Në konferencën “Prioritetet e Mbretërisë së Holandës në Këshillin e BE-së në fokus në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën”, e cila po mbahet në Prishtinë, ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku, ka thënë se BE-ja nuk e ka zbehur interesin për Kosovën.
“Më gëzon fakti se për kundër sfidave të BE-së nuk kemi pasur zbehje të fokusit të shteteve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën. Gjatë këtij viti me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe rekomandimin e vizave kemi pasur transformim pozitiv në rrugën e integrimeve”, ka deklaruar Çollaku, raporton lajmi.net
Ai ka shtuar se fokusi i institucioneve të Kosovës deri në anëtarësimin në BE, do të jetë zbatimi i plotë i marrëveshjes së MAS-së në afate kohore.
“Synimi jonë është që gjatë këtyre tri viteve ne të aplikojmë për statusin e vendit kandidat të BE-së”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, ka konfirmuar se shteti i saj mbetet i fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën.
“Ne fokusohemi në respektimin e vlerave të BE-së, si respektimi i ligjit dhe të drejtat fondamentale”, është shprehur Willems, shkruan lajmi.net
Ajo ka nënvizuar se Holanda ka qenë, është dhe do të mbetet partnere e Kosovës në rrugë evropiane. Por sipas saj, sundimi i ligjit është një gjë shumë e rëndësishme.
“Implementimi i MSA-së do të jetë një shtytje e Kosovës drejt përafrimit në BE. Përkushtimi, plotësia dhe zbatimi i reformave janë elemente të rëndësishme drejt afrimit në BE. Po ashtu edhe komunikimi me qytetarët”, konstatoi Willems.
Kujtojmë se nga janari i këtij viti Holanda ka marr kryesimin e BE-së.
Ndërsa shefi i zyrës ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, L’ubomir Batáry ka thënë se shteti i tij, i cili merr kryesimin e BE-së pas dy muajve, do të ndihmojë Kosovën në zbatimin e MSA-së, dhe siç është shprehur ai është për të gëzuar fakti se institucionet e Kosovës, e kanë në prioritet zbatimin e kësaj marrëveshje.
Ai ka folur edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian gjatë mandatit të kryesimit të BE-së nga ana e Sllovakisë, ku është shprehur se për këtë do të jenë të interesuar , por siç është shprehur ai kjo varet nga kushtet që i plotësojnë shtetet kandidate.
“Ne do të kemi interesimin edhe për zgjerimin e BE dhe kjo do të varet nga plotësimi i kërkesave të shteteve kandidate”, ka thënë ai.
Në këtë konferencë ishte i ftuar edhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Samuel Zhbogar. Ai tha se BE do vazhdojmë mbështetjen për Kosovën, duke përmendur edhe çështjen e rekomandimit të liberalizmit të vizave dhe aksionin e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, ndaj një grupi të krimit të organizuar të ndërmarr javë më parë, si diçka të mirë për Kosovën.
Zhbogar edhe në këtë konferencë ka përsëritur dy kërkesat e BE-së, që Kosova të ratifikojë marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë që kosovarë të lëviznin pa viza në zonën Schengen.