-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

“Të zgjidhet çështja e refugjatëve të bllokuar në Maqedoni”

Më të lexuarat

Ambasadori i Japonisë në Maqedoni, Makoto Taketoshi së bashku me përfaqësuesit e agjencive të OKB-së në vend, pas vizitës në qendrën tranzitore të refugjatëve në Tabanoc apeluan që vendi, rajoni dhe komuniteti ndërkombëtar të ndërmarren masa dhe të zgjidhet çështja e refugjatëve të bllokuar në territorin e Maqedonisë, tashmë më shumë se një muaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori Taketoshi tha se Japonia është e kufizuar për të ofruar ndihmë në lidhje me krizën e refugjatëve, për shkak se ky vend nuk është destinacion i fundit i refugjatëve. Ai njoftoi se Japonia do të udhëheq në Samitin G7 që do të mbahet në muajin maj në Tokio dhe qeveria japoneze do të japë përshtypjen në lidhje me krizën e refugjatëve në Maqedoni.

“Japonia gjeografikisht është vend i largët, por kjo krizë e refugjatëve nuk është problem vetëm i dikujt. Ne plotësisht e kuptojmë këtë nga kjo krizë dhe për këtë arsye qeveria jonë ka vendosur që në mënyrë proaktive të kontribuojë për komunitetin ndërkombëtar. Mirëpo, vendi jonë mund të kontribuojë vetëm në ndihma financiare dhe do të vazhdojë të sigurojë mjete financiare sikurse vitin e kaluar”, tha ambasadori Taketoshi.

Koordinatorja e përhershme e OKB-së në Maqedoni, Louisa Vinton theksoi se Japonia është njëra ndër vendet e cila më tepër ka ndihmuar Maqedoninë për tu ballafaquar me krizën e refugjatëve gjatë vitit të kaluar. Ajo njoftoi se qeveria japoneze përmes UNDP-së këtë vit ka siguruar edhe mbi 2 milion dollarë amerikan në mbështetje të komunave më të prekura nga kriza e refugjatëve, të tilla si Gjevgjelia dhe Kumanova.

“Tani për tani gjëja më e rëndësishme është vendimi i qartë i ardhshëm se çfarë do të ndodhë me njerëzit të cilët janë të bllokuar në këtë vend, sepse pritja në këto kushte për një kohë të gjatë është me të vërtetë e vështirë. Është koha që vendi, rajoni dhe komuniteti ndërkombëtar të bëjnë një hap para me një vizion të qartë se çfarë do të ndodhë me ta”, deklaroi Vinton.

Thirrje për zgjidhjen e çështjes së krizës së refugjatëve bën edhe përfaqësuesi i UNHCR-së, Mohammad Arif, i UNICEF-it, Bertrand Demulen, si dhe udhëheqësja e IOM-it, Sonja Bozhinovska, të cilët shoqëruan ambasadorin japonez gjatë vizitës së qendrës tranzitore në Tabanoc.

Nga fillimi i krizës së refugjatëve, Qeveria e Japonisë u ka siguruar mbi 3.6 milion dollarë amerikan agjencive të OKB-së në vend për nevoja humanitare të refugjatëve dhe emigrantëve, si dhe për të lehtësuar ngarkesën e komunave më të prekura nga kriza e refugjatëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit