1.4 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

PSE ALL-LLAHU KRIJOI TË KEQEN?

Më të lexuarat

Dr. Mustafa Mahmud

PSE ALL-LLAHU KRIJOI
TË KEQEN?

Miku vazhdoi më tej:
Si mund të thoni se Zoti juaj është i përkryer, bujar, mëshirues, fisnik, i butë, kurse i ka krijuar të gjitha këto të këqija në botë: sëmundjen, pleqërinë, vdekjen, tërmetet, vullkanet, mikrobet infektuese, helmin, thatësirat, ftohtësinë, kancerin i cili nuk po i kursen as fëmijët e as pleqtë? Nëse Zoti është dashuri, bukuri dhe mirësi, si e krijoi atëherë urrejtjen, shëmtinë dhe të keqen?!
Problemi të cilin e inicoi pyetja e mikut është ndër problemet fundamentale të filozofisë, shpjegimi i të cilit i ka ndarë shkollat dhe mendimet.
Në këtë përgjigjemi: Zoti është i mëshirueshëm dhe i mirë. Ai nuk ka urdhëruar të veprohet keq, por nga mençuria Ai nuk e pamundësoi atë.

“… Thuaj: All-llahu nuk urdhëron të bëni amoralitet. A po
flisni për All-llahun atë që nuk e dini? Thuaj: Zoti im
urdhëron drejtësi…” (El-’Arâf, 28-29).

All-llahu urdhëron vetëm drejtësi, dashuri, mirësi, falje dhe atë çka është e mirë dhe kënaqet vetëm me të mirën dhe të këndshmen.
Por, pse atëherë e lëshoi kriminelin të bëjë krim, vrasësin të vrajë, vjedhësin të vjedhë? Për arsye se ka dëshiruar të jemi të lirë dhe të gjykojmë pa kurrfarë ndikimi. Ndërsa liria paraqet mundësinë për të gabuar, përndryshe nuk do të quhej liri! Zgjedhja e lirë është ndërmjet mosdëgjimit dhe dëgjimit.

Ka qenë në mundësinë e All-llahut që të gjithëve të na bëjë të mirë dhe të na detyrojë në dëgjueshmëri, që do të nënkuptonte të marrurit e lirisë së të zgjedhurit.
Sipas dëshirës dhe urtësisë së Zotit, liria me dhembje është më fisnike për njeriun se sa robëria me fat. Për këtë arsye edhe është lënë mundësia e të gabuarit!
Shikimi korrekt dhe objektiv na zbulon se e mira në ekzistencën e përgjithshme është parim, kurse e keqja përjashtim. Shëndeti është bazë, kurse sëmundja përjashtim. Ne kohën më të madhe të jetës e kalojmë në shëndet. Sëmundja rrallë na godet. Ashtu është edhe me tërmetin i cili zgjat disa minuta në jetën e Tokës me miliona vjet. Këtu është edhe me luftërat dhe katastrofat. Të gjitha këto janë shtangime të shkurtra në jetën e popujve ndërmjet periudhave të gjata të paqes.
Praktikisht, çdo gjë e ka anën e mirë të saj. Sëmundja nxit ruajtjen e shëndetit, dhembja është burim i qëndresës, këmbënguljes dhe gatishmërisë për sakrificë. Tërmetet janë marrje frymë, lirim i shtypjes së brendshme të rruzullit tokësor, të cilët e ruajnë sipërfaqen e saj nga shpërthimi. Vullkanet nxjerrin pasuri të fshehta xehesh dhe e mbulojnë sipërfaqen e Tokës me llavë të plleshme. Luftërat i lidhin popujt. Nga kjo lidhje vargore u krijuan edhe Kombet e Bashkuara edhe Këshilli i Sigurimit, si instanca më të larta botërore, të cilat i zgjidhin kontestet ndërkombëtare.
Penicilini, atomi, aeroplanët raketorë, raketat janë zbuluar duke iu falënderuar luftërave. Helmi i gjarprit e përmban kundërhelmin më efikas. Nga mikrobet bëhen vaksinat. Pozitat të cilat i kemi tash nuk do të na takonin sikur të ishin gjallë gjyshërit tanë. E keqja në kozmos është sikur hija në fotografi; nëse i afrohesh të duket se është gabimi dhe mungesa e fotografisë, por, nëse fotografinë e vështron nga largësia e duhur, do të zbulosh se ajo është e domosdoshme dhe se hija ka detyrë të dorës së parë në formimin estetik të fotografisë.

A do të mund të dinim ç’është shëndeti sikur të mos ishte sëmundja? Të mirën e njohim duke iu falënderuar të shëmtuarës, pozitës natyrore duke iu falënderuar jonatyrores. Në këtë kuptim janë edhe fjalët e Ebu Hamid El-Gazaliut të madh:
“Mospërkryerja e kozmosit është përkryerja e tij, sikur që është edhe shtrembërimi i harkut drejtësia e tij, sepse, në të kundërtën, nuk do të mund ta hedhte shtizën”.
Domethënia tjetër e vështirësive dhe dhembjeve është zbulimi i natyrës së vërtetë të njerëzve. Sikur të mos ishte vështirësia, të gjithë njerëzit do të ishin të njëjtë, bujaria do të varfërohej, kurse lufta do ta humbte ëmbëlsinë e sulmit.
Ky është provim për çdonjërin prej nesh para vetes dhe para Zotit të madhëruar.
Kjo botë nuk është gjë tjetër veçse një kaptinë romani, i cili ka disa kaptina, kurse vdekja nuk është fundi i tregimit por fillimi i tij.
Nuk është korrekte të japim gjykimin për dramën në bazë të vetëm një akti të saj, sikur që është jokorrekte ta hedhim poshtë një vepër, sepse faqja e parë e saj nuk na kënaq. Gjykimi korrekt bëhet tek në fund.
Dhe, më në fund, me çka e konpenson tërë këtë miku. A mos po kërkon ai jetë pa vdekje, pa sëmundje, pa pleqëri, pa të meta, pa ndihmë, pa kufizim, pa pikëllim dhe pa dhembje. A nuk po kërkon përkryerjen absolute, ndonëse përkryerja absolute i përket vetëm Zotit. I përkyer është vetëm Një dhe i Vetmi, do të thotë se miku nuk do të jetë i kënaqur derisa ai personalisht të bëhej zot, e kjo është përçmim i vetvetes. Ai dhe të pakënaqurit e ngjashëm me të vetëm na bëjnë të qeshemi. Ata dëshirojnë që jeta të bëhet parajsë, por, ç’kanë bërë që të bëhet ashtu? Me çka miku ynë është i denjë të bëhet zot. Gjyshja ime ka qenë më e mençur se doktori i doktoruar në Francë kur thjesht tha:
“E mira është nga Zoti, kurse e keqja nga vetë ne”.

Këto fjalë të pakta e përkufizojnë dhe e sqarojnë gjithë problemin. Zoti e ka dhënë erën dhe lumin, por kapiteni i anijes e ngarkon me njerëz dhe e ngarkon me mall, dhe kur anija fundoset e shanë Zotin dhe e mallkon fatin. Çfarë mëkati ka Zoti në këtë!
Ai e dha ujin në të cilin anija do të lundrojë edhe era e cila anijen do ta lëvizë, por nefsi dhe pangopësia njerëzore të mirën e shndërruan në të keqe.
Sa urtësi dhe mençuri kanë fjalët:
“E mira është nga Zoti, kurse e keqja nga vetë ne!”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit