1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Shtypi italian: Fundi i “epokës së mashtruesit”

Më të lexuarat

Shtypi në Itali e ka kumtuar dënimin me burgim të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, si fund të një epoke në politikën kombëtare.

Të premten, një gjykatë në Milano ka dënuar Berlusconin me katër vjet heqje lirie për shkak të mashtrimeve me taksa, ndërsa më vonë e ka reduktuar në një, duke i ndaluar edhe mbajtjen e posteve publike për pesë vjet.

Gjykata, po ashtu, ka urdhëruar Berlusconin dhe bashkëpunëtorët e tij që t’iu paguajnë autoriteteve tatimore 10 milionë euro.

Ish-kryeministri italian ka kritikuar vendimin.

“Kam qenë i sigurt se do të lirohem nga një akuzë e tillë fiktive. Mund të them se ky vendim është i motivuar politikisht dhe është i patolerueshëm”, ka thënë Berlusconi.

Por, ndryshe kanë qenë komentet e mediave. “Një gjeneratë e tërë e italianëve, e lindur pas vitit 1975, për herë të parë do të votojë në zgjedhjet e pranverës së ardhshme, të cilat nuk do të jenë një referendum për ose kundër Berlusconit”, ka shkruar “La stampa”, gazetë me ndikim në Itali.

Redaktori i së përditshmes “La Republica”, Ezio Mauro, ka thënë se “kështu përfundon afera e një Titaniku – duke lindur në televizion dhe duke marrë fund në gjykatë”.

Gazeta me prirje majtiste “Il Fatto Quotidiano”, e cila kishte bërë luftë me Berlusconin gjatë tre mandatave të tij si kryeministër, ka botuar si lajm triumfues vendimin e gjykatës, duke shkruar se “manjati i mediave ka pasur kapacitet natyror për kundërvajtje”.

“Dënimi është dëshmi se Italia është qeverisur për nëntë vjet nga një mashtrues tatimesh”, ka shkruar gazeta.

Me vendimin kanë qenë të kënaqur edhe disa qytetarë.

“Mendoj se kjo pritej në një mënyrë ose tjetër. Ndoshta, kjo është hera e parë që mund të themi se ligji është i njëjtë për të gjithë”, ka thënë Claudio Conti, banor i Romës.

Belusconi ka në pronësi të tij klubin futbollistik të Milanit, tre televizione kombëtare, si dhe disa vila private.

Më 1997 dhe 1998, ai është dënuar tri herë me një total prej 6 vjetësh e 5 muaj heqje lirie, nën akuzat për korrupsion, falsifikim dhe financim të paligjshëm të partisë. Dënimet më vonë janë hequr nga gjykata më të larta ose kanë rënë nën statutin e kufizimeve.

Ai ndodhet në gjyq edhe për akuzat se ka paguar për seks një të mitur.

Berlusconi ka shërbyer tri herë si kryeministër i Italisë: më 1994-1995, 2001-2006 dhe 2008-2011.

Rasti për abuzim seksual ka qenë i fundit në serinë e skandaleve, të cilat kanë ndihmuar rënien e beftë të tij në nëntor të vitit të kaluar. Berlusconi është shkarkuar nga revolta parlamentare kundër tij dhe nga vala e panikut për tregjet financiare.

Avokatët e tij kanë thënë se do të apelojnë vendimin e fundit të gjykatës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit