0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Arritje e re në neurokirurgjinë portugeze

Më të lexuarat

Programi i ri kopmjuterik do të lejojë kirurgët që të përdorin skanimet e trurit pa i prekur ato në sallë. Ata do të kenë mundësi të selektojnë, zmadhojnë e analizojnë imazhet me pak lëvizje të thjeshta.
Kur kirurgët operojnë, ka një rregull të rëndësishëm që të gjithë ata duhet ta ndjekin: duhet t’i mbajnë duart e pastra dhe larg gjithçkaje që mund të përcjellë mikrobe.
Neurokirurgu portugez, Alexandre Campos, e di mirë këtë rregull. Para se të hyjë në sallë, Campos bën të gjitha veprimet që duhet të bëjë një kirurg. Ai lan me kujdes duart dhe parakrahët. I gjithë procesi zgjat afro 20 minuta. Por gjatë ndërhyrjes, ekziston gjithmonë mundësia që të bëjë gjëra që mund të ndotin përsëri duart e tij.
Gjatë operacionit, Camposit mund t’i duhet të shqyrtojë një CT (tomografi kompjuterike) ose një MRI (imazheri e rezonancës magnetike) për të skanuar në detaje trurin e pacientit.

Njësoj si të ndjekësh një hartë
“Mënyra më e mirë për të shpjeguar skanimet CT dhe MRI është t’i krahasosh ato me një hartë që ju përdoni për të shkuar nga Gjermania në Francë,” thotë Campos. “Ju nuk mund të memorizoni çdo cep, çdo udhëkryq. Kështu që, gjatë udhëtimit tuaj ju duhet të kontrolloni gjithmonë hartën për të parë se ku duhet të shkoni.”

Për të ndjekur atë hartë, ose skanim, Campos vazhdimisht përdor një maus dhe një tastierë kompjuteri. Por ato nuk janë gjithmonë të pastra dhe pa mikrobe.
Prandaj, për të mënjanuar një tjetër larje, atij i duhet të kërkojë ndihmën e dikujt tjetër që të përdorë kompjuterin. “Nuk është praktike të thyesh barrierën e sterilitetit. Ju pyesni dikë tjetër në sallë, nëse ata mund të bëjnë ndonjë matje, për shembull. Por ai person me shumë gjasa nuk di se çfarë duhet bërë saktësisht. Është shumë më e lehtë nëse e bëni vetë atë veprim, pa thyer barrierat e sterilitetit,” thotë neurokirurgu portugez. Kështu Campos u kërkon ndihmë ekspertëve kompjuterikë të YDreams.

Programi YScope u lejon mjekëve të konsultohen dhe të përdorin imazhet pa prekur ndonjë pajisje.
YDreams është një kompani portugeze e specializuar në teknologjinë interaktive. Së bashku, ata kanë zhvilluar programin e ri kompjuterik të quajtur YScope. Ai u lejon mjekëve të konsultohen dhe të përdorin imazhet që janë të nevojshme për operacionin, pa prekur ndonjë pajisje. E gjitha çka ata duhet të bëjnë është të lëvizin duart në ajër.
Kur është në veprim, YScope ngjason shumë me filmin “Minority report”, në të cilin aktori Tom Cruise gërsheton dhe tund duart kur sheh imazhet e së ashtuquajturës “pre-crimes” në një ekran përballë tij.
YDreams filloi të zhvillojë këtë software dhjetë muaj më parë. Ai po formëzohet për të qenë një version i vërtetë botëror për ëndrrat tona science fiction.
Në selinë e YDreams pranë kryqytetit portugez të Lisbonës, inxhinierët kompjuterikë janë të zënë me eksperimentimin dhe testimin e teknologjive të reja. Ka kudo kompjutera, kabllo dhe ekrane. Në njërën anë të dhomës ndodhet një ekran i sheshtë, i madh. Poshtë tij, është Kinect, një sensor i lëvizshëm që zakonisht përdoret për video-lojërat në Xbox. Por ata nuk gjenden sot këtu për lojëra. Ata janë të lidhur me YScope. Për t’a zmadhuar atë, një nga inxhinierët teknologjikë të software-it lëviz dorën e tij në ajër, sikur po kap diçka të padukshme. Duke e mbajtur dorën e tij të shtrënguar, ai e lëviz atë poshtë, sikur po lëviz kursorin teksa klikon.

Diçka e rrallë
Menaxheri i projektit, Fernando Nabais, thotë se skuadra e tij është e prirur për një zgjidhje të sipërfaqshme që imiton lëvizjen e asaj që kirurgët realizojnë me anë të mausit kompjuterik. “Unë nuk mund të gënjej dhe të them që ky është më i shpejtë se mausi,” thotë Nabais. “Por ai kursen kohë, sepse mjekëve nuk u duhet të thyejnë sterilitetin dhe të bëjnë një tjetër pastrim të duarve dhe parakrahëve.”

Nuk është hera e parë që teknologjia Kinect përdoret për të ndryshuar imazhet mjekësore të kësaj natyre. Por Nabais thotë se ky është aplikimi më i arrirë i këtij lloji. “Nëse kërkoni në Youtube me ‘Kinect’ dhe ‘ndryshim të imazheve mjekësore’ për shembull, do të shikoni 30 ose 40 aplikime të tjera në këtë fushë. Por unë mendoj se këto aplikime që do të gjeni janë thjesht teknologjike,” thotë Nabais.

Ajo çka u nevojitet mjekëve
YScope është ende në fazën e testimit. Por Nabais thotë se deri tani testet kanë qenë shumë premtuese. Neurokirurgu Alexandre Stamos thotë se ka shumë interes dhe shumë kërkesa për këtë metodë. “Kam marrë emaile dhe telefonata nga i gjithë vendi,” thotë ai. “Një koleg imi, drejtori i neurokirurgjisë, më dërgoi një email ku shkruante ‘kur mund t’a kem këtë?!”
Pritja e gjatë mund të marrë fund shumë shpejt. YDreams planifikon të hedhë software-in në treg nga fundi i këtij viti, duke nisur me Portugalinë, e më pas me pjesën tjetër të botës./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit