0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

18 Burime të Bereqetit

Më të lexuarat

Nëse do të kërkonim një definicion Islam për produktivitetin, me siguri do të mund të mblidhej në fjalën “bereqet” ose bekim. Të jesh në gjendje të arrish më shumë me sa më pak resurse, të bësh shumë në pak kohë, dhe të gjenerosh shumë me përpjekje të vogla është padyshim një bekim nga Allahu (Subhanehu we te‟ala).

Sidoqoftë, kjo është shndërruar disi në një thesar të humbur në këto ditë; çdokush e kërkon atë, mirëpo duket se askush nuk mund ta gjejë! Vazhdimisht i dëgjon njerëzit duke u ankuar se nuk ka bereqet në kohën e tyre, nuk kanë bereqet në gjumin e tyre, nuk kanë bereqet në paratë e tyre, dhe gjërat e tjera. Në këtë artikull, do ta zgjedhim këtë mister inshAllah: do ta mësojmë se çka është bereqeti dhe ku mund ta gjesh atë!

Çka është bereqeti?

Një nga thirrësit e njohur e shpjegon këtë si në vijim: “Bereqet është bashkëngjitja e mirësisë hyjnore tek një gjë, kështu që nëse ndodh në diçka të vogël e rritë atë. E nëse ndodh në diçka shumë sjell përfitim. Dhe nga frytet më të mëdha të bereqetit në të gjitha gjërat është përdorimi i atij bereqeti në nënshtrueshmërinë ndaj Allahut (Subhanehu we te‟ala).

Burimet e bereqetit

Unë jam një besimtar i denjë se bereqeti nuk është një thesar i humbur, në të vërtetë, ai është mu para syve tuaj! Ky thesar është në dispozicion dhe i gatshëm për tu bartur tek ai i cili punon për të. Më poshtë, kam listuar disa nga burimet e bereqetit. Nuk është një listë rraskapitëse, kështu që, unë mendoj se ju mund të kontribuoni në të me komentet e juaja inshAllah në mënyrë që të gjithë ne të ndajmë dhe zgjerojmë kuptimin tonë të këtij thesari të madh në ProductiveMuslim.com

1. Qëllimet e mira

Nëse dëshiron që diçka të ketë bereqet në të, formo qëllim të mirë për të. Më veçanërisht, sigurohu që ajo vepër të jetë vetëm për hir të Allahut (Subhanehu we te‟ala). Duke shikuar prapë në definicionin e bereqetit, ju mund t‟ia qëlloni edhe vetë se, nëse ne nuk e kemi për qëllim për atë që e kemi ose që e bëjmë të jetë për hir të Allahut, “mirësia hyjnore” nuk do të gjendet në veprat tona.

2. Devotshmëria dhe besimi në Allahun

Allahu thotë në Kuran: “E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e toka …” (Surja El-A‟rafë, ajeti 96). Dhe Ai gjithashtu thotë në Kuran: “e kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë, dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare.” (Surja Et-Talak, Ajetet 2-3).

3. Të vendoset besimi tek Allahu

Allahu thotë në Kuran: “Kush i mbështetet All-llahut, Ai i mjafton atij. Allahu realizon dëshirën e vet, dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).” (Surja Et-Talak, ajeti 3) I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse do të mbështeteshit në Allahun me mbështetje të sinqertë, Ai do t‟ju furnizonte ashtu siç i furnizon zogjtë: Ata fluturojnë në mëngjes pa asgjë dhe kthehen në mbrëmje me bark të mbushur.” (Ahmedi, En-Nesai, Ibn Maxheh, El-Hakim, dhe Et-Tirmidhiu)

4. Leximi i Kuranit

Kjo është fontana e bereqetit! Por SubhanAllah, ne rrallë pijmë prej saj! Allahu thotë në Kuran: “Edhe ky (Kur’an) është libër që e zbritëm; është i bekuar, vërtetues i të mëparshmes…” (Surja El-En‟am, Ajeti 92). Kështu që, lexoni Kuran, dhe shikoni se çfarë bekimesh dhe bereqeti prej Allahut do të futet në jetën tuaj. Sa më larg që të jemi nga ky Libër i Udhëzimit, aq më pak bereqet do të kemi në jetët tona.

5. Të thënurit Bismilah

Kur thua “Bismilah” para çdo pune që e bëni, ju po e kërkoni ndihmën përmes Emrit të Allahut në atë punë; jo vetëm që do të bekohet ai aktivitet por as shejtani nuk ka mundësi të jetë pjesë e tij! Pra, gjithmonë thuani “Bismilah” para çfarë pune që bëni! SubhanAllah, është lehtë për ne të harrojmë të themi “Bismilah”. Nganjëherë për shkak që jemi mësuar ta themi atë gjithmonë ne nuk mund ta mbajmë në mend nëse e kemi thënë apo jo! Mundohu të bëhesh i vetëdijshëm kur thua “Bismilah” dhe kuptoje se çfarë po thua para se ta bësh atë.

6. Të ngrënit me njerëzit

Çdonjëri që ka pasur përvojën e pritjes së mysafirëve në shtëpinë e tij/saj do ta kuptojë këtë. Pa marrë parasysh se sa i paktë të duket ty ushqimi që ua shërben mysafirëve të tu, gjithmonë duket më shumë se i mjaftueshëm! (Vërej: Kjo nuk është arsye që të jesh dorështrënguar kur i fton mysafirët në shtëpi; në fakt, duhet ta ndjekim sunetin e pejgamberit Ibrahim (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) i cili kur u vizitua nga engjëjt përgatit një shujtë të madhe për ta). Këtu po i referohem bekimit që ndodh kur hamë së bashku, konfirmuar në hadithin e pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) i cili tha: “Hani së bashku, sepse bekimi është në xhem‟atë (bashkësi njerëzish)…” dhe në një hadith tjetër: “Kushdo që posedon mjaft ushqim për dy persona, le ta marrë edhe të tretin, dhe kushdo që ka mjaft ushqim për katër persona, le ta marrë të pestin ose të gjashtin (ose tha ngjashëm me këtë).” (Bukhari, Volumi 4, Libri 56, Numër 781)

7. Ndershmëria në tregti

Kjo është për të gjithë njerëzit e biznesit (duke përfshirë edhe përdoruesit e “eBay”). Ne nuk duhet të supozojmë se duke gënjyer dhe mashtruar njerëzit tregtia jonë do të jetë profitabile. Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Blerësi dhe shitësi e kanë mundësinë e anulimit ose konfirmimit të shitblerjes përderisa ende nuk janë ndarë, dhe nëse kanë folur të vërtetën dhe kanë bërë të qartë të metat e produktit, atëherë ata do të bekohen në këtë shitblerje, ndërsa nëse kanë treguar gënjeshtra dhe kanë fshehur fakte, shitblerja e tyre do të privohet nga bekimi i Allahut”. (Bukhari, Volumi 3, Libri 34, Numër 293) Po, është e vështirë të jesh i ndershëm kur je duke provuar të shesësh diçka, por vlera është e madhe.

8. Duaja

Lute Allahun për bereqet! Nëse interesohesh rreth disa prej duave të profetit Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) do ta vëresh se Profeti bënte dua për bereqet. Ne gjithmonë themi: “Allahu të bekoftë!” Mirëpo, qëllojani se çfarë? Kjo është një prej burimeve të bereqetit! Gjithashtu, kur je i ftuar në shtëpinë e dikujt, i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) na ka mësuar ta bëjmë duanë vijuese për pritësin: “O Allah, bekoje për ata atë me të cilën i ke furnizuar, fali ata dhe Ji i Mëshirshëm me ta.”

9. Të hyrat hallall/paratë

Profeti Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “O njerëz, Allahu është i mirë dhe nuk e pranon veçse të mirën” (Dijetarët kanë thënë se kjo ka të bëjë me të ardhurat hallall dhe rëndësinë e saj). Një dijetar, për atë që han haram ka thënë se, gjymtyrët e tij do ta tradhtojnë Allahun pa marrë parasysh a e dëshiron ai këtë apo jo; dhe se, ai i cili han pasurinë hallall, gjithashtu edhe gjymtyrët e tij do të bëjnë punë të mira dhe do tu jepet leje që të kërkojnë të mirën. Ky koncept, i të qenët i gjymtyrëve të bekuara dhe të lejuara që të bëjnë punë të mira është me të vërtetë një bekim dhe bereqet të cilin duhet ta synojmë të gjithë ne. Më përkujton kjo një tregim për një njeri të vjetër, i cili kërceu në një distancë të madhe të cilën të rinjtë nuk mund ta kapërcenin. Kur një i ri e pyeti plakun se si e bëri këtë, ai u përgjigj: “Këto janë gjymtyrët tona: i kemi ruajtur nga bërja e gjynaheve kur kemi qenë të rinj, kështu që Allahu i ruajti ato për ne kur ne u plakëm”.

10. Pasimi i sunetit të Pejgamberit Muhamed në çdo gjë

E kam thënë njëherë dhe do ta them prapë, Njeriu më Produktiv në historinë e njerëzimit është Profeti ynë i dashur Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!). Kështu që, thjeshtë vetëm me pasimin e stilit të jetës së tij dhe traditat e Sunetit për të cilat dëgjojmë aq shpesh, do të përfitojmë një burim të madh të bereqetit! Disa nga këto sunete përfshijnë: ngrënia Suhuur, ngrënia me dorën e djathtë nga ana e jote e pjatës, dalja për faljen e namazit të Bajramit, lëpirja e gishtërinjve pas përfundimit të ushqimit, fjetja në krahun e djathtë, përdorimi i miswakut, dhe shumë të tjera. Interesohu për këto sunete dhe përcjelli ato, sepse imitimi i traditës së njeriut më të bekuar në tokë është padyshim një burim i bereqetit!

11. Falja e namazit të istihares

Falja e namazit të istihares në të gjitha çështjet dhe pastaj mbështetja tek Allahu sa i përket pasojave, sikurse edhe pranimi i përcaktimit të Tij është burim i madh i bereqetit. Profeti Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) na ka mësuar këtë dua të bukur e cila na ndihmon të marrim vendime dhe të mos pendohemi për zgjedhjet që i bëjmë në këtë hadith:
Transmetohet nga Xhabir Ibn Abdullah të ketë thënë: “I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) na mësonte që të lutemi për udhëzim (namaz istihare) në të gjitha çështjet tona ashtu siç na mësonte kapitujt nga Kurani. Ai (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) thoshte: Nëse dikush prej jush dëshiron të merr një vendim të rëndësishëm, le të falë dy rekate vullnetare namaz dhe pastaj le të lutet: “O Zoti im, me diturinë tënde kërkoj mbarësi. Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate; kërkoj prej të mirave Tua të shumta, sepse Ti ke mundësi kurse unë s‟kam mundësi; Ti di çdo gjë kurse unë nuk di; Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot! Nëse kjo punë e imja (… e emërton nevojën e tij…) është e dobishme për fenë time dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, ma mundëso mua që të realizohet kjo, ma lehtëso mua këtë dhe më beko në të. E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time për kohën e tashme dhe të ardhmen, largoje këtë nga unë dhe më largo mua nga kjo, e më përcakto mirësinë (mbarësinë) kudo që të jetë dhe më bëj të jem i kënaqur me të. E kush kërkon ndihmë nga Allahu (bën istihare) dhe konsultohet me njerëz (besimtarë) dhe bëhet i vendosur në pikësynimin e tij, nuk do të pendohet. Allahu thotë: “… dhe këshillohu me ta për të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun…” [Kuran, 3:159]

12. Falënderimi i shumtë i Allahut

Allahu thotë në Kuran: “Nëse jeni falënderues Do të shtoj më shumë (mirësi) për ju”. Një dijetar njëherë më tregoi se nëse shikon në këtë ajet, fjala arabe e cila është përdorur për të konfirmuar se Allahu Dëshiron të mira për personin i cili e falënderon Atë është faktikisht në formë të betimit – “Le-Ezidennekum”. Pra Allahu i premton atij që është falënderues ndaj Tij shtim në mirësi dhe bekime, dhe Allahu nuk e then asnjëherë premtimin.

13. Lëmosha

Në një hadith Kudsi, Allahu thotë: “O biri i Ademit, shpenzo (jep lëmoshë) dhe Unë do të shpenzoj në ty!” Kurdo që ke mbetur pa para, ose të duket se të është zhveshur bereqeti nga jeta jote dhe ke nevojë që të të kthehet urgjentisht, mënyra më e shpejtë e kthimit të bereqetit në jetën tënde mund të jetë duke dhënë lëmoshë. Për shembull, të themi se të ka ikur bereqeti për shkak të një mëkati që ke bërë; sadakaja (lëmosha) pastron gjynahet tua, shton vepra të mira dhe është burim i bereqetit. Unë nuk arrij dot ta përshkruaj plotësimin e menjëhershëm të mirësisë pas dhënies së sadakasë, dhe bereqetit që vjen pas saj. Provo këtë TANI!

14. Mbajtja e lidhjeve farefisnore

Transmeton Ebu Hurejra: I dërguari (s.a.w.s.) ka thënë: “Allahu krijoi krijimin e Tij, dhe kur Ai e përfundoi atë, lidhja farefisnore u ngrit dhe Allahu I tha: “Ç‟është puna me ty?” Ajo u përgjigj në këtë: “Kërkoj mbrojtje nga Ti që dikush të më shkëpusë mua”. Allahu u përgjigj në këtë: “A do të ishe e kënaqur që të derdhja begatitë e Mia mbi atë që të mban ty lidhur, dhe të ndaloj begatitë e Mia prej atij që rrezikon (shkëputë) lidhjet?” Në këtë ajo u përgjigj: “Po, O Zoti im!” Dhe Allahu tha: “Do të jetë kështu për ty.” Ebu Hurejra (rreth këtij hadithi) shtoi: “Nëse doni lexojeni: “Nëse ju (o hipokritë) i ktheni shpinën besimit, atëherë a do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t‟i shkatërronit lidhjet farefisnore? (Bukhari, Volumi 6, Libri 60, Numër 354)”

15. Zgjimi nga gjumi herët

Pejgamberi (Salallahu „Alejhi ue Selem) ka thënë: “Allahu i ka bërë të bekuara për umetin tim orët e hershme.” (Ahmedi) Ky hadith ishte ai që më shtyu mua ta krijoj ProductiveMuslim.com! Këto lloj perlash të produktivitetit janë burimet e bereqetit për të cilat duhet të luftojmë që ta shndërrojmë jetën tonë në produktive. Zgjimi herët në mëngjes është një hap mjaft i rëndësishëm për të qenë i bereqetshëm dhe për tu ndjerë mirë gjatë gjithë ditës. Mundohu të ngrihesh për Tehexhud (namaz nate) dhe pastaj përpiqu të punosh diç gjatë orëve para namazit të Sabahut. Nëse nuk ke mundësi, atëherë së paku ngrihu për namaz të Sabahut dhe qëndro i zgjuar derisa të lindë dielli para se të shkosh të flesh prapë. Këto orë janë të mbushura me bereqet. Nëse keni mundësi të shkoni në punë në këtë kohë atëherë bëjeni këtë, do të kryeni më shumë punë sesa gjatë tërë ditës në vijim!

16. Martesa

Allahu thotë në Kuran: “Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, All-llahu i begaton nga mirësitë e Tij, All-llahu është bujar i madh, i gjithëdijshëm!” (Kuran 24:32)

Sa i përket martesës, ia rekomandoj kursin edukativ secilit që është duke menduar seriozisht rreth martesës: (për ata që dijnë anglisht): www.Practimate.com.

17. Namazi

Allahu thotë në Kuran: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), ardhmëria e mirë është e atij që ruhet.” (Kuran 20:132) Për ta ilustruar çështjen e namazit më shumë, vetëm paramendojeni jetën tuaj pa këtë akt madhështor të adhurimit! Prej nga do të vinte bereqeti? Për ata të cilët ende luhaten rreth namazit të tyre: Ju lutem kthehuni në binarë; kjo është vija e hollë jetësore për destinacionin tuaj përfundimtar dhe ushqimi ditor për shpirtin tuaj.

18. Kërkimi falje nga Allahu

I Dërguari (Salallahu „Alejhi ue Selem) ka thënë: “Nëse dikush vazhdimisht kërkon falje nga Allahu, Allahu do të gjej rrugëdalje për të në çfarëdo fatkeqësie, dhe do ta liroj nga çdo shqetësim, dhe do ta furnizoj atë nga nuk e pret fare.”

Shpresoj që këto gjëra përfshijnë shumicën e burimeve të Bereqetit, por siç e kam cekur edhe më herët, nuk është kjo ndonjë listë e përcaktuar. Ju lutem të shtoni burimet e juaja dhe na jepni rekomandime të reja që ti ndajmë së bashku!

marrë nga productivemuslim.com./përktheu Hekuran Helshani /kohaislame

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit