1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Miqësia

Më të lexuarat

Miqësia është një thesar i vlefshëm, kurse miku i mirë është shoqëruesi i ndershëm. Në fakt, mik i mirë llogaritet një njeri i cili fatkeqësinë e dhimbjen e ndan me ty dhe ndjehet i lumtur bashkë me ty kur edhe ti je i lumtur. Ai i fsheh sekretet dhe mangësitë e tua si dhe, në një anë tjetër, të ndihmon në veprimet tua të mira dhe të mbron nga rënia në pune të këqija. Megjithatë, përzgjedhja e miqve nuk është gjë e lehtë! Si rrjedhojë, pra, para përzgjedhjes së njerëzve të cilët do t’i konsiderosh si bashkëpjesëtarë të jetës sate, duhet t’ua vështrosh natyrën, shprehitë, virtytet dhe veset atyre personave përkatës si dhe të hulumtosh se prej çfarë familjeje rrjedhin.
E arsyeshme është thënia e Pejgamberit alejhi selam në të cilën ka thënë se njeriu është në fenë e shokut të tij dhe thoshte se nuk ka miqësi mes dy vetave përderisa njëri nuk ia dëshiron tjetrit atë që e dëshiron për vete. I Madhërueshmi e ka ndaluar shoqërimin me pabesimtarët, adhuruesit e idhujve, politeistët, keqbërësit e ndryshëm etj. Veç këtyre, edhe shoqërimi me dyfytyrëshit dhe me jomuslimanët të cilët punojnë kundër Islamit dhe kundër interesit të muslimanëve është i ndaluar. Pra, miq nuk duhet t’i kemi rrenacakët, të pacipët, të marrët, koprracët, mëkatarët e mëdhenj, kryelartët, lajkatarët e as keqdashësit.

Argumente nga Kur’ani

1) “Besimtarët të mos i miqësojnë mosbesimtarët, e t’i lënë manash besimtarët! E kush bën atë, ai nga feja e All-llahut nuk ka asgjë, përveç nëse është për qëllim ruajtja prej së keqes së tyre. All-llahu ua tërheq vërejtjen me dënim prej Tij, ngase vetëm tek All-llahu është e ardhmja” (Kur’an, 3: 28).
2) “O ju që besuat, mos i zini për miq të ngushtë të tjerët jashtë mesit tuaj, ata nuk pushojnë së vepruari në dëm tuajin, ju dëshirojnë çka ju mundon juve! Urrejtja kundër jush duket nga gojët e tyre, por ajo që fshehin në gjoksat tyre është edhe më e madhe. Ne, pra, jua kemi sqaruar faktet nëse ju i kuptoni!” (Kur’ani, 3: 118).
3) “O ju që besuat, mos i zini miq jobesimtarët e t’i lini anash besimtarët! A doni t’i sillni All-llahut argument të qartë kundër vetës?” (Kur’an, 4: 144).
4) “Mik (i afërt) juaji është vetëm All-llahu, është i dërguari i Tij dhe ata që besuan e që falin namazin dhe japin zeqatin duke bërë rukuë (duke qenë respektues). E kush ka për mik All-llahun, të dërguarin e Tij dhe ata që besuan, s’ka dyshim se ana (pala-krahu) e All-llahut është ngadhënjyese!” (Kur’an, 5: 55-56).
5) “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zeqatin, e respektojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë All-llahu. All-llahu është ngadhënjyes, i urtë!” (Kur’an, 9: 71).
6) “Nuk gjen popull që e beson All-llahun dhe Ditën e Gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre!…” (Kur’an, 58: 22).
7) “O ju që besuat, nëse keni dalë (prej vendlindjes) për hir të luftës për rrugën Time, duke kërkuar kënaqësinë Time ndaj jush, mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri, kur dihet se ata mohuan të vërtetën që u erdhi juve!…” (Kur’an, 60: 1).

Argumente nga Sunneti

1. Ebu Hurejra (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, pra, kini mendjen se me kë po shoqëroheni!”.
[Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe ebu Davudi]
2. Jezid ibën Na’ami (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Kur dikush dëshiron të afërsohet me një njeri tjetër, le ta pyesë atë për emrin e tij, emrin e babait të tij dhe për prejardhjen e tij, sepse në këtë mënyrë afërsia bëhet më e fortë!”.
[Transmeton Tirmidhiu]
3. Imran ibën Hetani (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregon: “Vajta te ebu Dherri dhe e gjeta të vetmuar në xhami të mbuluar me një mbulojë të zezë. I thashë: O ebu Dherr! Pse je duke qëndruar kështu i vetmuar? Ai më tha: E kam dëgjuar Pejgamberin alejhi selam të thotë: “Vetmia është më e mirë se shoqëria e keqe, kurse shoqëria e mirë është më e mirë se vetmia! Fjalët e dobishme janë më të mira se heshtja, kurse heshtja është më e mirë se fjalët e këqija!”.
[Transmeton Bejhekiu]
4. Ebu Musa (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Shoqëria e mirë dhe shoqëria e keqe janë sikur një njeri që i vie era misk dhe një njeri që nga vetja e tij nxjerr pisllëqe. Sa i përket atij që ka aromë misku, prej tij mund të nuhatësh aromë të këndshme, ndërsa sa i përket atij që i vie erë e ndyrë, prej tij vetëm se mund të të tollovitet gjendja!”.
[Transmeton Buhariu dhe Muslimi]
5. Enesi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij dhe nuk ka miqësi mes dy njerëzve përderisa të dytë, veç e veç, nuk ia duan tjetrit atë që e duan për vete!”.
[Trannsmeton ibën Adi]
6. Ebu Hurejra (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Formo lidhje të mirë fqinjësore me atë njeri që shfaq afërsi ndaj teje dhe kështu do të jesh musliman i vërtetë! Mbaj miqësi me atë njeri që shfaq miqësi të sinqertë ndaj teje dhe kështu do të bëhesh besimtar i vërtetë!”.
[Transmeton Tirmidhiu dhe ibën Maxhe]
7. Mu’adh ibën Xhebbeli (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) përcjell nga Pejgamberi alejhi selam se All-llahu i Lartësuar ka thënë: “Dashuria Ime u takon atyre njerëzve që duhen për hir Timin, atyre që ulen (bisedojnë) sëbashku për hir Timin, atyre që vizitohen mes veti për hir Timin dhe atyre që japin gjëra (nga pasuria e tyre) për hir Timin!”.

[Transmeton Maliku]

përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI 24.12.2007

shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam
autor: Muhammed el-Kudri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit