0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Thaçi, jo koalicion me partitë opozitare

Më të lexuarat

Kryeministri Hashim Thaçi i është përgjigjur negativisht dëshirës së zyrtarëve të AAK-së për t’u bërë pjesë e një koalicioni të ri. Ai ka thënë se koalicioni qeverisës mund të ndryshojë vetëm pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Por, kreu i Qeverisë ka mirëpritur gatishmërinë e partisë së Ramush Haradinajt për të marrë pjesë në dialogun me Serbinë.

Thaçi ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të hyjë në koalicion me asnjë parti opozitare e as me AAK-në, e cila ka shprehur gatishmëri për t’u bërë pjesë e një ekzekutivi të ri në vend. Pavarësisht kësaj, Thaçi ka thënë se ndryshimi i koalicionit do të ndodhë vetëm me zgjedhje të reja në afatin kushtetues, më 2014.

“Koalicioni aktual është funksional dhe mirëqeverisës, në të njëjtën kohë nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, zgjedhjet do të jenë të rregullta në afatin kushtetues. Por, ka hapësirë dhe mundësi për gjithkënd për të kontribuar në konsolidimin dhe forcimin e shtetit”, ka thënë Kryeministri për Zërin e Amerikës, transmeton “Express”.

“Ndryshimet politike ndodhin vetëm kur ndodhin zgjedhjet e reja elektorale”, ka shtuar ai.

Zyrtarët e AAK-së kanë deklaruar në muajin e fundit se do të marrin pjesë në bisedimet e ardhshme politike me Serbinë, duke shprehur gatishmërinë të bëhen jenë pjesë e Qeverisë.

I pari që nuk kishte mohuar një koalicion të tillë ka qenë Ardian Gjini e më pas udhëheqësi aktual i AAK-së, Blerim Shala, i cili shprehur hapur pro koalicionit me PDK-në me kushtin që Ramush Haradinaj të merr postin e Kryeministrit.

Kundër një koalicioni mes Thaçit e Haradinajt ka dalë të enjten edhe Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi.

Ai ka thënë se nuk e sheh të nevojshme ndryshimin e koalicionit për të shkuar në bisedime me Serbinë.

“Unë mendoj që nuk ka ndonjë arsye që për çështje të bisedimeve të bëhen koalicionet. Për këtë çështje as që është biseduar në organet e partisë”, ka thënë Krasniqi për Radio Dukagjinin.

Por, më herët Krasniqi kishte thënë se jo vetëm AAK, por edhe partitë tjera duhet të bëhen bashkë në koalicionin për të shkuar pastaj në bisedime me Serbinë.

Thaçi ndërkaq ka folur pozitivisht për gatishmërinë e opozitës konkretisht AAK-së për t’iu bashkuar procesit të bisedimeve me Serbinë. Ai ka thënë se e mirëpret gatishmërinë e një pjesë të opozitës për të marrë hise në dialogun e ardhshëm do të zhvillohet me Serbinë.

Ndryshe, edhe AKR-ja e Behgjet Pacollit ka dal me qëndrim se nuk e ka në plan të largohet nga Qeveria, edhe nëse PDK hyn në koalicion me AAK-në. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit