i Ebu Thewrit në mesin e muhadithëve është gjë e njohur. Një femër u paraqit në një mbledhim të dijetarëve të hadithit, përbërë nga Jahja ibn Main, Ebu Khajtheme, Khalef ibn Selim, dhe të tjerë. Ajo i dëgjoi ata duke thënë: “Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë,” dhe “filani dhe filani kanë transmetuar,” dhe “hiç më pak se filani ka transmetuar që,” etj., me ç’rast ajo pyeti ata: “A mundet një femër në menstruacionet e saj të laj një të vdekur?” – sepse ky ishte profesioni i saj. Asnjëri nga gjithë tubimi nuk mundi t’i përgjigjej asaj, dhe ata filluan të shikojnë njëri tjetrin. Ebu Thewr arriti dhe ata e drejtuan atë tek ajo. Ajo e pyeti atë pyetjen e njëjtë dhe ajo tha: “Po, ajo mund ta laj të vdekur, për shkak të hadithit Kasimit prej Aishes: ‘Menstruacionet tuaja nuk janë në dorën tuaj’[31] dhe transmetimit të saj ku ajo fërkonte (lante) flokët e Pejgamberit (s.a.v.s.) në kohën kur ishte me menstruacione.[32] Nëse koka e të gjallit mund të lahet [nga një femër në menstruacionet e saj], atëherë aq më tepër e të vdekurit!” Kur e dëgjuan këtë, dijetarët e hadithit thanë: “Po pra! Filani e filani kanë transmetuar, dhe ky-e-ky na ka treguar, dhe e dimë prej këtij-dhe-këtij zinxhiri,” dhe u zhytën në transmetime dhe zinxhirë të transmetimeve. Femra i tha, “Ku ishit ju deri tash?”[33]

Ibn `Abd el-Berr citon Imam Ahmedin të ketë thënë: “Prej nga e njeh Jahja ibn Maini imam Shafiun? Ai nuk e njeh Shafiun as nuk e ka idenë se çfarë thotë Shafiu!”[34] Ibn Rahujeh pranoi humbjen para Jurisprudencës së Shafiut, ndonëse ai vetë ishte me reputacion për fikh.[35]

Shumica e dijetarëve të hadithit nuk posedojnë mençurinë e hadithit

Abdurrezak es-Sanani, bashkëkohës i Sufjanit, ishte mësuesi i shtyllave të memorizimit të hadithit në kohën e tyre – Ahmedit, Ibn Rahujeh, Ibn Mainit dhe Muhamed ibn Jahja el-Dhuhlij. Mirëpo kur Muhamed ibn Jezid el-Mustamlij e pyeti Ahmedin: “A posedonte ai (Abdurrezaku) fikh (të kuptuar)?” Ahmedi u përgjigj: “Sa i rrallë është fikhu në mesin e atyre që dinë hadith!”[36]

Enes ibn Sirin ka thënë: “Erdha në Kufa dhe gjeta në të 4000 persona që merreshin me hadith dhe 400 persona që kishin arritur fikh.”[37]

Imam Gazaliu në el-Mustesfa dhe Ibn Kudameh në Rawdat el-Nazir, të dytë kanë thënë që një ‘alim (dijetar) mund të jetë imam në një shkencë dhe person i thjeshtë e i paditur në tjetrën.

Ibn `Abdus-Selam ka thënë: “Shumica e dijetarëve të hadithit janë injorantë (të paditur) në Fikh.”[38] Një shumicë prej 90%, sipas Enes ibn Sirin, nga selefi!
Dhehebiu ka thënë: “Shumica e dijetarëve të hadithit nuk kanë të kuptuar, as kujdes në diturinë e hadithit, dhe frikën e Allahut në lidhje me të.”[39] Të gjitha autoritetet që Dhehebiu i radhit si “ata që pasohen (ndiqen) në Islam” janë juristë e jo vetëm muhadithë.
Sahaviu në biografinë e Ibn Haxherit të titulluar el-Xhewâhir we el-Durer transmeton qëndrime të ngjashme: El-Farikiu ka thënë: “Ai i cili e di zinxhirin e hadithit, por nuk i di vendimet që nxirren (nga ai hadith) nuk mund të konsiderohet prej dijetarëve të Fikhut.” Nxënësi i tij Ibn Ebi `Asrun (vd. 585) po ashtu pajtohet me këtë qëndrim në librin e tij el-Intisar. [40]

Çdo hadith i saktë nuk përbën dëshmi

Ibrahim en-Nehai ka thënë: “Vërtetë unë e dëgjoj një hadith, pastaj shoh cila pjesë e tij aplikohet. E aplikoj atë, dhe e lë pjesën tjetër.”[41] Shejh Muhammed Awameh thotë: “Domethënë, ajo që pranohet nga autoritetet ruhet ndërsa çdo gjë e çuditshme (gharib), e çrregullt (shadh), ose e qortuar (munker) lihet anash.”

Jezid ibn Habib ka thënë: “Kur të dëgjoni një hadith, tregojeni atë; nëse është i pranuar mbajeni, përndryshe, lëreni.”[42]

Ibn Ebi Lejla ka thënë: “Një njeri nuk e kupton hadithin derisa të dijë çka të merr prej tij e çka të lër.”[43]

Abdurrahman ibn Mehdij, Emir ul-Mu’minin fi’l Hadith, ka thënë: “Është e ndaluar për dikë që të jetë imam (dmth, të pasohet) deri sa të dijë çka është e vërtetë e çka është e pavërtetë dhe derisa nuk merr çdo gjë (të vërtetë) si dëshmi, dhe deri sa të dijë mënyrën korrekte për të nxjerrë dije (në fe).”[44]

Shafiu transmeton që i është thënë (Sahabiut) Malik ibn Enesit: “Ibn Ujejne transmeton nga Zuhriu gjëra (hadithe) të cilat ti nuk i ke!” Ai iu përgjigj: “Pse, a duhet unë të transmetoj secilin hadith që e kam dëgjuar? Vetëm nëse dua t’i devijoj njerëzit!”[45]

Shejh Ebu Ghudda thotë: “Nëse soji i Jahja el-Katanit, Wekij ibn el-Xherrahut, Abdurrezakut, Jahja ibn Mainit, dhe të ngjashmëve me ta, nuk kanë guxuar të hyjnë në (merren me) ixhtihad dhe fikh, atëherë sa kokëkrisur janë pretenduesit e Ixhtihadit në kohën tonë?! Dhe me e keqja ata i quajnë Selefët (të partët) injorant (të paditur) pa fije turpi dhe modestie! (tek) Allahu është shpëtimi jonë nga dështimi (humbja).”[46]

Paqe dhe selame mbi Pejgamberin, familjen e tij, shokët e tij, katër imamët, dhe ata që pasojnë ata deri në ditën e gjykimit.

 

Burimi: http://www.livingislam.org/n/sfh_e.html#1

Përktheu: Fatih Ibrahimi

____________________________

[1] Hadith i Pejgamberit (s.a.v.s.), transmetuar prej Muaviut nga Buhariu dhe Muslimi.

[2] El-Karij, Mu’takad Ebi Hanifete el-Imam fi Abawaj el-Resul, alejhi es-Salat we selam (fq. 42)

[3] Një hadith meshhur (transmetuar shumëfish) i vërtetë i Pejgamberit (s.a.v.s.) transmetuar prej disa sahabijve nga Tirmidhiu, Ebu Davudi, Ibni Maxheh, dhe Ahmedi.

[4] Ibn Ebi Hatim në hyrjen e veprës el-Xherh we el-Ta’dil (fq. 22-23); Ibn Ebi Zejd, el-Xhami fi es-Sunen (fq. 118-119); Ibn Abdelberr, el-Intika (fq. 61); El-Dhehebi. Shih komentet e shejh Abd el-Fetah Ebu Ghudes mbi këtë thënie në shënimet e tij mbi vepërn el-Raf we el-Takmil të el-Lekneviut (botimi 2të, fq. 368-369, botimi 3të, fq. 90-91).

[5] El-Fetava el-Hadithije, fq. 283

[6] Transmetuar nga Ibn Hibani në hyrjen e El-Mexhruh (1:42). Ai pastaj transmeton nga Ibn Wahb një thënie të ngjashme ku shton emrat e Amr ibn el-Harith dhe Ibn Maxhishun.

[7] Transmetuar nga ibn Asakir dhe Bejhekiu. Shih Ibn Rexhebi, Sherh el-Ilel 1:413) dhe Awwama (fq. 76)

[8] Transmetuar nga Kadi Ijad në Tertib el-Medarik.

[9] Në Tabakat el-Shafi’ijeh el-Kubra (2:128) nga Ibn es-Subkiu.

[10] Transmetuar nga Hatibi, el-Fakih we’l-Mutefakih (2:80).

[11] Shejh Ismail el-Ensarij, siç është cituar nga Awwameh, Athar (fq. 77)

[12] Ibn Haxheri, Tahdhib el-Tahdhib (10:449-452 #817) dhe Menabik Ebi Hanifa nga Dhehebiu

[13] Transmetuar nga Dhehebiu në Tedhkiret el-Huffaz dhe Ibn Haxheri në Tahdhib el-Tahdhib (10:450).

[14] Transmetuar nga Ibn Abdulberr në el-Intika (fq. 124).

[15] Transmetuar nga Dhehebiu në Sijar (10:205).

[16] Shih. Ibn Ebi el-Wefa, faqja e fundit e botimit të Karaçit të El-Xhewahir el-Mudijjeh.

[17] Ibn Abdelberr, Xhami Bejan el-Ilm (1:83-84), el-Kadi Ijad, Tertib el-Medarik (2:62), el-Shatibi, El-Muwafakat (4:97-98).

[18] “Dija që sjell dobi është ajo rrezet e së cilës zgjerojnë gjoksin dhe perdja e të cilës largohet në zemër.” – Ibn Ataullah,Hikam (nr. 213).

[19] Sijar (10:642)

[20] Transmetuar Mursel nga Hasani prej Ibn Asakirit në Traih dhe Hatibi në el-Xhami li Ahlak el-Rawij (botimi 1983, 1:88 #27). Krahaso El-Xhami es-Saghir (#9598) dhe Kanz (#29337).

[21] Cituar nga Dhehebiu në Sijar (botimi i Arnautit, 9:158, 12:328-329).

[22] Shih. Dhehebiu, Tedhkiret el-Huffaz (1:307) dhe Ibn Haxheri në Tahdhib el-Tahdhib (11:126-127).

[23] Es-Sahaviu, el-Xhewahir we el-Durer (fq. 21).

[24] Ibn Rexhepi, Sherh Ilel el-Tirmidhi (1:411).

[25] Cituar nga Zejd ibn Ebi el-Zerka nga Dhehebiu, Sijar (botimi i Arnautit, 7:275).

[26] Es-Sahaviu, El-Xhevahir we el-Durer (fq. 20-23).

[27] Transmetuar nga el-Hareij el-Ensarij në Dhamm el-Kelam (4:139 #907).

[28] Ibn Abdulberr, Xhami Bejan el-Ilm (2:175).

[29] Dhehebiu, Tedhkiret el-Huffaz (2:776).

[30] Transmetuar nga Ibn Ebi Hatimi në hyrjen e tij në el-Xherh we el-Ta’dil (fq. 293), Ibn el-Xhewzi në Menakib el-Imam Ahmed, dhe Dhehebiu në Tarikh el-Islam (kapitulli mbi Ahmedin).

[31] Muslimi dhe katër sunenet.

[32] Buhariu dhe Muslimi.

[33] Ibn es-Subki në Tabakat el-Shafi’ijeh, Sahaviu në parathënien e tij të Xhewahir we el-Durer, dhe Hejtemiu në Fetawa Hadithijjeh (fq. 283). Diçka e ngjashme është transmetuar nga Ahmedi nga Ibn Rexhebi në Dhejl Tabakat el-Hanabila (1:131) dhe el-Ulejmi në el-Menhexh el-Ahmed (2:208).

[34] Ibn Abdelberr, Xhami Bejan el-Ilm (2:160).

[35] Is’hak ibn Ibrahim ibn Makhlad, i njohur si Is’hak ibn Rahujeh ose Rahawejh, Ebu Jaku bel-Temimi el-Merwazij el-Hanzeli (vd. 238h), është një prej muhadithëve të mëdhenj. Ebu Kudame e konsideron atë më të madh se Imam Ahmedi në memorizim të hadithit, një vlerësim i jashtëzakonshëm duke konsideruar dijen e Ahmedit të 700,000 deri 1 milion transmetimeve sipas vlerësimeve të birit të tij Abdullahut dhe Ebu Zura er-Raziut. Ai njëherë tha për veten e tij: “Unë asnjëherë nuk kam shkruar diçka e të mos e kem nxënë përmendsh atë, dhe tani mund të shoh para meje më shumë se 70,000 hadithe në librin tim”; “Unë e di vendin e 100,000 haditheve sikur të jem duke shikuar në to, dhe unë i nxë 70’000 prej tyre përmendësh – të gjitha të vërteta (sahih) – dhe 4000 prej të pavërtetave.” (Transmetuar nga Hatibi në el-Xhami li Ahklak er-Rawij (2:380-381 #1832-1833)). Ai nuk kishte arritur të njëjtën gradë në fikh. Bejhekiu dhe të tjerë transmetojnë që ai pa sukses debatoi Shafiun në një çështje ligjore, si rezultat i së cilës ky i fundit refuzoi titullin e tij si “juristi i Horasanit”. Një dijetari Xhehmij i cili tha: “Unë mohoj një Zot i cili zbret nga njëri qiell në tjetrin,” Ibn Rahujeh iu përgjigj: “Unë besoj në një Zot që bën çfarëdo që dëshiron.” [Transmetuar nga Dhehebiu i cili identifikon dijetarin si Ibrahanim Ibrahim ibn Hisham Ebi Salih, në Muhtesar el-Uluw (fq. 191 #234).] El-Bejhekiu komenton: “Is’hak ibn Ibrahim el-Hanzali e bëri të qartë, që ai Nuzulin e konsideron prej atributeve të veprimit (min sifat el-fi’l). Së dyti, ai foli pa “si”. Kjo vërteton që ai nuk mendonte për zhvendosjen (el-Intikal) dhe lëvizjen prej njërit vend në tjetrin (el-zewal) në lidhje me këtë (cilësi).” Burimet: Ibn Ebi Jala, Tabakat el-Hanabila, (1:6, 1:184); Bejhakiu, Menakib el-Shafi’ij (1:213) dhe El-Esma we es-Sifat (2:375-376 #951); Dhehebiu, Sijar (9:558 #1877); Ibn es-Subkij, Tabakat el-Shafi’ijeh el-Kubra (2:89-90, 9:81).

[36] Transmetuar nga Ebu Jala në Tabakat el-Hanabila (1:329) dhe cituar nga Shejh Ebu Guda në hyrjen e tij të Muwetasë së Imam Muhamed esh-Shejbaniut dhe kryeveprës së tij të shkurtë el-Isnad min el-Din (fq. 68).

[37] Transmetuar nga Ramahurmuzi në el-Muhadith el-Fasil (fq. 560).

[38] Ibn Abduselam, El-Fetawa el-Mewsilijjeh (fq. 132-134).

[39] Sahaviu, el-Xhevahir we el-Durer (fq. 18).

[40] Sahaviu, el-Xhevahir we el-Durer (fq. 20-23).

[41] Transmeton Ibn Ebi Khajtheme nga Ebu Nuejmi në Hilja (4:225) dhe Ibn Rexhebi në Sherh Ilel el-Tirmidhi (1:413)

[42] Ibn Rexhebi në Sherh Ilel el-Tirmidhi (1:413)

[43] Ibn Abdelberr, Xhami Bejan el-Ilm (2:130).

[44] Transmetuar nga Ebu Nuejm në Hilja (9:3)

[45] Transmetuar nga Hatibi në el-Xhami li Akhlak er-Rawij (2:109)

[46] Ebu Ghudda, el-Isnad minel-Din (fq. 68). Me këtë vërejtje ka për qëllim Albanin dhe të tjerët si soji i tij. Nxënësi i Ebu Ghudës, Shejh Muhammed `Awame, paraqiti disa shembuj të këtij rregulli (parimi) të Selefëve në veprin e tij Athar el-Hadîth el-Sherif fi Ihtilaf el-A’immat el-Fukaha’.

Shkruan: Shejh Gibril F. Haddad

BURIM : http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=3019

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit