1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pse ushtria amerikane e konsideron hixhabin “terrorizëm pasiv?”

Më të lexuarat

Nga Arun Kundnani

Mënyra se si një qeveri kundërpërgjigjet ndaj dhunës dhe terrorit tregon shumë si për natyrën e qeverisë ashtu dhe për natyrën e kundërshtarëve të saj të dhunshëm.

Në vitin 1976, zyrtarët e sigurisë në Gjermaninë Perëndimore hoqën trurin e radikales së krahut të majtë Ulrike Meinhof, pasi ajo u gjend e vrarë në qelinë e saj. Ata shpresonin se neuropatologët do të zbulonin pse ajo zgjodhi të hiqte dorë nga karriera e saj si gazetare e suksesshme për t’ju bashkangjitur Grupit të Ushtrisë së Kuqe, një grup i armatosur i ekstremit të majtë.

Për qeverinë dukej më e natyrshme të gjenin burimin e dhunës së saj në deformime të trurit se sa në konfliktet politike të Gjermanisë së pasluftës.

Edhe sot, në “luftën kundër terrorizmit”, historitë që tregon qeveria për veten e vet në lidhje me format e dhunës me të cilat përballet janë të rrënjosura më shumë në fantazi dhe paragjykime se sa në fakte.

Një dokument zyrtar i sapo publikuar nga Laboratori i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara është një shembull konkret i kësaj. Dokumenti quhet ”Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm: Metodat shkencore dhe strategjitë”. Është përpiluar me qëllimimin për të ndihmuar Shtëpinë e Bardhë që të angazhojë komunitetin musliman në Shtetet e Bashkuara. Në dokument përfshihen materiale të ndryshme, që nga informacionet sipërfaqësore, e deri te ato më të rrezikshmet.

Një kapitull në veçanti më tërhoqi vëmendjen për shkak të teorisë që shpjegon faktorët e radikalizimit. Në të thuhet se shamia që vendosin muslimanet në kokë është “formë pasive e terrorizmit” dhe se terrorizmi është i nxitur nga “shtypja e seksualitetit”.

Sigurisht që nuk ka të dhëna për të argumentuar thënien se “rritja e numrit të femrave që vendosin shaminë” është i lidhur zakonisht me përhapjen e asaj që dokumenti konsideron si “Islam të dhunshëm”.

Teoritë e radikalizmit janë në dobi të qeverive, paso ato ofrojnë një arsyetim për mbikqyrjen në shkallë të gjerë.
Rapoti thjeshtë citon Saba Mahmood-in, një antropolog të Universitetit të Kalifornisë në Berkley, shkrimet e të cilit në fakt argumentojnë pikërisht të kundërtën: se kuptimi i shamisë ndryshon gjërësisht dhe se nuk mund të shihet kurrë si tregues i mbështetjes së terrorizmit. Të pohosh se ato që mbajnë shami janë “terroriste pasive” do të thotë të dënosh miliona femra në mënyrën më paragjykuese të mundshme.

Nga ana tjetër, teoria se terrorizmi nxitet nga shtypja seksuale është një paragjykim i vjetër. Në fakt është një version i përditësuar i një pretendimi fals, shpesh i bërë gjatë Luftës së Ftohtë, sipas të cilit komunizmi përhapej duke joshur vetmitarë seksualë të frustruar.

Çuditërisht, në mbështetje të këtij argumenti mbi shkaqet e terrorizmit, dokumenti i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara citon Journal of Psychiatric Orgone Therapy, një botim online pa kredenciale akademike, kushtuar promovimit të pikëpamjeve të psikoanalistit maksist Wilhelm Reich.

Reich mendonte se orgazma e shfrenuar mund të sheronte kancerin dhe skicofreninë. Mbase, për t’i shëruar ata nga ideologjia e tyre ekstremiste, qeveria amerikane po planifikon t’i vendos “terroristët aspirantë” në “makineritë e orgazmës” që kishte projektuar Reich-u.

Dokumenti i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara nuk është rasti i vetëm i një analize keqinformuese. Këto 10 vitet e fundit është krijuar një mini-industri që ka depërtuar në SHBA për të trumbetuar teori radikalizimi. Cilësia e tyre varion nga qesharake në qasje të njëanshme.

Grupe të ndryshme ekspertësh mbi sigurinë kombëtare, departamente akademike të financuara nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe agjenci të shërbimeve sekrete amerikane kanë marrë miliona dollarë për të prodhuar modele të procesit me anët të të cilit dikush radikalizohet dhe kthehet në terrorist.

Ashtu siç kanë pohuar më parë shumë studiues objektivë në këtë fushë: këto lloj teorish mbi radikalizimin nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se prodhojnë disa supozime boshe. Së pari, ata supozojnë se ekziston një ndryshim i madh midis dhunës “islamike” dhe formave të tjera të dhunës politike, si ekstremizmi i të djathtës ekstreme përshembull. Veç kësaj, dhuna muslimane analizohet veçmas duke u fryrë.

Që nga 11 shtatori, në Shtetet e Bashkuara janë vrarë më shumë njerëz nga ekstremistët e të djathtës ekstreme se nga muslimanët, por këta të fundit marrin gjithmonë të gjithë vëmendjen e medias.

Argumentet empirike nuk e mbështesin pohimin se deologjitë fetare shkaktojnë terrorizëm.
Së dyti, teoritë mbi radikalizimin kanë prirje të supozojnë se disa forma të ideologjisë fetare islame janë faktorë kyç në shndërrimin e disave në terroristë. Këto supozime çojnë në shprehjen e ideologjisë fetare islame, si veshja e hixhabit, e cila gabimisht shihet si shenjë paralajmëruese e një problemi terrorist.

Argumentet empirike nuk e mbështesin pohimin se deologjitë fetare shkaktojnë terrorizëm. Vullnetarët europianë të ISIS-it nuk janë të motivuar nga ndonjë ideologji islame, ashtu si Abdelhamid Abaaoud, lideri i supozuar i sulmeve të Parisit në nëntor të 2015-ës, për të cilin raportohej se kishte pirë uiski e tymosur kanabis.

E megjithatë, teoritë që fokusohen vetëm në ideologjinë fetare janë pranuar zyrtarisht. Në New York, për shembull, modeli i radikalizmit i përdorur nga Departamentit i Policisë ka mbështetur një program të mbikqyrtjes në masë ku popullsia muslimane e qytetit është monitoruar në mënyrë sistematike – në xhami, kafene, në organizatat komunitare, librari dhe vendet e punës.

Policia nuk kërkoi thjeshtë për komplote terroriste. Përkundrazi, modeli i tyre i mangët i radikalizmit i sugjeroi atyre që të kërkonin për të rinjë që kishin filluar të vishnin “veshje tradicionale islame”, të rrisnin mjekrat, apo që kishin filluar të përfshiheshin në “aktivisëm social dhe probleme të komunitetit”. Me sa duket, të gjitha këto ishin tregues të radikalizmit. Sipas Departamentit të Policisë së New Yorkut, e tillë konsiderohej edhe heqja dorë nga pirja e duhanit.

Nëse nuk ka prova për teori të tilla radikalizimi, atëherë nga vjen i gjithe ky ndikim? Çësthja qendron te fakti se teoritë e radikalizmit janë në dobi të qeverive, paso ato ofrojnë një arsyetim për mbikqyrjen në shkallë të gjerë.

Për agjencitë zbatimit të ligjit është më e lehtë të kërkosh për ideologji fetare se sa të kërkosh për ata që planifikojnë sulme fshehurazi.

Por, mbi të gjitha, teoritë e radikalizimit janë joshëse pasi i japin elitës politike amerikane një narrativë të thjeshtë për t’i treguar vetes mbi shkaqet e terrorizmit. Në këtë narrativë, faji për terrorizmin i vihet direkt ideologjisë islame. Nuk është nevoja të njihen shkaqet më të ndërlikuara të dhunës që përfshijnë historinë e politikës së jashtme amerikane në Lindjen e Mesme, Azinë Jugore dhe Afrikën Veriore dhe Lindore.

Pretendimet se shamia përbën një formë “pasive terrorizmi” dhe se terroristët nxiten nga shtypja seksuale nuk janë thjeshtë injorante apo budallaqe. Ato reflektojnë një njorancë dhe budallallik të kultivuar nga elitat e Shteteve të Bashkuara për të mohuar pasojat shkatërruese të politikave të tyre.

Kësaj elite i pëlqen të mendojë se dhuna e saj është racionale dhe kundër-reaguese, kurse dhuna e armiqve fanatike dhe agresive. Por edhe SHBA-të bombardojnë gazetarë, fëmijë dhe spitale. Edhe ajo është radikalizuar pasi është bërë më e prirur të përdorë dhunën në një shkallë të gjerë – që nga torturat, sulmet me dronë, e deri të luftërat me porosi.

Një elitë amerikane që ka arritur të kuptojë mirë aftësinë e saj për dhunë ekstreme nuk ka nevojë për teori të çuditshme për të shpjeguar dhunën e armiqve të saj.

Arun Kundnani është autori i librit” Po vijnë muslimanët”. Ai ligjeron në Universitetin e New Yorkut.

Versioni në anglisht i këtij artikulli është publikuar te The National.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit