Këshilli organizativ i protestës “STOP TERRORIZMIT” mbajti sot konferencë për shtyp ku u arsyetua protesta me karakter gjithëpopullor. Anëtari i Këshillit organizativ të protestës, Shemsi Recica, ish i dënuar politik me grupin e Ukshin Hotit, tha se është i papranueshëm terrorizmi i banorëve shqiptarë në veri të Kosovës. Ai tha se mbrojtja e tyre dhe ngritja e moralit të tyre nuk është detyrë vetëm e institucioneve por edhe e gjithë qytetarëve të tjerë. Prandaj protesta është obligim qytetar në këtë rast.
Anëtari tjetër i këshillit organizativ profesori dhe analisti Nexhmedin Spahiu tha se në Kosovë ka 1 milion arsye për të protestuar por ne kësaj rradhe po protestojmë kundër terrorizmit si metodë për arritjen e qëllimeve politike e cila është një rrezik I madh për Kosovën, të citur nga akti terrorist mbi familjen e Selver Haradinajt.
Anëtari tjetër i Këshillit organizativ, Zef Shala, drejtor i SHBH “Nena Tereze” tha se ne kemi ditur të protestojmë edhe para lufte për të mbrojtur vlerat tona. Kjo është një protestë që na bashkon dhe nuk na ndanë. Kurse anëtari tjetër i Këshillit, artisti Rexhep Myftari, njëherësh banor i pjesës veriore të Mitrovicës, tha se banorët e Veriut presin një përkrahje morale nga Prishtina dhe qytetet e tjera që mund të jepet përmes kësaj proteste.
Protesta mbahet nesër në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë nga ora 12.00 pa një minutë deri në ora 13.00 pa një minutë Në protestë nuk do të ketë as flamuj as fjalime por as edhe parulla tjera pos asaj “STOP TERRORIZMIT”./koha/kohaislame